Diplomacia britanike në konfliktin Italo-Jugosllav për Shqipërinë
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura
Faqja 1 e 1
Diplomacia britanike në konfliktin Italo-Jugosllav për Shqipërinë
HistoriaNjë përshkrim i shkurtër i qëndrimit pasiv të Londrës mes dy luftërave botërore në lidhje me Shqipërinë, përpjekjet për të zbutur konfliktin Italo-Jugosllav në vitet 1930, ku Shqipëria dukej se ishte vetëm një gurë shahu në një lojë më të gjerë
ELDA SH. SHABANI (MA)
Marrëdhëniet shqiptaro-italiane, të konsoliduara me nënshkrimin e dy traktateve të Tiranës në vitet 1926-1927 dhe investimeve të konsiderueshme italiane në Shqipëri, pas një qetësie relative të viteve 1928-1930, njohën një periudhë ftohjeje të pasuar nga një acarim në rritje, një periudhë që do të zgjaste vite dhe në pamje të jashtme do të krijonte përshtypjen se Shqipëria ishte kthyer në një vatër të rrezikshme në Europë.
Pas konsolidimit të regjimit të tij brenda vendit, Musolini në vitin 1930, deklaroi hapur para sekretariatit të Federatës Fashiste, se Italia përgatitej për një luftë në kufijtë e saj, se për këtë ajo duhej armatosur, sepse nuk mund të shtrihej paqësisht drejt Lindjes, se ishte absurde të mendoje se traktatet ishin të shenjta dhe të pacenueshme, se fashizmi po ndërkombëtarizohej dhe se Europa nuk kishte rrugë tjetër veçse të fashistizohej.
Këto rrethana të jashtme, të shoqëruara me një ndjenjë antiitaliane në rritje, në të gjitha segmentet e shoqërisë shqiptare, e nxitën mbretin Zog të fillonte gradualisht pengimin e ndikimit italian në Shqipëri dhe njëkohësisht të përpiqej që të gjente hapësira të reja diplomatike në favor të interesave të shtetit shqiptar. Duke e konsideruar këtë moment si mjaft delikat dhe serioz për mbijetesën e shtetit shqiptar të varur deri tani politikisht dhe ekonomikisht tek Italia fashiste, ashtu siç kishte ndodhur në momente të vështira edhe në vitet ‘20, mbreti dhe qeveria shqiptare iu drejtua Londrës zyrtare për mbështetje dhe këshillë të paanshme.
Britania e Madhe përfaqësonte fuqinë më të madhe diplomatike europiane për kohën, që nuk kishte interesa direkte në Europë e veçanërisht në Shqipëri, por përkundrazi e shikonte këtë të fundit si një stabilizator të konflikteve midis fqinjëve të saj tokësorë dhe detarë. Me pozitën e saj të “arbitrit ndërkombëtar”, Anglia luajti rol të madh në formimin e tërë konstelacionit politik të Europës në vitet ’20-’30. Parë nga ky aspekt, politika angleze kishte rëndësi të madhe për fatet e Shqipërisë në periudhën midis dy Luftërave Botërore. Ndërkohë, qëllimi i qeverive britanike në periudhën midis dy Luftërave Botërore, të kënaqura nga çfarë kishin arritur nga Lufta e Parë Botërore, ishte ekuilibri i balancuar midis fuqive të mëdha europiane, ekuilibër që do të garantonte paqen dhe prosperitetin britanik të bazuar në tregtinë ndërkombëtare dhe qetësinë e rrugëve detare. Ky qëllim i shoqëruar me krizën ekonomike botërore të viteve ’30, e shtrëngoi Anglinë dhe Fuqitë e tjera të Mëdha që t’i qetësonin konfliktet midis tyre dhe të gjenin zgjidhje për të kapërcyer vështirësitë e tyre. Në vitin 1931, Anglia shpalli politikën e saj të thjeshtë pacifiste për të qetësuar e zbutur konfliktet në Europë. Veçanërisht ajo u përpoq të qetësonte konfliktin midis bllokut francez dhe atij italian dhe të sjellë çarmatimin. E bllokuar nga problemet ekonomike, e duke kundërshtuar hegjemoninë franceze kryesisht në Europën Lindore, Forin Ofis-it (Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe (FO) përkrahte Italinë, por, nga ana tjetër, frikësohej nga krijimi i blloqeve, e prandaj përpiqej që të arrihej marrëveshja dhe ekuilibri franko-italian në situata dhe rrethana të ndryshme. Këtu e ka burimin e vet edhe riinteresimi i Anglisë për Shqipërinë, të cilën pas vitit 1927 e kishte nxjerrë konsiderueshëm nga axhenda e saj diplomatike duke i lënë dorë të lirë Italisë për të forcuar pozitat e saj në atë vend. Me dobësinë e saj ekonomike e politike, si dhe me pozicionin e saj të favorshëm strategjik në Adriatik, Shqipëria përbënte gjithnjë një pikë konfliktuale midis Romës e Beogradit për dominim në këtë vend. Duke vënë në një anë të balancës këtë fakt dhe, nga ana tjetër, kushtet e reja të krijuara në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet ’30, interesat italiane, aleancën franko-jugosllave dhe qëllimet e politikës së jashtme britanike, Londra diplomatike u përpoq ta përcillte me mjaft kujdes krizën e marrëdhënieve shqiptaro-italiane të fillimit të viteve ‘30. Deri sa Shqipëria të arrijë një zhvillim politik, ekonomik dhe social të afërt me pjesën tjetër të Europës, e ka në të vërtetë të vështirë të ruajë një pavarësi reale, dhe pavarësia e saj fiktive është një joshje e vazhdueshme dhe provokacion për shtetet që e rrethojnë. Ishte kjo arsyeja që ne pranuam vendosjen në një farë mënyre të protektoratit italian në Shqipëri pas nënshkrimit të Traktatit të Dytë të Tiranës në vitin 1927”. Duke parashikuar një komplikim të situatës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, shkak për të cilën në optikën diplomatike angleze mund të bëhej fillimi i lëvrimit të huas nga qeveria italiane, rinovimi i Paktit të Tiranës apo shëndetit të lëkundur të mbretit Zog, qeveria britanike nxiton të parashikojë edhe rrugët më të mundshme për të vepruar në këtë situatë të cilësuar “vallëzim i Europës mbi vullkanin e Adriatikut”. “Në emër të paqes europiane ne duhet të rishikojmë politikën tonë për të përcaktuar drejtimin që duhet të marrim në një situatë të tillë”. U analizuan disa mundësi veprimi. Mundësia e parë ishte që të vazhdohej të jepeshin rekomandime te tre palët në konflikt, por pa kaluar në diskutime bilaterale. Mundësia e dytë, Shqipëria të deklarohej si çështje që i përkiste Italisë, për sa kohë që kjo e fundit kishte një mandat jozyrtar mbi Shqipërinë të sanksionuar nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1921. Ky reagim i qeverisë britanike do ta hidhte akoma më shumë Jugosllavinë në krahët e Francës, dhe kjo nuk i shkonte për shtat politikës së jashtme britanike. Mundësia e tretë, t’i bëhej e qartë qeverisë italiane se Rezoluta e vitit 1921 nuk mund të imponohej mbi një palë të tretë siç ishte Jugosllavia, dhe se për ta bërë këtë ishte i nevojshëm konsensusi i të gjitha palëve nënshkruese të saj. Mundësia e katërt ishte dorëzimi i kësaj çështjeje pranë Lidhjes së Kombeve për kompetencë shqyrtimi. Dy mundësitë e fundit do të priteshin mjaft ashpër në Romë e kjo nuk i përshtatej situatës aktuale të ndërthurjes së interesave italo-britanike. Pasi u analizuan të gjitha mundësitë, u vendos që për momentin në të cilën ndodhej Europa dhe në kuadrin e politikës pacifiste britanike, mënyra më e përshtatshme për reagim ishte që të vazhdohej të jepeshin këshilla të mira kur të ofrohej rasti në Romë, Beograd e Tiranë, por pa kaluar në diskutime bilaterale. “Kjo politikë bazohet, – thuhet në një memorandum të FO, – në faktin që nuk mund të arrihet asgjë e efektshme për sa kohë që nuk ka një zgjidhje franko-italiane, dhe është më mirë për ne që të mos humbasim energjitë tona dhe influencën tonë në rrethanat aktuale të pafavorshme. Ndërkohë të vazhdohen përpjekjet për paktin trepalësh Francë-Itali-Jugosllavi”. Mbi bazën e këtij qëndrimi diplomatik vazhdoi këmbëngulja e Londrës zyrtare pranë qeverisë italiane për rifillimin e bisedimeve me jugosllavët, duke propozuar ndonjë formulë tjetër e jo atë të vitit 1921, si bazë për bisedime. Reagimi italian ishte i ashpër.
Në vazhdën e reagimeve negative të Romës zyrtare, në FO po bëhej gjithnjë e më e qartë që forca e ndikimit britanik mbi qeverinë italiane ishte zbehur. “Ne, – thuhet në një analizë të FO, – duhet të përballojmë faktin që gjatë dy viteve të fundit kemi humbur pushtet për të ushtruar presion jashtë Britanisë dhe është e pamundur që të jemi të suksesshëm për të ushtruar të vetëm presion mbi Italinë për një politikë më pak të vjetër dhe provokative në Shqipëri. Nga ana tjetër, nuk kemi askënd që të na mbështesë në këtë ndërmarrje. Po të kërkojmë ndihmën e Francës, situata komplikohet më tepër. Në vazhdën e reagimeve negative të Romës zyrtare, në FO po bëhej gjithnjë e më e qartë që forca e ndikimit britanik mbi qeverinë italiane ishte zbehur. “Ne, – thuhet në një analizë të FO, – duhet të përballojmë faktin që gjatë dy viteve të fundit kemi humbur pushtet për të ushtruar presion jashtë Britanisë dhe është e pamundur që të jemi të suksesshëm për të ushtruar të vetëm presion mbi Italinë për një politikë më pak të vjetër dhe provokative në Shqipëri. Nga ana tjetër, nuk kemi askënd, që të na mbështesë në këtë ndërmarrje. Po të kërkojmë ndihmën e Francës, situata komplikohet më tepër.
Ne nuk duhet të ndërmarrim asnjë hap që mund të keqinterpretohet në Romë, si një veprim që e kemi nxitur ne. Kjo do t’i rrënonte marrëdhëniet anglo-italiane dhe ne kemi interesa të konsiderueshme nga çdo pikëpamje të ruajmë marrëdhënie të mira me Italinë. Marrëveshja detare dhe çarmatimi janë dy prej tyre. Nuk mendojmë që interesat tona në çështjen shqiptare janë aq të mëdha sa të rrezikojmë një ndarje midis nesh dhe Italisë për këtë pikë, megjithëse si politika italiane në Shqipëri ashtu edhe metodat e ekzekutimit të saj atje janë krejt të kritikueshme dhe i përkasin në fakt një shekulli tjetër”.
Traktati i Tiranës, afati i të cilit mbaronte në nëntor të vitit 1931, shpejt u kthye në një shkak konflikti midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, dhe eventualisht ndaloi vërshimin e parasë italiane në Shqipëri. Ndryshe nga sa ishin deklaruar, italianët ushtruan presion mbi mbretin Zog për rinovimin e Traktatit përballë një situate të pasigurt në qëndrimin e jugosllavëve ndaj Shqipërisë.
Zogu, duke u ndier mirë në pozitat e tij politike në vend, vendosi në fillim të vitit se ishte në të mirë të interesave të vendit të tij dhe të ardhmes së tij politike, t’i ndalonte italianët të rinovonin Traktatin e tyre, nëpërmjet të cilit ata merrnin përsipër të ruanin status quo-në politike, juridike dhe ekonomike në Shqipëri.
Mosnjohja e Traktatit të Tiranës nuk u prit me ndonjë entuziazëm të madh në Londër. “Rrëzimi i këtij Traktati nuk ndryshon shumë te pozitat e Italisë në Shqipëri”, – thuhej në një memorandum të përgatitur nga Central Department në FO. Pozita e Italisë në Shqipëri tashmë është mjaft e garantuar nga Traktati Italo-Shqiptar i Aleancës Mbrojtëse, 1927, dhe nga marrëveshja e fundit për huan 10-vjeçare. Kështu kjo nuk përbën ndonjë avancim të madh në drejtim të zgjidhjes së problemit shqiptar, i cili përbën hyrjen për mirëkuptimin Italo-Jugosllav.” Megjithatë, mosrinovimi i Traktatit të Tiranës, rriti reputacionin e mbretit Zog brenda dhe jashtë vendit. Në FO vlerësonin: “Sidoqoftë mbreti nuk është pro-italian. Ai përpiqet të marrë benefite maksimale nga lidhjet me Italinë, por pa rënë nën influencën italiane…”. Kështu u përcoll në Londër nëntori 1931.
Për Italinë, sigurimi i kufijve të Shqipërisë kishte një rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe politike. Përgatitjet për pushtimin gradual të Shqipërisë, Italia i kishte filluar që me nënshtrimin ekonomik të qeverisë së Ahmet Zogut. Hapat e parë filluan me nënshkrimin e marrëveshjes së huas që shoqëria italiane SVEA do t’i jepte Shqipërisë në vitin 1925.
Kjo situatë acaroi marrëdhëniet shqiptaro-italiane. Reagimi i Romës erdhi menjëherë. Ai ishte me karakter ekonomik dhe veprimi i parë ishte bllokimi i kredisë së dhënë konform marrëveshjes së përfunduar vetëm pak muaj më parë. Kjo u pasua nga pretendimet e përfaqësuesve të SVEA-as për shlyerjen e borxhit. Zogu, i ndërgjegjshëm për pozicionin e tij si një përfitues i atyre favoreve të cilat Italia i bënte në përputhje me interesat e saj në Shqipëri, qëndroi fort për t’i transmetuar mesazhin qeverisë italiane se ai ishte krejt i përgatitur të bënte edhe pa ndihmën italiane në qoftë se ajo nuk jepej mbi bazën e parimeve që karakterizojnë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve. U shkëmbyen nota diplomatike me një gjuhë të ashpër, por të maskuar diplomatikisht. Fillimi i vitit 1932 e gjeti mbretin Zog mjaft të shqetësuar për koston e mundshme ekonomike që do të kishte këmbëngulja e tij për mosrinovimin e Traktatit. Ministri i Financave u urdhërua të përgatiste dy projektbuxhete, njëri i ndërtuar mbi faktin që paratë e huas të parashikuar në marrëveshjen e vitit 1931 do të jepeshin, dhe tjetri mbi faktin që Shqipëria do të jetonte me burimet e veta pa ndihma nga jashtë. Diferenca midis dy projekteve do të nxirrej nga shkurtimet e shpenzimeve në fushën ushtarake. Mbreti mendonte se kjo masë e fundit do të vepronte si një stimulante e fuqishme për të nxitur asistencën italiane në Shqipëri. Para rezistencës pasive të mbretit Zog, e cila mund të rrezikonte qëllimin e investimeve të deritanishme në Shqipëri, dhe të ndjeshëm ndaj çdo ndërhyrjeje në fushën ushtarake ku ata kishin investuar shumë, qeveria italiane u mundua ta anashkalonte incidentin, të riniste dialogun diplomatik me qeverinë shqiptare dhe të lëvronte këste të vogla të ndihmës ekonomike italiane të shoqëruara me të drejtën e një kontrolli të rreptë të shpenzimit të tyre. Në vitin 1932, kriza e marrëdhënieve italo-shqiptare njohu dy momente të tjera delikate. Meqenëse huaja SVEA e mbështeste shlyerjen e saj te të ardhurat doganore, në dhjetor 1932, Roma i propozoi qeverisë shqiptare realizimin e një bashkimi doganor që do të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve ekonomike shqiptare. Pasi studioi propozimin me anë të ekspertëve të tij, Zogu e refuzoi kategorikisht atë, meqenëse për Shqipërinë e dobët ekonomikisht, ky bashkim përkthehej në një humbje të pavarësisë së saj politike. Bashkimi doganor do të shënonte hapin vendimtar drejt aneksimit përfundimtar të Shqipërisë dhe shtrirjen e parë të Italisë në Ballkan. Ky aksion i Italisë në FO u konsiderua si një dëshirë e Romës për të bërë të pavlefshme aleancën e përtërirë franko-jugosllave të vitit 1927. Duke e ndier këtë synim, qeveria franceze protestoi diplomatikisht kundër këtij propozimi dhe kërkoi ndërhyrjen e qeverisë britanike në Romë për sqarimin e situatës.
Në opinionin europian u krijua një alarm i vërtetë nga seria e protestave jugosllave në Londër dhe Paris. Në këto kushte diplomacia britanike u detyrua të prononcohet publikisht. Ambasadori anglez në Romë, Graham, deklaroi se Italia dhe Shqipëria nuk janë vende fqinje, prandaj një bashkim i tillë doganor do të thotë vetëm acarim i konfliktit jugosllavo-italian mbi Shqipërinë.
Megjithatë refuzimi shqiptar ishte një goditje tjetër për Romën dhe politikën e saj në Shqipëri. Situata e nderë u komplikua më tej nga reforma që ndërmori qeveria shqiptare për ngritjen e një sistemi vërtet kombëtar të arsimit në Shqipëri, larg influencave të huaja politike e kulturore. Qeveria shqiptare shtetëzoi të gjitha shkollat private duke përfshirë edhe ato ku jepej vetëm gjuha shqipe për të aplikuar kudo një program unik arsimor kombëtar. Reforma preku kryesisht shkollat italiane, sidomos ato të hapura në zonat katolike në Veri të vendit, të cilat financoheshin nga qeveria italiane, por nuk lejohej kontrolli i qeverisë shqiptare mbi to. Kjo ishte një goditje tjetër ndaj orekseve shkombëtarizuese të Italisë dhe pretendimeve të vendeve fqinje, si dhe një riafirmim i pavarësisë të vendit para fqinjëve, sidomos Italisë.
Diplomacia angleze po ndiqte me kujdes zhvillimet në marrëdhëniet italo-shqiptare. Të trembur nga regjimi i mundshëm negativ i Beogradit në këtë situatë të acarimit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, ata këshilluan qeverinë jugosllave që qëndrimi më i zgjuar nga ana e saj në këto rrethana, ishte një indiferencë e plotë ndaj konfliktit italo-shqiptar, e shoqëruar nga një vendosmëri për të mos kërkuar pretekst për të përfituar nga kjo situatë.
I gjendur ngushtë para presionit italian, mbreti Zog filloi përpjekjet për të gjetur hapësira të tjera në politikën e jashtme, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh për ta mbështetur atë politikisht dhe ekonomikisht në këtë situatë. Në FO lind shqetësimi se nëse Zogu do t’i drejtohej Lidhjes së Kombeve, siç do të bënte çdo anëtar i saj i ndodhur në një situatë të tillë, kjo do t’i zemëronte shumë italianët, dhe në qoftë se jugosllavët do ta merrnin këtë iniciativë, siç kishte propozuar qeveria jugosllave, mundësitë për një përmirësim real të marrëdhënieve italo-jugosllave do të komprometoheshin seriozisht. “Për këtë arsye, shprehen në FO, ne nuk duhet t’i inkurajojmë këto iniciativa. Nëse Rezoluta e vitit 1921 na ka shkaktuar trazira, një thyerje serioze midis Shqipërisë dhe Italisë do të na shkaktonte një shqetësim akoma më të madh. Sigurisht në këtë moment ne nuk dëshirojmë të gjejmë veten tonë në konflikt me Italinë si rezultat i ndonjë shprehjeje simpatie ndaj Shqipërisë. Edhe pse ky vend është çorientuar nga politika italiane për arsye politike ne duhet ta refuzojmë propozimin”.
Londra nuk e inkurajoi palën shqiptare që t’i drejtohej Lidhjes së Kombeve për përftimin e një huaje me pretekstin se financiarisht kjo ishte e pamundur në kushtet e një ekonomie të lodhur shqiptare që nuk ofronte garanci shlyerje. Nga njëra anë, Londra deklaronte se do të përkrahte çdo hua të dhënë nga kushdo në qoftë se kjo nuk kundërshtohej nga qeveria italiane. Ndërsa, nga ana tjetër, ambasadori anglez në Beograd instruktohej që jugosllavët duhej të kthenin mbrapsht çdo propozim të mbretit Zog për të prezantuar çështjen në Lidhjen e Kombeve, pasi çdo interesim i treguar nga pala jugosllave do të keqinterpretohej në Romë dhe në të njëjtën kohë do të ngjallte shpresa të kota në Shqipëri, të cilat do të pasoheshin nga zhgënjimi. Njëkohësisht jugosllavët duhet të kthenin mbrapsht kërkesën e Zogut për ndihmë ekonomike, sepse çdo konkurrencë që u bëhej italianëve në këtë aspekt prishte frymën e ekuilibrit për të cilën po përpiqeshin prej kohësh.
Marrëdhëniet ndërkombëtare në Europë po merrnin një formë të re, e cila nuk linte asnjë hapësirë të favorshme për lëvizje politike në interes të Shqipërisë së vogël. Fuqitë e Mëdha europiane kishin filluar të kërkonin krijimin e ekuilibrave dhe garancive të reja midis tyre, të ndryshme nga ato të pas Luftës së Parë Botërore. Në mars të vitit 1933 kishin filluar bisedimet mbi Paktin Katërpalësh Angli-Francë-Itali-Gjermani. Çdo veprim i hapur i qeverisë angleze në favor të kërkesave të Shqipërisë do të acaronte marrëdhëniet e saj me Italinë.
Në këto kushte, qeveria angleze përpiqet të ndikojë diplomatikisht në parandalimin e një ndarjeje italo-shqiptare që nuk u shkonte për shtat interesave të saj politike në rajon. Nga njëra anë, qeverisë shqiptare iu propozua nga përfaqësuesi anglez në Durrës që të fillonte të shlyente sadopak nga këstet e borxhit SVEA-s, si një shenjë ogurmirë në Romë për përgjegjësinë që ndiente pala shqiptare në shlyerjen e detyrimeve të saj brenda mundësive të krijuara. Nga ana tjetër, qeveria britanike gjatë kësaj periudhe e intensifikoi praninë e flotës angleze në detin Adriatik.
Në korrik të vitit 1933, ministri anglez në Durrës, Hodgson, u njoftua për një vizitë të pritshme të flotës angleze të Mesdheut në Adriatik në brigjet shqiptare. Hodgson shprehu rezervat e tij për këtë vizitë, në këtë klimë të acaruar të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, pas përplasjeve serioze të vitit 1932. Hodgson mendonte se, ardhja e anijeve britanike do të interpretohej nga qeveria shqiptare si demonstrim i simpatisë së qeverisë britanike për t’i inkurajuar ato në turbullirat që kishin me Italinë, ndërsa për qeverinë italiane mund të merrte rëndësi politike dhe të rriste xhelozinë për praninë britanike në Adriatik. Ky parashikim u duk i ekzagjeruar në FO. Përkundrazi u mendua që moskryerja e kësaj vizite, që ishte kryer edhe herë të tjera, do të komentohej nga të dyja palët si e diktuar nga presioni italian. Nga ana tjetër, kjo vizitë, ashtu sikurse në vitin 1926, do të transmetonte në Romë mesazhin se qeveria britanike respektonte interesat e shteteve të tjera në zona të caktuara, siç ishte Adriatiku për Italinë, por asnjë interes nuk përbënte të drejta ekskluzive të një shteti në një zonë të caktuar. Megjithatë, nisur nga rrethanat konkrete, u vendos që ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe, vizita e flotës britanike do të përqendrohej vetëm në dy porte detare të Shqipërisë, në Vlorë dhe në Durrës. Vizita e paralajmëruar e flotës britanike gjeti një pritje dinjitoze nga ana e qeverisë shqiptare dhe u konsiderua si një shenjë e miqësisë shqiptaro-britanike.
Në qershor 1934, marrëdhëniet e acaruara shqiptaro-italiane njohën një pikë kulmore. Në fillim të qershorit 1934, ministri i Jashtëm shqiptar deklaroi se Shqipëria nuk e njihte Rezolutën e Konferencës së Ambasadorëve, 9 nëntor 1921, rezolutë tek e cila qeveria italiane referohej në çdo situatë. Përfaqësuesit e Francës dhe Jugosllavisë në Tiranë e përkrahën menjëherë këtë deklaratë të qeverisë shqiptare. Kjo deklaratë bëhej në një moment kur prestigji i Italisë në Ballkan, në sytë e opinionit ndërkombëtar, ishte cenuar rëndë nga krijimi i Paktit Ballkanik. Më 23 qershor, një skuadrinë e flotës ushtarake italiane, u ankorua në Portin e Durrësit pa njoftuar më parë qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare u alarmua për këtë vizitë të papritur të një flote ushtarake. Ministri italian në Tiranë u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë vizitë, por shtoi se midis dy vendeve mike këto lloj njoftimesh nuk kishin shumë rëndësi. Megjithatë, qeveria shqiptare kërkoi zyrtarisht shpjegime. Roma zyrtare e justifikoi këtë me faktin se njoftimi për ministrin italian në Tiranë nuk kishte mbërritur në kohë.
Përfaqësuesit anglezë, francezë dhe jugosllavë në Shqipëri kërkuan moderacion nga ana e qeverisë shqiptare në këtë situatë kritike. Përfaqësuesi anglez kërkoi shpjegime edhe te ministri italian në Tiranë.
Duke konfirmuar presionin psikologjik që synonte të ushtronte te qeveria shqiptare prania e flotës ushtarake italiane, përfaqësuesi italian Koku, i deklaroi ministrit të Jashtëm Vila, në takimin që u organizua me rastin e largimit të anijeve, se “Flota iku, por mund të kthehet prapë dhe të qëndrojë gjatë. Ka ardhur koha që qeveria shqiptare t’u japë një zgjidhje çështjeve të varura”. Kjo ishte shfaqja më e rëndë e acarimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Uria e industrisë italiane për lëndë të parë, bënte që të rritej interesi vazhdimisht ndaj rezervave natyrore të këtij vendi. Më 30 nëntor 1938, Musolini tha këto fjalë para këshillit të madh fashist: “Shpall këtu qëllimet e afërta të dinamikës fashiste. Shqipëria do të bëhet italiane. Unë nuk mundem, por edhe nuk dua t’ju them se kur do të ndodhë kjo gjë. Por do të ndodhë!”
Musolini i trembej influencës gjermane në Ballkan, kështu ai rrezikonte investimet kapitale të ndërmarrjeve italiane në Shqipëri. Veprimtaria gjithnjë e në rritje, diplomatike dhe ushtarake në fund të viteve ‘30 e shteteve fashiste, ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për Ballkanin. Në kuadrin e ndarjes së sferave të influencës midis dy vendeve të boshtit Romë-Berlin, Italia shquhej për përparësitë e saj politike në drejtim të rajonit dhe të Mesdheut. Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha perëndimore në përgjithësi mbajtën një qëndrim indiferent ndaj pushtimit të Shqipërisë. Anglia, duke mos pasur interesa të drejtpërdrejta ndaj Shqipërisë, nuk protestoi dhe nuk kundërshtoi pushtimin e Shqipërisë. Kjo agoni e politikës së Britanisë e tregoi dukshëm me pushtimin e Shqipërisë, e cila nuk bëri gjestin më të vogël për të shpëtuar dhe kundërshtuar. Shqetësimi më i madh i Britanisë ishte reagimi i opinionit publik dhe reagimi i shtypit, në rast se qëndresa e popullit shqiptar do të vazhdonte edhe pas sulmit. Presioni i krijuar do ta detyronte Anglinë të vihej përballë rrezikut për të kundërshtuar Italinë. Duke i kuptuar synimet e politikës italiane në Shqipëri dhe pse nuk e kundërshtonte hapur, për shkak të ruajtjes së status quo-së në Mesdhe, Britania nuk hezitoi të këshillonte A. Zogun gjatë viteve të pushtimit të tij.
Diplomacia angleze kishte kohë që vëzhgonte nga afër planet e Romës lidhur me Ballkanin. Ajo kishte nënshkruar në vitin 1938 një marrëveshje me Italinë për ruajtjen e status qou-së në pellgun e Mesdheut, ku diheshin qartë synimet angleze në Greqi dhe Qipro, ndërsa Italia kishte shprehur qartas synimet ndaj Shqipërisë. Për të kuptuar më mirë reagimin anglez për situatën ndërkombëtare dhe në veçanti problemin shqiptar, Musolini ftoi Kryeministrin britanik Çamberlein më 12 janar 1939. Gjatë kësaj vizite në Romë, Musolini i garantoi Kryeministrit anglez, se do respektonte marrëveshjet e nënshkruara më parë, lidhur me ruajtjen e status quo-së në rajon. Në këtë takim nuk u përmend çështja shqiptare dhe kjo bëri që Musolini t’i shuante dyshimet në lidhje me reagimin e qeverisë angleze në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë.
Similar topics
» Nga diplomacia botërore dhe Kissingeri e deri te “Mandi i Nishtullës”
» Osmanët e mbrojtën apo e pushtuan Shqipërinë?
» 10 vëzhgime unike mbi Shqipërinë
» Çfarë mësojnë britanikët për Shqipërinë?
» Pse turistët e huaj nuk preferojnë Shqipërinë?!
» Osmanët e mbrojtën apo e pushtuan Shqipërinë?
» 10 vëzhgime unike mbi Shqipërinë
» Çfarë mësojnë britanikët për Shqipërinë?
» Pse turistët e huaj nuk preferojnë Shqipërinë?!
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi