AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve

Shko poshtë

Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve Empty Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve

Mesazh nga ♛Melody♛ Mon May 06, 2013 8:45 am

Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve 51507_1Instalimi i partitokracisë nuk mund të rrënonte dhe deformonte pluralizmin dhe aspiratën mbarëpopullore për demokraci, duke ligjëruar dhe mistifi kuar përmbi 20 vjet udhëheqës të pazëvendësueshëm, pa ndihmën dhe pa bashkëpunimin e sojsëzëve të të gjitha ngjyrave, të cilët zaptuan, për të mos i lëshuar më, jo vetëm siglat e partive, por edhe sindikalizmin.
Në të gjithë ish Lindjen, duke përfshirë edhe ish republikat aziatike të BS, sindikalizmi nuk është bërë kaq butaforik, kotanak, mashtrimtar dhe i shfytyruar, sa tek ne. Pa patur drojën e teprimit mund të pohohet se sindikalizmi në Shqipëri jo vetëm që nuk ekziston më si lëvizje, si organizim vullnetar në mbrojtje të të drejtave të punonjësve, qoftë edhe formalisht, por nuk funksionon më as si “levë” e partive, si u tentua me Bashkimet Profesionale në vitet e fundit të diktaturës. Tanimë, të gjitha qeveritë, të majta e të djathta, nuk u kanë më as frikën e as nevojën e sindikatave, të varura e të pavarura. Por edhe shoqëria, fatkeqësisht, nuk e ndjen më mungesën dramatike të sindikalizmit. Të papunët e kanë më të lehtë të dalin te Ushtari i Panjohur të kërkojnë punë, se sa t’u drejtohen sindikatave apo, ca më keq, Ministrisë së Punës e portalit të Bashkisë.
Sigurisht që nuk mjafton vetëm fasada e 1 Majit të këtij viti për të kuptuar këtë situatë të pashpresë. Nëse në të gjithë botën pati protesta, disa edhe të dhunshme, që nga SHBA, Koreja e Jugut, Greqia dhe Turqia, tek ne 1 Maji festohet si piknik familjar, duke shkuar për të livadhisur nga liqeni artificial, a thua se këtu gëlon mirëqenia, se nuk ka papunësi, as informalitet, as punë në të zezë, as korrupsion, as çmime të larta, as mungesë të kontratave kolektive, as mospagim rrogash për muaj të tërë, as lista borxhlinjsh nëpër dyqane, as mungesë sigurimesh, as aksidente dhe vdekje për shkak të kushteve mjerane të punës, pasi të drejtat e ligjshme të punonjësve medemek u respektokan rigorozisht si nga qeveria, ashtu edhe nga punëdhënësit.
Edhe pse dihet që pa lëvizje sindikaliste zor se të ketë demokraci funksionale, fakti që sindikatat, edhe pse formalisht ekzistojnë (jo një e dy, por disa, të hapërdara sipas profesioneve; tani kemi madje edhe sindikatë të policëve!...), ato nuk janë në gjendje të ushtrojnë asnjë ndikim mbi politikën e qeverive dhe mbi shoqërinë, jo ngaqë tek ne nuk ka traditë sindikaliste, as se mungon fizikisht “klasa punëtore”, se nuk ka probleme të vështira e të pazgjidhshme edhe nga gjykatat në marrëdhënien punëtor-sipërmarrës, porse në të vërtetë është shuar qëllimisht, ende pa u ndezur, flaka e sindikalizmës. Punëtori, i punësuari, nëpunësi, specialisti, n’daç edhe gazetari, kushdo pra që gjen një punë te privati a në administratë, ndihet fillikat dhe krejtësisht i pambrojtur përballë abuzimit dhe arbitraritetit të shtetit dhe të sipërmarrësit. Spastrimet e herëpashershme politike në administratën publike dëshmojnë jo vetëm se pushteti i jep të drejtë vetes të sillet si bos e si pronar fuqiplotë, por edhe se e drejta rëndom kalon te më i forti, te ai që ka pushtet, që është bërë pronar e aspak te shtetasi që pasuri të vetme ka djersën dhe krahun e punës.
Shfrytëzimi i njeriut të varfër e krejtësisht të pambrojtur nga njeriu i pushtetshëm dhe i pasur është bërë i egër, i dhunshëm, pa rregulla, më barbar e më mizor se kudo. Jo vetëm që nuk ka kontrata pune, por përballë shtetit edhe nëpunësi i ashtuquajtur ‘civil’, për të cilin ka ligj të posaçëm, një mëngjes të bukur, teksa shkon me gëzim në punë, mund të ndalohet nga roja i institucionit të hyjë në zyrë...Ku të ankohet? Ku ta kërkojë të drejtën e humbur? Sa gjyqe ka humbur pushteti ndaj nëpunësve të tillë? A ka ndonjë syresh që është rikthyer, edhe pse e ka fituar gjyqin? Mjafton vetëm Gërdeci, apo edhe Bulqiza për të kuptuar këtë rropamë shoqërore, këtë hendek të thiktë mes shumë të pasurve e shumë të varfërve, mes të fortëve dhe të dobëtëve, ku edhe fëmijët shfrytëzohen si skllevër dhe ku minatorët e punëtorët nuk aksidentohen, po trajtohen dhe vriten si miza, si në luftë, për një kothere bukë...
E gjithë kjo marrëdhënie e përçudnuar, si e fillimeve të kapitalizmit, nuk ndodh sepse tek ne nuk ka Kushtetutë dhe ligje të posaçme, por se nuk ka sindikalizëm të mirëfilltë, të përgjegjshëm që të mos lejojë instalimin e këtij kapitalizmi pa rregulla, pa standarde, çnjerëzor, shfrytëzonjës, aspak human. Në të kundërt, tek ne ka krerë sindikalistë(edhe këta janë vetëshpallur të përjetshëm e të pazëvendësueshëm, njëlloj si krerët e partive!) që dalin në ekran, ditën e 1 majit dhe deklarojnë krenarisht: “Shkoni dhe shihni se sa kushte të mrekullueshme u kanë krijuar firmat e shumta private minatorëve aty, në Bulqizë!...Ka aksidente dhe vdekje?...Po ka, sigurisht që ka, por ama ky profesion kudo në botë është me risk të madh!”...Sigurisht që ky cinizëm primitiv është rrjedhojë e demagogjisë së kryeministrit aktual, i cili del e thotë se ne ia paskemi kaluar edhe Gjermanisë e disa vendeve të BE-së për mirëqenie e kohezion social!
Në vitet e para të demokracisë sindikatat, edhe pse në fillimet e lirisë, me grevën e famshme të Valiasit e më pas me grevën e përgjithshme arritën të paralizojnë qeverinë e asaj kohe, duke e detyruar të dorëhiqet që vendi të hynte në zgjedhje të parakohshme. Por a mund të ndodhë kjo sot? Kurrsesi jo. Mos kishte asokohe më shumë punëtorë se sot? Apo mos vallë punonjësit, e sapodalë nga diktatura, e kishin ndërgjegjen sindikaliste dhe kulturën për të drejtat elementare të njeriut më të zhvilluar se sot, pas 22 vitesh? Jo dhe jo! Gjithsesi, përgjigja është e thjeshtë: sindikatat e sotme nuk kanë asnjë ndikim në shoqëri, sepse te ato, jo pa të drejtë, nuk beson më kurrkush.
***
Po si shpjegohet kjo? Përse të ketë ndodhur vallë ndër ne kjo risi ndjellakeqe për ecurinë normale të sindikalizmës, por edhe të demokracisë? Përse, pas gati një çerek shekulli, jo vetëm protestat, por edhe grevat e urisë e të përndjekurve politikë dhe, së fundi, edhe greva e të pastrehëve, që bëhen në mes të Tiranës e para kamerave, edhe kur përfundojnë me vetëflijim, me vetëdjegies me benzinë, nuk kanë pikë ndikimi dhe nuk bëjnë kurrfarë përshtypje si te qeveritarët, ashtu edhe te opinioni publik? Mos vallë qytetari shqiptar është bërë aq vetanak sa ta ketë humbur shqisën e kundërshtisë ndaj të keqes dhe bashkë me të, edhe nevojën e bashkëjetesës, që do të thotë: Le të jem mirë unë e familja ime, pa le t’i bjerë zjarri gjithë botës!
Për këtë do të duhet t’i kthehemi sindikalizmës së kohës së minierës së Valiasit, kur u duk, nën shembullin e Polonisë (të elektricistit Valesa), sikur jeta sindikaliste do të ishte më përcaktuese dhe më e fuqishme edhe se ajo e partive. Nisën asokohe njëra pas tjetrës grevat e urisë nëpër zgafella minierash dhe auditorë, të cilat e tronditën dhe e shkundën shoqërinë në themel, shumë më tepër se fjalimet patetike dhe frymëzonjëse të udhëheqësve të rinj politikë. Por kjo nuk zgjati shumë. Krerët e partive, që kishin qenë asokohe në opozitë dhe që kishin përkrahur sindikalizmin nën e mbi rrogoz, nuk e bënë këtë “sponsorizim” për të forcuar sindikalizmën, por që të vinin vetë sa më shpejt dhe sa më lehtë në pushtet.
Ishte krijuar përshtypja e rremë se në demokracinë që po vinte me tërsëllimë, sindikatat do të ishin faktori më vendimtar. Sa erdhën në pushtet, qeveritarët e rinj u dhanë (në fakt: ua falën) krerëve të sindikatave të gjitha pronat e ish Bashkimeve Profesionale, të cilat nuk ishin të pakta anekënd vendit. Disa nga këto pasuri të patundshme u bënë të tundshme, dmth u privatizuan shpejt e shpejt, disa u tjetërsuan, disa u dhanë te privatët me qera...I gjithë ky “proces demokratik i ekonomisë së tregut” përfundoi në dobi të disa krerëve të sindikatave, të cilët e rritën standardin vetjak të jetesës, u ndjenë sakaq zyrtarë të rëndësishëm, u vetëpajisën me vila, me makina luksoze, me shofer, me zyra e sekretare, me hije të rëndë, me lidhje direkte e indirekte me qeveritarët, u çimentuan me pasuri, trafik influence dhe imunitet të pakufizuar. Prej njëzet vjetësh ata janë kapur peng i këtij allishverishi qeveri-sindikatë, dosje-pengu që ushtron po atë trysni nënshtruese e denigruese që kanë edhe dosjet e Sigurimit....Se, a keni parë e dëgjuar ndonjëherë të hapet ndonjë proces për abuzimet në nivelet më të larta të sindikatave? As keni për të parë e dëgjuar! Valer Xheka, psh, iku dhe u arratis dhe askush nuk kujtohet më për të...Sepse te të gjitha qeveritë, pas ngjarjeve të Valiasit, gjallon bindja: fundja le të zhvatin/vjedhin/abuzojnë edhe krerët aktualë të sindikatave, mjafton që ta mbyllin gojën!...Se mos janë ata të parët e të fundit?
Ky është pengu që i mban lidhur, pas hurit të qeverive. Sigurisht që e keqja nuk qëndron vetëm te abuzimet, te mënyra e (sh)përdorimit të qerave, fondeve dhe donacioneve të organizmave analoge ndërkombëtare, pasi i njëjti problem gëlon te të gjitha OJF-të, por rropama më e madhe, gati-gati e pandreqshme, është zhgënjimi dhe mosbesimi që ata kanë mbjellë te mendësia e qytetarit të sotëm, i cili, jo pa drejtë, tanimë është bindur se nuk ia vlen të organizohesh nëpër sindikata, në shoqata, në tubime, në protesta, sepse je më i sigurt dhe më i mbrojtur po të luftosh i vetëm!
Ky “kontribut” është pak ta quash kriminal për demokracinë!

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
♛Melody♛
♛Melody♛

Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve Coolte21

Shteti Shteti : Sindikalizmi, strofkulla më e preferuar e sojsëzëve Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi