AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

200 vite Gjermani

Shko poshtë

200 vite Gjermani Empty 200 vite Gjermani

Mesazh nga ♛Melody♛ Tue Oct 01, 2013 8:46 pm



KOHA


200 vite Gjermani Amblema_gjermane_804665752

Gjermania moderne lindi dyqind vjet më parë, pikërisht në këta muaj, dhe i bëri hapat e saj të parë falë një lëvizjeje të denjë me zhdërvjelltësinë me të cilën Savojat fitonin luftërat e tyre duke u hedhur nga një fushë në tjetrën. Prusia ishte mundur nga Bonaparti, i ish dashur të lejonte Grande Armee që të sulmonte Rusinë përmes territorit të vet dhe kish vënë 40 mijë burra në dispozicion të Perandorit. Por, një gjeneral prusian Hans von Yorck, lidhi me carin një marrëveshje neutraliteti dhe një burrë shteti gjenial, Heinrich von Stein, bëri marrëveshje me francezët, rihapi portet prusianë për tregtinë me Anglinë, organizoi dy ushtri të mëdha popullore, Landvehr dhe Landstrum, që në muajt që vijuan do të luftonin "luftën për çlirimin gjerman". Që nga ai moment, Prusia rigjeti rangun e humbur, hyri triumfalisht në Paris me fitimtarët, dha përmes marshallit Bluecher një kontribut vendimtar në fitoren e Vaterlosë, firmosi me fuqitë e tjera traktatet e Vjenës, u shndërrua në më ambiciozin e shteteve gjermanikë dhe një pjesë e domosdoshme e atij aparati delikat që u quajt "koncerti" evropian. Shenjat e rigjallërimit ishin të dukshme prej disa vitesh. Evropa njihte teoritë filozofike të Kantit dhe Hegelit, lexonte Gëten dhe Shilerin, nuk mund të injoronte vitalitetin e qarqeve filozofikë dhe letrarë gjermanë. Një shkrimtar, J. P. Rihter thoshte me krenari që "perandoria e tokës u përket francezëve, perandoria e deteve u përket anglezëve, perandoria e ajrit u përket gjermanëve", një hapësirë kjo e fundit që përfshinte mendimin, fantazinë, imagjinatën, muzikën, sensin e historisë, të tokës dhe të gjakut. 

Arsimimi i popullit shtyllë e nacionalizmit 
Në Berlinin e pushtuar nga francezët, mes dhjetorit 1807 dhe marsit 1808, një filozof, Johann Gottlieb Fichte kishte shprehur "fjalimet e tij drejtuar popullit gjerman" dhe kishte përshkruar dy përbërësit parësorë të nacionalizmit të tetëqindës: një arsim kombëtar me shpenzimet e shtetit, bazuar mbi parimet e një pedogogjisti zviceran, Johann Pestalozzi dhe shërbimin ushtarak të detyruar. Germaine de Staël vizitoi Gjermaninë në ata vite, u mrekullua, e propozoi atë si model për francezët dhe italianët, e përshkroi në një libër të vitit 1810, që e irritoi Napoleonin dhe u ndalua prej censurës së perandorisë. Sot, irritimi i Napoleonit mund të tingëllojë profetik për të paralajmëruar ditën kur një tjetër Bonaparte do të përplasej me fuqinë prusiane në fushëbetejë. Edukuar sipas parimeve të Fihtess dhe reformës së madhe shkollore të Vilhelm von Humbolt, modernizuar prej rigjallërimit institucional të Stein, stërvitur në përdorimin e armëve nga gjeneralët dhe administruar pagabueshmërisht prej junker-ëve të saj, Prusia, me një kryeqytet të zbukuruar prej arkitekturës monumentale të Karl Friedrich Schinkel vazhdoi të fitojë autoritet, sidomos në botën gjermanike. Ashtu sikurse për Piemonten e Savojës, edhe për Prusinë e Hohenzollern, pasardhës të Zgjedhësit të Brandenburgut, mocionet kombëtare të 1848 ishin një kërcënim dhe një shans. Dinastia mund të qëndronte fort në mbrojtje të Ancien Regime të saj, ose, ashtu si Piemonte në Itali, të merrte udhëheqjen e një lëvizje të madhe kombëtare gjermanike. Pas shumë hezitimeve Vilhelmi IV, ashtu si Karlo Alberto, e rroku shansin dhe shkoi deri aty sa të premtonte mbledhjen e një Ansambleje popullore. Pati sërish mocione dhe sërish gjak të derdhur, por në fund Prusia pati kushtetutën e saj: një Kartë e destinuar të mbijetojë, në pjesën më të madhe, deri në Republikën e Veimarit. 

Ringritja e Bizmarkut, Rajhu i dytë dhe bashkimi i shteteve gjermane 
Faza pasardhëse - nga shteti prusian tek shteti gjerman - ndodhi falë ngjarjeve në Itali. Lufta e Dytë e pavarësisë në 1859 dhe krijimi i Mbretërisë së Italisë në vitin 1861 patën, për Gjermaninë, të paktën dy efekte: dobësuan Austrinë në avantazh të Prusisë dhe inkurajuan lëvizjen kombëtare gjermane. Njeriu që i shfrytëzoi pasojat me një koherencë të padështueshme ishte Oto von Bismark, i thirrur në krye të qeverisë prusiane në një moment kur parlamenti po i dilte nga kontrolli sovranit. Bismarku kuptoi se beteja për hegjemoninë e Prusisë në Gjermani dhe bashkimi gjerman kërkonin mbi të gjitha eleminimin e Gjermanisë tjetër, tek e cila duka austriak kish qenë perandor. Mund të tingëllojë paradoksale, por bashkimi gjerman, pas fitores prusiane kundër austriakëve në Sadova në 1866, i detyrohej edhe Italisë. Ushtria italiane u mposht në Kustoca, por ajo pengoi që një pjesë e konsiderueshme e forcave austriake të hidhej kundër prusianëve në frontin verior. Në 1870, kundër francezëve, Bismarku ishte në krye të një koalicioni të madh gjerman dhe mundi të shpallë lindjen e Rajhut të dytë në Versajë, në sallonin e madh të pasqyrave. Në gjashtë vite kancelari i hekurt kishte mposhtur dy shtete të mëdhenj evropianë dhe kishte krijuar, mu në mes të kontinentit, një fuqi të re. Për Evropën, dhe në mënyrë të veçantë për francezët, fitorja e Prusisë ishte triumfi i një konceptimi militarist të politikës ndërkombëtare. Por denoncimi i militarizmit prusian, kaq i shpeshtë në politikën europiane qysh prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, errëson aspekte të tjerë të historisë gjermane. Në gjysmën e dytë të tetëqindës Gjermania ishte teatër i një revolucioni industrial, shkencor dhe social i krahasueshëm vetëm me atë anglez të disa dekadave më parë dhe shumë më të rëndësishëm, në rrafshin kulturor, nga ai që transformoi ekonominë amerikane pas Luftës së ndarjes. Sistemi politik nuk ishte ngushtësisht parlamentar (kancelari i përgjigjej vetëm perandorit), por në vitet tetëdhjetë adoptoi masa sociale që ishin të përparuara për kohën për sëmundjet, plakjen dhe aksidentet në punë. Ishte autoritar, por nuk mundi të pengojë që atdheu i një prej ushtrive më të forta evropiane të kishte dhe një parti socialdemokrate, e cila kishte 2 deputetë në 1871, 9 në vitin 1874, 12 në 1877, 35 në 1885, 44 në 1893, 56 në 1898, 81 në 1903 dhe 110 në 1913. Për shumë vite, e ardhmja e socializmit evropian ishte në Gjermani, jo në Francë dhe Britaninë e Madhe. Për shumë kohë, deri në fitoren e Stalinit mbi Trockin, bolshevikët rusë besonin që revolucioni do të hidhte rrënjë vetëm nëse do të shpërthente edhe në Gjermani. Sa kohë që Bismarku qëndroi në pushtet, shqetësimi më i madh i politikës së jashtme gjermane ishte ruajtja e ekuilibrave evropianë. Klima politike e vendit ndryshoi kur perandori i ri, pak më pak se dy vite pas ngjitjes së tij në fron, donte të largonte "pilotin" e vjetër dhe e detyroi të japë dorëheqjen. Ndodhi në mars të vitit 1890. Vilhelmi II ishte 30 vjec, ishte autokrat, i paduruar, arrogant. Më shumë se të ruante fuqinë gjermane, donte që ta rriste atë. U kërkoi boerëve të luftonin kundër anglezëve në Afrikën e Jugut. Ëndërronte një hekurudhë të madhe nga Berlini, në Bagdad që do të shtrinte, sipas tij, ndikimin gjerman në të gjithë Lindjen e Mesme. U angazhua në një duel detar me Britaninë e Madhe për dominimin e oqeaneve. Asnjë prej këtyre objektivave nuk ishte i huaj për kulturën politike të shteteve evropianë mes Tetëqindës dhe Nëntëqindës. Nuk ishin vetëm gjermane përgjegjësitë për Luftën e Parë Botërore. Por, stili i Vilhelmit II e privoi Gjermaninë nga shumë prej simpative që shfaqja e saj në skenën europiane kishte nxitur në vitet e mëparshëm. 

Nacional-socializmi njollë në historinë gjermane 
Pas fundit të Luftës së madhe, shumëkush gjeti tek Republika e Veimarit dhe në gjallërinë e tij të jashtëzakonshme kulturore Gjermaninë që kishin dashur. Shumëkush e kuptoi dramën e një populli që nuk kishte lëshuar, deri në humbje, as edhe një copë nga territori kombëtar dhe të cilit i ishte dashur të pranonte në Versajë një traktat poshtërues. Dhe në fund, shumëkush shpresoi që udhëheqësit e vet demokratë do t'ia kishin dalë të shuanin përpjekjet e zemëruara revanshiste dhe raciste të nacionalsocializmit të Hitlerit. Refuzoj dënimin moral të të gjithë popullit gjerman. Por genocidi hebraik mbetet, në historinë e Gjermanisë moderne, një njollë që vështirë të hiqet, një trashëgimi e rëndë që gjermanët, edhe ata që nuk kanë asnjë lloj përgjegjësie, duhet ta mbajnë mbi shpatulla edhe për shumë kohë. Ndërkohë, nuk ndaj kritika të tjera të drejtuara Gjermanisë. Nga rrënojat e luftës lindi një shtet i ri tek i cili virtytet e vjetër (punëdashja, disiplina, sensi i programimit dhe organizimit) janë bashkuar me atë të demokracisë. Shumë prej kancelarëve të saj, që nga Adenauer tek Helmut Kohl, që nga Villy Brandt tek Helmut Schmidt dhe Gerhard Schroeder, kanë qenë një model politik për pjesën tjetër të kontinentit. Bashkimi i Gjermanisë, pas rënies së Murit të Berlinit, ka qenë një kryevepër mençurie politike, një kapitull i historisë europiane që të kujton Cavourin dhe Bismarkun. E kuptoj që ky vend serioz dhe shumë punëtor nuk dëshiron të bëhet zahlmeister, paguesi zyrtar i gjinkallave mesdhetare që kanë prishur pa hesap burime dhe kanë jetuar përtej mundësive të tyre. Kuptoj që u kërkon partnerëve të vet seriozitet dhe sakrifica. Pasi ka tentuar të dominojë Evropën me armë, Gjermania ka sot të drejtën të kandidojë për udhëheqjen e një kontinenti më në fund të bashkuar. E megjithatë në politikën e Angela Merkelit, fituese e mundshme e zgjedhjeve të ardhshme, ka diçka të ngushtë, miope dhe oportuniste, ndoshta ndjesia absurde që vendi i saj mund të vazhdojë të jetë i prosperuar dhe i lumtur nëse Evropa bëhet, ashtu si në të kaluarën, një shumë e egoizmave nacionalë. Mund t'i sugjerojë të lexojë, apo rilexojë librin e Madame de Staël? Është ajo Gjermania për të cilën kemi nevojë. (Metropol)
♛Melody♛
♛Melody♛

200 vite Gjermani Coolte21

Shteti Shteti : 200 vite Gjermani Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi