AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

O SA VSHTIR ME KEN SHQIPTAR!

Shko poshtë

O SA VSHTIR ME KEN SHQIPTAR! Empty O SA VSHTIR ME KEN SHQIPTAR!

Mesazh nga ♛Melody♛ Sat Jun 08, 2013 12:51 am



Sot dua të jem turk! – shkruante para pak ditësh kolegu Ilir Yzeiri. Mesazhi i artikullit ishte i qartë. Përgjumja shqiptare na bën të xhelozohemi për guximin dhe protestat këmbëngulëse që njerëzit zhvillojnë më mbrojtje të të drejtave të tyre kudo në botë. Dhe këtë herë objekt i xhelozisë sonë të dëshpëruar qe Turqia ku njerëzit janë ngritur në protestë kundër autokratizmit të një Kryeministri. Dua të jem turk! Pse? Sepse shqiptarët nuk të lenë të jesh shqiptar!



***

Patriot është ai që bën më të mirën për Atdheun në çdo moment. Aq më tepër në momente historike. Në këtë kuptim, të jesh shqiptar, nuk do të thotë vetëm të kesh lindur në Shqipëri nga prindër shqiptarë apo thjesht të flasësh shqip. Jo pak nga ata që i kanë pasur këto atribute, kanë punuar në dëm të Shqipërisë. Aq më pak nuk do të thotë vetëm të mbështillesh me flamur kuqezi dhe të këndosh në stadium: “O sa mir me ken shqiptar o hej”!



***

Morali dhe humanizmi përkojnë në mënyrë perfekte me atdhetarinë. Në instancë të fundit, edhe detyrat më të imta të ditës mund të kryhen në mënyrë ose jo patriotike. Veç këtu nuk do flasim për këto, por për atë që, në një moment apo epokë historike, shfaqet si nevoja parësore e Atdheut. Kush punon për përmbushjen e kësaj nevoje është patriot dhe shqiptar. Kush bën të kundërtën, jo!



***

Shqiptar është ai që kupton se cila është nevoja historike e Shqipërisë. Kur shekuj më parë turq, grekë dhe serbë u bashkuan kundër gjuhës shqipe, patriotë dhe shqiptarë të vërtetë ishin ata që kuptuan se mbijetesa e kombit kërkonte të bëhej çdo përpjekje dhe sakrificë për alfabetizimin, ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Shumë patriotë investuan jetën për të përmbushur këtë nevojë të kombit. Pati dhe jo pak shqiptarë që nuk e kuptuan këtë nevojë të kombit dhe punuan kundër përmbushjes së saj. Ata nuk ishin shqiptarë edhe pse flisnin shqip.



***

Gjatë shekujve të sundimit otoman, shqiptar ishte ai që nuk e pranoi zgjedhën e huaj si një gjendje të natyrshme, por u ngrit me armë në dorë për çlirim sa herë u shfaq çasti i volitshëm. Jo pak nga këta shqiptarë dhanë edhe jetën për çlirim gjë që dëshmon se nuk është fare e lehtë, por sublime të jesh shqiptar. Në fillim të shekullit XX Shqipëria kishte nevojë urgjente të pavarësohej që kombi të mos zhdukej në gërmadhat e Perandorisë Otomane. Ata që e kuptuan dhe luftuan për përmbushjen e kësaj urgjence ishin shqiptarë. Të tjerë shqiptarë që nuk e kuptuan madje e kundërshtuan pavarësinë, nuk ishin shqiptarë edhe pse flisnin shqip. Gjë që tregon edhe një herë se sa e vështirë është të jesh shqiptar. Sepse të jesh shqiptar duhet të jesh në gjendje të kuptosh nevojat historike të Shqipërisë.



***

Me shpalljen e pavarësisë nis një tjetër periudhë historike. Përjashtuar vitet e Luftës II Botërore kur Shqipëria u pushtua nga nazifashistët, nevoja që shtronte ajo ishte tjetër. Tashmë nuk kërkohej liria kombëtare, por ajo shoqërore, garantimi i lirisë së njeriut nga njeriu, e mbrojtjes së lirisë së shqiptarit nga shqiptari. Por për fat të keq, kjo nevojë historike është kuptuar më pak nga shumica e shqiptarëve. Gjithë shekulli XX dëshmon se ata janë bërë viktima të kulteve politike, të shpresave të rreme se e mira do t’u vijë nga prijës e liderë mesianikë. Skllevër të këtyre idhujve e iluzioneve shqiptarët u viktimizuan në shumicë për dekada të tëra nga monarki autokratike dhe diktatura bolshevike që e shpallën veten patriotikë. Dhe shumica e shqiptarëve nuk e kuptuan kurrë se nuk mund të qe patriotike një qeveri apo regjim që në emër të Atdheut apo “popullit”, mbyste lirinë e shqiptarëve. Një tjetër provë se sa e vështirë është që të jesh tamam shqiptar!



***

Rënia e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk erdhi si rrjedhojë e erozionit të shkaktuar në themelet e saj nga ndonjë disidencë këmbëngulëse dhe afatgjatë. Diktatura u shemb, sepse gjithë socializmit lindor i erdhi fundi. Dalja e njerëzve në rrugë deri edhe përmbysja e busteve të diktatorit, ky shpërthim i natyrshëm i një ndrydhjeje 40-vjeçare, u keqpërdor për të ngritur në piedestal kulte të tjera. Sali Berisha dhe klani i tij nxitoi të shpallej si përmbysës i komunizmit dhe sjellës i demokracisë. Pra një Mesia i ri. Dhe nën këtë maskë ka 23 vjet që po punon për ta shprishur shansin e demokracisë dhe lirisë. Dhe jo pak shqiptarë, vazhdojnë ta duartrokasin, mbështesin e votojnë edhe tani që ka fakte të panumërta që tregojnë se ai po ngre një pushtet absolut që lakmon nënshtrimin absolut të shqiptarëve.



***

Një sondazh i fundit tregoi se në Fier PD mund të votohet nga rreth 43 për qind e zgjedhësve. Edhe pse e dinë që demokracia kërkon rotacion, edhe pse kanë vuajtur nga pushtetet afatgjata, edhe pse e dinë që SHBA u bë SHBA nga që Xhorxh Uashingtoni nuk pranoi të qëndronte në postin e Presidentit më shumë se dy mandate, edhe pse thuajse e prekin dhe e vuajnë korrupsionin e frikshëm të qeverisë, edhe pse qeveria ka vrarë 4 protestues të pafajshëm, jo pak shqiptarë menduakan ta hedhin votën për të. Por çfarë i thonë vetes? Mos vallë se qeveria bëri mirë që i vrau? Ka shumë të ngjarë. A nuk i thoshin vetes kështu shqiptarët nën diktaturë kur Enver Hoxha çonte në plumb “armiqtë e popullit”, duke justifikuar duartrokitjet për të? Atëherë ishte shumë e vështirë të ishe shqiptar. Por edhe sot po aq e vështirë është.



***

Dhe kështu do të jetë sot e mot. Derisa shqiptarët të kuptojnë se që të jesh shqiptar duhet të punosh pa prerë për mbrojtjen e lirive të shqiptarit nga qeveritë dhe liderët shqiptarë, duhet të punosh dhe protestosh për lirinë e votës, lirinë e fjalës, punës dhe pronës. Dhe këto nuk arrihen kurrë pa ngritur një sistem institucionesh dhe gjykatash, që i pengojnë qeveritë që jo vetëm jashtëligjshëm, por as ligjërisht, të mos mund të dhunojnë këto liri dhe të drejta. Por është e vështirë të kuptosh dhe ndjesh një gjë të tillë. Edhe pse e dëgjon atë përditë. Nuk mund ta kuptosh rrezikun që vjen nga një qeveri, pushtet apo lider në pushtet, nëse je i varur nga ai për bukën e fëmijëve, për vendin e punës, për karrierën apo edhe për fitimin. Këputja e këtyre zinxhirëve të padukshëm interesi, është premisë e lirisë së mendimit dhe e lindjes së aftësisë për kritikë. Kush është skllav nuk mund të jetë shqiptar. Dhe çlirimi nga skllavëria e pushteteve nuk është gjë e lehtë. Prandaj themi: O sa vshtir me ken shqiptar!

Autor Andrea Stefani te 6 Qershor 2013.
♛Melody♛
♛Melody♛

O SA VSHTIR ME KEN SHQIPTAR! Coolte21

Shteti Shteti : O SA VSHTIR ME KEN SHQIPTAR! Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi