Universitetet, rritje të kuotave me 30%
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Universitetet, rritje të kuotave me 30%
Propozim për më shumë të drejta studimi për të tria ciklet, pritet miratimi nga qeveria
Lorina Mixha
Brenda dy javëve, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë draftin e Ministrisë së Arsimit për numrin e kuotave të studentëve që do të regjistrohen këtë vit në universitete.
Duke qenë se ndodhemi në vit elektoral dhe një pjesë e mirë e studentëve që do të regjistrohen në vit të parë janë kontingjent i votuesve, është menduar favorizim dhe liberalizim i mëtejshëm i universiteteve. Për ciklin e parë të studimeve në të gjitha universitetet e vendit është menduar që të ketë një rritje nga 10-15 për qind se një vit më parë, ndërkohë që për të tria ciklet e studimit, kuotat do të rriten me rreth 27 për qind.
Drafti përfundimtar pritet të dërgohet në Këshillin e Ministrave. Më shumë kuota, rreth 30 për qind më shumë se vitet e kaluara janë propozuar nga universitetet e rretheve, ndërkohë që po me këtë rritje, është sugjeruar për t’u marrë në konsideratë edhe rritja e masës së tarifës së shkollimit.
Këtë vit, universitetet kërkojnë nga studentët që të paguajnë pak më shumë sesa tarifa e viteve të kaluara, si dhe me këto para institucionet e arsimit të lartë të arrijnë të kenë më shumë fonde për t’i vënë në dispozicion të nevojave të tyre.
Universiteti i Tiranës për këtë vit ka propozuar rreth 5 mijë kuota për të gjitha fakultetet që ka në varësi.
Por numrin më të lartë të kuotave shtesë do ta kenë universitetet e rretheve, në një pjesë të të cilave pritet të ketë edhe hapje të degëve të reja. Brenda këtyre dy javëve, para zgjedhjeve të 23 qershorit, qeveria do të vendosë për të miratuar ose jo propozimin e rritjes së tarifës së shkollimit, si dhe për miratimin e kuotave për ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik 2013-2014. Më pas, javë pas jave deri në çeljen e universiteteve, Këshilli i Ministrave miraton periodikisht kuotat për ciklin part-time, për master e doktoraturë, si dhe vendimet shoqëruese për tarifat e shkollimit, për secilin nga programet e studimit. Sakaq, një pjesë e mirë e universiteteve kanë propozuar edhe rritje të numrit të pedagogëve për fakultetet kryesore, për shkak të fluksit të lartë të studentëve që rriten nga viti në vit. Një vit më parë, numri i kuotave për të gjitha universitetet e vendit për ciklin e parë të studimeve ishin rreth 28 mijë. Kështu, këtë vit, me rritje nga 10 në 15 për qind më shumë, pritet të pranohen rreth 3 mijë studentë më shumë, vetëm për ciklin e parë të studimeve, ndërkohë që për të tria ciklet e studimit janë propozuar rreth 5 mijë kuota më shumë se një vit më parë. Liberalizimi i universiteteve gjatë këtyre viteve ka rritur numrin e studentëve nga viti në vit në të tria ciklet e studimit. Përveç kuotave të universiteteve publike, në listën e të diplomuarve shtohen edhe studentët e universiteteve private, të cilët janë të shumtë në numër, sidomos në degët elitare si: Juridik, Ekonomik, Shkenca Politike, Gazetari, Infermieri, Farmaci. Edhe për këtë vit, studentët në universitetet më të frekuentuara do të vijojnë mësimin me dy turne, si për ciklin e parë të studimeve ashtu edhe për ciklet e tjera.
Autor Lorina Mixha te 12 Qershor 2013
Similar topics
» Universitetet tona të fundit në botë "Web Ranking"-Ja si radhiten
» Çigako, qytetarët i bashkohen policisë kundër dhunës në rritje
» Çigako, qytetarët i bashkohen policisë kundër dhunës në rritje
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi