E vret dashnori i stjuardesës për një gërvishtje makine
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
E vret dashnori i stjuardesës për një gërvishtje makine
Gëzim Karaj po kalonte dhe preku me ngarkesën e tij makinën e Amanda Hoxhës. Ajo zbriti dhe e goditi me shkelm biçikletën, më pas kreu telefonatën fatale që solli aty agresorin Artenc Shehu
Anxhela Tato
- Egodet me levë për kapriçon e të dashurës, duke i marrë jetën 60-vjeçarit Gëzim Karaj. Kjo ndodhi dje në Tiranë, në lagjen “Ali Demi”, para shtëpisë së viktimës. Pas ankesës së të dashurës se i kishin gërvishtur makinën, ka mbërritur me shpejtësi Artenc Shehu për të marrë “hakën”. Ai ka goditur me gjithë forcën 60-vjeçarin e pambrojtur. I arrestuari për vrasje Artenc Shehu nuk ka hezituar që të kërcënojë me jetë edhe bashkëshorten e viktimës, e cila sapo ka dëgjuar britmat ka dalë jashtë dhe ka parë një djalë që po i dhunonte bashkëshortin.
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje autori i konfliktit që vrau 60-vjeçarin Gëzim Karaj, ka pranuar krimin. Artenc Shehu ka treguar se e dashura, Amanda Hoxha, e ka njoftuar për çka kishte ndodhur. Por, në dëshminë e 30-vjeçarit Shehu thuhet se nga gjaknxehtësia e ka goditur me grushte viktimën, i cili është rrëzuar në tokë. Ndërkohë Dëshmitarët pohojnë se ky ka përdorur një levë me të cilën e ka qëlluar Karajn. Kanë qenëbanorët e zonës që njoftuan menjëherë uniformat blu, të cilët brenda një ore arritën që t’i vinin prangat autorit Artenc Shehu.
Bëhet me dije se krimi ka ndodhur para servisit që kishte në pronësi viktima. Karaj me mirësjellje i ka ofruar Amanda Hoxhës lekët e dëmtimit të makinës, të njëjtën ofertë ia ka propozuar edhe 30-vjeçarit Shehu, por ky, i nxitur nga fjalët e së dashurës, ka marrë hov duke e dhunuar me mjete të forta viktimën. Gëzim Karaj është transportuar me urgjencë për në spital, por ka humbur jetën për shkak të goditjeve të forta që kishte marrë pas kokës. Nga ana e policisë u raportua se kjo ngjarje erdhi nga një konflikt për motive të dobëta. Në njoftimin për shtyp thuhet se 30-vjeçari ka qëlluar dy herë me grusht pas kokës viktimën, i cili është rrëzuar me forcë në tokë, version i cili nuk mbështetet nga dëshmitarët okularë.
Por, ky version kundërshtohet nga familjarët e viktimës, të cilët pohojnë se i arrestuari e ka goditur me sende të forta, madje ata shkojnë edhe më tej. Sipas familjarëve, makina nuk është gërvishtur, por ka qenë një fërkim i papërfillshëm. Mësohet se sëbashku me 30-vjeçarin është shoqëruar nga blutë edhe e dashura e tij, Amanda Hoxha. Fqinjët Në familjen e Gëzim Karajt ka rënë morti. Të afërm dhe miq janë mbledhur afër familjes për t’i qëndruar pranë në këto momente të vështira dhimbjeje.
Kanë kaluar vetëm dy orë nga vdekja e papritur e 60-vjeçarit dhe familja e tij ende nuk mund ta besojë se njeriu më i dashur për ta nuk do të jetë më. Lajmi i vdekjes është mjaft tronditës për bashkëshorten dhe dy vajzat e viktimës, të cilit iu mor jeta krejt papritur në atë mënyrë. Miqtë e përshkruajnë si një person mjaft të dashur dhe fjalëmbël. “Ai mbante familjen me këtë servis se nuk ishin në gjendje të mirë ekonomike. Është shumë e turpshme që policia thotë se vdiq nga shpulla, kur ai që u arrestua e goditi me levë”, shprehet njëri nga miqtë më të afërt të viktimës. Një dëshmitar okular thotë se “Gëzimi po shkonte të hidhte disa dërrasa me biçikletë, kur kjo vajza po dilte me makinë bashkë me të ëmën.
Ai i është afruar me biçikletë dhe kjo ka dalë duke i bërtitur se i gërvishti makinën. Gëzimi i ka thënë që do t’i paguante dëmtimin, edhe pse makinën as që ia preku. Ka hedhur plehrat dhe është kthyer në servis. Kjo tani bashkë me mamanë njoftoi dikë në celular, por ka mundësi i dashuri. Erdhi ky djali dhe të tre vajtën te servisi, aty nisi debati. Gëzimi i ka thënë disa herë se do ia paguante dëmin, por ky djali i ra në levë dhe e vrau. Kjo është e vërteta”, përfundon rrëfimin.
Suela Karaj
"E qëlloi babain me levë, kanosi edhe nënën"
Gëzim Karaj ishte babai i dy binjakeve 16 vjeçare, E.Karaj dhe S.Karaj. Njëra prej tyre, S. Karaj na tregoi konfliktin e shkurtër që i mori jetën babait të tyre. “Në mëngjes babi kishte marrë disa dërrasa dhe i kishte vendosur në biçikletë për t’i hedhur te kazanët e plehrave. Teksa po kalonte me biçikletë aty në fund të rrugës, një makinë po dilte nga parkimi. Babi mbështeti biçikletën që t’i linte vend, por ajo del e inatosur dhe fillon të bërtasë. Vajza bashkë me mamanë e saj i thanë babait: O qelbësirë, o ndyrësirë. I goditën me shkelm biçikletën dhe e akuzuan se i kishte gërvishtur makinën. Por, babi i qetë vazhdoi rrugën tek kazanët dhe më pas u kthye tek servisi. Pak më vonë aty vjen një djalë bashkë me këtë vajzën dhe mamanë e saj. Ai fillon të bëjë fjalë me babin dhe i thoshte pse i ke gërvishtur makinën. Babi i tha që të mos shqetësohej se për çdo dëm do paguante lekët, edhe pse nuk i kishte bërë asgjë makinës. Siç dëgjova mamin ky djali ka filluar të qëllojë babin me levë. Mami kishte dëgjuar zhurma dhe kishte dalë te shkallët. Ajo kishte parë këtë djalin që godiste babin dhe kishte dashur të ndërhynte. Por ai i kishte thënë se nëse afrohej do ta vriste mamin”.
Apeli i Naxhije Karajt: Mos e lironi Artenc Shehun, mund të vrasë të tjerë
Naxhije Karaj kërkon dënim maksimal për autorin e krimit. Rrëfimi: “...Vjen një djalë 2 metra, i afrohet Gëzimit dhe pa asnjë sqarim e godet duke e rrëzuar në tokë” Dëshmia në polici: “E qëllova me shpullë dhe i thashë se duhet t’i vinte turp që mati forcën me një femër”
Anxhela Tato
Mes lotësh dhe me zërin që i dridhet bashkëshortja e Gëzim Karajt kërkon të dijë nga mamaja e Amanda Hoxhës, nëse ndjehet e kënaqur që i shkatërroi familjen dhe i mori jetën bashkëshortit. Dënimi maksimal është sentenca e Naxhije Karajt për autorin e krimit. “E pyes atë zonjën: A iu plotësua dëshira që më shkatërroi familjen, më futi burrin në dhe. Më la fëmijët jetim. A u kënaq ajo zonjë, ajo grua e vjetër, se ajo e bëri gjithë këtë sherr. Ta dëgjojë ajo, që unë po i kërkoj të di, nëse u kënaq që më bëri këtë gjëmë kaq të madhe, që më shkatërroi familjen”, pyetja e bashkëshortes së viktimës që mesa duket do të mbetet pa asnjë përgjigje. Momentalisht asnjë person nga familja e Amanda Hoxhës, e cila u shndërrua në mollën e sherrit, nuk është drejtuar për ngushëllime në familjen e viktimës.
Debati mes Amandës dhe viktimës
“Ishte ora 08:00 kur burri doli nga shtëpia për të vajtur në punë. Si çdo ditë ai u ul në kafen poshtë pallatit dhe pasi u kthye para servisit, vuri re një si tip komedinë, të cilën e shkatërroi dhe e vuri në biçikletë që ta hidhte tek koshi i plehrave, të cilët janë pak metra larg nga servisi i tim shoqi. Para disa kamionëve ishin parkuar makinat dhe ai nuk mund të kalonte dot me biçikletë që t’i hidhte dërrasat. Ai i vuri në tokë gjithë dërrasat dhe unë po i shihja të gjitha lëvizjet e tij nga dritarja. Në këtë moment del një vajzë e re nga një makinë dhe i thotë burrit tim: Plehrë, si i shkarkon plehrat këtu. Ajo kishte makinën aty dhe kujtoi se burri po i linte plehrat aty dhe nuk e lejonte atë që të kthehej mbrapsht me makinë. Im shoq u përpoq që ta sqaronte, duke i thënë se nuk po i linte plehrat aty. Ajo në këto momente i gjuante biçikletës me shqelm. Unë vazhdoja që të shikoja nga larg. Aty ishte edhe një grua e vjetër dhe që të dyja ato e ofenduan tim shoq. Ndërsa ai nuk e zgjati shumë debatin me to, por i mori plehrat një e nga një dhe i çoi tek koshi i plehrave dhe kthehet për tek vendi i punës. Në këtë moment vjen një komshi për t’i kërkuar një vegël pune dhe burri i thotë që meqë ishte i moshuar do ia dërgonte veglën në shtëpi. Ngjitet lart në banesë dhe unë e pyeta se çfarë problemi kishte me ato femra, sepse ia dëgjova zërin kur ai po grindej. Asgjë më tha. Ato dy gratë menduan se u zura rrugën me dërrasat dhe pa pritur sqarime prej meje, nisën që të më ofendonin, duke më thënë “plehrë” e gjëra të tilla, ndërkohë që vazhdonin që t’i qëllonin biçikletës. Ky e ngriti zërin sepse u acarua nga sjellja e tyre”.
Skena e vrasjes
“I kërkova burrit që të lajmëronte policinë, por ai nuk pranoi. Ai më tha: Epo gra janë ato, nuk do merrem me ato unë. Iku sërish tek puna dhe shkoi që t’i çonte veglën e punës një komshiu këtu pranë. Rreth 10 minuta pas grindjes me femrat, vjen një djalë 2 metër i gjatë. Unë po vështroja nga dritarja, sepse po ma ndiente zemra që do ndodhte diçka e keqe dhe nuk u largova prej andej. U futën tek dera e servisit, por nuk e gjetën Gëzimin dhe u larguan. Në atë moment im shoq ishte duke u kthyer nga shtëpia e komshiut dhe ato u kthyen. Sapo vajza e shikon tim shoq, ia tregon me gisht këtij djalit duke i thënë se ai ishte personi që u grind. Ndërsa ai djali nuk priti fare që t’i kërkonte llogari burrit se çfarë kishte ngjarë, por në sekondë e goditi në veshin e djathtë. Prej goditjes Gëzimi ra në tokë, ndërsa unë siç isha zbathur zbrita poshtë dhe iu vërsula asaj gruas. Si i fut meshkujt në sherr, moj femër e keqe. Por, ai djali më drejtohet mua dhe u bë gati që të më godiste. Ndërsa në këtë kohë im shoq u ngrit dhe më tërhoqi mua, sepse kishte hall se ai do të më godiste edhe mua. Gëzimi ishte zverdhur në fytyrë prej goditjes, sepse pjesa e veshit ishte nxirë komplet. Fakti që veshi u nxi në moment më bën që të dyshoj se ai ka përdorur ndonjë send të fortë, kur e ka qëlluar pas veshit, ndoshta ishte edhe grusht sepse ai ishte djalë i madh në trup, por e dyshoj këtë gjë”.
Bashkëshortja
Dyshoj se bashkëshorti u qëllua me dorezë hekuri
Naxhije Karaj, ende e tronditur nga vdekja e papritur e bashkëshortit të saj, ka dyshime se autori i krimit ia ka qëlluar me një send të fortë bashkëshortin. Ndonëse gjithë rrjedhjen e ngjarjes ka mundur që ta vështrojë nga dritarja, nuk ka arritur dot të provojë nëse Artenc Shehu mbante diçka në dorë ose jo, për shkak të lartësisë. Ajo sqaron se bashkëshortit iu nxi plaga shumë shpejt. “Kam përshtypjen që ai është qëlluar me send të fortë, duke u nisur dhe nga lloji i plagës që iu bë në pjesën e veshit. Ai mund të ketë pasur dorezë ose copë hekuri, që unë nuk isha në gjendje që ta shikoja nga larg”. Pyetjes se çfarë kërkon nga drejtësia, Naxhije Karaj përgjigjet se do që autori të vihet para drejtësisë dhe të dënohet për këtë krim të rëndë. Ai nuk duhet të lihet i lirë, pasi mund të veprojë sërish njësoj dhe të vrasë njerëz të tjerë. “Kërkoj dënimin maksimal për kriminelin, pasi ai po të dalë do të bëj vrasje tjetër”. “E pyes atë zonjën: A iu plotësua dëshira që më shkatërroi familjen, më futi burrin në dhe. Më la fëmijët jetim. A u kënaq ajo zonjë, ajo grua e vjetër, se ajo e bëri gjithë këtë sherr. Ta dëgjojë ajo, që unë po i kërkoj të di, nëse u kënaq që më bëri këtë gjëmë kaq të madhe, që më shkatërroi familjen”.
Pendohet autori i krimit: Nuk doja ta vrisja
Në ngarkim të të arrestuarit Artenc Shehu është ngritur tashmë akuza e vrasjes nga pakujdesia, e përshkruar nga materiali kallëzues i policisë Sipas uniformave blu, ngjarja ka qenë aksidentale dhe jo e qëllimshme. Ndërkaq, pritet dhe ekspertiza e mjekësisë-ligjore, e cila do të specifikojë se cili është motivi i vërtetë i vdekjes së Gëzim Karaj. Për këtë ngjarje përballen dy versione, ai i bashkëshortes dhe i policisë. Ndërsa gruaja pretendon se autori i ka qëlluar me një send të fortë bashkëshortin, policia thotë se ka pasur vetëm goditje me grusht. Njëkohësisht autori pretendon se viktima i ka goditur me shpullë të dashurën, ndërsa bashkëshortja rrëfen se ka pasur vetëm fjalë ofenduese dhe gjeste dhune nga ana e vajzës.
Policia
Sipas uniformave blu, bashkëshortja e viktimës është shprehur se ka parë skenën, kur autori i krimit i ka goditur bashkëshortin. Burime nga policia bëjnë me dije se viktima i ka thënë bashkëshortes se ishte përgjegjësia e tij për këtë ngjarje dhe nuk donte të bënte denoncim. Ata janë ngjitur lart, por 60-vjeçari nuk është ndjerë mirë. Togat blu sqarojnë se në dëshminë e dhënë para oficerëve të policisë gjyqësore Naxhije Karaj ka rrëfyer se ka dëgjuar britma dhe ka dalë nga banesa. Ajo ka parë jashtë një djalë që i qëlloi me grusht burrin. Sipas policisë, gruaja ka treguar se vetë Amanda Hoxha dhe nëna e saj kanë ndërhyrë për t’i ndarë viktimën nga autori. Bashkëshortja ka dëshmuar se ajo ka zbritur poshtë dhe është konfliktuar me gratë. Ajo i ka kërkuar Gëzimit që t’i denonconte, por sipas bluve, përgjigja e tij ka qenë që nuk kishte ndërmend t’i drejtohej policisë, pasi ishte vetë faji i tij për çka ndodhi. Sipas rrëfimit të bashkëshortes, ka kaluar vetëm gjysmë ore, kur viktima ka shfaqur shenjat e para. Ai është ankuar se ndjente dhimbje kokë dhe i vinte përzier. Menjëherë kanë thirrur një taksi dhe janë drejtuar për në spital. Por pas 10 minutash mjeku ka njoftuar familjen se Gëzimi kishte ndërruar jetë. Burime nga policia bëjnë me dije se vetë viktima ka goditur me grusht vajzën, e cila ka një shenjë nxirje në sy.
Dëshmia e autorit
I pyetur para oficerëve të policisë Artenc Shehu ka shfaqur pendesë për çka ka ndodhur. Ai ka dëshmuar se nuk ka dashur të vrasë viktimën dhe nuk e ka menduar se një shpullë do të sillte këtë efekt. “E kam qëlluar me shpullë vetëm një herë dhe kjo pasi viktima më goditi të dashurën. Më ka njoftuar në telefon e dashura dhe më tha se një burrë e kishte qëlluar. Ajo më tregoi se ky burri i kishte gërvishtur makinën dhe e kishte penguar që të nxirrte automjetin nga parkimi. Unë vajta te servisi, e takova dhe i kërkova që të më jepte sqarim. I thashë se duhet t’i vinte turp që mat forcat me një femër dhe e qëllon. Më ofendoi dhe e godita me shpullë që të provojë se çfarë efekti jep një shpullë. Ai nuk ra në tokë, ishte në këmbë. U vetëdorëzova, pasi mora vesh se kishte vdekur. Jam penduar”, ka rrëfyer para bluve Artenc Shehu.
Arrest me burg për Artenc Shehun, qëlloi për vdekje 60-vjeçarin Karaj
Artenc Shehur, autori i vrasjes së Gëzim Karajt, ka dalë sot para gjykatës. Ndaj 31-vjeçari është marrë masa arrest me burg ndërsa avokati i tij ka sqaruar se, klienti i tij nuk ka pasur për qëllim të vrasë 60-vjeçarin.
Gjyqtarja Vjollca Zaimi vlerësoi se arresti ishte i ligjshëm dhe pranoi kërkesën e prokurorit Erjon Imeraj për masën e arrestit burg. Nga ana e tij 31-vjeçari nuk ka folur asnjë fjalë, vetëm ka dhënë gjeneralitetet, duke ia lënë gjithçka në dorë të avokatit, raporton “A1 Report”.
“Klienti im nuk ka pasur qëllim vrasjen. Në trupin e viktimës nuk ka goditje, ndaj vrasja ishte pa dashje. Kërkoj një masë më të lehtë se arrest me burg pasi klienti im ka qenë pa precedentë penalë”, tha avokati Ardian Leka në emër të klientit të tij.
“Jam kundër. Është vrasje me dashje prej dhunës”, ka thënë prokurori Erjon Imeraj duke kujtuar se për veprën penale të "vrasjes si pasojë e dhunës" Kodi Penal parashikon deri në 20 vjet burg.
Pasi dëgjoi pretendimet dhe mori provat, gjyqtarja u tërhoq për vendim duke pranuar kërkesën organit të akuzës për mbajtjen në burg të Artenc Shehut.
Në seancën e sotme të gjyqit nuk ka qenë asnjë nga familjarët e Artenc Shehut. As e dashura e cila sipas hetimeve u bë shkaktare e këtij krimi. Në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të pranishëm as familjarë të viktimës. 31-vjeçari qëlloi për vdekje Karajn pas një konflikt për gërvishtjen e makinës së të dashurës së tij.
Similar topics
» Shtypi me makinë 2 policë, prokuroria: Nuk ishte “vrasje” por “aksident”
» Më thuaj profesionin, të të them se çfarë dashnori je
» Anaidi i “BB”: E vërteta e armës në makinë dhe flirti i ri me një VIP!
» Ushtria izraelite arreston një 5-vjeçar qëlloi me gur një makinë
» “Rref dashnoren” në makinë, policia: Ajo nuk pranon ta denoncoi agresorin
» Më thuaj profesionin, të të them se çfarë dashnori je
» Anaidi i “BB”: E vërteta e armës në makinë dhe flirti i ri me një VIP!
» Ushtria izraelite arreston një 5-vjeçar qëlloi me gur një makinë
» “Rref dashnoren” në makinë, policia: Ajo nuk pranon ta denoncoi agresorin
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi