"Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur!"
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
"Shqipëria nuk ka më kohë për të humbur!"
- Rrëfehet Valbona Zeneli Toska: Jeta në qytetin e ftohtë Garmisch, karriera si pedagoge, familja dhe vlerësimi i saj për politikën dhe jetën në mëmëdhe. Ekonomia? Në peshëngritje ne vijmë pas Gjermanisë
Entela Resuli
-Ajo është e vetmja pedagoge nga rajoni në qendrën Marshall në Gjermani. Valbona Zeneli Toskën këto ditë e takojmë në Tiranë ku ka ardhur për disa ditë pushime pranë familjes. Vjen nga qyteti i ftohtë i Garmisch-it për të marrë disa rreze bujare nga Shqipëria. Përfituam nga ky kthim i saj për të realizuar me të një intervistë e për ta pyetur më shumë për jetën në Gjermani, por edhe për kthimin në kryeqytet. Ajo karakterizohet nga një modesti për t'u patur zili. Udhëton shumë, dhe jo udhëtime dosido, por nga ato institucionalet. Njeh vende dhe shtete me kultura të ndryshme. Ka pritur parlamentarë të huaj edhe shqiptarë për trajnime në qendrën ku jep mësim. Në këtë rrëfim, Zeneli na zbulon disa nga çështjet e sigurisë që kanë lidhje me politikën.
Valbona, po mbushen gati dy vite që jeni në Gjermani si profesore në Marshall Center. Para se të flasim për ju mund të themi diçka për këtë institucion…
Marshall Center, është instituti i ekselencës së studimeve të sigurisë ndërkombëtare që promovon dialogun dhe mirëkuptimin në botë, përmes bashkëpunimit, besimit dhe forcimit të institucioneve demokratike. Aty zhvillohen një sërë programesh unike për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve, të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë nga më tepër se 110 vende të botës.
Sot jeni në Tiranë? A kanë qenë të shpeshta ardhjet në Shqipëri gjatë këtij viti?
Këto ditë po kaloj këtu pushimet me familjen. Në Tiranë kam ardhur disa herë këto 2 vite për të marrë pjesë dhe referuar në konferenca të ndryshme rajonale.
A jeni ambientuar me jetën dhe klimën atje?
Natyrisht që gradualisht jam ambientuar. Çdo ndryshim ka kohën e vet për t’u përshtatur. Garmisch është një qytet i vogël, shumë i bukur afër Mynihut, me klimë malore të ftohtë. Është një ndër perlat e Gjermanisë, me malin më të lartë, Zugspitze. Si i tillë është edhe vendi ku zhvillohen kampionatet botërore të skive. Një ndër veçantitë e Garmisch-it është një tren që përshkon malin deri në majën më të lartë mbi 3000 metra, ndërtuar mbi 80 vjet më parë. Por, natyrisht ndiej edhe mungesën klimës sonë të mrekullueshme.
Gjermanët njihen si natyra të ftohta. Në kontaktet që keni me ta, sa e vërtetë është kjo gjë? Çfarë ndryshimi kanë nga shqiptarët?
Gjermanët njihen që janë shumë korrekte, të normuar në jetë e në punë, të zellshëm e fjalëpakë. Padyshim që ndryshojnë me temperamentin e ballkanasve. Të mos harrojmë që shqiptarët vazhdimisht kanë pasur afeksion për popullin gjerman dhe vlerat e tij.
Ju keni marrë ndopak nga ftohtësia e tyre?
Unë në Gjermani kam jetuar dhe më parë dhe e njoh temperamentin e tyre, dhe në mënyrë të natyrshme çdo ditë mëson dhe përfiton diçka nga ata. Megjithatë, pjesën më të madhe të marrëdhënieve të punës apo miqësore i kam me kolegët amerikanë të Qendrës Marshall.
Cila është lënda që jepni në Qendrën Marshall?
Qendra Marshall kontribuon në strategjitë kombëtare të bashkëpunimit për sigurinë në rajonin e Europës dhe Euro-Azisë përmes seminaresh, edukimit profesional, studimesh dhe analizash kërkimore të çështjeve kryesore që prekin këto vende që lidhen me zhvillimin e shëndoshë të demokracisë dhe shtetit ligjor.
Në këtë kuadër angazhimi im është i lidhur me çështjet e studimeve të sigurisë kombëtare. Më specifikisht, me sigurinë ekonomike, që natyrisht është e pandarë nga zhvillimi i institucioneve demokratike, lufta kundër korrupsionit e krimit, integrimi euroatlantik, etj.
Ka profesorë të tjerë nga vendet e Ballkanit?
Aktualisht jo. Pjesa më e madhe janë amerikanë, ka gjermanë dhe nga disa vende të BE-së.
Cila kategori studentesh vijnë aty?
Vijnë zyrtarë që përfaqësojnë institucione të ndryshme politike, diplomatike, ushtarake etj. Tashmë rrjeti i të diplomuarve është i madh dhe aktiv.
A ka pasur shqiptarë këtë vit?
Sigurisht çdo vit vijnë për të ndjekur programe të ndryshme.
Si ka qenë performanca e tyre dhe për çfarë janë trajnuar ata?
E vërtetë, këtë vit ka qenë edhe një grup i madh parlamentarësh, përfaqësues të partive të ndryshme. Ky është një program specifik për parlamentarë, që kam fatin të drejtoj këtë program në Marshall Center. Ky program fokusohet në çështje të ndryshme të sigurisë, nga sfidat globale e deri tek problemet konkrete të secilit vend. Ai i Shqipërisë ishte i fokusuar tek transparenca, lufta kundër korrupsionit, demokracia dhe llogaridhënia e institucioneve shtetërore tek Parlamenti.
Raporti juaj me ta kur dëgjojnë që jeni dhe ju nga Shqipëria?
Natyrisht kënaqësia është reciproke. Ajo që më bën përshtypje është sidomos dashamirësia e shqiptarëve të Kosovës. Kam krijuar shumë miqësi me ta. Ndjehem mirë sa herë shkoj në Prishtinë.
Cila është veprimtaria juaj. Udhëtoni shpesh për punë?
Kam pasur kënaqësinë dhe privilegjin të udhëtoj shpesh për të marrë pjesë në seminare, konferenca, leksione nga Amerika e deri Mongoli. Kjo është një përvojë e çmuar. Janë mbresëlënëse takimet me realitete të ndryshme, njohjet me zhvillimet politike rajonale e më gjerë, të cilat të ndryshojnë mënyrën e të parit të problemeve, zgjerojnë rrezen e këndvështrimeve.
Ju kemi parë aktive edhe në media me shkrime të ndryshme, a botoni edhe në shtypin e huaj?
Edhe kjo është pjesë e punës sime. Kam botuar në disa organe të shtypit, kryesisht në revistat amerikane.
Familja është me ju. Me çfarë merreni tjetër përveç punës? Si është një ditë e juaja?
Është një ditë normale si çdo familje. Sigurisht, puna zë pjesën më të madhe dhe detyrimet familjare, e veçanërisht Dario që kërkon vëmendje pasi është në vitet e para të shkollës. Fundjava mbetet paksa më e lirë.
Valbona, ju jeni një femër që keni arritur një sukses të caktuar në jetë. Çfarë e bën një njeri të suksesshëm apo cili mund të jetë sekreti që një femër të jetë e suksesshme?
Nuk mendoj se ka receta suksesi, se as ato të kekut shpeshherë nuk realizohen. Vullneti, kurajo dhe mbështetja e familjes.
Është e lehtë apo e vështirë të arrish suksesin në ditët e sotme?
Të dyja bashkë. Më e lehtë sepse mundësitë janë shumë më të mëdha, më e vështirë se konkurrenca është më e fortë.
Ju jeni një njohëse shumë e mirë e politikës së jashtme. Si është politika në Shqipëri?
Në përgjithësi, ende në rajon politika mbetet konfliktuale, me probleme e hatërmbetje të vjetra e të reja. Këtu harrohet që stabiliteti politik është bazë për zhvillimin ekonomik e social. Kjo është e vërtetë edhe për Shqipërinë, nuk ka më kohë për të humbur! Megjithatë, historitë e fundit të suksesit të bashkëpunimit si ajo midis Kosovës e Serbisë, mund të ndryshojnë për mirë spektrin e zhvillimit në të gjithë Ballkanin.
Si e sheh gruan shqiptare në politikë?
Larg sloganeve feministe, gratë përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë botërore, e pra fuqizimi i tyre ekonomik e politik nuk do të ishte në avantazh vetëm të grave, por të gjithëve. E kjo nuk është retorike, por e bazuar në fakte e studime çdo përfshirje rrit të ardhurat kombëtare, përmirëson cilësinë e jetesës dhe zhvillimit social. Më shumë duhet bërë në Shqipëri për fuqizimin e gruas në politikë, kjo është përgjegjësi e të gjithëve që kanë një zë në shoqërinë shqiptare na kanë lënë pas shumë vende të rajonit në këtë drejtim. Me një fjalë flitet shumë e nuk bëhet sa duhet e shpesh matet vetëm me përqindje.
Ju personalisht kë keni idhull nga gratë në politikë?
Unë çmoj lart dy amerikanet e mirënjohura, Allbright dhe Klinton. Jo vetëm kam lexuar shumë për Zonjën Allbright, por kam pasur nderin edhe të takohem me të. Kontributi i saj për shqiptarët është i mirënjohur, ashtu edhe ai për fuqizimin e grave ajo ka thënë edhe shprehjen më të famshme në lidhje me to: “ ekziston një vend në ferr për gratë që nuk përkrahin gratë në politikë”. Ndërsa Zonja Klinton do të mbahet mend krahas të tjerave si politikania e lartë që ka bërë më shumë deri më sot për fuqizimin e rolit të grave në botë, duke ngritur edhe mekanizma institucionale pranë Departamentit të Shtetit Amerikan.
Po ashtu jeni dhe një njohëse e mirë e ekonomisë. Mund të na tregoni në radhë të parë a është Shqipëria me rritje ekonomike më të lartë se Gjermania, siç ka thënë kryeministri ynë?
(qesh) Mesa di unë, me vendin e dytë në Europë mund të mburremi vetëm me disa peshëngritës.
Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Do të merreni edhe me politikë?
Sapo të kthehem në Gjermani më pret një axhendë shumë e ngjeshur. Sigurisht një ditë do të kthehem në Shqipëri që këtë përvojë të përfituar ta vë në dispozicion të vendit tim, megjithëse këtë gjë po e bëj edhe aktualisht atje ku jam.
Me politikë?
Po, të gjitha çështjet e sigurisë kanë lidhje me politikat.
Familja
2. Dario është krenaria ime
Çfarë roli ka bashkëshorti juaj Igli, në karrierën dhe suksesin tuaj?
Prej 10 vitesh që jemi bashkë më ka mbështetur në çdo moment, asgjë nuk mund të arrihet pa dashuri dhe qetësi familjare.
Nëse ai ka sakrifikuar të vijë në Gjermani me ju, po ju çfarë sakrifice keni bërë për të?
Igli ka barrën më të madhe, sepse i duhet të ndjekë edhe punën e tij në Shqipëri e është midis dy vendeve. Nuk më pëlqen fjala sakrificë pastaj, po të fillonin të përmendeshin, gjërat do të merrnin tjetër sens. Thjesht, është mbështetje e mirëkuptim i natyrshëm.
Bëni ju kompromise në jetë? Cili është ai më i madhi, që mund të keni bërë deri tani?
Varet në çfarë pikëpamje e shihni ju. Kompromisi dhe dialogu janë baza në marrëdhëniet shoqërore. Ndërsa pyetja e parë që bën historia për çdo njeri është Integriteti.
Ju jeni nga ato gra që përveç kohës që harxhoni në mësimdhënie jeni një amvisë e mirë?
Kam pasur fatin të jetoj shumë vite, gjatë studimeve të mia, në Itali, Besoj se aty kam përfituar shumë nga kuzhina e famshme italiane.
Cila është marrëdhënia juaj me djalin?
Ekzistenca merr formën më kuptimplotë kur bëhesh prind. Dario është krenaria jonë dhe energjia e vazhdueshme. Është një fëmijë i mrekullueshëm, që është i shkëlqyer në mësime, lexon shumë. Ka dhunti të veçanta për gjuhët e huaja e duke qenë në Garmisch është bërë edhe skiator i mirë.
Po me prindërit? Çfarë keni marrë nga ta, në pamje, në karakter? Janë ata krenarë për ju? Po ju për ata?
Prindërit më kanë mbështetur e përkrahur në çdo moment ashtu siç vetëm prindërit dinë ta bëjnë ketë gjë, me dashuri e shumë impenjim. Ata janë tashmë edhe idhujt e Darios. Kam marrë sigurisht në pamje, por shpresoj shumë që me vitet t’i ngjaj sa më shumë në karakter e përkushtim. Shpresoj se i kam bërë krenarë!
3. Rruga drejtë suksesit
Rruga e saj për të arritur deri këtu ka qenë jo e lehtë. E lindur dhe e rritur në Tiranë, Valbona përfundon studimet për ekonomi dhe biznes në Universitetin e Bolonjës në 2001 me rezultate të shkëlqyera. E udhëhequr nga motoja se kualifikimi i vazhdueshëm nuk është opsion, por domosdoshmëri, ajo do të zhvillojë një sërë specializimesh në Berlin dhe Mynih, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe menaxhimit. Pas kthimit nga studimet ajo pati një përvojë punë në Ministrinë e Ekonomisë, por edhe në mësimdhënie në Universitetin e Tiranës. Ajo është gjithashtu edhe bashkëshortja e Igli Toskës, ish-Ministër i Rendit në vitet 2003-2005.
Similar topics
» SHBA-të ultimatum Asadit: Ke 45 ditë kohë
» Vesa Luma: Cila kohë është më e mirë, nuk e di
» Toka ka patur njëherë e një kohë dy Hëna - sipas shkencëtarëve
» Bie çmimi i banesave në Tiranë, ekspertët: Blini shtëpi në kohë krize
» Anketa: Qytetarët e kanë humbur besimin në BE
» Vesa Luma: Cila kohë është më e mirë, nuk e di
» Toka ka patur njëherë e një kohë dy Hëna - sipas shkencëtarëve
» Bie çmimi i banesave në Tiranë, ekspertët: Blini shtëpi në kohë krize
» Anketa: Qytetarët e kanë humbur besimin në BE
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi