AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’

Shko poshtë

‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’ Empty ‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’

Mesazh nga ♛Melody♛ Wed Jun 19, 2013 12:00 am

‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’ AurelaTIRANE-Diva e skenës shqiptare, Aurela Gaçe është mysafirja e radhës në “Summer Pages”. Në këtë intervistë të gjatë për suplementin veror të “Gazeta Shqiptare”, uragani i skenës sonë rrëfen shumë të pathëna… Duke filluar nga angazhimi i përjavshëm në Tiranë, tek klientët VIP që vizituan club-in e saj këtë vit. Mrekullia me emrin Grace dhe dasma me Skerdin, që pritet të mbahet këtë shtator. Të rejat që do të sjellë gjatë sezonit veror dhe angazhimi surprizë në fushatë… Për cilin kandidat do të këndojë Aurela dhe pse? Lexoni në vijim intervistën, për të mësuar përgjigjet e këtyre pyetjeve…
Aurela, sapo ke mbyllur sezonin e parë në “Crazy Calvin”. Cilat janë emocionet që ke marrë nga gjithë ky vit, ku për herë të parë ke qenë kaq pranë publikut kryeqytetas, sepse nuk ke qenë kurrë kaq intensivisht në Tiranë.
Është e vërtetë. ‘Live’ në publik unë kam qenë vetëm në festivale dhe në dy koncertet e mia recitale, që i kam realizuar shumë kohë përpara, në vitin 1998 dhe 2000. Që atëherë ka kaluar një kohë e gjatë. I kam munguar 13 vjet skenës ku unë shpalosa veten time. Por në 13 vjet unë edhe jam rritur, d.m.th. energjia ime është e njëjtë, por tani unë di si ta manipuloj energjinë që kam. Nëse më përpara isha – siç më ka quajtur profesori i kantos në Neë York – një boksiere e rrugës, që ka energji dhe forcë që të rrahë dikë, por nuk ka teknikën për ta përdorur këtë energji kur duhet, tani e kam mësuar edhe këtë. Kam marrë tre vjet mësime në Neë York dhe kam mësuar shumë prej tij.
Po t’i rikthehemi “Crazy Calvin”. E vërteta është që, – siç e kam shprehur edhe në një status timin në “Facebook” – kam kaluar një ekstazë shpirtërore. Është shumë e rrallë për artistin që të kalojë në ekstazë shpirtërore. Është mrekulli! Unë nuk e di se çfarë mund të kërkojë më tepër artisti, sepse vetëm kështu ndihesh e plotësuar, kur i ke prekur njerëzit nga afër. Mendoni vetëm që deri në orën katër të mëngjesit që aty mbaronte muzika, një muzikë bombë, njerëzit i kishe duke gëzuar me ty, të gjithë me duart lart. Nuk kishte një njeri që të ishte pasiv dhe kjo nuk është e kollajtë. Po ky rezultat nuk është vetëm meritë e imja, ndaj dua të falenderoj dhe vlerësoj çdo njeri që ka punuar aty. Duke filluar që nga kamerierët, badigardët, i gjithë stafi, që kanë funksionuar si një trup i vetëm. Për të mos folur pastaj për anën e menaxhimit, që tek dera, që nuk lejohet të hyjë gjithkush. Jo se aty ka ndarje, njerëz me shkollë apo pa shkollë, nuk është ky skanimi që bëhet, por nëse ti nuk respekton një kod veshjeje, nuk mund të futesh brenda. Mua më bëhej qejfi që shikoja vajzat, grupe me nga 5-6 shoqe, që kishin ardhur vetëm. Për këtë isha shumë e kënaqur, sepse e kuptoja që ndiheshin mirë aty. Për të mos folur pastaj për bashkëpunimin që kisha me vëllezërit korçarë. A e di si ishte? Një kombinim perfekt. Ishin një herë dy, një herë një, dhe në fund tre artistë që xhonglonin publikun. Nuk e kemi lënë një moment të qetë publikun. Edhe të rinjtë që i kishim aty ishin shumë të talentuar. Të rinj që publiku i njeh, por unë jam gjithmonë me parimin, “jepja dorën atij që ka nevojë për t’u shpërfaqur, për të dalë në skenë”. Edhe unë vetë kam qenë e re, e vogël, dhe kisha nevojë që të më shikonin. Plus kësaj, unë arrita në këtë moshë dhe publiku akoma nuk më njihte siç duhej, ndaj dhe vendosa të shpërfaqesha diku. Nuk di tjetër se si ta shpreh më bukur sesa me ekstazë shpirtërore.
A ke fituar mirë?
Përfitimet s’më kanë munguar ndonjëherë. Kam qenë këngëtare që gjithmonë kam pasur kërkesa për koncerte, dhe për këtë falenderoj Zotin, që unë mund të jetoj nëpërmjet pasionit tim. Sepse ky është pasioni im. Kur unë kam filluar të këndoj, as nuk e kam ditur çfarë kanë qenë të mirat materiale, fama, sepse kam qenë vetëm 4 vjeç e gjysmë kur kam dalë në skenë, dhe një fëmijë nuk kupton se çfarë është fama, sidomos në kohën kur unë kam dalë. E kam ndjekur ëndrrën time, sepse e doja, nuk e kam ndjekur sepse do të kishte të mira materiale. Faleminderit Zotit që unë mund të jetoj nëpërmjet pasionit, sepse mund të isha një piktore ose skulptore dhe të mos më shiteshin dot veprat e mia. Ndoshta edhe po të isha bërë soprano do ta kisha të vështirë që të gjeja punë, do detyrohesha të bëja edhe diçka tjetër. Ndaj jam e kënaqur, argëtohem, por ndërkohë kam edhe jetesën time të siguruar.
“Crazy Calvin”, të ka larguar pak nga publiku i diasporës…
Shiko, unë në diasporë kam qenë gjatë gjithë kohës. Kam 20 vjet që jam shumë fort me koncerte në diasporë, por tani erdhi momenti që publiku këtu në Shqipëri të më prekte, të më njihte, të më takonte nga afër, të kuptonte shpirtin tim ‘live’, jo vetëm në televizion. Unë e kam shumë të domosdoshëm kontaktin. Nuk dua të bëj dashuri me superpozim. Pasi kënga është dashuri për mua dhe ajo energjia që krijohet kur je ‘live’ nuk ka të krahasuar me asgjë tjetër. Po të them që nuk ka të bëjë me anën materiale kjo punë, kjo është dashuri. Unë, ja e bëj atë njeri që ka ardhur të më dëgjojë që të kënaqet e të mos e harrojë atë natë, ja nuk iki, nuk largohem. Nëse nuk e arrij atë 100% siç e dua unë, nuk më zë gjumi, më mbetet mendja aty, e vuaj, them “çfarë bëra gabim që nuk ishte gjithçka ashtu siç duhej”, paçka se publiku ndoshta thotë “o sa bukur ishte”. Nëse unë vetë nuk e kam ndjerë që ka qenë në kulmin që kërkoj, është e kotë. Kjo ka të bëjë me dashurinë që kam për muzikën.
Mes njerëzve që kanë frekuentuar club-in tënd, përveç popullit të thjeshtë që të pëlqen ty dhe vëllezërit korçarë, ka pasur edhe shumë personazhe publike. Cili ka qenë impakti që ke marrë prej tyre? Kanë qenë kolegë, politikanë, ambasadorë…
Mua më është bërë qejfi në radhë të parë. Normal, më është përkëdhelur sedra kur kam parë që kolegët e mi kanë qenë aty. Siparin e çeli Arditi, Ardit Gjebrea, i cili hyri me këmbën e djathtë që të më ecte mbarë. Më uroi përzemërsisht dhe ishte një ndihmë për mua në momentin e parë, sepse jo shumë njerëz e dinin çfarë do të ndodhte aty. Ai e përdori figurën e tij, – ndonëse kishte ardhur për t’u argëtuar, – për të na ndihmuar mua dhe vëllezërit, sepse na ka miq të treve, dhe për këtë e falenderoj, që bashkë me Arian Çanin erdhën që në hapje. Pastaj sigurisht na kanë vizituar, që tek ambasadori Arvizu, e deri tek Edi Rama, i cili erdhi në club i ftuar nga një miku i tij që kishte ditëlindjen. Erdhi për të bërë qejf, nuk ka pasur absolutisht aty asnjë lloj lidhjeje me politikën. Së fundmi ka qenë edhe Fatos Nano me bashkëshorten e tij Xhoana, një natë përpara se club-i të mbyllej. Kanë qenë edhe shumë figura të tjera, Shpëtim Idrizi mos gaboj, e shumë politikanë. Sakaq kanë ardhur shumë e shumë kolegë të mitë, të cilët i falenderoj që më kanë mbështetur, jo vetëm mua, por të gjithë stafin. Falenderoj të gjithë gazetarët që na kanë vizituar. Falenderoj Adi Hilën, i cili doli në jetë nate siç rrallë herë bën, bashkë me Pandi Laçon, dhe më kanë nderuar me prezencën e tyre. Nuk dua të përmend emra, se mund të qëllojë që të harroj ndonjë, por kanë ardhur me të vërtetë shumë personazhe. Gjithsesi, unë dua të falenderoj publikun që ka qenë aty çdo javë. Ne kemi pasur një publik që vinte aty çdo fundjavë dhe unë thosha me vete ‘ua, kaq shumë na duan, sa vijnë çdo javë këtu’, se edhe unë të isha do isha mërzitur me veten. Unë aq mërzitem me veten, sa çdo javë ndryshoj look-un.
Edhe sot je me look të ndryshuar…
Po sigurisht. Në fillim thosha me shaka, “unë Skerdit i jap nga një të dashur çdo javë, një herë ia çoj bionde, një herë brune, një herë të kuqe, një herë të shkurtra, një herë të gjata”, dhe kur mbaruam sezonin, u ulëm i gjithë stafi për të pirë nga një gotë dhe për të bërë gëzuar. Në muhabet e sipër Endri i thotë Skerdit: “Unë thashë se tallej kjo, po kjo e paska pasur seriozisht. Lum si ti ore, nga një të dashur çdo javë”. E vërteta është se në shpirt jam e njëjta dhe prandaj Skerdi s’më ndërron. Jam e lumtur vërtet, që nuk ka pasur një ditë që mund të ketë qenë me pak publik, dhe për këtë i falenderoj pafund. Personazhet janë ata aty, pavarësisht personazheve të njohura që kanë ardhur tek ne. Ah, në sezonin tjetër do doja të vinte dhe Berisha, sepse kanë ardhur të gjithë përveç atij. E ftoj edhe Berishën që të vijë aty, sepse është i vetmi vend ku jam e bindur që do të kënaqet, pasi unë di të këndoj edhe këngë tropojane, megjithëse ai është shumë artdashës me sa kam vënë re. Së fundmi e pamë edhe tek Çani që e kishte plot i-pad-in me këngë, kështu që, mirë do të ishte të na e tregonte cilën këngë pëlqen, që ta mësojmë dhe t’ia këndojmë. I bëj ftesë të hapur (qesh), meqenëse gjithë të tjerët ishin… Le që, tani që e mendoj, nuk ka ardhur as Ilir Meta.
Po Lulzim Basha, ka ardhur?
Uuuu, ishte i gjithë stafi i Bashkisë në mbyllje… I kemi pasur të gjitha partitë aty, sepse ata ndjejnë që aty është gjithsecili i lirë. Ne jemi aty për të argëtuar publikun. Përtej shakasë, ata janë qytetarë të lirë dhe mund të bëjnë çfarë të duan.
Do të përfshihesh në fushatë këtë vit?
Unë kam 13 vjet që nuk përfshihem fare në fushatë. Kam pasur kërkesa dhe ftesa nga miq, sepse duhet të keni parasysh që unë jam njeri dhe kam miq, nga të gjitha anët, nga të gjitha forcat politike, por u kam kërkuar që të mos më fusin në këtë bela, ose u kam thënë: “Duhet paguani aq shumë që të përdorni figurën time dhe unë të mos punoj për nja 4-5 vjet”. Po unë s’rri dot pa punuar, sepse kjo, e thashë, është kënaqësi shpirtërore e imja, kështu që kam zgjedhur të mos marr pjesë fare. Kam shumë miq nga të gjitha anët dhe nuk dua që t’i ngelet hatri askujt, ndaj kam zgjedhur të mos përfshihem. Vazhdoj atë punën time, jetën time. Por është dikush të cilit s’i them dot “jo”. I vetmi personazh të cilit unë do t’i shfaqem në mbyllje të fushatës është një mik, të cilit i kam një borxh prej 13 vjetësh. Në koncertin tim të dytë recital, ka qenë i vetmi politikan, mik, që i është përgjigjur telefonatës sime për ndihmë. Sepse të bësh një koncert recital ka shumë harxhime, shumë, dhe prandaj nuk kam bërë një tjetër këto kohë, por do bëj së shpejti, jam e bindur. Me këtë forcë që kam në kokë, po nuk dola në skenë unë vdes shpirtërisht… Siç po thoja, më janë dashur shumë para, dhe e vërteta është që Arben Malaj ka qenë i vetmi që më është përgjigjur. Më ka ndihmuar dhe nuk ma ka zënë kurrë në gojë. Është treguar aq fisnik, sa asnjëherë nuk më ka kërkuar as edhe një nder dhe nuk e ka përmendur kurrë; qoftë në familjen e tij, qoftë në ambiente të tjera, nuk e kam dëgjuar njëherë që të thotë që, “unë e kam ndihmuar Aurelën”. Dhe për këtë fisnikëri që ka treguar ndaj meje, duke qenë se unë nuk i harroj njerëzit që më ndihmojnë, aty do të shkoj pa para o njerëz. Ai e ka bërë pagesën e tij përpara 13 vjetësh, e ka dhënë paradhënie, dhe më vjen mirë që është i pavarur, që ka dalë individ më vete, sepse unë do të shkoj ta mbështes si individ për atë që ai ka bërë për mua. Jam mirënjohëse ndaj njerëzve që mua më kanë ndenjur pranë dhe kaq. Sigurisht, thashë, nga të gjitha anët kam miq, por ky personazh është treguar shumë fisnik me mua dhe unë dua t’ia kthej fisnikërinë mbrapsht. Edhe Zoti thotë që mirënjohja është ajo që vlen më shumë…
Çfarë do të ketë sezoni i ri në “Calvin”?
Ua, pse që tani do ta dini ju?! Ne kemi filluar në fakt.
Unë di që ti ke kohë që punon?
Ke të drejtë. Kemi filluar që tani me grupin të përzgjedhim këngët, të hartojmë një skaletë për programin, po mendojmë për veshjet, për skenografinë, e cila do të pësojë ndryshime… Shiko, unë do doja që të ngjitesha e të zbrisja me litar, me flakë, mundësisht të bëja cirk. Domethënë do doja t’i bëja të gjitha… Ore flakë të nxirrja nga goja po të them, a ka mundësi ta bëja edhe këtë?! Nuk di të nxjerr, se ndryshe do të më kishin quajtur drakula pastaj (qesh), por unë jam dua t’i shokoj njerëzit gjatë gjithë kohës. Vdes që publiku të mahnitet, që të ndodhë ajo që ai s’e pret. Nuk dua të jem ekuacion i zgjidhshëm, nuk dua të thuhet që, “unë e di çfarë bën Aurela”… Nuk dua që ti ta dish se çfarë do bëj unë nesër. Po ju tregoj p.sh. se çfarë më ndodhi javën e fundit me vëllezërit korçarë. Unë duhej të dilja në skenë me një kostum të Blues Brothers, pasi do të performonim të tre, dhe pastaj duhej të ndërrohesha prapë. Por nuk u morëm vesh. Prit e prit unë mbrapa skene, derisa në një moment llogarita minutat dhe pashë që nuk më dilte koha që të ndërroja edhe një kostum tjetër pas këtij, dhe atëherë i thashë vetes “zjarr Aurela”. E vesha poshtë kostumin me të cilin do të dilja herën e tretë. Ishte një kostum pak i çmenduar, krahasuar me të parin dhe të dytin. Sipër kisha kostumin e Blues Brothers, me të cilin performova me djemtë… Ata prisnin që unë të largohesha përsëri dhe të ndërrohesha për performancën tjetër. Ndërkohë unë u thashë “jo”. Do ta bëj këtu në mes të njerëzve… Dhe ndodhi ajo që nuk mund të pritej. Unë në një farë mënyre bëra striptizë në skenë, megjithëse nuk do doja ta quaja kështu, u zhvesha vërtet aty, pasi nuk kisha tjetër rrugëzgjidhje. Unë nuk ngec asnjëherë, nuk dua të mendoj që një gjë nuk bëhet. Nuk kam kohë; po, hajde të zhvishem në skenë. Ama kostumin e tretë nuk e lija pa e veshur (qesh).
Sezoni veror çfarë do të sjellë të re?
Kam pasur shumë kërkesa në fakt dhe mezi i kemi manovruar, që të kem mundësi të lëviz edhe në diasporë edhe në Kosovë, pasi vërtet nuk kemi pasur kohë dhe ndonjëherë u ngelet hatri miqve që i kam refuzuar.
A do të ketë këngë të reja?
Unë jam duke punuar shumë fort për një këngë, do doja që të dilte pak më përpara, por nuk jam duke e shtyrë. Çdo gjë në momentin e duhur. Kënga është pothuajse gati nga ana e audios. Është punuar në studion e Adrian Hilës, në një bashkëpunim që besoj se do të jetë i bukur, pasi edhe vajza ime e ka mësuar këngën. E dëgjon në makinë dhe shoh që reagon dhe e këndon, pasi i ka mësuar edhe fjalët e para. Kjo më duket shenjë e mirë, sepse po iu fut fëmijës në kokë kënga, do të thotë bëhuni gati pasi po vjen një vullkan…
A do të ketë pushime?
Pushime sigurisht do të ketë. Do të jenë fatkeqësisht nga fundi i gushtit. Nuk do të mundem të bëj dot pushime shumë të gjata, por fatmirësisht në “Crazy Calvin” po bëhet edhe diçka verore. Do të hapet edhe club-i veror, do të bëhet edhe pishina, kështu që unë aty tek pishina do jem, kush do të më shikojë me rroba banje le të urdhërojë. “Crazy Calvin” do të vazhdojë në një farë mënyrë edhe në club-in veror. Ne do të shfaqemi aty duke performuar, por edhe në Dhërmi, aty ku ka filluar ideja për të hapur një club këtu në Tiranë. Sepse club-i është në Dhërmi. Unë kam pasur ftesë vjet nga ai që u bë sebepi i gjithë kësaj. Shkova atje me bashkëshortin tim, dhe Skerdi me Vin Bakallin u takuan atje dhe thanë: ‘ej një sekondë kjo e ka mendjen vetëm për të kënduar, ne të dy do bëjmë diçka në Tiranë, që të kënaqen të gjithë’. Kështu ndodhi që u hap, ndaj unë do të jem edhe në Dhërmi në disa data, do të vazhdojë tradita le të themi… Kam shumë të reja këtë vit në fakt. Një sezon full, plot me punë, me pushime, me këngë të re, kam një risi që mendoj se është e bukur, videon do mundohem shumë shpejt që ta xhiroj, ndërsa në shtator do të kurorëzojmë edhe dashurinë bashkë me Skerdin, kështu që kemi një sezon plot, plot. Dhe mbas kurorëzimit do të hapim sërish sezonin në “Crazy Calvin”.
E ke menduar dasmën, si do të jetë?
Dasma do të jetë për qejf. Ndërthurje e elegantes me sportiven. Do të jetë në club-in veror që ne do të hapim. S’kam ku të gjej një vend tjetër më të mirë. “Geraldina Sposa” do të bëjë gjithë arredimin dhe do të më veshë mua nuse. O Zot! Do vishem unë nuse, më në fund…
E beson dot?
E besoni dot ju?! Përfundimisht e hëngra. Po ia ka vlejtur.
Vajza do të jetë shoqëruesja?
Po, Grace do të jetë shoqëruesja dhe dëshmitarja e dashurisë sonë. Ajo është fruti i dashurisë sime me Skerdin. Unë i kushtova edhe këngën “Shpirt i shpirtit tim”, dhe i thashë ‘me ty, bashkë me ty le të thinjet jeta ime’ dhe dua vërtet të thinjet jeta ime me Skerdin, sepse jam e lumtur. Nuk dua asgjë tjetër nga jeta. Jam e lumtur me çfarë kam.
Kjo është çfarë ke dashur gjithmonë?
Unë kam dashur një njeri që të më kuptojë në përpikmëri në detaje, në këtë që jam, dhe të më dojë në këtë që jam. D.m.th. Skerdi nuk kërkon aspak të ndryshojë asgjë timen, është gjithmonë i dashuruar me atë që unë bëj. Sa më shumë që ai është i dashuruar me atë që unë bëj, aq më shumë e dua unë atë. Ky ishte çelësi mo njerëz, prandaj nuk gjeja unë. Pse të më ndryshosh mua? Unë jam garipe fare, jam tipe fare, pse të më ndryshosh?! Lum ai, sepse kjo gjë ka edhe benefite pastaj.
A t’i ka ulur Grace dozat e çmendurisë?
Jo, tani jam më keq madje. Më duket sikur sapo kam filluar jetën. Grace ma ka shtuar dëshirën që të kem sa më shumë fëmijë, po s’kam shumë kohë. Do bëj nga një në tre vjet.
Kam idenë që Grace do bëhet me motër ose me vëlla?
Po, patjetër, kemi plane, por jo tani. Fillojmë sezonin tjetër dhe nuk duam që ta lëmë publikun të presë. Kemi edhe një sezon tjetër dhe pastaj do të nisim djalin. Këto janë punët e Zotit në fakt, kështu që le t’ia lëmë atij në dorë.
Po ty Zoti, të do?
Mua zoti më do, e kam shkruajtur këtu në dorë, e kam bërë tatuazhin tim të parë. Nuk kisha asnjë tatuazh në trup, madje të gjithë mendonin se unë do ta kisha trupin të mbushur me tatuazhe, por jo. E kam bërë shumë vonë tatuazhin tim të parë dhe ka qenë diçka shumë e ndjerë dhe domethënëse. Unë e kam ndjerë në jetën time që Zoti më do, që jam e bekuar.
Do rikthehesh në festivale?
Jo, pse të rikthehem. Në fakt është një shprehje, kurrë mos thuaj kurrë, po për momentin s’e besoj. Nuk e di.
Si të duket muzika sot?
Do flas më mirë për atë çfarë do publiku. Këtu ishte krijuar një ide që duhen Dj rumunë, duhet muzika e huaj, që këtu duhet të këndosh dhe të imitosh çdo gjë të huaj, por unë çdo javë në “Crazy Calvin”, kam parë të kundërtën. Publiku do të dëgjojë muzikën e shpirtit të vet, që është muzika shqiptare. Ai e pëlqen kur unë këndoj ‘hard rock’, ama e tundin tokën kur unë këndoj labçe. Ja, krahasoje me ushqimin, se muzika është ushqimi shpirtëror. Ti ke nevojë të hash në restorant, me gjithë elegancën që ka restoranti, ama do ta hash edhe në shtëpi, ta ngjyesh bukën në gjellë, ta lyesh me vaj e me kripë…

18.06.2013
Burimi: Balkanweb
♛Melody♛
♛Melody♛

‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’ Coolte21

Shteti Shteti : ‘Do Martohem Në Shtator. Në Fushatë Vetëm Për Ben Malajn’ Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi