POEZITË E VDEKJES
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
POEZITË E VDEKJES
ERVIN QAFMOLLA
Unë quhem Ervin Qafmolla. Jam 33 vjeç dhe ndërkohë nuk po rinohem. Kjo e fundit thënë për referencë ndërgjegjësimi dhe jo për kompleksin e plakjes. Në fund të fundit, të gjithë plakemi dhe vdesim. Siç thoshte Kiko në hajkun e tij të vdekjes:
“Çka çel
vyshket – fati i mishit
në këtë botë lulesh”
Unë jam droguar shumë herë në jetën time. Jam droguar në puthjen e parë kur një mbidozë adrenaline dhe feromonesh më goditën trurin, duke më lënë shakull në krahët e asgjësë. Jam droguar kur kam pirë për vdekje në mbrëmjen e maturës dhe kur humba virgjërinë një natë me shi. Jam droguar me poezi, me muzikë, me lule, me romane aventurash ndër perëndime dielli. Jam lartësuar mbi jetë-vdekjen e përditshme duke vendosur kokën në sexhde dhe duke kërkuar paqen e Zotit nga zemra ime, kur rrezja e parë e agimit cekte kupolën e xhamisë. Njerëzit janë qenie racionale me inteligjencë shumëfish superiore ndaj krijesave të tjera të këtij planeti të përveçëm, por ne jemi edhe më të evoluuarit në ndjeshmëri. Të ndjesh është të jetosh, të vetëdijësohesh që ekziston në pafundësitë e rrathëve të vuajtjes e haresë: të përjetosh përballë harresës së sigurt.
Dhe sigurisht që kam tymosur edhe marijuanë, të paktën çdo verë për pushime plazhi, kur cigarja e dredhur qarkullon një rreth të rastësishëm njerëzish. Të notosh lakuriq në mesnatë me bossa novën e valëve dhe sirena imagjinare të vajzave të vërteta që pluskojnë kujtime të së nesërmes në krahët e tu me diej në zemrat tona.
Kjo është çka në raportet e medias së shkruar dhe televizive, njihet formalisht si Cannabis Sativa. Unë njoh njerëz që janë rrënuar nga droga, kam parë të shpuar krahëve me shiringa, njerëz që e djegin të kuqen duke e tymosur, prostituta pa dhëmbë që punonin si fshesa me korrent për një “vingëll të shpejtë”. Kam parë njerëz të lajthitur nga acidet, apo që përdorin pastrues furnelash për të “shkuar lart”. Unë jam i ndërgjegjshëm për tragjedinë e drogës, e cila më vete nuk mbart asnjë aspekt romantik. Marijuana, nga ana e saj – në jetën jotelevizive i referohemi si “bar” – ka efekte të provuara negative në shkaktimin e skizofrenisë në persona me njëfarë prirjeje ndaj kësaj patologjie, aktivitet nën mesataren intelektuale të njerëzve që tymosin çdo ditë dhe lënie pas dore të gjërave. Nuk shkakton: vdekje të qelizave në tru, efekte dhune apo humbje totale kontrolli, psikopati, histeri, vdekje dhe çmenduri. Nuk të bën të rrahësh gruan, të përdhunosh, të vrasësh një plakë për t’i marrë pensionin që ta bësh drogë. Nuk shkakton varësi kimike, pra trupi yt nuk vuan kur nuk e ke. Por, abuzuesit kronikë budallallepsen.
Diskutimi mbi drogën dhe përjetimin është më universal se kryqëzata kundër një barishteje që i bën njerëzit të jenë pak më të rehatuar. Dhe sigurisht që nuk mund të bëhet sebep që të dënosh një gjimnaziste me 5 vjet sepse u kap me 5 gramë bar. Këtë, vetëm maskarenjtë, të pacipët, injorantët dhe të korruptuarit mund ta bëjnë. Ata që falin kamionët e kokainës, vrasësit serialë me vetëm një vit e ca burg, njerëzit që hapin zjarr mbi turma dhe të pafetë që zhdukin vendbanime nga harta e dheut.
Këtë mund ta bëjnë vetëm të ligjtë. Vetëm policët e prokurorët e ndyrë mund të falsifikojnë provat për një djalë, duke e bërë të firmosë një dokument që thotë se nuk u gjetën gjurmë THC-je në gjakun e tij, vetëm për ta akuzuar më pas për shpërndarje ngaqë “nuk e përdor vetë”. Gjykatësit e ligj e dënojnë. Doni të flasim për dëmin shoqëror dhe ndyrësinë? Hajde flasim!
Hajde të flasim për hidrocentrale të energjisë së mjerimit që na ka kapluar, nga ai lloji që nuk e eksportojmë dot. Le të flasim për ata që varin veten ngaqë nuk kanë me se të ushqejnë familjen, për skamnorët apo fëmijët e politikanëve që bredhin me “Cayen”. Le të flasim për laviret publike që pikturojnë realitetin e gëzueshëm apo premtimin e tij, në varësi të krahut: majtas apo djathtas dhe ftojnë miletin të votojë. Le të flasim për poshtërsinë që quajmë “demokraci shqiptare” dhe për të gjithë pjellat e ndyrësisë që propozohen si profetë. Le të flasim për këtë apo të paktën, ju lutem, për dashurinë që na mungon si njerëz. Le të fillojmë të meditojmë mbi çka do të thotë të jemi njerëz, sepse njeri vetëm lindesh dhe bëhesh njëkohësisht. Le të fillojmë të perceptojmë paqësisht.
“Nëse dyert e perceptimit do ishin të pastruara, çdo gjë do t’i shfaqej njeriut ashtu siç është, e pafundme”, citohet William Blake në çelje të librit të Aldous Huxley, “Dyert e perceptimit”. Ky i fundit shkruan:
Kur, për çfarëdo arsye, burrat e gratë nuk arrijnë të transcendentojnë vetet nëpërmjet mënyrave të adhurimit, veprave të mira dhe praktikave shpirtërore, ata priren për të gjetur strehim te surrogatet kimike të religjionit – alkool dhe pilula marrosëse në Perëndimin modern, alkool dhe opium në Lindje, hashash në botën muhamedane, alkool dhe marijuanë në Amerikën Qendrore, alkool dhe kokainë në Ande, alkool dhe barbiturate në rajonet më të modernizuara të Amerikës së Jugut. Në “Poisons Sacres”, Ivresses Divines Philippe de Felice ka shkruar gjatë dhe me një dokumentim të pasur për marrëdhënien e stërlashtë ndërmjet religjionit dhe përdorimit të drogës. Të përmbledhura ose në citim të drejtpërdrejtë, po japim këtu përfundimet e tij. Përdorimi i substancave toksike për qëllime religjioze është “jashtëzakonisht i përhapur… Praktikat e studiuara në këtë vëllim mund të vëzhgohen në çdo rajon të botës, mes primitivëve jo më pak, se ndër ata që kanë arritur një shkallë të lartë qytetërimi. Nuk po merremi pra me fakte përjashtuese, të cilat në mënyrë të justifikueshme mund të tejkalohen, por me një fenomen të përgjithshëm dhe njerëzor, në kuptimin më të gjerë të fjalës; lloji i fenomenit i cili nuk mund të shpërfillet nga askush që përpiqet të zbulojë se ç’është religjioni, dhe cilat janë nevojat e thella që ai duhet të përmbushë”.
Ndoshta kjo është një kulturë tepër akademike për gardianët kriminelë ordinerë, që zyrtarisht janë caktuar të mbikëqyrin moralin shoqëror. Por është, të paktën, një realitet i argumentuar. Në një çështje shumëkëndore dhe kaq të debatueshme si kjo, të mos hidhet guri i parë me yrysh, sidomos kur kjo bëhet apo lejohet nga maskarenj. Le të jemi njerëzorë, të përpiqemi të jemi mirëkuptues, të pranojmë se njeriu nuk është thjesht një “makineri e zgjuar” dhe se misteret e shpirtit duhen toleruar edhe përballë një debati kimik. Sepse, të gjitha ndjesitë, dëshirat, përjetimet e njëmendta përballë hiçit matematik të jobesimtarëve, mbeten më së paku, poezi të vdekjes, ku:
“Si pikëz vese
mbi gjethen e lotusit
unë zhdukem”.
Similar topics
» Një martesë kundër vdekjes
» Përvojat në prag të vdekjes dhe jeta pas saj
» Gjumi, vetëm një hap larg vdekjes
» Fjalët domethënëse të lëna pas vdekjes
» Zbulohet misteri i vdekjes se Yuri Gagarin
» Përvojat në prag të vdekjes dhe jeta pas saj
» Gjumi, vetëm një hap larg vdekjes
» Fjalët domethënëse të lëna pas vdekjes
» Zbulohet misteri i vdekjes se Yuri Gagarin
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi