Të martohesh 22 herë, historia e 65 vjeçarit Nevruz Demollari
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Kendi i Antareve & Zona e Lire ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Lajme Komike & Cudira
Faqja 1 e 1
Të martohesh 22 herë, historia e 65 vjeçarit Nevruz Demollari
Ai jeton në një shtëpi, nëse mund të quhet e tillë, të përshtatur nga një ish-ndërtesë kapanoni e aksionistëve që ndërtuan hekurudhën Librazhd Guri i Kuq. U takuam me Lulën, siç i thonë, në një lokal buzë liqenit. Cigarja ishte shoku i tij më i mirë dhe nuk e ndante nga dora. Rrëfimin e tij për kalvarin e gjatë të marrtesave e nis me një “postulat” të vetin. “Për mua, kush mendon se është i lumtur në këtë jetë, them se gabohet”.
Sigurisht ai ka parasysh historinë e tij, por edhe mendimin e hershëm të fshatrave shqiptare, se çdo gëzim e ka nga një pikë helm brenda. Por me sa duket, Lula, nuk vë asnjë jetë tjetër të vështirë, mbi jetën e tij. “Mua që më sheh këtu përballë teje jam goditur nga kjo jetë si askush tjetër. Jeta më ka shkuar rrokullimë”, thotë ai duke tymosur rëndshëm e duke u menduar.
Janë në fakt 22 rrëfime të ndryshme, për 22 gra të ndryshme që kanë vënë “kurorë” me të, e 22 histori të ndryshme, secila me nga pak muaj, apo vite brenda. Kurorë e shkruajtëm me thonjza, sepse në fakt vetëm me 18 gra ai ka bërë celebrim, ndërsa me katër të tjerat nuk ka “gabuar” rëndë, është ndarë pas pesë apo gjashtë muajsh. Ai nis të marrë me rradhë historinë e jetës së tij, emrat e grave që kanë kaluar nga dera e tij, nga krevati e më pas kanë dalë sërish nga dera për të mbetur vetëm në kujtesë.
“Po i nis sipas rradhës. Sapo kam mbaruar ushtërinë, siç e kemi zakon ne nga fshati në vitin 1971 u martova me një vajzë nga Lushnja, e quanin Violeta”. Ka nisur rrëfimin e vërtetë, atë për të cilin interesohemi. Për gruan e parë Lula ka fjalë të mira. “Ishte vërtet vajzë e mirë dhe filluam ta donim njëri tjetrin. Madje lindëm edhe një vajzë, por ajo fatkeqsisht na vdiq pak muaj pas lindjes.
Kaluam gati mbi një vit e gjysmë jetë të qetë. Unë atëherë punoja në kooperativë si karrocier”, tregon burri që në Shqipëri mund të jetë kampioni i martesave. Kështu si ka nisur ky rrëfim për martesën e parë, me një dhimbje për vdekjen e vajzës, që nuk i ka ndarë por i ka bashkuar, mendja nis të punojë se cila mund të ketë qenë arsyeja e ndarjes së parë të Lulës. Xhelozia? Sherret?
Por ai na e heq kureshtjen duke treguar një histori sa të çuditshme, aq edhe të pabesueshme, në kufijtë e mjegullës historike shqiptare, por që në ato vite kur po flasim ishte gati e pamundur. “Krejt papritur një natë vjen vjehrri, babai i Violetës, dhe më thotë do të më japësh lekë për vajzën time që të kam dhënë, apo jo. Ç’ farë lekësh i them unë! Kur unë ika në punë në mëngjes e merr të bijën me vete në Lushnjë”, thotë Lula me dhimbje.
Duket si e pavërtetë, sepse “pazari” duhej bërë që më parë, megjithatë Lula vazhdon pa na lënë kohë të ftillojmë mendimet që përplasen me njëra-tjetrën. “Më pas më dërgon haber se vajzën nuk e sjell tek ty. Shkova ta kërkoj në Lushnjë, por më thanë se e kishte shitur të bijën me lekë në një fshat të Lushnjës, duke ia dhënë një burri që i kishte dhënë para. Më thanë në Lushnjë se babai i Violetës njihej si batakçi”.
Kaq ishte rrëfimi për martesën e parë. Një djalë i martuar me shkuesi. Një baba që shet vajzën, sikur shet lopën. Dhe Lula që mbetet sërish pa grua. Megjithatë është vetëm fillimi. “Pas kësaj goditje që pësova, me miqësi më rekomanduan një grua që i kishte vdekur burri nga Pogradeci. E quanin Leni ishte me tre vajza. U josha ta marr që me anën e saj të bëja pashaportizimin në qytetin e Pogradecit”, fillon ai rrëfimin e martesës së dytë, këtë rradhë për “përfitimin” e tij, pashaportizimin. “Pas dy vjetësh edhe nga ajo u ndava ishte tekanjoze dhe nuk na piqeshe gjëkundi karakteri edhe tre vajza të vogla që kishte me vete”.
E në fakt karakteri si duket ka dashur gati dy vjet, megjithatë pashaportizimi u bë. Por me saduket problemi i Lulës paska qenë edhe një gjë tjetër. Në asnjë nga martesat e tij nuk ka lidhje dashuria, apo të paktën njohja paraprake. Çdo njëra ka qenë me mblesëri, apo rekomandim. “Më thanë të afërmit të marrim një vajzë nga fshati se ato janë të vojtura dhe janë për shtëpi. Mora një vajzë nga Trebinja e Mokrës, quhej Nebije, por edhe me Nebijen pas një viti u ndamë nuk piqnim gjëkundi”. Pa kaluar disa muaj më rekomanduan një grua nga një fshat i thellë i Hudështit. E quanin Hilmie, tek unë erdhi shtatëzanë”...
Njëherë me tre fëmijë, njëherë shtazënë, çfarë tjetër do na tregojë ky njeri?! “Lindi një djalë, ia vumë emrin Flamur. Pa kaluar një vit e gjysmë për grindje të vogla, iku edhe Hilmia. Në vitin 1978 një shok nga Cërriku më rekomandon një vajzë. E quanin Shpresa, kjo më ka siellë jo pak telashe, madje bëra dhe 6 vjet burg”, thotë Lula dhe duket se parandjenja nuk na gënjeu. “Me Shpresën filluam të kalojmë mirë më shumë se një vit.
Në vitin 1979 fare pranë shtëpisë sonë kalonte hekurudha dhe Shpresa na mplekset me një teknik ndërtimi të hekurudhës dhe fillon aventurat me të. Fillova të dyshoj. Një ditë e kapa me teknikun duke bërë dashuri. Tradhëtinë nuk e duroja. Bëra një thikë me majë tek kovaçi dhe vendosa të hakmerresha duke i prerë veshët dhe buzët. Duke u përleshur me Shpresën nuk munda t’i pres veshët dhe buzët. E qëllova 5 herë me thikë në shpatull, shpëtoi mrekullisht nga vdekja për 1 cm thika i kapte organet jetike. Desha të shtoj se Shpresa atëhere ishte shtatëzane dhe e dështoi fëmijën.
Dhe vajta tek fija e perit nëse mamia dhe doktori do të lëshonin raportin që fëmija vdiq nga plagët atëherë për mua kishte, ose dënim me burg të pëjetëshëm dhe më e pakta ishte 25 vjet. Gjyqi më dënoi vetëm 7 vjet burg duke e quajtur veprimin tim në kushtet e një krize nervore të kapjes në flagrancë. Fillimisht më çuan në Bulqizë aty qëndrova një vit e gjysmë më pas më transferuan në Papër të Elbasanit. Në Papër erdhi më pa Shpresa. E penduar më kërkoi falje dhe pas burgut ta rifillonim jetën përsëri, por nuk e honepsa dot. Ikë qërohu, i thashë, tradhëtinë nuk e fal unë. Ajo qau, por lotët e saj mu dukën si prej korkodili.
Më pas më çuan në Përparim të Sarandës. Unë punoja në burg si kafshë pune dhe bëja normën 225 %, nga kjo mu ulën 11 muaj burg. Pas 6 vjet burg dola i tramatizuar”, tregon ai këtë pjesë të vështirë të jetës, nisur me tradhëti e mbaruar me burg. Pasi doli nga burgu, ai nisi të punonte si hamall në stacionin e trenit. Sërish mblesëri. Këtë rradhë nga kryeqyteti, Tirana, me ermin Vjollca. “Ishte e përkryer. Kaluam gati dy vjet shumë të lumtur.
I kisha treguar edhe për burgun dhe ajo m’i fali të gjitha. Krejt papritur na vjen një vajzë e dajos së Vjollcës dhe e merr Vjollcën me vete iu thotë të afërmëve të saj se unë kam qënë në burg. Vëllai i saj ishte oficer në Ministrinë e Brendëshme dhe ma hoqën nga duart Vjollcën. Më ka ardhur shumë keq për të e kam qarë me dhimbje ishte e përkryer nga të gjitha anët, e bukur nikoqire kishte një fisnikëri që më kishte munguar”, thotë ai. Megjithëse u çuditëm që kjo ndodhi dy vjet pasi ishte martuar me Vjollcën, kur në atë kohë, çështja e burgut shihej me përprësi, nuk ia ndalojmë rrëfimin.
“Pas Vjollcës fati më çoi tek një cigane nga Elbasani e quanin Natasha. Ajo erdhi me dy vajza. Ngeli shtatëzanë me mua dhe lindi një djalë. Emrin ia vumë Oliver.Çuditërisht nuk ma donte djalin ia theu me dorën e saj dy gishtat e dorës. E përzura nga shtëpia. Fillova të kujdesem vetë për djalin. Natasha vinte më lutej, por ajo nuk kishte ndryshuar, vazhdonte ta rrihte djalin sistematikisht.
Në gjëndje të rëndë kur djali ishte katër vjeç e çojmë në spital ku iu nënshtrua një operacioni, mjekët dyshonin për ngatërrim zorrësh, por nga dhuna e Natshës fëmijës i kishte rënë gjaku në mushkëri. Kështu më thanë kirurgët Qirici dhe Xhevahiri që e operuan. Jeta ime shkonte nga skëterra në skëterë një rrokullimë që nuk kishte fund”, tregon ai. Në fakt e kemi humbur fillin e numërimit, por “hesapet” vendosim t’i bëjmë në fund.
“Pas pak muaj martohem me një Ismete, punonte fatorino treni dhe me Ismeten ende pa kaluar një vit edhe nga ajo u ndava, nuk na poqi karakteri”, thotë Lula dhe menjëherë mendojmë se deri tani janë bërë disa martesa të prishura për punë karakteri. Çkarekter të vështirë paska pasur ky njeri! Ose gratë i kanë rastisur nga i njëtji brumë. “Nga viti 1997 kam marrë një grua tjetër nga Tirana, quhet Mimoza, ka qënë e martuar në Pogradec me një marangoz, por pas vdekjes të së shoqit e mora unë. Ishte me dy fëmijë një djalë dhe një vajzë.
Me Mozën e shtyva më gjatë, gati 12 vjet”, ky duhet të ishte rekordi. “Sapo djali i saj mbaroj ushtrinë dhe vajza shkollën e mesme në Hudënisht, ata u larguan të tre pa më pyetur fare në drejtim të Tiranës. Moza ishte e stresuar para dy vjetësh tentoi të varej e shpëtoj i biri. Moza gjithë ditën shikonte telenovelat në televizor, gjithësesi Mimoza ka qënë më jetë gjata me mua. Plot 12 vjet jetesë të shtyrë me stëngza siç themi ne këtej nga fshati. Dhe erdhi një ditë që pas ushtrisë djali u martua në Tiranë dhe së bashku me Mozën dhe të motrën u larguan në Tiranë duke më lënë vetëm fotografinë”.
Me ç’duket duhet të ketë qenë një nga ato rastet ku s’ke ku të mbështetesh dhe Lula i ka dalë kësaj Mozës së panjohur si me pororsi. Gruja e rradhës, sërish me miqësi ishte nga Korça, e një tjetër më pas nga Mokra, këtë të fundit e ka marrë nga Devolli. Pra Korça duket se ka dalë e “kpmpletuar”, edhe si qytet, edhe si rreth edhe si qark. “Nuk e di si do më ecë fati me këtë të fundit”, thotë Nevruzi, i cili i djegur 21 herë nga qulli as nuk e merr mundimin t’i fryjë kosit. Dhe e vijon bisedën me psalme priftërinjsh: “Ky është fat dhe me fatin nuk hahesh dot, pse thonë bashkëshortë, hedhin short dy veta të jetojnë bashkë.
Të poqi mirë s’të poqi do të hedhësh përsëri short”, thotë ai, por as e zë me gojë se martesa jo gjithmonë është bixhoz, të ecën zari, apo jo. Megjithatë ai nga gjithë kjo maratonë kurorash e ndarjesh (nuk tregon nëse ka bërë ndonjëherë gjyq për këto) i ka dy pengje; “Dy i kam plagë në shpirt, të parën, Violetën nga Lushnja dhe Vjollcën nga Tirana, ndërsa të tjerat kanë qenë si fishekzjarre, pak bukuri dhe fikje e shpejtë”, thotë ai duke mos harruar të shtojë se tërë jetën ka punuar me ndershmëri, megjithëse i rritur në një familje me tetë fëmijë. Por “jeta ime ka qenë e zezë ore mik”. Tani nga fundi vijnë edhe aftesitë e Lulës kur ishte i ri. I pari në shkollë për matematikë, valltar dhe këngëtar, madje konkurrent edhe në festivalin folkorik të Gjirokastrës. Por megjithatë jeta nuk i ka ecur këtij njeriu, kështu të paktën është bindja e tij.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 16.07.2013
- See more at: http://www.shqiptarja.com/metronews/2729/te-martohesh-22-here-historia-e-65-vjecarit-nevruz-demollari-167366.html#sthash.lKYB2C87.dpuf
Similar topics
» Historia e 12 vjeçarit vrasës me fytyrë engjëllore!
» Letra prekëse e 7-vjeçarit dërguar NASA-ës!
» Ja mesazhi i 16-vjeçarit qe preku Sali Berishën
» SMS Erotike Dhe Kërcënuese Gazetares, Dy Vite Burg 56 Vjeçarit
» Greqi, pranga 36-vjeçarit shqiptar, përdhunonte vajzën e tij
» Letra prekëse e 7-vjeçarit dërguar NASA-ës!
» Ja mesazhi i 16-vjeçarit qe preku Sali Berishën
» SMS Erotike Dhe Kërcënuese Gazetares, Dy Vite Burg 56 Vjeçarit
» Greqi, pranga 36-vjeçarit shqiptar, përdhunonte vajzën e tij
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Kendi i Antareve & Zona e Lire ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Lajme Komike & Cudira
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi