Elsa Miha: Sekretet E Prokurores 35-Vjeçare Të Dënimeve Të Rënda
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Elsa Miha: Sekretet E Prokurores 35-Vjeçare Të Dënimeve Të Rënda
Elsa Miha- Prokurorja fierake rrëfen prapaskenat e punës së saj, procedurat, vështirësitë, dënimet me burgim të përjetshëm, por edhe jetën e saj pa togën e zezë. Edhe pse nuk i ka mbushur ende të 35-at, duket sikur jeta e saj mbivendoset në hapësirë e në kohë disa herë, duke krijuar dimensione të veçanta që bashkëjetojnë në harmoni me njëra-tjetrën. “Nga karakteri ngjan me një “burrë” të fortë. Nëse ke bërë krim e ke rënë në dorë të saj, nuk ke shpëtim, të jep hakun. Është një grua e ‘hekurt’”, shprehen ata që e njohin. Kur të numërojnë të gjitha çështjet që ajo ka mbuluar, dënimet e ashpra, deri edhe me burgim të përjetshëm, në mendje të krijohet imazhi i një gruaje me një portret të ashpër, vetullngrysur, me pamje gati mashkullore.. Por, prokurorja fierake Elsa Miha nuk ka asgjë të përbashkët me këtë portret, edhe pse dhjetëra zyrtarë të Fierit nuk i kanë shpëtuar dot dënimit me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për rreth 9 vjet që ushtron detyrën e prokurores, nuk ka marrë asnjë pafajësi në gjykatë dhe nuk i është shfuqizuar asnjë vendimmarrje. Tek Elsa gjen një ekuilibër të mahnitshëm të të qenurit femër, me gjithë brishtësinë që e karakterizon këtë gjini, me dorën e fortë në zbatim të ligjit. Teksa e pyesim, duket sikur i ka përgjigjet gati për çdo gjë. Me një siguri të plotë, flet thjesht, prerë dhe me argumente. Është e shqetësuar për imazhin që ka sot drejtësia shqiptare. “Popullit duhet t’i kthehet besimi te drejtësia, ai ka nevojë për këtë. Kjo normalisht kërkon gjyqtarë dhe prokurorë ligjorë, të cilët tregohen korrektë në ushtrimin e detyrës së tyre dhe mendoj se duhet evidentuar dhe vlerësuar puna e atyre që tregohen vërtet të tillë. Konsolidimi i sistemit të karrierës, bazuar në merita profesionale, do t’i jepte stimul çdokujt që është pjesë e këtij sistemi, për të qenë sa më profesional dhe ligjor. Po kështu, gjykoj se është e rëndësishme që jo vetëm të japim drejtësi, por edhe të lëmë të kuptohet nga të tjerët se po e bëjmë diçka të tillë”, thotë ajo.
Të jesh prokurore
“Shumë, shumë punë, por edhe pak talent”. Duket se këtu qëndron i gjithë sekreti. “Suksesi i një prokurori mendoj se mbështetet në tri shtylla kryesore: e para hetimi i plotë i çështjes, e dyta përfaqësimi dinjitoz i akuzës në gjyq dhe e treta, sjellja korrekte me subjektet procedurale dhe jo vetëm. Këto duhet të jenë parime në themel të punës së prokurorit, pastaj suksesi individual i secilit varet nga një sërë faktorësh të tjerë, si saktësia në interpretimin e ligjit, në marrjen e provave dhe në analizën ligjore të tyre, sa procedural është, sa përfshihet në hetimin e çështjes etj. Që të gjitha këto detaje të mund të jenë aty ku duhet, kërkohet shumë punë, kërkohet studim serioz i kallëzimit të ardhur apo faktit të referuar dhe kjo, pavarësisht se sa i rëndë apo i lehtë është fakti penal, kërkon bashkëpunim dhe kontroll të vazhdueshëm të Policisë Gjyqësore për të mbledhur të gjithë provat e nevojshme dhe të mundshme, duke mos lejuar shkelje procedurale. Gjithashtu nevojitet njohje e vazhdueshme e literaturës juridike bashkëkohore dhe rasteve të praktikës gjyqësore. Në fund të fundit, kërkohet që ta duash punën, çka bën dhe të udhëhiqesh nga ndjenja e përgjegjësisë përgjatë kryerjes së saj”.
Vështirësitë
“Për prokurorin, vështirësia e hetimit të çështjes nuk është gjithmonë në raport të drejtë me rëndësinë e faktit penal, ashtu sikundër mund ta perceptohet së jashtmi. Mund të jenë raste jo shumë të rënda, por që janë shumë të vështira. Të tilla, ato i bëjnë problemet e provueshmërisë, rrezikshmëria që paraqesin personat e përfshirë në krim dhe jo vetëm, si edhe mundësia që ata kanë për të ushtruar presion negativ mbi akuzën. Sa më korrekt të jesh me ligjin dhe palët, aq më i vogël është ky presion. Ajo që ndodh me veprat e rënda penale, është se prokurori ndjen një përgjegjësi shumë herë më të madhe për ta zbardhur të vërtetën dhe për të vënë para drejtësisë autorin, dhe kjo ndjenjë përgjegjësie përkthehet më pas në më shumë punë e më shumë lodhje”, shton prokurorja Miha. Kur e pyet se si ndihet një prokuror kur kërkon burgim të përjetshëm për të pandehurin, ajo shpjegon se një penalizim i tillë kërkohet vetëm kur faktet krijojnë bindjen se kjo gjë është e nevojshme. “Të kërkuarit e burgimit të përjetshëm ndaj një të pandehuri të caktuar, nuk më krijon ndonjë ndjesi të veçantë në seancë gjyqësore, ndoshta për faktin se kur kërkohet një dënim i tillë, kjo ndodh vetëm në rastet kur jemi të bindur, se çdo dënim tjetër më i lehtë do të ishte i papërshtatshëm për rastin dhe nuk do të justifikonte qëllimet e tij në vetvete. Përveç parandalimit të posaçëm, dënimi ka si qëllim edhe parandalimin e përgjithshëm në kryerjen e veprës penale, çka nënkupton sensibilizimin e shoqërisë, në rast kryerje të veprave të tilla të rënda dhe në disa raste ky sensibilizim mund të arrihet vetëm me dënime të tilla të rënda. Pastaj sesa të mbrojtur jemi ne nga reagimet apo sulmet që mund të vijnë si rezultat i një kërkese të tillë, kjo është çështje tjetër, që ndoshta meriton vëmendje…”.
Familja
Elsa Miha është bashkëshorte dhe nënë e dy djemve bukuroshë, 12 dhe 4 vjeç. Kur flet për familjen, i ndryshon toni i zërit, ajo prezenca e zyrtares nis të fashitet dhe kur nis të flasë për fëmijët, prokurorja që jeton në gjysmën e Elsës nuk ekziston më. “E konsideroj veten me fat për familjen e mrekullueshme që kam. I shoh djemtë e mi dhe mbushem me gëzim. Nuk dua të flas për lodhjen ndërsa flas për ta, pasi as që krahasohet me lumturinë që prania e tyre jep në jetën time. Kam një bashkëshort, të cilin para së gjithash e kam një shok të mirë. Ndonëse ai vesh në punë bluzë të bardhë (është mjek pneumolog), ndërsa unë pelerinë të zezë, e rëndësishme është që në jetë veshim të njëjtat ngjyra”, përfundon Elsa, e cila në fakt ka dhe një sekret “të vogël”… Prapa imazhit të “gruas së hekurt”, bashkëshortes dhe nënës së përkushtuar, ajo fsheh shpirtin e një poeteje… Dikur ajo shkruante poezi, madje ka botuar edhe një vëllim poetik të titulluar “Mos ma ndalni fluturimin!”. Ndërkohë, ende vazhdon të shkruajë…
Burimi: Balkanweb
Similar topics
» Ekzekutoi në 1997-ën nënën e Elsa Lilës, dënohet me 20 vite burg Albenc Ago
» Stefan Miha: Pranvera Hoxha, në vjedhjen e kryqit të florinjtë në Kishën e Labovës
» Mungesa e mëngjesit, shkak i sëmundjeve të rënda
» Arratisjet, Burgjet: S’ka më leje për të dënuarit për krime të rënda
» Varfëria, 54 mijë fëmijë nga 5-17 vjeç punojnë në punë të rënda
» Stefan Miha: Pranvera Hoxha, në vjedhjen e kryqit të florinjtë në Kishën e Labovës
» Mungesa e mëngjesit, shkak i sëmundjeve të rënda
» Arratisjet, Burgjet: S’ka më leje për të dënuarit për krime të rënda
» Varfëria, 54 mijë fëmijë nga 5-17 vjeç punojnë në punë të rënda
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi