Vrasësit e Hajdarit kërkojnë lirinë në Strasburg
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni :: Politika Shqiptare & Opinione
Faqja 1 e 1
Vrasësit e Hajdarit kërkojnë lirinë në Strasburg
Jaho Salihi dhe Ismet Haxhia kanë kohë që kërkojnë lirim nga burgu ose rigjykim nga Strasburg. Dosja e tyre me ankesa të shumta për shkelje të neneve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka të paktën 10 vjet që është depozituar pranë organit gjyqësor mbi-shtetëror të Këshillit të Evropës.
Në një njoftim të saj, Gjykata e të Drejtave të Njeriut me bazë në Strasburg bëri të ditur se, më në fund, do të marrë të martën e javës së ardhshme në shqyrtim paditë e paraqitura nga ana e dy qytetarëve shqiptarë, Ismet Haxhia dhe Jaho Salihi (Mulosmani), të cilët pretendojnë se institucionet e shtetit shqiptar u kanë shkelur të drejtat e tyre njerëzore.
Gjykata njoftoi se për dosjet Haxhia kundër Shqipërisë dhe Mulosmani kundër Shqipërisë, përkatësisht me numra aplikimi pranë kësaj Gjykate 29861/03 dhe 29864/03, të paraqitura shumë vjet më parë, ka ardhur momenti i shqyrtimit.
DOSJET
Sipas njoftimit, dosjet që do të shqyrtohen bashkarisht pasi rastet janë gati të njejta kanë të bëjnë me dy oficerë të rangut të lartë të forcave të policisë shqiptare, të cilët janë akuzuar dhe më pas janë gjetur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykatat shqiptare të të gjitha shkallëve për vrasjen e Azem Hajdarit, anëtar i Parlamentit të vendit nga radhët e Partisë Demokratike në vitin 1998. Në atë kohë, kjo parti ndodhej në opozitë. Ata janë gjithashtu deklaruar fajtorë për vrasjen edhe të bodigardit të deputetit.
Aplikantët Ismet Haxhia dhe Jaho Mulosmani janë dy qytetarët shqiptarë, të lindur përkatësisht në vitin 1954 dhe 1977. Haxhia ka qenë komandant i policisë rrugore dhe Mulosmani shef rendi pranë Komisariatit të qytetit Bajram Curri, në verilindje të Shqipërisë, vijon njoftimi i Gjykatës së Strasburgut.
Më tej në të shpjegohet se të dy ish-efektivat e policisë së shtetit janë dënuar në prill të vitit 2002 gjatë të njejtit proces, konkretisht Jaho Salihi Mulosmani me burgim të përjetshëm dhe Ismet Haxhia me 20 vjet burgim, i pari për vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike dhe i dyti për faktin se ka ndihmuar dhe mbështetur vrasjen.
Të dy dënimet janë miratuar nga Gjykata e Lartë në korrik të vitit 2002 dhe nga Gjykata Kushtetuese në korrik të një viti më pas.
ANKESAT
Si Jaho Salihi, ashtu edhe Ismet Haxhia kanë paraqitur disa ankesa pranë Gjykatës së Strasburgut. Ato kanë të bëjnë me shkelje të pretenduara të Nenit 6, paragrafet 1 dhe 3 nga pikat a deri tek d (e drejta për të patur një gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që konsistojnë në mungesën e drejtësisë në procedurat që janë ndjekur ndaj tyre.
Konkretisht, ata pretendojnë se në gjykatat vendase janë pranuar si prova dëshmi të paraqitura në lidhje video, të cilat kanë qenë kontradiktore dhe paraqisnin mungesë besueshmërie, kështu që edhe vendimet e këtyre gjykatave kanë mangësi në arsyetime të mjaftueshme.
Sipas Jaho Salihit dhe Ismet Haxhisë, gjithashtu, avokatëve të tyre nuk iu është dhënë kohë e mjaftueshme për të studjuar dosjen e investigimit dhe nuk u është dhënë as akses për t’u njohur me të gjitha dokumentat e dosjes.
Nga ana tjetër, dy të dënuarit deklarojnë se dënimet kundër tyre janë ri-klasifikuar – nga vrasje me paramendim mbi baza politike, në vrasje me paramendim për hakmarrje – gjatë procedurave të apelimit, pa u dhënë atyre kohë të mjaftueshme që të përgatiteshin.
Të dy aplikantët pranë Gjykatës së Strasburgut paraqesin ankesën e tyre për shkelje të Nenit 6 paragrafi 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikon prezumimin e pafajësisë deri në dënimin e formës së prerë, lidhur me deklaratat e bëra na publik nga ana e figurave politike, që kanë pretenduar fajësinë e tyre.
Dhe, më në fund, ata ankohen se janë dënuar mbi bazën e veprimeve, që nuk ishin parashikuar si krime penale në kohën kur kanë ndodhur ngjarjet, duke përbërë kështu cenim të Nenit 7 paragrafi 1 të Konventës lidhur me atë se nuk mund të dënohesh kur një gjë e tillë nuk është e parashikuar me ligj.
Ndërkohë, Ismet Haxhia ka paraqitur edhe një ankesë mbi bazën e Nenit 5 paragrafi 1 (c) dhe 2 (e drejta për liri dhe siguri), për arsye se, gjatë mbajtjes së tij në paraburgim në janar të vitit 2001, për një gjë të tillë nuk kishte dyshime të arsyeshme dhe se ai nuk u informua menjëherë dhe në mënyrë të mjaftueshme për arsyet e arrestimit të tij. /Shqiptarja.com/
Similar topics
» Nishani: Nesër Votoni Për Të Ardhmen Tuaj, Përdoreni Lirinë
» Prindërit i kërkojnë ndihmë policisë: Na dhunon vajza
» Dua burrë, e dua si yti, e dua tani!
» Çfarë gazi të ri kërkojnë amerikanët në Ballkan kur nami bëhet në Mesdhe dhe Jonë?!
» Prindërit i kërkojnë ndihmë policisë: Na dhunon vajza
» Dua burrë, e dua si yti, e dua tani!
» Çfarë gazi të ri kërkojnë amerikanët në Ballkan kur nami bëhet në Mesdhe dhe Jonë?!
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Aktualiteti Shqiptar & Rajoni :: Politika Shqiptare & Opinione
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi