AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin

Shko poshtë

Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin Empty Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Jul 12, 2013 11:21 pm

Historia e konteshës së re hungareze, e cila i rrëmbeu zemrën mbretit të shqiptarëve. Kush është Geraldinë Apony, e cila do të kthehej në mbretëreshën e shqiptarëve… Jeta e saj jo e lehtë në krah të mbretit Zog, e si ishin vitet larg Shqipërisë. Të gjitha sekretet e gruas jo të zakontë të historisë sonë vijnë në një rrëfim që ajo i ka bërë gazetares franceze Josephine Dedet


 Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin Geraldine-7


Kontesha Geraldina Apony kishte vetëm pak orë që kishte mbërritur në Shqipëri, ku e veshur me një fustan të gjatë dhe elegant që kishte marrë me vete posaçërisht për këtë moment, hyri në ballon që mbreti Zog jepte me rastin e vitit të ri. Mes dy mijë të ftuarve, kontesha Apony dhe mbreti Zog do të takoheshin për herë të parë. Gjatë rrugës për të ardhur për në Shqipëri, kur rrezet e fundit të diellit zhyteshin tej në ujërat e Adriatikut, ajo e kishte sjellë shpesh në mendje portretin e tij, përshkruar nga Jozef Suari. “Çehrja, flokët, mustaqet e mbretit janë biondë. Vishet me elegancë, ka një joshje natyrore, megjithëse ndonjëherë është nervoz. Kuraja e tij është e pakundërshtueshme, krejt si inteligjenca dhe kapacitetet e tij intuitive…”. Por, nga ky përshkrim i Suarit, dhe mijëra imazheve që ajo kishte përshkruar në mendje për të, tashmë e ndanin vetëm disa minuta nga takimi i vërtetë… Kur princesha Senije i afrohet dhe i thotë se tashmë do të shkojnë të takohen me mbretin, gruaja e re ndien se nuk i mban dot më këmbët. Me mendjen e tendosur nga takimi i menjëhershëm vajza e re nuk shikon që të gjitha vështrimet po përqendroheshin drejt saj: adhurim, simpati, kureshtje, madje edhe armiqësi nga disa diplomatë të huaj, të gjitha këto ndjenja njerëzore dhe kontradiktore, të cilat ajo do t’i mësonte më vonë. “Po arrinim në fund të sallës, kur befas pashë para meje një burrë trupmadh e të hollë, shumë elegant, që po bisedonte me një shef të misionit të huaj. U kthye nga unë dhe duke ndeshur për herë të parë vështrimin e tij, ndjeva një shqetësim të habitshëm. Kishte sy bojëqielli, zhbirues dhe robërues…”. Ky moment nuk do të hiqej kurrë nga kujtesa e konteshës së re hungareze. As atëherë kur në shtëpinë e saj në Afrikën e Jugut, dyzet e tetë vjet më vonë pas këtij momenti, sytë e saj shkëlqenin sikur të ndodheshin sërish në atë ballo, teksa i tregonte historinë e jetës së saj, gazetares franceze Josephine Dedet. “Mbreti më ngriti menjëherë me një buzëqeshje magjepse dhe më falënderoi që kisha ardhur në vendin e tij, duke më pyetur nëse kisha udhëtuar mirë. S’munda veçse të belbëzoja një përgjigje. Shumë persona afroheshin për ta përshëndetur, por të motrat, princeshat, na rrethonin si për të na mbrojtur nga kureshtjet e turmës. Mbreti i prezantoi me radhë, pastaj më zgjati një kupë shampanjë shkreptitëse. Gishtat tanë u çikën dhe saktësisht në këtë çast dritat u fikën. Tronditja kishte qenë kaq e fortë saqë e lëshova gotën; ajo u thye në mijëra copëra, ndërsa po kumbonin dymbëdhjetë goditjet e mesnatës. Nga të gjitha anët oshtinin duartrokitje dhe britma hareje: ishim në 1938-n”, kujton mbretëresha Geraldinë. Me t’u ndezur dritat, e ngurosur në kuptimin e saktë të fjalës, nuk dinte si mund t’i shpëtonte kësaj gjendjeje të vështirë. Mbreti krejt i shtendosur, por pa dyshim i prekur nga ankthi i vajzës së re, e fton për të ngrënë. Konfuze, por e lehtësuar, ajo niset drejt bufesë në formë patkoi, mbi të cilën shndriste një servis madhështor prej ari të kulluar, ku ishte gdhendur kaska e Skënderbeut, emblema e monarkisë…Me një zë të ëmbël e bindës, Zogu sjell ndërmend si hyrje, kujtimet e lumtura të dy viteve që ka kaluar në Vjenë gjatë Luftës së Parë. Ai nuk do të mund të gjente jehonë më të favorshme në zemrën e Geraldinës, kur edhe atë e lidh një dashuri e veçantë me kryeqytetin austriak. Çliruar tani nga frika e saj, ajo dëgjon e nënshtruar tregimet e mbretit dhe konkretisht atë të qëndrimit të tij të fundit dhe të paharruar në Vjenë, më 1931. Zogu në atë kohë ishte viktimë e një helmimi aksidental apo të provokuar? Kishte dalë se ishte me origjinë të një ulcere të rrezikshme stomaku dhe kishte vendosur të konsultohej me specialistë të shquar vjenezë… Mbreti ishte elokuent. Geraldina e dëgjonte me vëmendje. “S’e kisha më vetëdijen e kohës, as të botës që na rrethonte. Thjesht kisha harruar ku isha. Mbreti më tha se “orët e gjata i qenë dukur të shkurtra”, kujtonte ajo… Fytyra e saj kishte mbetur e bukur dhe pse i kishte kaluar të 70-at. E tërhequr gjithnjë nga historia e hungarezes që i rrëmbeu zemrën mbretit të shqiptarëve, Josephinë Dedet udhëtoi drejt Afrikës së Jugut, ku tashmë familja mbretërore jetonte në ekzil duke i kërkuar t’i rrëfente jetën e saj, për ta shkruar në një libër. Dhe pse në fillim hezitoi, më pas mbretëresha Geraldinë vendosi të rrëfehej për Dedet. Libri i quajtur “Geraldina, mbretëresha e shqiptarëve”, u botua në Francë në vitin 1997, dhe është ribotuar sërish në vitin 2012. Libri është një rrëfim për jetën e një gruaje të jashtëzakonshme, e cila është konsideruar si një nga zgjedhjet më të denja të mbretit. Për autoren nuk ka asgjë të habitshme në faktin që mbreti Zog zgjodhi Geraldinën vajzën e madhe të kontit Xhula Aponi nga Nagi-Aponi dhe të konteshës së lindur Gledis Stjuart, një amerikane me prejardhje skoceze e irlandeze, për të mbretëruar përkrah tij mbi shtetin më të panjohur të Europës. Nëse vajza e re rrjedh nga një prej familjeve më të shquara të Hungarisë, në vijën e gjyshes nga nëna, ajo është lindur konteshë dë Strahviç, Seherr-Tos, farefis me pjesën më të madhe të dinastive mbretërore e perandorake të kontinentit. Edhe cilësitë e zemrës dhe të inteligjencës e paracaktojnë për t’u ngjitur në fron. E megjithatë, deri në moshën njëzetvjeçare si mund ta imagjinonte vallë kontesha Geraldinë fatin që do të bëhej zot i saj? Kështu ajo do të bëhej mbretëreshë vetëm për një vit, deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Në këtë kohëzgjatje të kufizuar, mbretëresha Geraldinë nuk ka qenë një mbretëreshë operetë, por përkundrazi, përfaqësuesja autentike e një populli krenar për të kaluarën dhe për historinë e tij mijëravjeçare përpara se ta rrëmbente stuhia e madhe e Luftës së Dytë Botërore. Jeta e pazakontë e një mbretëreshe, Shqipëria e viteve të Geraldinës, vijnë në rrëfimin e ndier që gazetarja Dedet bën për të me shumë dashuri… Më poshtë për “Shqip”, Josephinë ndan disa detaje nga kohët e saj me mbretëreshën Geraldinë…
Si e kujtoni takimin e parë me mbretëreshën Geraldinë. Si mund të na e përshkruani këtë takim?
Ne ishim takuar më përpara në Ranburg (afër Johanesburgut, Afrika e Jugut) në janar të vitit 1996, dhe për një vit kishim mbajtur lidhje përmes letrave. Unë i shkruaja shpesh, duke e pyetur rreth familjes së saj, fëmijërisë, rinisë mes Hungarisë, Austrisë dhe Francës, takimit me mbretin Zog, dhe si e zbuloi Shqipërinë. Të gjitha pyetjeve të mia ajo i kthente përgjigje. Falë letrave të gjata të shkëmbyera mes nesh, kishim filluar të ishim të afërta për njëra-tjetrën. Më në fund, në vitin 1996, unë shkova ta takoja atë në Afrikën e Jugut, ku ajo jetonte bashkë me të birin Lekën dhe familjen e tij dhe me motrën e saj, konteshën Virginia Apony, të cilën e kisha njohur më parë edhe në Francë. Mbretëresha Geraldinë dhe motra e saj Virginia më pritën me shumë dashamirësi dhe me një thjeshtësi që nuk e prisja. Ato ishin dy zonja të mëdha. Mbretëresha Geraldinë ishte akoma e bukur dhe elegante. Ne patëm biseda të gjata në një atmosferë tepër të ngrohtë.
Përse vendosi mbretëresha Geraldinë t’ju tregonte ju historinë e jetës së saj?
Në fillim ajo hezitoi, për shkak të shëndetit të saj të brishtë, por dhe pasi disa vite më parë ajo kishte mbetur e zhgënjyer rreth një libri të botuar për të në Britaninë e Madhe, shkruar nga Barbara Carlands, një libër i cekët pa baza historike. Ajo i trembej një tjetër libri si i ai. Por, vëllai i saj Guy Girauld dhe motra e saj Virginia, insistuan që ajo të më besonte mua, dhe të pranonte t’u përgjigjej pyetjeve të mia. Unë i kisha shkruar shumë letra dhe më vonë në një program në radio ajo kishte shpjeguar me shumë dashamirësi se kisha bekimin e saj për këtë libër.
Cila është për ju pjesa më interesante e rrëfimit të saj?
 
Jeta në Shqipëri për një vit la gjurmë të thella në jetën e saj. Ajo ra në dashuri me vendin dhe gjatë viteve të qëndrimit në emigrim nuk e harroi asnjëherë këtë. Kur unë e pyeta njëherë “A mendoni ndonjëherë për Shqipërinë?” Ajo u përgjigj menjëherë: “Gjithë kohën”, dhe kjo ishte thjesht e vërteta. Të gjitha mendimet dhe lutjet e saj ishin për shqiptarët që vuanin nën regjimin e Enver Hoxhës. Regjimi komunist (mungesa e lirisë, torturat, varfëria, uria etj.) e tmerronin atë.
Si e përshkruante mbretëresha Geraldinë dashurinë për mbretin Zog?
Dashuria mes tyre ishte një dashuri me shikim të parë. Ajo gjithmonë fliste për të me një dashuri e pasion të thellë. Ata patën një jetë të vështirë në ekzil, por dashuria i ndihmoi për t’ia dalë me kurajë e guxim.
A kishte mbretëresha Geraldinë sekrete. A e ndiet ndonjëherë se ajo u shmangej pyetjeve tuaja?
Pasi e jepte besimin e saj për dikë (ashtu siç e dha për mua) ajo do të tregonte gjithçka. Dhe kur unë i çova librin e printuar për ta lexuar para se ta botoja, ajo nuk më kërkoi të ndryshoja qoftë edhe një fjalë. Ajo respektoi lirinë time si autore. Ishte ndonjëherë e kujdesshme në rrëfimin e saj, pasi ishte një njeri shumë tolerant dhe nuk donte të lëndonte njerëz. Por ajo asnjëherë nuk u përpoq të fshihte apo ta shmangte të vërtetën. Ajo nuk kishte asgjë për të fshehur, pasi shpirti i saj ishte i pastër. Sekreti i saj i vetëm, i cili shpjegon dhe faktin se pse komunistët nuk guxuan të thoshin asnjë fjalë kundër saj, është se tërë jeta e saj u udhëhoq nga dashuria.
Po Hungaria, vendi i saj i lindjes, sa ndikim pati ky vend tek ajo?
Mbretëresha Geraldinë ishte shumë e lidhur me vendin e saj të lindjes, aty ishin paraardhësit e saj, tokat e babait, të cilin ajo e kishte humbur kur ishte vetëm 9 vjeç. Ajo nuk e harroi asnjëherë fëmijërinë, familjen e saj dhe miqtë që pati në Hungari. Ajo ishte shumë e trishtuar duke parë këtë vend të vuajë nën sundimin komunist siç bëri Shqipëria, dhe shumë e lumtur kur pa rënien e këtyre regjimeve më 1989-1990.
Sa e rëndësishme ishte kjo grua në vendimet që merrte mbreti Zog. A influencohej ai prej saj?
 
Kur ata u martuan, mbreti Zog ishte 42 vjeç dhe Geraldina vetëm 22. Ai kishte qenë beqar për shumë vite, kishte një personalitet të fortë dhe i kishte marrë gjithnjë vetë vendimet e tij. Megjithatë mbretëresha Geraldinë e mësoi gjuhën shqipe shumë shpejt dhe mësoi të merrej vesh shumë mirë me shqiptarët, duke u ndier mirë me ta. I vetëdijshëm për urtësinë dhe mirëkuptimin e saj ndaj njerëzve, mbreti sigurisht që shpesh i kërkonte këshilla. Ajo i dha atij forcë gjatë ekzilit dhe sëmundjes. Përpara se të vdiste, ai i tha asaj se “ajo dinte ndoshta më shumë se ai nga politika”. Por si mbretëreshë e gjithë shqiptarëve ajo vendosi të mos përzihej në punët e politikës. Ajo thjesht përdori nuhatjen e shkëlqyer diplomatike, njohjen e shumë gjuhëve dhe njohuritë e përgjithshme për të lehtësuar nga prapaskenat e situatat e ndërlikuara sa herë që iu kërkua apo nëse ishte e nevojshme.
 
Mbreti Zog i dha afat dhjetë ditë vajzës 22-vjeçare hungareze për të menduar mbi propozimin e tij për martesë. Ditët e para në pallatin mbretëror dhe ballafaqimi me gjashtë kunatat…
 
Kur mbreti i propozoi për martesë Geraldinës
 
Pas një nate të shkurtër, Geraldina zgjohet plot me parandjenja. Nëse ngurrimet fillestare janë zhdukur mirë e bukur, ajo provon tani, pa e përcaktuar akoma natyrën e saktë, torturat dhe sfilitjet e një shpirti të dashuruar. Ngathtësia e saj, kupa e shampanjës e thyer, ngjyra veçanërisht pak tërheqëse e fustanit të saj, të gjitha këto i sillen në mendje dhe e bëjnë të skuqet nga turpi. Pasi ka pasur aty për aty përshtypjen se po jeton disa çaste të privilegjuara, tani ajo është e bindur se i ka pëlqyer mbretit. Përfundimisht. Prandaj, në orën dhjetë, duke hyrë në sallën e bukës për të ngrënë mëngjesin me baroneshën Ryling, sa e madhe është habia e saj kur sheh papritur duke mbretëruar mbi tryezë një buqetë madhështore me karafila të kuq në formë zemre! Kthjelluar papritmas, ajo sheh në këtë gjest një provë të re të delikatesës së mbretit. A nuk i kishte marrë me mend ai dyshimet dhe skrupujt e saj prej vajze të re pa përvojë?
Në këtë 1 janar 1938, duke ndjekur një zakon të rrënjosur mirë, mbreti pret urimet e qeverisë dhe të trupit diplomatik. Tërë mëngjesin ia kushton kësaj. Por konteshën Apony e kanë njoftuar që e presin në pallat në orën gjashtëmbëdhjetë për vizitën e saj të parë private. Orët rrjedhin të ngadalta, të pambaruara dhe të ngarkuara me emocione, sepse Geraldina, ta pret mendja dyshon për përmbajtjen e bisedës që do të bëhet. Por tanimë shumë e sigurt për ndjenjat e saj, ajo ka fituar përsëri njëfarë sigurie. Këtë herë, parë ditën, pallati mbretëror shfaqet me dimensionet më modeste. Ndërsa baroneshën Ryling po e shoqëron për në sallonin e verdhë një damë e shoqërisë së princeshave, Geraldina, përshkon sallën e pritjeve, në tërë gjatësinë e saj, parketi prej druri të dyllosur i së cilës është stolisur me qilima të vegjël persianë, me nam si shumë të rrezikshëm për ekuilibrin. Më në fund e ftojnë për të hyrë në zyrën e mbretit. Salla është e gjerë, dekori i saj shumë i përkorë, pothuajse i zhveshur, është reflektim i një personaliteti të efektshëm dhe punëtor, që nuk ngarkohet me detaje dhe di të shkojë drejt dhe në thelbësoren. Me përjashtim të një tryeze prej akaju masiv, asnjë mobilie nuk ka për të zbukuruar dhomën. Por ajo ndriçohet nga portëdritare të lëna gjysmë të hapura në këtë ditë me diell dhe që shohin në një park të bukur plot hije. Një aromë delikate duhani, mbreti pi shumë cigare, madje tepër pretendojnë disa, mbush ajrin. Kështu pra, mobilie nuk ka, por përkundrazi një tablo shumë e madhe varur mbi skrivani tërheq vështrimin në një mënyrë të papërballueshme. Ajo paraqet një grua brune, me mollëzat e dala, me sy paksa të tërhequr në cepa, veshur shqiptarçe: nëna e mbretit, Sadije Zogu, lindur në Toptani, vdekur më 1934. Portreti zë në mënyrë domethënëse një vend qendror dhe dëshmon admirimin që ka Ahmet Zogu për këtë grua të jashtëzakonshme. Mbreti është vetëm në tryezën e punës, që e lë menjëherë për të pritur Geraldinën. “Më puthi dorën, gjë që zakonisht nuk e bënte kurrë, dhe më tregoi një kanape që se kisha vënë re duke hyrë, sepse ndodhej në një pjesë të futur. Aty, ulur pranë e pranë, të mbrojtur nga vështrimet, ne mundëm më në fund të flisnim lirshëm. Çdo hyrje ishte e tepërt, prandaj mbreti më pyeti drejtpërdrejt nëse pranoja të bëhesha gruaja e tij”, komenton thjesht mbretëresha Geraldinë. Këshillat s’më kishin munguar, si në Budapest ashtu edhe në Tiranë. Vajzës së re i kishin sugjeruar qëndrimet, fjalët që duhej të thoshte. Njëri nga anëtarët e delegacionit zyrtar, dërguar nga Zogu në Hungari, njëfarë Koçi, shqiptar nga origjina, por aventurier nga gjendja shoqërore, ishte bërë copë për t’i ngulitur konteshës Apony disa mësime të komplikuara. Geraldina, pa dashur, e kishte dëgjuar, ndonëse s’mendonte t’i përdorte kurrsesi. Por, nëse para nisjes për në Shqipëri, këto lloj provash nuk i kishin pëlqyer, tani më shumë se asnjëherë i dukeshin absurde. “S’isha mësuar të flisja me një burrë njëzet vjet më të madh se unë”, vazhdon mbretëresha”, “por në këtë çast druajtjet e mia u avulluan. Thashë ç’më diktonte zemra dhe vetëm këtë. E njihnim pak njëri-tjetrin, por unë nuk mund t’i bëja ballë joshjes që buronte nga tërë personi i tij: tanimë e ndieja veten të dashuruar. Pa mundur t’i analizoja ndjenjat e mia, e dija që kurrë s’kisha takuar ndonjë burrë si ai. “Natyrshmëria e Geraldinës e kishte përforcuar mbretin, po të ishte nevoja, në vendimin e tij. Kështu, ajo që kishte ndier që ditën e parë për hungarezen e re, tanimë ishte krejt reciproke dhe takimi i tyre, i favorizuar diplomatikisht, ishte preludi i një romani të vërtetë dashurie. Dhjetë ditë reflektim: i tillë është afati i mirësjelljes që mbreti i propozon konteshës Apony, dhjetë ditë në mbarim të të cilave ajo duhet të japë përgjigjen përfundimtare. Duke pritur, merren vesh për t’u takuar rregullisht dhe për ta shfrytëzuar këtë kohë për t’u njohur më mirë. Geraldina, dashuruar pas njeriut, nuk e harron, megjithatë, vendin mbi të cilin mund të thirret së shpejti për të mbretëruar dhe shpreh dëshirën për ekskursione. Mbreti megjithëse gëzohet për këtë iniciativë, ia kthen mendjen, duke e vlerësuar si më të arsyeshme për të pritur zyrtarizimin e fejesës së mundshme. Në dalje të pallatit, Geraldinën e përmbytin me pyetje dhe e habitin të panjohurit që grinden mes tyre për t’i hapur derën e makinës. Zoti Koçi, që ajo s’e do aspak, natyrisht që nuk ka lajme. Baronesha Ryling, më e rezervuar, pret rrëfime intime me të kapur vilën Toptani. Por kureshtarët edhe ata më qëllimmirët, do të mbeten të habitur, sepse vajza 22-vjeçare nuk është pa tru, përkundrazi. “Kufizohesha me buzëqeshje. Në jetën e dy personave ka momente që duhet t’u përkasin përgjithmonë atyre”, thotë mbretëresha Geraldinë, po kaq fjalëpakët mbi këtë subjekt në ditët e sotme edhe më 1938-n. Rezervë mbretëreshe. Trup gruaje. Ditët e ardhshme Geraldina i bën vizitë familjes mbretërore. Mbreti ka një kunatë, katër nipa e mbesa, një vëlla, princ Xhelalin, por sidomos gjashtë motra, princeshat Adile, Nafije, më të mëdha se ai dhe Senije, Myzejen, Rukije e Maxhide, më të vogla. Adilja dhe Senija janë të martuara, princesha Nafije, e ve. Të gjithë kanë lëshuar mbi të vëllain dashurinë birërore të munguar. Kjo dashuri është përforcuar akoma më shumë nga karakteri patriarkal i familjes shqiptare, si edhe nga admirimi që ato kanë për mbretin. Baba, vëlla, burrë, shef familjeje e klani, hero kombëtar, të tilla janë funksionet e shumta që padyshim përmbush Zogu në subkoshiencën e princeshave, deri në atë shkallë sa ekzistenca e tyre individuale merr për to pak kuptim krahasuar me jetën në bashkësi, me një fjalë shumë orientale, që ato kanë bërë gjithmonë dhe do ta vazhdojnë gjatë viteve të mërgimit. Në mungesë të bashkëshortes mbretërore, deri më sot princeshat kanë përmbushur misione të shumta përfaqësimi…. Kësisoj mbretëresha e ardhshme e shqiptarëve duhet të merret vesh me të gjashtë kunatat e saj, si në planin personal, ashtu edhe për gjithë çfarë ka të bëjë me jetën publike. Për momentin Geraldina pak mendon për këtë: ajo është e dashuruar, është 22 vjeçe e përveç kësaj, ajo trashëgon nga origjina amerikane një temperament dinamik e optimist. E pastaj, si do të mund të dyshonte atëherë kur ajo po zbulon çdo ditë arsye të reja për t’u lidhur me mbretin? “Karizma e tij ishte kaq e fortë sa me këtë ai eklipsonte praninë e të tretëve. Ai tregonte një dhembshuri të madhe për familjen dhe nuk ngrinte kurrë zërin edhe kur i ndodhte të ishte i zemëruar. Përkundrazi, një vështrim apo një fjalë i mjaftonin për të imponuar respekt…
Më 10 janar, Geraldina i jep përgjigjen e saj. Para ca ditësh i ka shkruar të motrës Virxhinisë, sesi, për shkak të ndryshimit të papritur të gjendjes, ajo që e kishte vdekje për të shkuar në Shqipëri, tani do ta pranojë kërkesën e mbretit për martesë. “Në letrën e saj e motra, që i njeh paragjykimet e mia ndaj udhëtimit të saj, më lutet t’i kuptoja arsyet e saj”, tregon sot Virxhinia. Kur pranon kërkesën e mbretit, e njofton këtë të fundit për dëshirën e saj për t’u kthyer në Hungari, për të ardhur pastaj në Tiranë e shoqëruar nga familja. Ajo u kishte premtuar solemnisht, megjithëse pa i zënë besë shumë, para nisjes së saj. Për habinë e saj të madhe, mbreti nuk tregohet shumë i favorshëm dhe i përmend rrezikun e intrigave, që do të mund të rrënonin projektin e tij. Mjerisht këto nuk janë fjalë në erë: Zogu e di shumë mirë që italianët do të ishin gati për gjithçka për të kompromentuar emrin e mirë të së fejuarës së tij. Pa i përmendur me emër nxitësit e trazirave, ai përpiqet t’ia kthejë mendjen Geraldinës që të mos largohet nga ai. Mirëpo romantizmi i padjallëzuar i vajzës pajtohet akoma me vështirësi me fjalë që asaj i duken sibiline. Çarmatosur me kaq sinqeritet e ndershmëri mbreti përkulet më në fund. Mirëpo Geraldina ka pasur shumë emocione në këto dhjetë ditë dhe në çastin kur bëhet gati për t’u kthyer në vendin e lindjes, ky ritëm i ethshëm e mposht rezistencën e saj… Më 30 janar bëhet darka e fejesës në prani të familjes dhe të anëtarëve të qeverisë. Për rastin, e fejuara vë një soliter, katërmbëdhjetë karatësh nga bardhebluja më e kulluar. Një stoli madhështore, nga e cila duhet të ndahet me shpirt të vdekur më 1961, për t’i bërë bashkëshortit një varrim të denjë dhe thjesht për të mbijetuar. Sa për mbretin ai vë një unazë hungareze prej ari, safiri e rubini që i përkiste kontit Xhula Apoloni…. Fejesa e sovranit i nënshtrohet votës së Dhomës, thirrën parlamentarët për të shqyrtuar projektrezolucionin e pallatit.
 
Autor Gazeta Shqip te 11 Korrik 2013.
♛Melody♛
♛Melody♛

Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin Coolte21

Shteti Shteti : Geraldina, këshillat e çmuara për mbretin Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi