AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances

Shko poshtë

Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances Empty Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Jun 14, 2013 10:14 pm

Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances 1371203261-bashkjetesa

Në një shtjellim të gjatë, profesori i njohur i historisë, mëton se bashkëjetesa ka qenë një faktor shumë interesant për tolerancën fetare. Megjithatë, në shkrim, jepen dhe argumente sesa e vështirë ka qenë kjo përballë prej një mentaliteti vazhdimisht i helmuar nga kleri në shekuj të ndryshëm.


Burimet arkivore të vëna në qarkullim dhe të shfrytëzuara deri më tani, relacionet kishtare, dëshmitë e udhëtarëve të shumtë të cilat nuk janë për t’u nënvlerësuar janë të mjaftueshme për rivlerësimin e asaj që zakonisht jo saktësisht e quajmë tolerancë fetare midis shqiptarëve. Porse, përtej tolerancës aq shumë të popullarizuar të të parëve tanë të besimeve të ndryshme vërehet një shkallë shumë më e lartë e saj, bashkëjetesa ndërfetare midis tyre. Është fjala për një vlerë madhore unikale të jetës shoqërore dhe shpirtërore të shqiptarëve. 

Toleranca midis elementëve të ndryshëm fetarë, harmonia ndërmjet tyre dhe mbi të gjitha bashkëjetesa e shqiptarëve pluralistë nga ana fetare dëshmohen në shumë aspekte të jetës, duke filluar që në përshëndetjet midis tyre.  Ajo vërehet dukshëm te respekti që ata tregojnë për besimet e bashkatdhetarëve, për klerikët e njeri tjetrit, te respekti për vendet e shenjta dhe të kultit të njerit dhe të tjetrit besim, tek urimi i festave fetare të njeri tjetrit etj.  Porse duhet pranuar se shfaqje të tilla të tolerancës nuk janë karakteristike vetëm për shqiptarët. Ato ndeshen dhe te popuj të tjerë. Ajo çka i dallon dukshëm shqiptarët e të dy besimeve nga popujt e tjerë, veçanërisht nga fqinjët, është bashkëjetesa e ngushtë ndërfetare që ka mbijetuar në shekuj deri në ditët tona. Kur flasim për fqinjët kemi parasysh jo vetëm sllavët e Jugut të cilët u ndanë nga njeri tjetri edhe kombëtarisht, kryesisht, për shkak të fesë. Ndërsa për grekët çdo ortodoks, të paktën në Ballkanin Perëndimor, duhet t’i përkasë kombit të tyre.  Në këto kushte, në të dy rastet, vështirë se mund të bëhet fjalë për tolerancë midis besimtarëve të riteve të ndryshme dhe aq më pak për bashkëjetesë ndërfetare. 
 
Presioni osman

Bashkëjetesa ndërfetare është trashëguar që nga periudha paraosmane. Ajo nuk është cënuar edhe gjatë procesit të përhapjes shkallë-shkallë të islamizmit në mesin e shqiptarëve dhe e ka shoqëruar atë deri në fund të sundimit osman.

Islamizimi fillonte me kryefamiljarët dhe meshkujt e rritur, të cilët bashkëjetonin me anëtarët e tjerë të familjes të paislamizuar ende. Pastaj procesi në fjalë shtrihej te gratë dhe te  fëmijët. Detyrimi ekonomik ka qenë rruga kryesore për islamizimin në masë të shqiptarëve.  Masa të tilla të ndërmarra nga Porta e Lartë në viset shqiptare, nuk vërehet të jenë zbatuar në këto përmasa në trevat e tjera të Ballkanit. Ato synonin, fillimisht, të shuanin apo së pakut të neutralizonin jehonën e qëndresës antiosmane të shqiptarëve në shek. XV. Pozita gjeostrategjike e Shqipërisë, ashtu sikurse dhe ajo e Bosnjës, u diktuan autoriteteve osmane marrjen e masave të këtij lloji për ta qetësuar Shqipërinë përmes islamizimit.

Kalimi jo në masë dhe jo i menjëhershëm i shqiptarëve në besimin e ri flet, veç të tjerash, në të mirë të tezës, se ky kalim është bërë pa dhunë të drejtpërdrejtë. Aristidh Kolja, arvaniti i mirënjohur i   thekson, me të drejtë, që nuk ka ekzistuar asnjë rast i kthimit të fesë të shqiptarëve me dhunë nga ana e turqve.  Këtë ai e konsideron “një gënjeshtër qëllimkeqe”.  Më tej, ai ngul këmbë që “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me dhunë është pjellë e fantazisë dhe shpikje e murgjëve dhe nuk është aspak e hijshme që ta pretendojnë këtë historianët”.   

Rruga që ka ndjekur përhapja dhe ngulitja e besimeve, bashkëjetesa e gjatë e mbeturinave të paganizmit me krishterimin, kanë bërë që besimtarët e të dy feve të trashëgojnë shumë gjera të përbashkëta. Ndërsa nderimi për festat e njeri tjetrit dhe urimet e ndërsjella për këto raste kanë qenë dhe mbeten diçka tepër e zakonshme, disa nga ditët e të kremteve të myslimanëve dhe të të krishterëve shpeshherë janë festuar bashkarisht. Të tilla janë që nga dita e verës dhe deri te nata e buzmit, e ndërrimit të moteve.

Për rrjedhim, shumë vende pelegrinazhi janë të përbashkëta dhe vizitohen si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët. Janë të famshëm në këtë drejtim Manastiri i Shën Naumit apo Sarisalltëku në brigjet e Liqenit të Ohrit, gërmadhat e kishës së Marisë, Zonja e Këshillës së Mirë, në Shkodër, vendi i shenjtë i bektashinjve në Malin e Tomorrit etj.
Dëshmitarë të huaj japin të dhëna interesante lidhur me ceremonitë fetare, të cilat zhvilloheshin në të njëjtën vend, si për myslimanët ashtu dhe për të krishterët.  Ende në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, ndodhte që i njëjti lokal, të premten shërbente si xhami, kurse ditën e dielë përdorej si kishë. Familje myslimane më të pasura vinin në dispozicion shtëpinë e tyre për zhvillimin e meshes në të cilën merrnin pjesë dhe myslimanët. Siç shihet, ceremonitë fetare të krishtera dhe myslimane kryheshin nën të njëjtën çati. Një bashkëjetesë e tillë, me sa dimë, nuk ndeshet kurrkund te popujt e tjerë. 

Në mbajtjen e këtyre qëndrimeve të ndërsjella tejet tolerante, përcaktuese nuk ishte, siç shprehet ndonjë autor, varfëria e banorëve. Ishte, në radhë të parë, mungesa e fanatizmit, ishte harmonia fetare e trashëguar midis besimtarëve, e cila e tejkalonte tolerancën për të cilën është bërë zakon të flitet dhe të shkruhet aq shumë. Të gjitha këto lejonin një trajtim liberal, pa kurrëfarë paragjykimesh dhe kompleksesh dogmatike të vendeve të ushtrimit të riteve fetare, kuptohet në një dekor fare të thjeshtëzuar.
Burimet japin shembuj të shumtë që dëshmojnë se si shqiptarët, pa dallim besimi, në raste sëmundjesh, venin për të gjetur shërim edhe në xhami edhe në kishë dhe u luteshin si hoxhës ashtu dhe priftit t’i bekonin dhe t’u jepnin nuska.

Një shfaqje tjetër e bashkëjetesës midis shqiptarëve dybesimësh është dhe zakoni i lashtë i kumbarisë apo i nunit, marrje në perkujdesje, si tutor (marrje ne patronazh) e brezit të ri. Në të shumtën e rasteve, parapëlqehej që kjo lidhje miqësore familjare të bëhej midis bashkatdhetarëve të besimeve të ndryshme.  
 
Martesat e përzjera

Një formë tjetër e lidhjeve miqësore dhe familjare midis myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë ishte dhe ai i vëllamërisë. Zakoi jo pak i përhapur në Shqipëri, i vëllazërisë së zgjedhur ose i vëllezërve të gjakut, në të shumtën e rasteve, siç dëshmojnë autorë të huaj si Lovro Mihaçeviç dhe Domeniko Pasi dhe të tjerë, realizohej ndërmjet katolikëve e myslimaneve. Madje, dhe klerikë katolikë qenë bërë  vëllamër  me bajraktarë myslimanë. Duke kapërcyer lidhjet midis vëllezërve në Krisht dhe të vëllezërve të Dinit (të fesë myslimane), ripohohej dhe përforcohej lidhja e gjakut e trashëguar. 

Familjet e krishtera pranonin, për arsye ekonomike dhe me gjerë, në gjirin e saj burra, që përqafonin islamizmin. Ndërsa, familje myslimane vijonin përfshirjen pa farë kompleksi të grave të krishtera në gjirin e vet me anë martesash.  

Martesat e përzjera midis myslimanëve dhe të krishterëve paraqesin interes të veçantë.  Zakonisht, fjala është për burrat myslimanë të cilët martoheshin me vajza të krishtera, të cilave nuk u vihej kusht që të ndërronin fenë. Martesa e burrave të krishterë me vajza myslimane ndeshet rrallë. Pengesë bëhej kushti që i vihej nuses për të kaluar menjëherë në fenë e burrit. 

Familjet e përzjera nuk qenë dukuri e rrallë, sidomos në krahinat malore të Shqipërisë së Veriut. Fëmijet, që lindnin nga këto martesa të përzjera djemtë ndiqnin ritin e babajt ndërsa vajzat edukoheshin me besimin e nënës.  Siç shihet, kemi të bëjmë me koncepte thellësisht tolerante pluraliste në pikëpamje fetare të anëtarëve të këtyre familjeve. Pluralizmi fetar brenda familjes mbijetonte më gjatë dhe të shtrihej edhe te trashëgimtarët. 

Siç njoftojnë relatorët kishtarë, në fillim të shekullit XVII, dhe udhëtarë të huaj në shekullin XIX edhe myslimanët, gratë e të cilëve ishin të krishtera, paguanin të dhjetën e priftit. Pra, fjala është për një bashkëjetesë ndërfetare që i tejkalonte ndjeshëm kërkesat e një tolerance dhe harmonie sado konsekuente qoftë ajo.

Kleri i lartë katolik u përpoq t’i ndalonte martesat e përzjera. Kjo duhet të jetë dhe arsyeja që janë tejet të rralla rastet që një myslimane të martohej me një katolik. Pati dhe raste sa puna arriti të digjnin një shtëpi, me që i zoti i saj, vajzen e tij e kishte martuar me një mysliman.

Për t’i prerë rrugën martesave të përzjera u organizuan tubime të posaçme kishtare që nga Koncili i parë i Arbënit. Në to u morën vendime që grave të krishtera, që bashkëjetonin me myslimanë, të mos u lejoheshin sakramentet nga klerikët katolikë. Burrat e tyre myslimanë me shumë tolerance jo vetëm nuk ua ndalonin këtë të drejtë por edhe ua lejonin atë bashkëshorteve të tyre me një mirëkuptim për t’u admiruar. Kisha ua mohonte kategorikisht këtë mundësi që u jepej nga bashkëshortët e tyre myslimanë. Këto gra edhe pse paguanin rregullisht, siç u përmend më lart, detyrimet për mbajtjen e priftit, ky ndalohej nga autoritetet kishtare të kryente shërbimet që kishte detyrë ndaj tyre. Këto masa sado që i frenuan martesat e përzjera, nuk arritën t’i ndalonin tërësisht.  Porse, si pasojë e këtyre përpjekjeve këmbëngulëse të klerit të lartë katolik, numri i martesave  të përziera gjithsesi erdhi duke u paksuar. 

Bashkëjetesa ndërfetare midis shqiptarëve shkallën e vet më të lartë e arrin me laramanizimin e tyre. Në literaturën shkencore ai është vlerësuar përgjithësisht, me të drejtë, që prej kohësh si shfaqje e theksuar e tolerances fetare. Përpjekjet për ta paraqitur atë si shembull tipik i intolerances fetare të sundimtarëve osmanë ndaj të krishterëve nuk qëndrojnë.

Një dukuri kësisoji si laramanizmi, siç dihet tashmë, rrjedh nga përpjekjet e besimtarëve të krishterë për të siguruar, në kuadër të sistemit politiko-fetar ekzistues nën sundimin osman, kushte më të mira jetese. Mbajtjen e qëndrimeve të tilla elastike laramanëve u a mundësuan mungesa e intolerances në radhët e sundimtarëve osmanë, gjegjësisht, islamë dhe sidomos toleranca e myslimanëve shqiptarë, që nuk i tëhajsuan vëllezërit e tyre të një gjaku. Në fund të fundit, ajo është shprehje e mungesës së fanatizmit fetar midis vetë laramanëve, çka nuk i ka penguar ata të mbanin qëndrime të tilla të dyzuara. 

Ekzistenca e të ashtuquajturve krishterë të fshehtë, e kriptokristianëve, dëshmon se bashkëjetesa e besimeve fetare shtrihet tashmë jo vetëm brenda për brenda një familjeje por zë vend paqësisht edhe brenda mendjes e zemrës së një personi. Që të realizohej kjo duhej, së parit, që personi të ishte i xhveshur nga fanatizmi fetar si dhe nga komplekset e inferioritetit të njerit besim ndaj një tjetri. Nga ana tjetër, duhej që masa mbizotëruese e besimtarëve islamë, nga ana e saj, të ishte e xhveshur nga kompleksi i superioritetit numerik të besimit të vet të mbështetur nga sundimtarët osmanë.

Nuk ka dyshim, që kjo dukuri e laramanizmit është formë e përpjekjeve të shqiptarëve për t’iu shmangur si detyrimeve fiskale apo dhe atyre ushtarake. Përballë kërkesave të autoriteteve osmane për pagimin e detyrimeve financiare shtetërore ata refuzonin, duke u paraqitur si myslimanë; ndërsa përballë kërkesës të po këtyre autoriteteve për t’i mobilizuar ata ushtarakisht, ata paraqiteshin të krishterë.  Sigurisht që këtë qëndrim eklektik, të dyfaqshëm e favorizonte terreni i thyer malor i vendbanimeve në fjalë, siç ishin Lura, Shpati, Malësia e Mbishkodrës, Malesia e Gjakovës etj, ku ai mbijetoi.  Sigurisht, që ndaj përpjekjeve të tilla për t’i bishtnuar detyrimeve shtetërore, ka pasur dhe qëndrime të rrepta të autoriteteve osmane në gjirin e të cilave kishte shumë shqiptarë. Porse kurrsesi këto nuk mund të vlerësohen si qëndrime intolerante nga ana fetare. Ato ishin masa administrative kundër evazionit fiskal të kohës apo kundër shmangies nga detyrimi i shërbimit ushtarak.

Pavarësisht nga faktorët që e diktuan dhe terrenin që e mundësonte këtë qëndrim, kjo dukuri nuk mund të përhapej në kushtet e qëndrimeve fanatike në pikëpamje fetare.  Ajo mund të ndeshet vetëm në kushtet e ekzistencës së bashkëjetesës ndërfetare të trashëguar, si ajo që vërehet ndërmjet shqiptarëve.   

Tipike në këtë drejtim paraqitet treva e Lurës.  Siç e pranon dhe misionari kroat Ll. Mihaçeviç, myslimanët dhe katolikët e kësaj ane “janë aq të afërt me njeri tjetrin sa që nuk ka dhe nuk bëhet kurrfarë dallimi midis tyre.  Ata jetojnë si vëllezër siç janë në të vërtetë”. Mesha ku merrnin pjesë dhe myslimanët zhvillohej në shtëpinë e një myslimani të pasur, i cili shoqërohej me priftërinjtë katolikë.  

Në kushtet e dybesimit njerëzit mbanin dy emra.  Në këtë mjedis, pak të quhet, tolerant festimi bashkarisht i festave fetare të njeri tjetrit si dhe kremtimi i festave të përbashkëta dhe martesat e përzjera ishin diçka e zakonshme.  Këtë bashkëjetesë shembullore Domeniko Pasi, më 1901, në kundërshtim edhe me vetë konstatimet e tij mjaft interesante, në zbatim të urdhëresave të eprorëve i vlerëson negativisht. Ai arrin deri atje sa t’i quajë “Fatkeqesia e Lurës”. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një perlë të shkëlqyer të shpirtit tejet tolerant të shqiptarëvet!

Përpjekjet e koncileve shqiptare, që me koncilin e parë, të kryesuar nga kryepeshkopi Zmajeviç, më 1703, për të frenuar kalimin e të krishterëve në islamizëm, siç del, kanë dhënë përfundime të kundërta nga ato që donin të arrinin autorët e tyre.  Po kështu, mund të thuhet, dhe për enciklikën e papa Benediktit XIV (1754), e cila ndalonte përdorimin e emrave myslimanë, me anën e të cilëve të krishterët donin t’i shmangeshin barrës së taksave. Dhe emrat laramanë vijojnë të përdoren deri në fund të sundimit osman si për shembull Mehmet Shpendi, atdhetari i mirënjohur i Shalës. Ata janë në përdorim dhe sot e kësaj dite si p.sh. Dom Gjergj Meta. Këto shembuj tregojnë se kleri shqiptar nuk u ka qëndruar strikt urdhrave të eprorëve.  

Këto masa të autoriteteve të larta kishtare në trevat shqiptare kërkonin të frenonin laramanizimin e grigjës së saj, për të penguar islamizimin e tyre.  Por, këto përpjekje ndikuan në drejtim të kundërt, e përshpejtuan procesin e kalimit në islamizëm të këtyre elementëve, të cilët, me sa duket, nuk qenë të paktë, dhe nuk munguan deri në fillim të shekullit XX.  

Laramanizmi i shqiptarëve u thellua dhe më tej me lëvizjen unite.  Kjo lëvizje tashmë nuk diktohej nga motive fetare apo edhe ekonomike. Ajo nisi dhe u përvijua nga motive të mirëfillta kombëtare për t’i bërë ballë politikës asimiluese shkombëtarizuese, greqizuese të kishës ortodokse me anë të liturgjive në gjuhën greke dhe, sidomos, të shkollave greke. Shqiptarëve nuk u lejohej, në zbatim të sistemit të mileteve, nga ana e autoriteteve osmane arsimimi në gjuhën e tyre amtare, ndryshe nga popujt fqinjë. Ndërsa kisha vepronte egërsisht kundër prinderve që dërgonin fëmijët në këto shkolla. Gjergj Qirjazi krahas kërkesës për hapjen e shkollë shqipe kërkoi leje edhe për hapjen e një varreze ku të preheshin përjetësisht prindërit e fëmijëve që do të ndiqnin shkollën që do të hapej (!?).

Laramanizmi

Synimet atdhetare të shpatarakëve lidhur me kërkesën e tyre për kthimin në unitë, i bën të qarta udhëheqësi i tyre shpirtëror kleriku atdhetar Papa Jorgji në një letër që i drejtonte konsullatës austro-hungareze në Manastir, në shkurt të vitit 1900, në të cilën shkruante:  “Qëllimi im është protesta e një prifti, që me të drejtë ngrihet kundër Patrikanës, e cila, duke shkelur detyrat klerikale, është bërë vegël e politikës greke dhe synon të shkombëtarizojë shqiptarët.  Unë përsëris, - thekson autori i letrës, - se motivet e mija janë kombëtare  dhe synojnë vetëm e vetëm për të çliruar bashkatdhetarët, që jetojnë në errësirë dhe barbarizëm, se vetëm arsimi kombëtar është në gjendje që të formojë një popull kombëtarisht dhe fetarisht, në mënyrë që ai të bëhet i aftë për të formuar një trup kombëtar”.  

Shembulli i Shpatit është mjaft kuptimplotë.  Laramanizimi aty mori përmasa të trifishta.  Të ashtuquajturit kriptokrishterë të kësaj treve që hiqeshin si myslimanë dhe në shtëpi ndiqnin besimin kristian të ritit grek kërkuan të lejoheshin që të njihnin për të parë feje Papën e Romës. 

Zhvillimi i kësaj dukurie ka, pa dyshim, si kusht të parë, sine quanon, mungesën e fanatizmit fetar, në shkallë të tillë që lejon dukuri të këtij lloji të bashkëjetesës së të tri besimeve në të njëjtën trevë, te e njëta familje, te i njëjti person. 

Të gjithë shembujt që çekëm më sipër dëshmojnë qartazi se këto raste nuk flasin thjesht për shfaqje të tolerances nga ana e shumicës myslimane. Nuk është fjala që të krishterët, në pakicë, ishin të detyruar ta duronin palën tjetër.  Prandaj duhet theksuar, se kemi të bëjmë më tepër me zemërgjerësinë e shumicës mbizotëruese myslimane, apo pasivitetin, përgjithësisht, të pushtetit osman.

Laramanët, bartës të këtij besimi të ndërmjemë apo të dyfishtë, në Shqipëri në periudhën osmane si në të  gjithë Perandorinë Osmane nuk u ndodhën në mes të jetës dhe vdekjes, para një alternative pa rrugëdalje, sikurse myslimanët në Spanjë, në Pashallekun e Beogradit apo në Kretë, pas rivendosjes së sundimit të krishterë në këto vende. Për shkak të intolerances, në radhë të pare, të sundimtarëve të rinj të krishterë midis moriskëve dhe turkushëve si dhe kretasve të islamizuar nuk ndeshet një dukuri analoge si kriptokristianizmi, ajo e kriptomyslimanizmit. Nën sundimtarët e krishterë nuk pati vend për një kategori të tillë sado të diskriminuar të myslimanëve. Ato i priste ose vdekja ose dëbimi masiv, rrugë të mesme “kriptomyslimane”, si ajo “kriptokristiane”, nuk pati për ta. Imponimi i pushtetit tejet fanatik i krishterë nuk la shteg për një mundësi të tillë, ai shkonte përtej saj. Gjithë kjo përfaqëson një tregues mjaft shprehës të mungesës së tolerances, nga njëra anë, dhe të intolerances, nga ana tjetër.

 Të ndarë, për vetë kushtet historike të cekura më sipër, midis dy kishave Perëndimore dhe Lindore, në gjuhë latine dhe greke, shqiptarët, edhe pse ruajtën vetëdijen e njësuar etnike epirote-shqiptare,  nuk arritën të krijonin një kishë kombëtare të vetme dhe në gjuhë amtare.  Një kishë e tillë u bë, mund të thuhet, pa e tepruar, bashkëjetesa ndërfetare.  Përkundrejt këtij fakti, nuk duhet harruar, që shqiptarët, megjithëse të ndodhur në kushte të tilla tepër negative, të cilat mund ta shdërronin këtë ndarje fetare në përçarje kombëtare, e ruajtën bashkimin kombëtar.  Kjo nuk është një meritë e vogël historike e tyre, sidomos, po të kemi parsysh atë që ndodhi me fqinjët tanë sllavë. 

Dhe shqiptarët mbetën shqiptarë dhe sot e kësaj dite, dhe siç ka theksuar Samiu ynë i madh, edhe pasi u bënë të krishterë dhe myslimanë. Kjo nuk ka qenë diçka e lehtë për ta. Megjithatë ata nuk u ndanë asnjëherë nga vëllezërit e tyre të një gjaku.  Gjithë kjo përbën një nga Marrëveshjet e tyre madhore historike me pasoja vendimtare për fatin e tyre të përbashkët kombëtar.

Islamizmi me tolerancën e vet të pranuar nga shkencsa e islamologjisë në Lindje dhe në Perëndim, u përhap gjërësisht në mesin e shqiptarëve, përveç të tjerash, edhe në sajë të mungesës së fanatizmit fetar midis tyre, në sajë të tolerancës së mrekullueshme të kultivuar në shekuj, në kushte të caktuara gjeopolitike dhe të një gjendjeje gjeofetare të trashëguar po në shekuj.  I përhapur në një mjedis tolerant, i cili nuk iu bë pengesë, sikurse ka ndodhur në vende të tjera, islamizmi pikërisht për shkak të kësaj tradite, nuk u bë dhe vështirë që mund të bëhej dhe vetë në këtë truall, burim i intolerancës fetare.  Kjo nuk ndodhi edhe pse Shqipëria gjendej nën sundimin e një sulltani që ishte njëkohësisht dhe Kalif i të gjithë myslimanëve të botës.  

Nuk duhet harruar që të gjitha format e bashkëjetesës ndërfetare në mesin e shqiptarëve kanë mbijetuar dhe mund të thuhet edhe kanë lulëzuar gjatë shekujve të pushtetit osman. Teza kuranike se Zoti nuk është vetëm i myslimanëve (rab yl myslimin) por i të gjithë njerëzimit (rab yl alemin) gjente zbatim të gjerë jo vetëm në ritualin mysliman por dhe në praktikën administrative osmane.

Intoleranca fetare midis shqiptarëve nuk zuri vend edhe pse nuk munguan forca të interesuara për nxitje në këtë drejtim.  Për këtë u përdorën provokacione të ndryshme që nga ngritja e kryqave vend e pavend, përdhosja e faltoreve dhe vendvarrimeve e tjera forma e metoda të këti lloji. Gjithë këto përpjekje kanë dështuar për meritë të shqiptarëve, bartës të besimit të mëparshëm të krishterë, ortodoks dhe katolik, dhe të besimit të ri islam, të cilët, duke mos harruar prejardhjen e tyre të përbashkët, vunë mbi gjithshka interesat e kombit, ndërgjegjen e tyre kombëtare mbi ndjenjat fetare. 

Kur bëjmë fjalë për marrëdhënjet model dhe unikale ndërfetare në mesin e shqiptarëve në veprimtari shkencore  kombëtare dhe ndërkombëtare apo ju bëjmë jehonë atyre në shtypin e huaj nuk ia vlen të krenohemi me tolerancën, për çka dallohen dhe shumica e popujve të botës./shqiperia.com

♛Melody♛
♛Melody♛

Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances Coolte21

Shteti Shteti : Bashkejetesa nderfetare perballe tolerances Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi