Historia e Shkodres..!!
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura :: Historia Shqiptare & Trevat
Faqja 1 e 1
Historia e Shkodres..!!
Kryeqendra e Prefekturës së Shkodrës dhe qyteti më i madh i pjesës veriore të Republikës së Shqipërisë, kryeqendra tradicionale e kulturës shqiptare, nyje e rëndësishme e transportit automobilistik dhe porta kryesore hekurudhore për lidhjen e Shqipërisë me botën e jashtme (Malin e Zi), shtrihet në nyjen hidrografike Liqeni i Shkodrës - lumenjtë Buna e Drini, në veriperëndim të Shqipërisë etnike dhe pranë Alpeve Shqiptare.
Shkodra është qender e një hinterlandi të banuar në mënyrë të pandërprerë nga Paleoliti i Hershëm, ndër qendrat më të hershme qytetare ilire, kryeqendër e fisit ilir të Labeateve. Në vitin 230 para Kr., qyteti pret monedhen e vet në emër të bashkësisë qytetare. Në vitet 181 deri 168 para Kr., Shkodra bëhet kryeqytet i Mbretërisë Ilire të Mbretit Gent. Nga viti 168 para Kr. e në vijim Shkodra ra nën sundimin romak.
Me reformat e Perandorit Dioklecian (shek. II pas Kr.), Shkodra u bë qendër e krahinës së Prevalit e më vonë (shek. IV), kaloi nën sundimin bizantin. Në shekullin e XI qyteti pushtohet nga serbët që e bëjnë qendër të shtetit të Zetës. Gjatë shekullit të XIV qyteti i Shkodrës ishte qënder e rëndësishme autonome me institucione të zhvilluara. Në vijim Shkodra u bë qënder e principatës së mirënjohur të familjes së Balshajve që dominoi këtu nga viti 1360 deri më 1396. Gjatë viteve 1396 deri më 1479 këtu sunduan venecianët e qyteti u quajt prej tyre Scutari. Qyteti antik dhe mesjetar shtrihej përkatësisht përreth akropolit, kalasë dhe ishte i mbrojtur edhe me mure të jashtme rrethuese. Pamja e sotme e kështjellës i detyrohet punës që u bë nën drejtimin e venecianëve. Para pushtimit turk qyteti ka pasur një organizim institucionalo - juridik të krejt të plotë, njësoj si edhe të gjitha qytetet e zhvilluara të Adriatikut. Ilustrimi i gjallë i kësaj shkalle të lartë zhvillimi janë Kodikët e famshëm të qytetit mesjetar, të zbuluara së fundi në Venecia. Pas një mbrojtjeje heroike nga qytetarët e Shkodrës, në vitin 1479, komanda veneciane ua dorëzoi qytetin turqve. Marin Barleci, prift dhe dëshmitar okular i rrethimit, botoi më 1504 librin "Rrethimi i Shkodrës" dhe më 1508 "Historia e Gjergj Kastriotit", që përbëjnë dëshmi të pakrahasueshme të rezistencës dhe burrërisë së shkodranëve ndaj pushtuesit aziatik.
Pushtimi i qytetit nga turqit osmanë u shoqërua me asgjësimin masiv të trashëgimisë kulturore dhe qytetare dhe me largimin masiv të popullsisë qytetare, por pa mundur të shkëpuste përfundimisht lidhjet e këtij qyteti me kulturën stërgjyshore iliro - arbnore. Në shekullin e XVII qyteti u bë qëndra kryesore e Shqipërisë së Veriut dhe e sanxhakut me të njëjtin emër. Më vonë, qyteti bëhet qëndra e Pashallëkut të Bushatlinjve të famshëm (1757 - 1831). Zhvillim të madh ekonomik Shkodra arriti në mesin e shekullit të XIX. Qyteti numëronte 50000 banorë dhe pazari i tij kishte rreth 3000 dyqane dhe ushtroheshin 80 lloje zanatesh. Shkodra është cilësuar nga personalitete të shquara si "djepi i kulturës shqiptare". Që në shekullin e XI këtu u përdor alfabeti latin dhe me këto germa Pal Engjëlli, nga Drishti i Shkodrës, shkroi dokumentin e parë në gjuhën shqipe, "Formulën e Pagëzimit". Më 1858, në Shkodër, për herë të parë në Shqipëri, zbatohet arti i fotografimit, më 1870 ngrihet shtypshkronja, e cila vetëm gazeta e revista shtypi 68 tituj. Në fund të shekullit të XIX, jezuitët dhe françeskanët ngriten muzeumet e arkivat e para, bandën e parë muzikore, ndërtohet stacioni i parë sinoptik i vendit, ngrihet teatri dhe me 1911 fillon shfaqja e filmit, zhvillohet një shkolle e vërtetë pikture.
Nga ky qytet u hodhën në vijim bazat e filozofisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe qytetarët e tij ishin ideatorët e nismëtarët e Lëvizjes Kulturore Shqiptare. Më 1911, në Malësinë e Shkodrës zhvillohet një ndër kryengritjet më të mëdha nacionale kundër pushtuesit turk, e cila përshpejtoi krizen dhe rënien e sundimit osman në Shqipëri dhe në Ballkan.
Autenticiteti shqiptar i këtij qyteti ishte arsyeja kryesore që detyroi Fuqitë e Mëdha të vendosnin përkatësinë e tij në shtetin e porsakrijuar shqiptar. Vitet 20-të, 30-të të shekullit të XX janë vitet e një ekspansioni ekonomik, kulturor dhe demografik të Shkodrës. Arsimi dhe kultura morën një zhvillim veçanërisht të lartë dhe qyteti mori tiparet e mirëfillta të një metropoli të kulturës shqiptare dhe një qyteti të mirëfilltë të zhvilluar adriatikas.
Por, duke filluar nga nëntori 1944, mbi këtë qytet u aplikua një represion i egër asgjesues sllavo - komunist, i cili gradualisht e privoi atë nga primati moral, kulturor, ekonomik dhe demografik i tij në shtetin shqiptar, duke grabitur nga ky qytet, arkivat, bibliotekat, veprat e artit, transformuar apo asgjesuar institucionet e krijuara për shekuj nga qytetaria shkodrane. Megjithë goditjen e pësuar qyteti ka mbijetuar midis vështirësish të mëdha dhe momentalisht po përpiqet të kapë fillin e saj të vijimësisë me traditen, të këputur padrejtësisht nga dhunuesit e kuq. Shkodra ka sot mbi 100000 banorë. Në të jeton një popull shqiptar i bashkuar nën koshiencën e përkatësisë së përbashkët iliro - arbnore, me një tolerancë e harmoni vëllazërore ndërfetare, i bindur se vetëm rindërtimi i strukturave të përparuara civilizuese mund të jetë rruga e përparimit të tij në Shqipëri dhe në Europë.
Qyteti i Shkodrës ka rreth 90 monumente kulture ku spikasin në pjesen antiko - mesjetare: Kalaja e Rozafës me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i përiudhës romake), Muzeu i kështjellës, Xhamia e Plumbit, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës. Ndërsa në pjesen e re të qytetit: ekzistojnë sot pas shkatërrimeve ateisto - komuniste këto institucione të rëndësishme fetare: Xhamia "Ebu Beker", Xhamia e Perashit, Kisha Katedrale, Kisha françeskane, Kisha orthodokse, Medreseja "Sheh Shamia", Seminari Ndërdioqezan Shqiptar "At Pjetër Mëshkalla", Instituti Katekistik Shqiptar etj; institucionet vendore: Bashkija e qytetit, Prefektura dhe Këshilli i Rrethit, Gjykatorja; institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti i Shkodrës "Luigj Gurakuqi" i themeluar në vitin 1957, Biblioteka "Marin Barleti", Fototeka "Marubi" - më e madhja në Shqipëri (e rrezikuar të asgjesohet nga mospërkujdesja shtetërore), Teatri "Migjeni", Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Radio "Shkodra", Qëndra Kulturore "Don Bosco", Gjimnazi i Shtetit "28 Nëntori", Shkolla e Mesme Artistike "Prengë Jakova" etj; institucionet shëndetësore: Spitali Civil "Jorgji Karamitri", Spitali Pediatrik, Spitali Obstetrik - Gjinekologjik, Spitali Psikiatrik, Spitali infektiv, Sanatoriumi etj; këto vende të rëndësishme: Telekomi, Hotel "Rozafa", Hotel "Argenti", Banka Kombëtare Shqiptare, Stadiumi "Loro Boriçi", Pallati i Sportit, Rruga muze "13 Dhjetori", Kulla e Sahatit të "Inglizit" etj.
32 km nga qyteti i Shkodrës gjindet Plazhi i Velipojës në Detin Adriatik. Në bregun perëndimor të të Liqenit të Shkodrës, 6 km nga qyteti, rrëzë Malit të Taraboshit ndodhet lagja piktoreske e Shirokës e njohur për plazhin e mikroklimen e saj.
Similar topics
» Historia e Durresit..!!
» Historia e Vlores..!!
» Historia Shiptare...
» Historia e Tiranes..!!
» Historia e Krujes..!!
» Historia e Vlores..!!
» Historia Shiptare...
» Historia e Tiranes..!!
» Historia e Krujes..!!
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura :: Historia Shqiptare & Trevat
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi