AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shqipëria në mungesën ballkanike të ideologjisë

Shko poshtë

Shqipëria në mungesën ballkanike të ideologjisë Empty Shqipëria në mungesën ballkanike të ideologjisë

Mesazh nga ♛Melody♛ Wed May 22, 2013 11:00 pm

Një problem i Ballkanit është mungesa e një ideologjie jetese. Në vend të saj, njerëzit jetojnë me një formë të çuditshme stoicizmi.” Ky përcaktim i shkurtër i shkëputur nga artikulli “Stoikët ballkanikë dhe arti i të mbijetuarit” i Eleonora Veninova, botuar në Balkan Insight, është ndoshta përcaktimi më realist për stanjacionin e çuditshëm dhe klimën pesimiste që mbizotëron në gadishull. Klimë e cila ka hedhur rrënjë të thella dhe në vendin tonë.
Pavarësisht përparësive teknologjike dhe informative me të cilat fenomeni i globalizimit ka përfshirë vendin tonë, ekziston një tkurrje atipike e asimilimit të resurseve informative në qëllimin e konturimit të një ideologjie progresiste. Vendi ynë, i shënjuar nga një tranzicion i shëmtuar çalaman, fatkeqësisht ndodhet sot në një qorrsokak të çuditshëm, ku faji tashmë nuk mund t’i hidhet vetëm së shkuarës komuniste.
Për t’u rikthyer pak tek artikulli i Veninovës, do doja të përmendja një vërejtje të drejtë që ajo bën. Amerikanët kanë pasur dhe kanë ende sot “ëndrrën amerikane”, një mënyrë sanguine për të kërkuar afirmimin individual dhe shoqëror. Përkundrazi, Ballkani nuk ka mundur të formulojë një simotër të ëndrrës amerikane. Ne vërejmë sot se Shqipëria endet në një boshllëk ideologjik, që lidhet jo vetëm me konsumimin e tepruar të një politike malinje dhe me krizën ekonomike, por edhe me varfërimin moral dhe ideor.
Gjatë tranzicionit shoqëria jonë përkundi në mënyrë fëmijërore, por të pastër, të ashtuquajturën “ëndërr europiane”. Por sot ëndrra europiane është zbehur. Pragmaticiteti politik, në një shoqëri tejet të politizuar, është bërë vazhdimisht një pengesë drejt integrimit real. Padyshim vonesat kohore e zbehën filizin ideologjik, pasi në një shoqëri primitive në aspektin demokratik, nuk mund të flitet për një ideologji të mirartikuluar. Por nuk janë vetëm faktorët e brendshëm që ndikuan në zbehjen e ëndrrës europiane. Kriza ekonomike globale, efektin më afatgjatë e pati (dhe e ka ende) mbi Europën e bashkuar. Problemet ekonomike, por dhe kaosi politik që përfshiu një pjesë të mirë të vendeve përbërëse, rritën jo vetëm skepticizmin e vendeve aspiruese për të hyrë në bashkim, por edhe dyshimin e disa vendeve përbërëse për ta braktisur atë.
Të gjithë këta faktorë bënë që, tashmë ajo që në vitet e para të tranzicionit ishte një ëndërr, të shihet me më objektivizëm dhe dyshim. Kasta politike, ‘de facto’ faktori kryesor në ngadalësimin dhe zbehjen e proceseve integruese, sot për sot, përveç përgjegjësive të jetës dhe zhvillimeve politike, duhet të mbartë në ndërgjegje këtë zbehje. Sot, në kushtet e një krize ekonomike dhe të një pikëpyetjeje për ardhmërinë e jetës politike dhe shoqërore, integrimi dhe ëndrra e dikurshme kanë kaluar në plan të dytë. Fushata zgjedhore që po zhvillohet, treguesja më e qartë e pikave të referimit të gjendjes shoqërore, është indikatore e qartë që tashmë integrimi nuk është më “pikë e nxehtë”.
Kur pikësynimi karakterizues i tranzicionit është zbehur, mund të vërejmë pikërisht atë që Veninova e konstaton për Ballkanin në tërësi: mungon një ideologji. Në këtë mungesë u rikthyen në mënyrë sporadike programet nacionaliste, që me fillimin e kremtimeve për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, e deri në krijimin e një partie nacionaliste. Por fragmente ideologjike të tilla janë tepër arkaike dhe primitive, dhe jo vetëm vala e ndjenjave nacionaliste u shua ashtu siç lindi, por dhe partia që lindi mbi atë valë humbi koloritin në mënyrë flagrante. Sido që të jetë, rimarrja e këtyre ideologjive të shekullit të kaluar tregon një varfëri të përgjithshme mendimi.
Konstatimi më i gjetur për të mbushur këtë mungesë dhe varfëri është nevoja e një sistemi vlerash, moraliteti, doktrinash të qarta ekonomike dhe politike, si e vetmja mënyrë për të dalë nga kaosi që përjetojmë përditë. Duke qenë se historia është një cikël i përsëritur, përpjekja për të gjetur një nivel të tillë njohjeje të vetvetes dhe të konceptualitetit shoqëror, lehtësisht mund të na çojë tek “neoshqiptarizma” e Branko Merxhanit. Mëtimi për të rimarrë në mënyrë shabllone doktrinën e shtjelluar nga ky publicist është sigurisht një përpjekje e kotë. Por aktualizimi i saj mund të jetë realisht një atribut i shtuar në konsakrimin e Shqipërisë moderne dhe, mbi të gjitha, shoqërisë shqiptare moderne. Fjala vjen, semantika e shtetit modern, kombit, idealit, sociologjisë së aplikuar, nacionalizmës, qytetarisë, traditës dhe idesë kombëtare, doktrinave ekonomike dhe atyre politike (veç një pjesë e elementëve të trajtuar nga Merxhani) mbetet ende primare në vlerësimin dhe emancipimin shoqëror. Nocioni i neoshqiptarizmës është thjesht një shembull. Ajo mund të shërbejë si pikë fillestare e trajtimit të ri të problemeve bazike shoqërore.
Duke iu referuar krijimit të situatave të tilla anarkike në shoqëri, Niçe shprehej: “Çdo njëri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë vetveten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda tij.” Organizimi moral, ekonomik, intelektual dhe ideor është kushti i domosdoshëm për progresivizmin mbarëshoqëror. Në qoftë se deri më sot tranzicioni është shtyrë sa nga besëtytnitë dhe idealizmat utopike, aq nga interesat dritëshkurtra dhe pragmaticiteti meskin, sot e më tej nevojitet një ideologji e mirëpërcaktuar. Kjo është e vetmja mënyrë për të ushqyer në mënyrë beninje shoqërinë, sikurse dhe faktorin që kjo shoqëri përbën në rajon dhe më gjerë. Në këtë mënyrë, arti i të mbijetuarit për të cilin argumenton Veninova në shkrimin e saj, do të mund të shndërrohet mirëfilli në “art i të jetuarit”.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)
♛Melody♛
♛Melody♛

Shqipëria në mungesën ballkanike të ideologjisë Coolte21

Shteti Shteti : Shqipëria në mungesën ballkanike të ideologjisë Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi