Teknologjia e nxjerrjes së naftës në Amerikë mposht Lindjen e Mesme
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Lajme Nga Bota
Faqja 1 e 1
Teknologjia e nxjerrjes së naftës në Amerikë mposht Lindjen e Mesme
Fundi i OPECDyzet vjet pas embargos së naftës nga vendet arabe, teknologjitë e reja po ndryshojnë në mënyrë dramatike gjeopolitikën e Lindjes së Mesme dhe rëndësinë e këtij rajoni në botë
AMY MYERS JAFFE, ED MORSE, Foreign Policy
Dyzet vjet kanë kaluar që kur embargoja arabe e naftës hyri në fuqi më 16 tetor 1973, duke shkaktuar një periudhë ndryshimesh dhe trazirash të pabesueshme. Pasi Shtetet e Bashkuara ofruan mbështetje për Izraelin gjatë luftës së Jom Kipurit, një kartel vendesh të botës në zhvillim (përmes Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, ose OPEC), ndaloi shitjen e naftës së tyre për aleatët e Izraelit, gjë që vuri në lëvizje rrethanat gjeopolitike që në fund i lejuan ato të ushtrojnë kontroll mbi prodhimin botëror të naftës dhe mbi çmimet e shitjes së këtij malli kyç, gjë që më parë pati qenë nën kontrollin e kompanive gjigante ndërkombëtare. Kjo e gjitha krijoi një epokë çmimesh nafte veçanërisht të larta.
Në atë kohë, kjo ngjarje u përshëndet si fitorja e parë e madhe e fuqive të “botës së tretë” për ta gjunjëzuar Perëndimin. E dizenjuar pjesërisht për t’u sjellë popujve arabë përfitime pas shumë dekadash kolonializmi, embargo hapi dyert për një transferim të paprecedentë pasurish nga Amerika dhe Europa drejt Lindjes së Mesme.
Brenda një nate, segmenti më i madh i ekonomisë botërore, tregu i naftës, u bë një treg politik si kurrë më parë.
Por katër dekada më vonë, duket se gjërat më në fund po ndryshojnë në drejtim të kundërt. Tashmë, në 40-vjetorin e embargos së vitit 1973, Shtetet e Bashkuara kanë një mundësi historike për të udhëhequr një kundërrevolucion ndaj botës së energjisë së krijuar nga OPEC-u, ndërsa novacionet në industrinë amerikane të energjisë duket se kanë potencialin për t’i dhënë fund varësisë dramatike nga nafta e huaj.
Uashingtoni duhet ta kapë këtë mundësi dhe të ndihmojë në demokratizimin e energjisë në të gjithë botën, njësoj siç kanë bërë gjigandët e “Silicon Valley” përmes demokratizimit të botës së informacionit.
Në periudhën para vitit 1973, dy të tretat e naftës së botës kaloi nga sektori privat i kompanive amerikane apo europiane te kompanitë shtetërore dhe kombëtare të naftës.
Në vend që çmimi të përcaktohej nga forcat e kërkesës dhe ofertës, në botën e pas vitit 1973, prodhuesit me kosto të ulët të naftës si Arabia Saudite, Iraku dhe Irani, artificialisht ndërprenë prodhimin dhe diskurajuan investimet kapitale, duke krijuar një darë afatgjatë mbi qirambledhjen apo përfitimin financiar që tregu nuk do të lejonte kurrë të krijohej. (Sot, çmimet e naftës në terma reale janë më shumë se katër herë më të larta se sa më 1972).
Një ristrukturim masiv industrial ndodhi përgjatë një gjysmë dekade ndërsa sipërmarrjet nën pronësi shtetërore, me aftësi të kufizuara në menaxhimin e projekteve dhe të mbingarkuara me punonjës, kapërcyen gjigandët e naftës si “Chevron” dhe “Shell”, si në vlerë tregtare ashtu edhe në përmasa.
Vitet 1970 panë një transferim të thellë dhe të paprecedentë pasurie drejt Lindjes së Mesme, gjë që vijon të ketë pasoja edhe në ditët tona – që nga lëvizjet për demokraci te terrorizmi dhe te luftërat civile. Udhëheqësit e rajonit nuk ia dolën të përcaktonin mekanizmat afatgjata për të shpërndarë përfitimet e kësaj pasurie të transferuar në të gjithë popujt e vet dhe as krijuan ndonjë menaxhim të suksesshëm të këtyre burimeve për të sjellë përmirësimin e jetës.
Hyrjet masive të petrodollarëve sollën me vete edhe një paradigmë të re politike, atë të patronazhit “rentier”, karakterizuar nga keqpërdorimet financiare, korrupsioni, represioni dhe miliarda dollarë të akumuluara në blerje armësh.
Popullatat e vendeve prodhuese të naftës, në pjesën më të madhe, janë sot vetëm pak më mirë se sa qenë më 1973.
Shumë nga këto vende janë lodhur nga luftërat apo janë në konflikt të vazhdueshëm sektar. Dhe, edhe pas shumë dekadash çmimesh nafte relativisht të larta të shoqëruara me remitanca nga emigrantët, shumica e vendeve të Lindjes së Mesme kanë ende Prodhim të Brendshëm Bruto për Frymë relativisht modest, poshtë kuotës së 30 mijë dollarëve me bazë fuqinë blerëse.
Pabarazia e thellë në të ardhura bën që shumica e popullatës së rajonit është në fakt duke jetuar në varfëri, edhe në vende të tilla si Arabia Saudite. Pra nuk duhet të na befasojë fakti që 40 vjet pas embargos së vitit 1973, qytetarët e rajonit janë duke u ngritur sërish në rebelim kundër atyre që shpërdoruan të ardhmen e vet.
Të lodhur duke pritur ditën kur rritja e të ardhurave nga nafta do të sjellë në një mënyrë deri diku magjike premtimin për mirëqenie, të rinjtë po dalin në rrugë; punëtorët e naftës dhe të porteve po organizojnë greva; dhe xhihadistët po marrin armët për t’i dhënë fund mallkimit të naftës.
Zemërimet e tyre nuk bazohen në boshllëk. Çmimet e larta të naftës të shoqëruara me të gjithë këtë rebelim po nxisin investimet në energji gjithkund tjetër me sukses të madh. Eficenca energjetike po përmirësohet ndjeshëm, duke sjellë reduktimin e kërkesës për naftë nga Lindja e Mesme në terma afatgjatë. Rezultati final është që për sundimtarët e Lindjes së Mesme do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u mbështetur te paratë e naftës për të ruajtur pushtetin e vet. Dhe kjo ka edhe pasoja për popullatat që ata kanë arritur t’i mbajnë të nënshtruara përmes pagesës së parave të pakta për dekada me radhë.
Ironikisht, pikërisht në kohën kur revolucionet politike po fitojnë terren në të gjithë Lindjen e Mesme, një lloj i ndryshëm revolucioni po shfaqet dhe duket se ka gjasa se do të sjellë një epokë të re zhvendosjeje dhe çrregullimi në strukturat ekzistuese të naftës dhe gazit. Revolucioni i dytë energjetik po lind pikërisht nga impakti i të parit.
Që nga janari 2011, në prag të rebelimeve kundër qeverive diktatoriale të Afrikës së Veriut, kapacitetet prodhuese të nxjerra nga prodhimi apo të bllokuara nga trazirat politike (në Irak, Nigeri, Sudan, Siri e Jemen) apo të bllokuara nga sanksionet ndërkombëtare (Irani) kanë qenë në rendin e 2 milionë fuçive në ditë, katër herë më shumë se sa mesatarja e mungesave në furnizim të krijuara nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe.
Pastaj Libia shpërtheu edhe një herë verën e kaluar, duke nxjerrë jashtë loje 1,2 milionë fuçi prodhim ditor.
Por ndikimi i këtyre ndërprerjeve në furnizim ka qenë deri tani relativisht i butë, për shkak se gjatë po së njëjtës periudhë, prodhimi në Amerikën e Veriut, atdheu i tre ndryshimeve revolucionare në prodhimin jokonvencional të hidrokarbureve (argjilor, ujë i thellë dhe naftë ranore), është rritur me më shumë se 2.5 milionë fuçi në ditë. Dhe çdo ditë që kalon, prodhimi rritet edhe më shumë.
Rritja në energjinë e rinovueshme ka qenë gjithashtu domethënëse në vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë, ndërsa rritja e kostos së burimeve fosile dhe ndërhyrjet e fuqishme qeveritare kanë krijuar një treg për mundësi të reja.
Prodhimi botëror i bionaftës është dyfishuar në mbi 1.2 milionë fuçi në ditë që nga viti 2006, por energjia e erës është rritur për të realizuar prodhim të barabartë me 1 deri në 2 milionë fuçi nafte në ditë që nga viti 2008 (dhe po rritet me mbi 20 për qind në vit).
Energjia diellore është rritur ndërkohë duke realizuar prodhim ekuivalent me 400 mijë fuçi nafte në ditë përgjatë vitit të kaluar nga vetëm 20 mijë në vitin 2008.
Por impakti i të gjithë këtij ndryshimi në botën e energjisë do të shkojë shumë përtej zëvendësimit të ndërprerjeve në furnizim të shkaktuara nga Pranvera Arabe. Bumi i naftës dhe gazit jokonvencional dhe bumi i teknologjive të pastra kanë sjellë krijimin e një numri të konsiderueshëm kompanish të vogla eksplorimi energjetik të angazhuara në inovacion dhe të gatshme për të ndërmarrë rreziqe.
Ata nuk kanë rol në megaprojektet multimiliardë dollarëshe të kompanive të mëdha ndërkombëtare apo kombëtare të naftës dhe si të tilla kanë më pak shqetësime mbi mbajtjen e një norme të lartë fitimi. Këto kompani po u mundësojnë Shteteve të Bashkuara të udhëheqin në mënyrën se si sigurohet dhe shitet energjia – jo vetëm në SHBA por edhe në të gjithë botën.
Inovacioni energjetik po merr shumë forma në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar mundësi të mëdha eksportuese dhe duke i dhënë Uashingtonit mjetet e nevojshme për t’u siguruar që një embargo nafte sipas stilit të vitit 1973 të mos përsëritet.
Embargoja e naftës ishte aq shkatërrimtare për shkak se rritja e fortë ekonomike e viteve 1960 i pati ngrënë të gjitha kapacitetet prodhuese të naftës në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës, duke e lënë Lindjen e Mesme me një monopol pothuajse të pastër. Investimet qenë më të pakta se sa duhej të qenë për të garantuar rritjen e prodhimit në përputhje me kërkesën. Kur mbërriti kriza, kishte shumë pak kapacitete rezervë për t’u vënë në punë.
Kjo situatë e mungesës së kapaciteteve prodhuese rezervë u përsërit në vitet 2006 dhe 2007, kur tregjet qenë shumë të luhatshme për shkak se OPEC kreu një ulje kundërsezonale të prodhimit për të rritur çmimet, pa e vrarë mendjen për rreziqet për ekonominë botërore.
Por ndërsa prodhimi i naftës dhe i gazit nga SHBA dhe nga formacionet argjilore kanadeze u rrit, aftësia e prodhuesve të naftës si Rusia për të prodhuar energjinë si armë politike po zvogëlohet dhe bashkë me të, edhe mundësia e këtyre vendeve për të përfituar ekstra nga vendet konsumatore.
Novacioni amerikan te lënda djegëse alternative (përfshirë teknologjinë e makinave që përdor gaz natyror apo elektricitet), teknologjitë e eficencës energjetike, baterive apo zgjidhjet e rrjeteve elektrike inteligjente, po punojnë së bashku dhe në plotësim të rritjes së ofertës nga nafta dhe gazi jokonvencional. Këto kushte do t’u japin konsumatorëve më shumë mundësi zgjidhjeje në rast të ndryshimeve të forta të çmimeve, mundësi që nuk i kishin më 1973.
Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara po bëhen një eksportues energjie – me çmime konkurruese – kjo do të mjaftojë për të arritur suksesin.
Duke siguruar një alternativë ndaj burimeve të politizuara energjetike, Shtetet e Bashkuara mund ta përdorin ndikimin e vet për të demokratizuar tregjet botërore të energjisë, në të njëjtën mënyrë siç demokratizuan botën e informacionit telefonat inteligjentë dhe mediat shoqërore në internet, duke u hequr regjimeve diktatoriale mundësi për të kontrolluar mendjet e njerëzve.
Gazi natyror i bollshëm amerikan është vetëm hapi i parë. Furnizimet e bollshme vendëse të gazit sakaq e kanë zvogëluar ndikimin e Rusisë dhe Iranit te blerësit e gazit. Duke reduktuar në mënyrë të ndjeshme kërkesat amerikane për gaz natyror të lëngëzuar nga importi, rritja e prodhimit të gazit argjilor amerikan ka pasur edhe efektin e rritjes së ofertës për furnizime alternative për Europën, duke thyer mundësinë e Rusisë për të përcaktuar çmime monopol.
Por ky është vetëm fillimi: Gjatë dekadës së ardhshme, Shtetet e Bashkuara ka gjasa do të kapërcejnë Rusinë dhe do të rivalizojnë me Katarin si furnizues të rëndësishëm të gazit natyror në tregjet ndërkombëtare.
Roli gjeopolitik i SHBA-së si furnizues i gazit natyror po e kufizon aftësinë e Rusisë për të përdorur energjinë e vet si mjet presioni mbi aleatët europianë dhe aziatikë të SHBA-së. Kjo do të fuqizohet më tutje në rast se administrata e Presidentit Barak (Barack) Obama miraton lejet për ndërtimin e terminaleve të eksportit të gazit natyror të lëngëzuar (LNG).
Nafta dhe gazi jokonvencional nga Teksasi në Pensilvani po gjeneron gjithashtu surpluse të reja në lëndë derivateve nga gazi natyror, të cilat gjithnjë e më shumë po eksportohen si lëndë djegëse për transport apo ushqyes petrokimik në Europë, Azi dhe gjithkund tjetër – duke reduktuar kërkesën botërore për naftë nga Lindja e Mesme.
Ndonjë ditë ne mund të shohim edhe eksporte amerikane të naftës bruto, duke e bërë SHBA-në përcaktues në çmimin e naftës, në të njëjtën mënyrë se si nafta e Detit të Veriut u bë përcaktuese e çmimeve botërore në vitet 1980.
Dhe ndërsa një numër gjithnjë e më i madh kompanish dhe investitorësh shkojnë në Amerikën e Veriut për të zhvilluar burimet e bollshme jokonvencionale, peshat e rënda të Lindjes së Mesme si Arabia Saudite, Kuvajti dhe Irani nuk po investojnë siç duhet në rezervat e mbetura të shfrytëzueshme duke reduktuar aftësinë e tyre për të krijuar mungesa artificiale në furnizim.
Sakaq Meksika dhe Argjentina po mësojnë nga e shkuara dhe po heqin kufizimet proteksioniste që kishin në fuqi sa u përket investimeve të huaja mbi burimet natyrore, e po kërkojnë të tërheqin investime kapitale.
Burimet e bollshme amerikane në gaz natyror po i japin jetë edhe teknologjive tërësisht amerikane në motorë dhe stacione modulare furnizimi për përdorimin e lehtë të gazit natyror si lëndë djegëse në kamionë, trena dhe anije, duke i dhënë fund monopolit të naftës në transport.
Transporti konsumon rreth 40 milionë fuçi naftë në ditë nga 85 milionë që konsumohen në tërësi në botë dhe ky segment i tregut është i hapur për konkurrencë nga gazi natyror – në formën e gazit natyror të kompresuar për makina dhe autobusë, për kamionë e transport detar.
Parashikimet janë që së paku 2 milionë fuçi në ditë konsum nafte të zëvendësohet nga gazi natyror deri në vitin 2020, duke dobësuar më tej rritjen e kërkesës botërore për naftë dhe bashkë me të edhe ndikimin e Lindjes së Mesme.
Novacionet dhe eksportet amerikane të lëndës energjetike dhe teknologjisë do të hapin tregun botëror për investime konkurruese dhe mundësi zgjedhjeje nga konsumatorët.
Por Uashingtoni duhet ta përqafojë këtë zgjedhje duke u rezistuar thirrjeve për vijimin e ndalimit të eksporteve energjetike për arsye interesash të fshehta biznesi apo nacionalizmi.
Në vend të kësaj, ne kemi nevojë të përmbysin mendësinë e viteve të embargos së naftës, një mendësi mungesash furnizimi dhe ruajtjesh burimesh dhe të lëvizim drejt promovimit të tregjeve të lira.
Sektori energjetik e ka bërë këtë në tregtinë e produkteve të naftës, ku Shtetet e Bashkuara janë njëkohësisht importuesi më i madh i botës dhe eksportuesi më i madh. Shtetet e Bashkuara janë në të njëjtin drejtim sa i përket gazit natyror, qoftë përmes gazsjellësve drejt Meksikës dhe Kanadasë Lindore apo përmes eksportimit të LNG. Ajo duhet të lëvizë në të njëjtin drejtim me eksportet e naftës bruto ndërsa presioni rritet nga surplusi i mesit të kontinentit apo në Gjirin e Meksikës.
Zgjerimi i bizneseve të erës dhe diellore në Kaliforni dhe Teksas janë shpresëdhënëse bashkë me opsionet për bateri më të fuqishme dhe rrjete më të mençura, duke hedhur themelet për më shumë mundësi zgjedhjeje për konsumatorët.
Qeveria e SHBA-së duhet të mbështesë reformën e sistemit të energjisë elektrike për të mundësuar tranzicionin drejt zgjidhjeve më të mençuria, me eficencë më të lartë energjetike.
Reforma të tilla janë kritike për integrimin e energjisë së rinovueshme, prodhimi i së cilës ka luhatshmëri të madhe gjatë ditës. Këto ndryshime kanë potencialin t’i japin fund epokës kur konsumatorët mbaheshin peng nga vendet eksportuese për qëllime gjeopolitike.
Dikur ishte shumë e vështirë të parashikohej ndikimi i kompjuterëve “Apple” mbi tendencat shoqërore rinore. Sot mund të duket e vështirë të parashikohet koha dhe vendi i saktë që burimet jokonvencionale energjetike në Amerikë dhe mënyrat e reja të konsumimit energjetik do të sjellin demokratizimin e tregjeve.
Por “Apple” ndryshoi në themel mënyrën se si ne mendojmë dhe ndryshoi botën. Në mënyrë të ngjashme, ndryshimet që po ndodhin në sektorin e energjisë po ndikojnë që tregjet të marrin peshë më të madhe se sa monopolet.
Shpejtësia e ndryshimit mund të jetë e ngadaltë fillimisht, por në fund ajo do të jetë jo më pak tronditëse se sa 16 tetori 1973, dita që tronditi ekonominë botërore, pasojat e së cilës janë të dukshme edhe sot.
Similar topics
» Lufta e madhe që po vjen në Egje dhe në Lindjen e Mesme, çfarë kërkuan SHBA-të nga Greqia?!!!
» Qeveria ngre taksën e naftës pa miratimin e Kuvendit
» Sepse Gjaku im eshte Gjak Shqipetari ,ja cfar ndodhi ne Amerike (VIDEO)
» NASA filmon për herë të parë lindjen e një Ylli (VIDEO)
» Qeveria ngre taksën e naftës pa miratimin e Kuvendit
» Sepse Gjaku im eshte Gjak Shqipetari ,ja cfar ndodhi ne Amerike (VIDEO)
» NASA filmon për herë të parë lindjen e një Ylli (VIDEO)
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Lajme Nga Bota
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi