A do të kemi ndonjë betejë tjetër masive tankesh?
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Kendi i Antareve & Zona e Lire ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Stil Jete
Faqja 1 e 1
A do të kemi ndonjë betejë tjetër masive tankesh?
Kanë kaluar 70 vjet që nga koha kur u zhvillua beteja e Kurskut, përplasja më e madhe e tankeve në histori. A do të shohë bota ndonjë herë ndonjë betejë tjetër ku të marrin pjesë mijëra tanke në secilën anë apo lufta me mjete të korracuara i përket historisë?
Trashëgimia Kursk
Tom de Castella, BBC
Para se të zbardhte dita më 5 korrik 1943 shpërthimet ndriçuan qiellin e Rusisë dhe toka u dridh nga një bombardim i stërmadh. Ndërsa dielli u ngrit, valë pas vale panzerat gjermanë filluan të kapërcejnë fushat me luledielli dhe grurë. Beteja më e madhe e tankeve në histori pati filluar.
Beteja e Kursit vendosi gati 3 mijë tanke gjermane kundër tankeve ruse, të cilat qenë dy herë më shumë. Hitleri e pati vonuar ofensivën, – e njohur me emrin kod Operacioni Qyteza – për të pritur mbërritjen e Panterëve të rinj. Kjo u dha rusëve shumë kohë për të gërmuar mbrojtje të jashtëzakonshme dhe për të përqendruar njësitë e tyre të korracuara në zonën e betejës.
Antony Beevor, autor i librit Lufta e Dytë Botërore, e përshkruan betejën si një “ndeshje goditjesh”.
Tanket gjermane qenë më të pakta në numër, por shumë më cilësore në korracë dhe në fuqi zjarri. Tigrat dhe “monstrat”, tanket Ferdinant të dizenjuara si shkatërrues tankesh, hynë të parët në veprim në përpjekje për të çarë rrugën.
Një komandant SS tanku shkatërroi 22 tanke sovjetike brenda më pak se një ore, thotë Beevor. Por rusët u mbrojtën me “trimëri vetëvrasëse”, duke u afruar aq sa për të vënë mina nën zinxhirët e tankeve.
Pas tetë ditësh sulmi gjerman përfundoi jashtë rrjedhe. Stalini filloi kundërofensivat që përgjatë gjashtë javëve që pasuan i shkaktuan një shpartallim të plotë Vermahtit.
Kursku qe pika e kthesës për panzerat, thotë Beevor. Për herë të parë forcat ajrore të Rusisë “arritën të bashkëveprojnë” Fuqia ajrore po shfaqej si faktor përcaktues, siç u bë e qartë në Normandi një vit më vonë.
Superioriteti ajror i aleatëve bëri që panzerat gjermanë të përpiqeshin të fshiheshin në pyje gjatë orëve të ditës. Tanku, pak a shumë si luftanija, u bë papritur një patë e fshehur pa kontrollin e qiellit.
Por ndryshe nga luftanija, tanku mbetet një pjesë e rëndësishme e shumicës së ushtrive të botës sot. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka rreth 60 mijë tanke në shërbim aktiv sot në botë.
Gjatë Luftës së Ftohtë, mijëra tanke u vendosën pranë Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore si mjete potenciale sulmuese apo mbrojtëse për një betejë në rrafshnaltën e Europës Veriore. “Nuk ka dyshim që tanket do të qenë instrumentet kryesore të një sulmi apo një mbrojtjeje”, thotë Michael Codner, drejtor i shkencave ushtarake në Institutin Mbretëror të Bashkuar të Shërbimeve.
Kur sovjetikët shtypën kryengritjen e Hungarisë më 1956 ata e bënë këtë duke dërguar qindra tanke në Budapest.
Lufta e Jom Kipurit më 1973, kur Egjipti dhe Siria sulmuan forcat izraelite, përfshiu edhe 3 mijë tanke.
Forcat Amerikane dhe Britanike i përdorën ato për të çliruar Kuvajtin më 1991 dhe për të pushtuar Irakun në vitin 2003. Në Betejën e Falluxhës, marinsat amerikanë sollën edhe brigada ekstra të korracuara për të ndihmuar me luftimet nëpër rrugët e qytetit.
Por ofensivat me tanke janë përgjithësisht të kufizuara në zona të sheshta si shkretëtirat, rrafshnaltat apo stepat. Në xhunglat e Vietnamit dhe në malet e Afganistanit, është helikopteri arma më e aftë dhe më e vlefshme.
Në vitet 1980, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe porositi një studim mbi pyetjen nëse qe më mirë të zëvendësoheshin tanket me helikopterë, rikujton Codner. Në fund u konkludua se roli i tankeve në mbështetjen e këmbësorisë në operacionet e vënies së një territori nën kontroll qe shumë i rëndësishëm.
Por ushtria e Britanisë nuk ka dërguar asnjë nga tanket e veta Sfiduesi (Challenger) në Afganistan. Rëndësia e tankut është po aq simbolike sa është edhe taktike. Ai mund të përdoret për mirë ose për keq.
Duke u përballur me protestat e studentëve të vitit 1989 në sheshin Tianmen, autoritetet e Kinës nxorën tanket. Dhe Sadam Huseini e përdori atë si “simbol të gjendjes ushtarake”, thotë Beevor. Në anën tjetër, paqeruajtësit kanë nevojë për tanke për t’u përballur me shkelësit.
“Në Bosnjë gjërat filluan të ndryshojnë vetëm kur atje u dërguan tanke. Vetëm atëherë serbët filluan të tërhiqen”.
NATO e ka reduktuar në mënyrë drastike numrin e tankeve që nga fundi i Luftës së Ftohtë, thotë Christopher Foss, redaktor i revistës”Jane Mjete të Korracuara Luftimi”. Gjermania qe vendi i 4 mijë tankeve dhe Britania e Franca kishin nga 1 mijë secila në gjendje pune në çdo kohë. Tashmë këto vende kanë vetëm një të katërtën e tankeve që kishin para rënies së bllokut të Lindjes. Më herët këtë vit, tanku i fundit amerikan u largua nga Europa.
Revista “Tankies” thotë se mjetet e korracuara janë hequr shumë herë nga ushtria vetëm për t’u rikthyer bindshëm më vonë. Në fund të Luftës së Ftohtë qe e vështirë të shihje nevojën për ndonjë tank të vetëm në ushtrinë e Britanisë. Megjithatë, më vonë Brigada e Shtatë e Korracuar përparoi në shkretëtirë për të çliruar Kuvajtin.
Më 2003, qeveria e Kanadasë njoftoi se po hiqte qafe tanket e veta Leopard. “Ne po humbasim një gur të rëndësishëm që pati qenë thelbi i të menduarit të luftës për shumë vite”, tha gjenerallejtënant Rick Hiller. Megjithatë, kjo politikë u përmbys më vonë dhe dhjetëra Leopardë 2 u blenë nga ushtria e Kanadasë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes thotë se Britania e Madhe është ende e angazhuar me mjete të korracuara rëndë: “Rishikimi i Mbrojtjes dhe Sigurisë Strategjike të vitit 2010 njohu nevojën për një forcë të zhdërvjelltë dhe të aftë, e cila përfshinte kërkesat për tanke si ofrues të kapaciteteve unike”. Tanku Sfiduesi 2 i Britanisë së Madhe pritet të jetë në shërbim deri në vitin 2035, falë një “programi për zgjatjen e jetës”, shton zëdhënësi.
Jashtë Europës prania e tankeve po rritet, thotë Foss. Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite po përmirëson tanket e prodhimit amerikan M1, Katari ka zgjedhur Leopard 2. Kina po zëvendëson tanket e veta, Koreja e Jugut i prodhon vetë. India dhe Pakistani kanë një numër shumë të madh tankesh. Vendet aziatike që nuk kanë një traditë me këtë armë po ndërtojnë nga e para forcat e veta. Singapori dhe Indonezia kanë zgjedhur Leopard 2 ndërsa Malajzia ka porositur tanke polake.
Nëse përdoren siç duhet me këmbësorinë, inxhinierët dhe me mbështetje të afërt nga ajri, – ata janë ende pjesë shumë e rëndësishme e kapaciteteve ushtarake, thotë ish-oficeri i tankut, amerikani Robert Forczyk, autor i një libri ende të papublikuar mbi Kurskun. “Ata ofrojnë një majë të mprehtë shigjete që mund të depërtojë mbrojtjet e armikut dhe të përparojë me shpejtësi për të kapur objektiva kyçe. Vetëm forcat e parashutistëve ofrojnë shërbime të ngjashme”.
Pajisjet e përshtatshme për të parit gjatë ditës dhe natës i japin tankeve moderne një avantazh të madh në krahasim me tanket e Luftës së Dytë Botërore. Topi i fuqishëm i një tanku Tiger mund të shkatërrojë sot vetëm një mjet të korracuar lehtë. Por do të qe i pafuqishëm kundër tankeve të betejave moderne, thotë Foss. “Sfiduesi mund të hapë zjarr para se Tiger të mund të kuptojë se ai ka mbërritur dhe të penetrojë korracën e tij menjëherë pa asnjë problem”.
Por 70 vjet pas Kurskut, a është e mundur që bota të shohë një betejë të këtyre përmasave?
Pa dyshim, thotë Forczyk. Vende të ndryshme që kanë luftuar në të shkuarën kanë pasur numër të madh tankesh. India ka 3,250 të tillë ndërsa Pakistani ka 2,400. Në Lindjen e Mesme, Egjipti ka 2,500 dhe Siria ka 3 mijë tanke, ndërsa Izraeli ka 500 në shërbim aktiv dhe 2 mijë në magazina. Izraeli i ka përdorur rregullisht tanket në konfliktet e fundit.
Është e mundur në situata hipotetike të krijojmë një imazh të betejave me tanke. Kina ka shumë herë më shumë tanke se çdo vend tjetër, gjithsej 7450 njësi. Rusia ka 3300. Por kërcënimi për një betejë tankesh mes Koresë së Veriut (me 3500 të tilla) dhe Koresë së Jugut (me 2500) është ndoshta një mundësi më realiste.
Në betejat e së ardhmes, tanket mund të jenë krejt ndryshe nga rusët T34 apo gjermanët Tiger që u përplasën në Kursk. Teknologjia ushtarake ka mbërritur në pikën ku tanket pa pilot janë të mundshme, thotë Codner.
Ndoshta janë tankistët tradicionalë ato që mund të dalin nga skena më shpejt sesa vetë tanket.
Pse dështoi operacioni “Qyteza”? (Citadel)
Komanda e lartë gjermane qe e ndarë mbi këtë operacion. Erich von Manstein, po sulmonte krahun jugor të fushëbetejës dhe Walther Model, po sulmonte krahun verior. Por që të dy kishin shumë dyshime.
Model argumentoi se objektivat e operacionit qenë kaq të qarta sa komanda e lartë sovjetike kishte kohë e hapësirë të mjaftueshme për ta kthyer fushëbetejën në një vend të fortifikuar më së miri nga ku mund të nisnin një kundërgoditje të rëndë të korracuar.
Mesazhet e gabuara të Hitlerit mbi operacionin shkaktuan probleme. Ato krijuan një trafik mesazhesh, të cilat u përgjuan nga Britanikët dhe zyra e tyre e thyerjes së kodeve. Mesazhet u transkriptuan dhe iu dhanë sovjetikëve.
Stalini mbikëqyri Ushtrinë e Kuqe, e cila qe rrahur mirë me beteja dhe e aftë për të shmangur grushtet e tankeve gjermane. Në kohën kur aleatët perëndimorë ofruan një tërheqje vëmendjeje përmes pushtimit të Sicilisë më 10 korrik, beteja qe humbur sakaq. Kundërofensiva sovjetike – Kutuzov – nisi dy ditë më vonë.
Kjo qe edhe vdekja e Luftësrrufe (Blitzkrieg).
Robin Cross, autor i librit “Beteja e Kurskut: Operacioni Qyteza 1943”
Pesë betejat e mëdha të tankeve
1917 Beteja e Kabrait
Një nga betejat më të hershme të tankeve, e luftuar mes Britanikëve dhe Gjermanëve. Britanikët u përpoqën të çajnë përmes Vijës Hindenburg. Rreth 475 tanke u përdorën nga të dyja anët, të cilat në këtë betejë humbën 45 mijë ushtarë.
1942 Beteja e Dytë e El Alamein
Më shumë se 1 mijë tanke aleate luftuan 547 tanke të Fuqive të Boshtit, ku Gjermanët humbën efektivisht betejën e tyre për kontrollin e Egjiptit dhe për të çmuarin Kanali i Suezit. Tanket luajtën një rol vendimtar, ku forcat aleate morën 300 tanke Sherman nga SHBA-të.
1965 Beteja e Çavindës
Pjesë e luftës Indi-Pakistan, forcat qenë afërsisht të barabarta, ku Ushtria e Indisë kontrollonte 225 tanke, ndërsa ajo e Pakistanit kishte 282 tanke.
Kur OKB detyroi fundin e luftimeve, India mbajti rreth 300 kilometra katrore nga territori i Pakistanit.
1973 Beteja për Luginën e Lotëve
Lufta e Jom Kipurit mes Izraelit dhe koalicionit të shteteve arabe të udhëhequra nga Egjipti dhe Siria, filloi kur trupat e koalicionit hynë në territorin e kontrolluar nga Izraeli. Tanket qenë thelbësore në planin e luftës surprizë në lartësitë Golan. Sirianët sulmuan izraelitët me rreth 1200 tanke ndërsa këto të fundit kishin rreth 100. Sirianët nuk qenë në gjendje t’i shpartallonin mbrojtësit dhe u detyruan të tërhiqen.
1991 Beteja 73 Isting
Beteja vendimtare e Luftës së Parë të Gjirit përfundoi me një fitore madhore për forcat amerikane dhe britanike në operacionin e tyre Stuhia e Shkretëtirës. Irakianët humbën më shumë se 160 tanke.
Vili i Vogël, tanku i parë i botës
Më 1915, Uiston Çërçill (Winston Churchill), në atë kohë Lordi i Parë i Admiralianit, krijoi një komitet për të analizuar problemet e luftës së llogoreve.
Vili i Vogël u hodh në terren më 1915, por një dizenjo e re sakaq qe në ndërtim e sipër. Kështu lindi prototipi për tanket e rënda britanike të Luftës së Parë Botërore.
Vili i Vogël nuk pa kurrë luftime, por ai përfaqëson një hap të madh në teknologjinë ushtarake. Leksionet nga ky projekt pilot ndihmuan formën e mjeteve të tjera që e pasuan atë.
Autor Gazeta Shqip te 11 Korrik 2013.
Similar topics
» Përmbytje masive në SHBA, 500 të zhdukur
» Përse dëshirojmë gjërat që nuk mund të kemi
» Babai përdhunonte me dhunë 5 vajzat e tij, nëna: E kemi traditë
» Të famshëm të një race tjetër (foto)
» Tërmetet janë një shenjë tjetër, e Ngrohjes Globale
» Përse dëshirojmë gjërat që nuk mund të kemi
» Babai përdhunonte me dhunë 5 vajzat e tij, nëna: E kemi traditë
» Të famshëm të një race tjetër (foto)
» Tërmetet janë një shenjë tjetër, e Ngrohjes Globale
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Kendi i Antareve & Zona e Lire ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Stil Jete
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi