Çmenduritë dhe mizoritë e Ali Pashë Tepelenës për të kënaqur Vasiliqinë
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura
Faqja 1 e 1
Çmenduritë dhe mizoritë e Ali Pashë Tepelenës për të kënaqur Vasiliqinë
[*]TIRANE - Dashuria e Aliut për Vasiliqinë me kalimin e kohës forcohej dhe ndikimi i saj ishte bërë kaq i madh, saqë disa bashkëkohës europianë, duke shkruar për këtë çështje, na sjellin ndër mend legjendën e vjetër të Herakliut me Omfalinë. I shtrirë mbi gjunjët e saj, duke e vështruar për orë të tëra pa nxjerrë zë, me merakun më të thellë të lindorëve, Aliu nuk ëndërronte gjë tjetër përveç asaj se si të kishte një djalë me të, i cili do të kishte bukurinë e saj dhe aftësitë e tij, dhe do të rrinte në fron si pasardhësi i tij i plotfuqishëm dhe një mbret shumë i pashëm.
Por duke parë se vitet po kalonin dhe ky djalë nuk po vinte, duke parë gjithashtu se bashkë me fuqinë e tij mashkullore po shuheshin dhe po zhdukeshin edhe shpresat e tij të fundit për një fëmijë, mendoi t’ia jepte Vasiliqinë si “bashkëshorte” nipit të tij Mehmetit, djalit të Veliut. “Kishte një dëshirë të zjarrtë, - shkruan një prej historianëve të tij, - që të bënte fëmijë me Vasiliqinë, por nuk ia arriti ta shihte të plotësuar këtë dëshirë dhe për këtë ndiente dëshpërim të thellë... Vërtetohet se me nxitjen e tij Vasiliqia erdhi shpesh në kontakt me nipin e tij Mehmetin, djalin e Veliut, por pa rezultat”.
Siç e pamë, Aliu kishte dhe një djalë të ri në moshë, Saliun, që në atë periudhë ishte komandant i Epaktos. Por për Vasiliqinë preferonte Mehmetin, sepse ishte më i bukur dhe e donte më shumë. Kishte arsye të besonte se edhe Mehmeti ishte djali i tij, fryt i lidhjes së tij të paligjshme me Zejbedenë. Duke qenë djalë i mëkatit, Mehmeti kishte gjithë dashurinë dhe kujdesin e pashait. Në mes të gjithë këtyre dëshirave të errëta dhe të ngatërruara, futej edhe meraku i sëmurë i pleqërisë kur shihte një trim të bukur dhe plot gjallëri të gëzonte hiret e gruas së tij të dashur, e cila nuk ishte më për të.
Bënte ç’të mundej që Vasiliqia ta kalonte këndshëm jetën e saj brenda sarajit. Aktorët shëtitës që kalonin nga Janina - më të shumtët ishin italianë - i ftonte që të jepnin shfaqje në pallat për të argëtuar gruan e tij. Organizonte luftë gurësh para sarajit, që ta ndiqte nga hajati i madh. Që të mos mendojë njeri se po bëj humor, po sjell më poshtë tregimin autentik të Smart Angsit:
“Pasdite herët arritëm në qytet nga rruga e Artës, por u detyruam të ndalemi para një turme të madhe qytetarësh, të cilët ishin shpërndarë në varrezën e madhe, përballë pallateve të Aliut dhe të djemve të tij Myftar dhe Veli. Pothuajse gjysma e popullsisë ishte mbledhur këtu për të ndjekur këtë lojë luftërash midis të rinjve të dy lagjeve të mëdha, të cilët i gjuanin njeri tjetrit me gurë,dhe këto gurë i hidhnin me dorë ose me hobe, që t’i shihnin nga pallati Aliu së bashku me gratë e tij. Kampet kundërshtare përpiqeshin që të fitonin terren dhe ndiqnin të mundurit duke zënë robër, të cilët i ruanin deri në fund të lojës.
Shumë koka të gjakosura, nxjerrja e ndonjë syri, thyerja e disa dhëmbëve, ishin rezultatet e këndshme të kësaj lufte origjinale që zhvillohet në bazë të një strategjie dhe që në shumë pika i ngjan teknikës luftarake. Pashë me habi mënyrën se si këta të rinj mbanin kapotat e tyre të bardha në parakrahun e majtë dhe i përdornin si mburojë nga gurët e kundërshtarit, në po atë mënyrë qe enët e lashtësisë paraqesin të pikturuar Herakliun që përdor si mburojë lëkurën e luanit, ose siç paraqitet e pikturuar Athinaja, e cila përdor me të njëjtën mënyrë mbrojtëse pelerinën e saj. Këto lojëra i pëlqenin shumë Aliut dhe bijve të tij. Shumë herë merrnin pjesë aktive, duke u dhënë përkrahje morale herë njërës palë dhe herë palës tjetër”.
Një prej shfaqjeve të tjera që ofronte shpesh Aliu për Vasiliqinë dhe djemtë e tij, ishte xhiriti: imitim i një beteje të vërtetë midis dy grupe kalorësish, që gjuanin njeri kundër tjetrit me heshta pa majë, me trashësi mesatare dhe gjatësi pak më të madhe se një metër.
Të rinjtë që marrin pjesë në këtë lojë, i mbajnë për një moment kuajt e tyre përballë kundërshtarëve, marrin shenjë, dhe hedhin me shpejtësi heshtat kundër tyre. Pastaj largohen me revan duke përshkuar rrathë, të ndjekur prej kalorësve të palës tjetër. Për t’iu shmangur goditjeve, përkulin plotësisht trupin mbi shalë dhe mbajnë kokën në të njëjtin nivel me qafën e kalit. “Zhurmat dhe gjallëria e kësaj loje janë të papërshkueshme, - na thotë Angsi, - sepse myslimani, me gjithë shkujdesjen e tij, kur garon apo lufton shfaq karakter të dhunshëm, mjafton që t’i ndizet gjaku e të fillojë t’i qarkullojë shpejt. Atëherë ai sulet si një kalë i azdisur, me një mani të pafre.
Por ajo që u bën shumë përshtypje spektatorëve është shkathtësia e kuajve. Këto kafshë të zgjuara dhe të disiplinuara stërviten që të ndalojnë dhe të sulen me shpejtësi të madhe, të përshkojnë rrathë brenda një hapësire të kufizuar, të dalin rrufeshëm nga rruga për të shmangur heshtat që armiku hedh kundër kalorësve të vet, janë stërvitur që në vrap e sipër të formojnë formacionet më të komplikuara. Sikur i kuptojnë shkëlqyeshëm qëllimet e kalorësit. Por është për të ardhur keq për egërsinë me të cilën i përdorin njerëzit në këto lojëra. I pashë këto kafshë të shkreta, kur po i tërhiqnin nga fusha pasi mbaroi loja, të kullonin gjak nga përdorimi i vrazhdë i frerëve”.
Në atë periudhë arriti kulmin e shkëlqimit të vet edhe një aktivitet tjetër në Oborrin e Aliut, gjuetitë e mëdha, që zakonisht organizoheshin me rastin e ndonjë martese të pasur dhe mondane apo të pritjes së ndonjë zyrtari të huaj. Gjuetitë që Aliu organizonte në liqen nuk mund të krahasoheshin mbase as me gjuetitë e mëdha të Ludovikëve të Francës.
“Të nesërmen e martesës së Jani Mellasit, - shkruan një i huaj që mori pjesë, - na ftuan që të shoqërojmë Myftar pashën në një gjueti të madhe në liqen. Pasi u përgatitëm, zbritëm në breg, duke pasur si shoqërues Nikolla Argjirin dhe vëllain e tij Xhovanin. Aty, sipas urdhërit që kishte dhënë pashai, na prisnin dy kaike. Ndërkohë të gjitha kaiket e tjera, në të cilat kishin hipur mbi njëqind gjuetarë, ishin nisur dhe po lundronin në skajin jugor të liqenit. Lundërtarët tanë u jepnin remave fort dhe pas pak i arritëm. Në çdo kaike, përveç marinarëve, ndodheshin edhe një ose më shumë gjuetarë, të cilët kishin me vete një numër të madh armësh.
Kjo flotë, duke zënë një sipërfaqe të madhe të liqenit, po avanconte duke formuar njëfarë fronti dhe duke marrë përpara tufa të panumërta patash të egra, deri në momentin që nga dy kaiket që ndodheshin në skajet e flotës u dëgjuan të shtëna që u pasuan nga të shtëna prej kaikeve të tjera. Flota filloi t’i mbyllë patat brenda një rrethi dhe ato u ngritën në fluturim duke formuar re të zeza që kalonin sipër kokave tona. Atëherë të shtënat nga kaiket u shpeshtuan dhe vazhduan pa pushim për rreth një çerek ore, derisa sipërfaqja e liqenit u mbush me zogj të vrarë.
Ne gjendeshim pothuajse në mes të flotiljes, afër Myftar pashës, i cili kishte në kaiken e tij pothuajse njëzet armë që ia rimbushnin shpejt ushtarët e tij shqiptarë. Pashai ishte një qitës shumë i zoti, rrallë nuk qëllonte në shenjë. Thonë se duke vrapuar me kalë mund të vriste një lepur, por ne nuk e pamë me sytë tanë një gjë të tillë. Disa prej armëve të tij kishin tyta shumë të gjata. Kur na pa ne, që po vrisnim zogj me armë me tyta të shkurtra, na u lut që t’ia dërgonim ato armë në kaiken e tij që t’i shihte.
Pasi gjuetarët mblodhën gjahun e vrarë, flota e vogël vazhdoi me ndjekjen e zogjve që ishin larguar në një zonë tjetër të liqenit. Pamja ishte shumë e bukur. Dielli në atë moment shkëlqente. Malet e mbuluara me dëborë si dhe peizazhi përreth së bashku me selvitë, pasqyroheshin në ujërat e tejdukshme të liqenit. Krismat e armëve nga kaiket të krijonin idenë e një beteje detare dhe jehona prej maleve përreth e njëqindfishonte numrin e tyre. Me qindra shqiponja dhe zogj grabitqarë që fluturonin rreth brigjeve të liqenit, duke përplasur fort krahët e tyre të fuqishëm dhe me krakëllimat e tyre të gëzueshme për prenë që po i priste, i shtoheshin madhështisë së kësaj pamjeje. Pas një gjuetie prej katër orësh, në liqen u shfaq vetë Aliu me varkën e tij luksoze, por nuk mori pjesë në gjueti.
Pas kësaj, meqenëse filloi të frynte erë, u dha sinjali i kthimit dhe të gjitha kaiket morën drejtimin për në qytet. Por Myftari që ishte i ftuar për drekë në shtëpinë e një të njohuri të tij në ishullin e liqenit, na ftoi edhe ne. Aty gjetëm ushqim të zgjedhur, të gatuar në një shtëpi që shkëlqente nga pastërtia. Ne u ulëm në krahun e djathtë dhe të majtë të pashait, në këndin e divanit. Dy oficerë shqiptarë si dhe Nikolla, që u ftua dhe ai për drekë, u ulën përtokë këmbëkryq, në një tavolinë të rrumbullakët dhe të ulët ku iu servir ushqimi. Vetëm për mua dhe mikun tim kishin vendosur pjata. Ushqimin e hanin me gishta. Një Ganimid i ri në moshë, me flokë të gjatë e të dendur dhe rroba të qëndisura, me një kanë me verë dhe gota, qëndronte pas Myftarit, për t’i shërbyer të zotit të tij dhe të ftuarve të tjerë.
Etja e Aliut për luks e shkëlqim në atë periudhë, shfaqej më tepër në dasmat e familjarëve si dhe të oborrtarëve të tij. Për vite me radhë flisnin në Janinë për dasmën e të birit, Saliut. Të gjitha qytetet dhe fshatrat si dhe të gjitha esnafet u detyruan që të çonin dhurata për dasmën. Për një muaj të tërë, qyteti i Janinës ishte i mbushur me kuaj, dhen, qe, mushka dhe lloje të ndryshme zogjsh që i erdhën dhëndrit si dhuratë. Gratë e familjeve të varfra transportonin dru dhe mjaltë. Arrinin në qytet të dërmuara, së bashku me burrat apo vëllezërit e tyre, duke kënduar nga zori, sepse ndiheshin të kërcënuar prej kabashëve të Aliut që i shoqëronin.
Dy burra, me origjinë cigane, lindur e rritur në Janinë, në shenjë përkushtimi për Aliun dhe dhëndrin e ri dhe duke i dhënë veprimit të tyre njëfarë karakteri fetar, morën mbi vete çdo fatkeqësi apo çdo gjë tjetër të keqe që do të kërcënonte këta dy persona të lartë. Para grumbujve të njerëzve që zhurmonin përreth pallatit dhe në oborr, dy ciganët hipën në kullën e sarajit dhe u hodhën poshtë mbi kalldrëm. Ishte një koincidencë e çuditshme që asnjë prej të dyve nuk pësoi gjë nga hedhja prej asaj lartësie të madhe.
Më i madhi prej tyre në moshë, rreth dyzetepesë vjeç, ndjeu një dhimbje të lehtë në këmbë dhe në kokë, ndërsa më i riu, rreth njëzet e pesë vjeç, përveçse në kokë dhe në këmbë ndiente dhimbje dhe në kraharor. Turma e priti me duartrokitje këtë gjest dhe e konsideroi si një mrekulli të madhe faktin që nuk pësuan gjë. Më të madhin në moshë prej tyre ia paraqitën menjëherë Aliut. Pashai menjëherë i dha një grusht me monedha të arta dhe dha urdhër që ai të merrte çdo ditë nga saraji, një okë bukë misri.
Diçka të ngjashme i ofroi dhe të dytit. Faktin që shpëtuan nga hedhja nga ajo lartësi, Aliu e konsideroi si një ogur të mirë dhe gjithë ditën ishte në humor. Në këtë kohë filloi t’i kushtonte rëndësi më të madhe paragjykimeve dhe kaq shumë i besonte yllit të tij, saqë shumë herë vendimet për çështje shumë të rëndësishme i merrte pa u thelluar shumë. Madje, kishte dhe një mekanizëm të veçantë me të cilin këshillohej sa herë që i duhej të merte vendime të tilla. Shërbëtorët dhe oborrtarët e shikonin shpesh që futej në një dhomë të vogël dhe të errët në të cilën nuk lejonte që të futej njeri.
Por Ibrahim Manzuri, nga kureshtja, nuk e përmbajti dot veten. U fut në dhomën e vogël dhe zbuloi të fshehtën e saj. “Kishte, - shkruan Manzuri, - një disk të vendosur në pozicion horizontal. Mbi disk ishin skalitur disa shenja kabalistike. Disku, në qendër, kishte një bosht të vogël pingul që përfundonte me majë, mbi të cilin mund të rrotullohej një gjilpërë e artë e ekuilibruar. Për çdo çështje që i interesonte, madje edhe për ato më të thjeshtat, Aliu këshillohej me këtë orakull, duke rrotulluar gjilpërën rreth simboleve kabalistike dhe duke pëshpëritur disa fraza magjike. Në bazë të lëvizjeve të gjilpërës dhe sidomos të simboleve mbi të cilat ajo ndalonte, pashai përcaktonte ecurinë e çështjes që studionte. Asnjëherë nuk u ndodha në këtë ceremoni të Aliut me orakullin e tij sepse ai nuk dëshironte praninë e askujt”.
I kënaqur ngaqë ishin plotësuar të gjitha dëshirat e tij, plot besim në vetvete dhe në fatin e tij, i nënshtruar prej hijeshisë së Vasiliqisë dhe i lumtur me dashurinë e tij, normalisht tani ai duhej të tregohej më i butë në mënyrën se si qeveriste. Por siç do shohim më poshtë, ashtu siç ndodhte me të gjitha veset dhe virtytet e tij, në këtë periudhë shpërtheu edhe ashpërsia e tij.
RRAPI I KAÇANDONIT
Dy rrapet e mëdhenj që shërbenin për dënimet me vdekje, edhe ai që ndodhej në lagjen e sarajit, edhe tjetri në lagjen e jevgjve, kishin punë natë e ditë. Në rrapin e dytë, disa të dënuar i piqnin në zjarr të ngadaltë, të tjerë i varnin ose u ngulnin çengela në trup dhe i linin varur për ditë të tëra derisa jepnin shpirt nga dhimbjet e padurueshme dhe nga etja e pashuar. Aty gjenin vdekje të frikshme, pasi më parë u thyenin gjymtyrët, të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër bëheshin armiq të pashait, disa të tjerëve në atë rrap u rripnin kokën dhe i linin derisa të jepnin shpirt.
Ky rrap, të cilin një shkrimtar anglez e quan “pema e drejtësisë”, ishte në hyrje të qytetit, pranë rrugës që shkon në Artë. Të gjithë xhelatët turkociganë - Aliu kishte një esnaf të tërë prej tyre - banonin në një lagje që kishte marrë emrin “çengelët “, për shkak të veglave të tmerrshme që përdornin për tortura. Por nuk mbetej pas edhe rrapi i parë, që ndodhej në lagjen e sarajit. Aty, me hanxharin dhe çekiçin e jevgjve, thërrmuan kockat e Kaçandonit dhe të vëllait të tij, Hasiotit së bashku me katër shokë të tyre.
Pasi me dinakërinë e tij të zakonshme, fjalët e ëmbla dhe premtimet shekullore, Aliu nuk arriti ta bindte Kaçandonin, të cilin e mbante të burgosur, t’i tregonte vendin ku kishte fshehur thesarin e tij, dha urdhër që ta nxirrnin nga burgu dhe së bashku me vëllain dhe shokët i çuan te rrapi. Xhelatët shtrinë të parin Kaçandonin dhe me një hanxhar të madh, filluan t’i presin copa nga gishtërinjtë dhe në vazhdim t’i copëtonin kockat e duarve dhe të këmbëve.
I drobitur dhe i dobësuar nga një sëmundje që e mundonte prej kohësh, Kaçandoni ndiente dhimbje të padurueshme. Kështu që kur i copëtonin këmbët filloi të rënkonte. I vëllai Hasioti, i cili priste t’i vinte rradha, kur dëgjoi rënkimet, u mundua ta prekte në sedër:
- Pusho, se turpërove burrërinë e trimërisë tënde.
Xhelatët vazhduan me copëtimin e katër shokëve të tyre. Hasiotin e lanë të fundit, për ta thyer shpirtërisht me pamjen e torturave të shokëve të tij. Por ai u tha xhelatëve:
- Nëse jini burra, mos më lidhni se qëndroj vetë.
Dhe pasi u shtri, Hasioti i sfidonte:
- Më prisni, ore, këmbët dhe më thyeni kockat, ashtu si t’iu vijë më mbarë, që tortura të jetë sa më e tmerrshme.
Filluan t’i thyenin kockat njërën pas tjetrës. Ai, derisa dha shpirt, qëndronte pa lëvizur dhe këndonte këngë të kleftëve, thua se ishte në ndonjë festë e jo në torturë. “Midis pazarit edhe kështjellës, - shkruan Angsi, - është një rrugë e ngushtë e cila të nxjerr në një shesh ku janë kapanonet e ushtarëve. Ky vend ishte dëshmitar i dënimeve më të ashpra me vdekje, kur veziri synonte që ta bënte ndonjërin shembull për të tjerët. Këtu disa njerëz u poqën për së gjalli. Disa të tjerëve u prenë këmbë dhe duar dhe të tjerë i lanë të vdisnin me lëkurën e tyre të rrjepur të mbështjellë rreth qafës.
Në fillim nuk u besoja këtyre historive, por për vërtetësinë e tyre më siguruan njerëz seriozë dhe të besueshëm. Disa banorë, madje, ndër më të respektuarit e qytetit të Janinës, kishin biseduar disa herë me këto viktima të mjera, në momentet që i kishin shkuar në hell dhe mbajnë mend se luteshin për pak ujë dhe se vetë këtyre banorëve u vinte keq që nuk kishin mundësi që t’i ndihmonin, nga frika se mos pësonin edhe ata të njëjtin fat. Njeriu në shtëpinë e të cilit bujtëm në Janinë, na tregoi se një ditë kur po shkonte te saraji në Litharicë, pa një prift të cilin e kishin gozhduar për së gjalli në murin e jashtëm të pallatit, në mënyrë që ta shikonin të gjithë.
Një ditë janari të këtij viti, sarajet i pushtoi një shqetësim i madh: Një shqiptar, nëpërmjet një tuneli, u fut në thesarin e Aliut dhe vodhi aq sa mundi. Por për fatin e tij të keq, e arrestuan në një galeri të nëndheshme, afër kishës së Mitropolisë. Aliu dha urdhër që ta zhvishnin dhe kështu lakuriq ta hidhnin në kafazin e leopardit. Por ndodhi çudia: egërsira, me gjithë yshtjet e ushtarëve, qëndronte i palëvizur brenda në kafaz, para të dënuarit të tmerruar. Pas shumë përpjekjesh të kota, ushtarët duke e shpuar të dënuarin me thika dhe shkopinj të mprehtë e shtynë drejt egërsirës.
Me një goditje të fuqishme me këmbë, leopardi e hodhi në tokë të gjakosur, dhe duke u rrotulluar rreth tij u kufizua vetëm sa ta shkelte dy-tre herë me këmbë, por pa e shqyer me thonjtë e tij. Pas kësaj Aliu dha urdhër që kafazin ta lidhnin pas dy kuajve dhe ta shëtisnin në rrugët kryesore të qytetit. Por më kot: leopardi qëndronte në kafaz, duke parë me apati rreth tij si dhe të dënuarin, i cili gjendej vazhdimisht i shtrirë para këmbëve të tij. Pasi e kthyen kafazin në saraj, Aliu dha urdhër që ta nxirrnin të dënuarin që aty. Egërsira e pa që largohej nga kafazi dhe nuk reagoi fare. Por egërsira me fytyrë njeriu u tregua shumë më pak bujar: Aliu dha urdhër që i dënuari, që shpëtoi nga leopardi si për mrekulli, të varej në litar.”
(Në foto: Ali Pashë Tepelena dhe Vasiliqia, tablo e Paol Emil Jacobs)
[*]
(Në foto: Kopertina e librit Luani i "Epirit Ali Pashai dhe Suli" i autorit Spiro Mela)
(Në foto: Ali Pashë Tepelena)
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.09.2013 - See more at: http://www.shqiptarja.com/Dossier/2711/cmendurite-dhe-mizorite-e-ali-pashe-tepelenes-per-te-kenaqur-vasiliqine-174874.html#sthash.DDeZSTQO.dpuf
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Shqiperia Etnike ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Historia Shqiptare & Trevat - Turizmi - Arkitektura
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi