AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?

Shko poshtë

Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?  Empty Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Aug 09, 2013 1:51 am


Statistikat e OKB-së tregojnë se përmasat e vendit jo gjithmonë janë vendimtare dhe numri i turistëve jo gjithmonë vlen si tregues. Turistët shpenzojnë 600-1000 apo dy mijë dollarë për kokë në vendet ku shkojnë.


Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?  F1c09893-2dcb-4c0c-a3be-de91de09d1ad---0-Për shumicën e njerëzve, sezoni i pushimeve ka mbërritur. Ku shkojnë ata që udhëtojnë jashtë vendit? Shifrat e OKB-së sugjerojnë se Franca pati më shumë vizitorë të huaj se çdo vend tjetër i botës më 2012-n, ndërsa kryeqyteti më i vizituar në botë aktualisht, sipas një studimi, është Bangkoku.

Një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Turizmit e OKB-së, zbuloi se 83 milionë njerëz vizituan La Belle France vitin e kaluar, shifër kjo më e lartë sesa popullsia e saj prej 66 milionë banorësh.

Tërheqja nga stacionet alpine të skive dhe resorteve të Mesdheut sigurojnë vendin e parë për Francën për çdo vit që nga koha që janë prodhuar statistika të kësaj natyre.

Franca tërheq së paku 16 milionë turistë më shumë sesa Shtetet e Bashkuara, të cilat janë në vend të dytë, me Kinën, Spanjën dhe Italinë, konkurrente për pesë vendet më të vizituara.

Megjithatë, pavarësisht popullaritetit të jashtëzakonshëm si destinacion pushimesh, duket se francezët kanë një problem, ata e kanë të vështirë të bindin vizitorët të shpenzojnë më shumë.

Turizmi jep 7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, më shumë sesa industria e makinave. Por sasia mesatare e parave të shpenzuara nga çdo vizitor është vetëm 646 dollarë, shumë pas vendeve të tjera, në dhjetë vendet më të vizituara të botës, me përjashtim të Rusisë.

Vizitorët shpenzojnë mesatarisht 1,884 dollarë në SHBA, 1,253 dollarë në Gjermani dhe 1,249 dollarë në Britaninë e Madhe. Vizitorët në Makau, destinacioni turistik në Azinë Juglindore i njohur për kazinotë e veta, shpenzojnë shifrën marramendëse të 3,213 dollarëve secili.

Rreth 83 për qind e vizitorëve të Francës vijnë nga vendet e tjera europiane, gjë që mund të shpjegojë se pse shpenzojnë relativisht pak. Shumë prej tyre vijnë nga vendet fqinje dhe zgjedhin të shëtisin me çadra me vete, shpesh blejnë ushqime nëpër supermarkete në vend që të hanë nëpër restorante apo të mbushin arkat e hoteleve.

Në dallim nga këtu, vetëm 55 për qind e vizitorëve të huaj në SHBA vijnë përmes dy fqinjëve të vet tokësorë, – Kanadaja dhe Meksika – dhe sipas Shoqatës Amerikane të Udhëtimeve, 45 për qind të mbetur janë udhëtarë të linjave të gjata. Janë pikërisht këta të fundit që japin 78 për qind të të gjitha shpenzimeve turistike, pjesërisht për shkak se ata qëndrojnë më gjatë, mesatarisht 18 ditë.

Kryeqyteti i Francës mund të jetë i njohur si “qyteti i dashurisë,” por vetëm 16.8 për qind e turistëve të huaj në Francë e vizituan atë, sipas studimit të OKB-së.

Dhe me ekonominë franceze në recesion dhe me normën e papunësisë në nivele me dy shifra, ka nevojë për të nxitur turistët për të qëndruar më gjatë dhe për të shpenzuar më shumë para.

“Qëndrimi mesatar në Paris është 2.7 net. Ne e dimë se europianët kalojnë dy net dhe njerëzit nga Azia dhe Amerika e Veriut kalojnë më shumë se një javë”, thotë Francois Navarro nga autoriteti turistik i Ile-de-France, e cila përfshin Rajonin e Parisit.

“Objektivi ynë është që t’i bëjmë turistët të qëndrojnë më gjatë, sepse në këtë rast ata do të shpenzojnë më shumë para në strehim, në restorante dhe në pazare. Pra, ne na duhet të organizojmë evente të stërmëdha. Lojërat Olimpike janë një objektiv për ne”, thotë ai.

Po bëhen përpjekje për ta bërë Parisin më mikpritës si qytet. Dhoma e Tregtisë së Parisit ka bashkuar forcat e Komitetin Rajonal të Turizmit për të krijuar një guidë për njerëzit që punojnë në sektorin e mikpritjes. Guida titullohet: A e flisni turistkishten?

Ajo përfshin frazat kyçe në një numër gjuhësh, si dhe këshilla se si t’u drejtohen vizitorëve nga vende të ndryshme të botës. Britanikët pëlqejnë që t’i thërrasësh nga emri, thotë guida, ndërsa gjermanët pëlqejnë të shtrëngojnë duart. Kinezët janë të lumtur me një buzëqeshje në vend të “përshëndetje” në gjuhën e tyre.

Por sa të besueshme janë këto statistika mbi turizmin? John Kester është menaxher për tendencat turistike dhe marketingun në Organizatën Botërore të Turizmit, degë e OKB-së. “Cilësia dhe thellësia e statistikave ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Zakonisht të dhënat i furnizohen OKB-së nga zyrat statistikore të vendeve përkatëse, ministritë e turizmit dhe bankat qendrore. Ne jemi shumë të etur të zhvillojmë ndonjë metodologji dhe të ofrojmë programe trajnimi për vendet në Afrikë dhe në Amerikën Qendrore për t’i ndihmuar ata të përmirësojnë standardet e statistikave që ata prodhojnë.”

Kur vjen puna te kryeqyteti më i vizituar në botë, Bangkoku është në krye, sipas vlerësimeve nga Mastercard. Kryeqyteti i Tailandës tërheq aktualisht gati 16 milionë vizitorë në vit, pak më shumë sesa Londra.

Një vit më parë, në fakt ishte Londra në krye, por Bangkoku ka parë rritje të numrit të turistëve, gjerësisht falë turistëve në rritje nga Kina.

Autoriteti i Turizmit të Tailandës ia dedikon këtë rritje në popullaritet filmit “I humbur në Tailandë”, i cili kapërceu “Avatarin” vitin e kaluar, duke u bërë filmi më i shikuar në Kinë. Një seri e dytë e filmit të vitit 2010 “I humbur në udhëtim”, ky film ndjek rrugëtimin e dy biznesmenëve konkurrentë, ndërsa ata udhëtojnë nëpër Tailandë.

Qytetet më popullore sipas destinacionit

Qyteti     Vizitorë (milionë)

Bangkok         15.98

Londër          15.96

Paris            13.92

Singapor        11.75

Nju Jork        11.52

Stamboll        10.37

Dubai            9.89

Kuala Lumpur    9.2

Hong Kong       8.72

Barcelona       8.41

Seul            8.19

Milano          6.83

Romë            6.71

Shangai         6.5

Amsterdam       6.35

Tokio            5.8

Vjenë            5.37

Taipei          5.19

Riadi            5.05

Los Anxhelos    4.84

Vendet më të dashura për turistët

Vendi      Numri i vizitorëve   Shpenzimet(US BN) Për kokë US

Francë     83 m 53.6 645.8

SHBA      67 m 126.2 1883.6

Kinë      57.7 m     50   866.6

Spanjë     57.7 m     55.9 968.8

Itali      46.4 m     41.2 888

Turqi      35.7 m     25.7 719.9

Gjermani   30.4 m    38.1 1253.3

Britani    29.3 m     36.6 1249.1

Malajzi    25 m      20.2 808

Rusi      25.7 m     11.2 435.8

Austri     24.2 m     18.9 781

Ukrainë    23 m      4.8  208.7

Hong Kong  23.8 m     32.1 1348.7

Meksikë    23.4 m     12.7 542

Tailandë   22.4 m     30.1 1343.8

Kanada     16.3 m     17.4 1067.5

Greqi      15.5 m     12.9 832.3

Poloni     14.8 m     10.9 736.5

Saudi     13.7 m     7.4  540.1

Makau      13.6 m     43.7 3213.2

♛Melody♛
♛Melody♛

Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?  Coolte21

Shteti Shteti : Cili është destinacioni më i pëlqyer në botë?  Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi