AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Fate të rrëmbyer”

Shko poshtë

“Fate të rrëmbyer” Empty “Fate të rrëmbyer”

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Jul 12, 2013 8:15 pm

Dita Botërore e Popullsisë 
Klodiana Kapo
Të gjithë u shokuan para dy vitesh, kur një djalë 14-vjeçar nga fshati Bilisht i Korçës rrëmbeu në shtëpinë e tij, një vajzë 11-vjeçare. Familja e vajzës lajmëroi menjëherë policinë me akuzën se vajzën e tyre e kishin rrëmbyer me qëllim trafikimi. Në zonën e Bilishtit, të gjithë u tronditën nga kjo ngjarje, e cila u kthye menjëherë në lajmin e parë në të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara. Por pas gjetjes së vajzës dhe rikthimit të saj në shtëpi, duket se historia kishte një tjetër zanafillë. Atë të martesës së hershme në familjet rome. Në këtë zonë, të gjithë e njohin Damianin (nuk është emri i vërtetë). Ai është 14 vjeç, me sy të kaltër dhe një trup të imët. Në shtëpinë e tij na pret gjyshja e cila është tek të 50–at, xhaxhai 24 vjeç, nusja 21 vjeç dhe dy vajzat e tij të vogla. Edhe pse të tronditur nga jehona e këtij lajmi dhe pasojat që mund të sjellë për ta, janë të bindur se s’kanë bërë asgjë të gabuar, thjesht kanë ndjekur traditat e familjes së tyre. Të gjithë janë martuar në moshë fare të vogël, kur kanë qenë ende fëmijë, ndaj Damiani s’ka bërë asnjë gabim. Gjyshja tregon se dy të rinjtë duhen. Nipi ka mbaruar klasën e katërt dhe nuk shkon më në shkollë dhe vajza mund të rritet në shtëpinë e tyre. Kur vajzave u vijnë menstruacionet herët, ato quhen të rritura dhe gati për një lidhje serioze. Për të shmangur problemet lidhur me ndershmërinë e saj si vajzë, një pjesë e madhe e familjeve rome i heqin nga shkolla dhe i mbajnë në shtëpi. Nëse vajza nuk martohet shpejt, atëherë thuhet se ajo ka ndonjë “problem” dhe më së shumti janë vetë prindërit që ndërhyjnë për t’i martuar me shkuesi. Pak kilometra larg metropolit shqiptar, në Fushë-Krujë jeton Matilda 13-vjeçare, e cila u martua para dy vitesh pa dëshirën e saj me një djalë 16-vjeçar dhe sot është nënë e një vajze dymuajshe. Kësaj vogëlusheje 13-vjeçare së cilës i është rrëmbyer fëmijëria dhe është mbyllur në shtëpinë e varfër të prindërve të burrit të saj, i cili çdo ditë endet rrugëve për skrap, i është hequr e drejta për t’u shkolluar dhe për të punuar. E gjitha në emër të ruajtjes së nderit të familjes së saj. Edhe pse nuk ka ende shifra zyrtare në vendin tonë, janë me qindra fëmijë–prindër, të pashkolluar, pa mundësi punësimi dhe strehimi, që jetojnë në familjen e madhe e të rreptë që i lë gjithnjë e më të prapambetur. Edhe sepse shpesh fëmijët që vijnë në jetë nga vajza nën 18 vjeç, nuk regjistrohen në gjendjen civile, duke humbur shërbimet publike në arsim dhe shëndetësi, ose regjistrohen si fëmijët e prindërve të vajzës, pra të gjyshërve.
Ky fenomen është i përhapur edhe në shumë zona rurale të vendit. Në Fushë-Krujë, por edhe në shkollën e Bathores, në periferi të Tiranës, janë disa raste të prindërve që kanë vendosur t’i largojnë vajzat pa mbushur 14 vjeç, pasi ishin të zhvilluara fizikisht. Vajzat, edhe pse dëshironin të shkolloheshin, nuk kishin guxim të kundërshtonin vendimin e baballarëve të tyre, të cilët evitonin përballjen me mësuesit duke ua lënë këtë sihariq grave, që vetë janë rritur me ndjesinë e përulësisë ndaj burrave. Raporti mbi të drejtat e fëmijëve të Aleancës Shqiptare të Fëmijëve, tregon se shumë vajza në zona malore, në moshën 12 deri në 13-vjeçare braktisin shkollën dhe merren me punët në shtëpi duke u përgatitur për martesë. Jeta në izolim bën që martesa në sytë e këtyre vogëlusheve të shihet si alternativa më e mirë. Vajzat fejohen në moshën 13-15-vjeçare. Dasma bëhet pak vite më vonë, pas së cilës vajza shkon në shtëpinë e burrit. Përderisa burrat janë përgjithësisht emigrantë dhe jetojnë në vende të tjera, ata shpesh i lënë nuset e reja me familjen e tyre dhe kthehen në vendin e emigrimit. Burri zakonisht e viziton Shqipërinë dy herë në vit. Por çështja kyçe, për ekspertët mbetet informimi i pamjaftueshëm i vajzave të reja për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues dhe metodat kontraceptive që ato mund të përdorin kur vendosin të fillojnë marrëdhëniet seksuale. Sipas Anketës Demografike dhe Shëndetësore për vitin 2008-2009, rreth 3 për qind e femrave të grupmoshës 15-19 vjeç kishin filluar lindjen e fëmijëve. Kjo përqindje është më shumë se tri herë më e lartë në zonat rurale se sa në zonat urbane (3.8 për qind krahasuar me 1.2 për qind). Është gjithashtu afërsisht katër herë më e lartë midis vajzave që kanë përfunduar vetëm arsimin fillor, se ato që kanë përfunduar arsimin e mesëm (4.4 për qind krahasuar me 1.2 për qind). Në vitin 2008, 3.2 për qind e të gjitha aborteve, ose 270 nga 8,335 raste ishin kryer nga gratë nën moshën 20 vjeç. Ana është vetëm 16 vjeçe dhe ka mbetur shtatzënë me Endrin, shokun e saj. Nuk i ka treguar askujt rreth shtatzënisë. Mendimi i parë që i kaloi në mendje ishte aborti. Në shkollë ka dëgjuar për qendrën rinore “PO”, ku përmes disa seancave edukuese, mjekët kanë dhënë informacion për shëndetin seksual dhe riprodhues. Ana vendosi t’i besojë mjekes së kësaj qendre, për t’u informuar rreth çdo elementi të lidhur me situatën e saj fizike dhe mendore. Por një pjesë e madhe e të rejave drejtohen tek klinikat private për të kryer abort ose për të marrë pilulën e urgjencës. Mosinformimi dhe frika e gjykimit e bëjnë këtë një zgjedhje të volitshme. Në Ditën Botërore të Popullsisë, 11 korrik, UNFPA në të gjithë botën promovon një mesazh: ndaljen e shtatzënisë tek adoleshentët. Drejtori Ekzekutiv i UNFPA, dr. Babatunde Osotimehin, thekson: “Martesa e fëmijëve është një shkelje e tmerrshme e të drejtave të njeriut, që u grabit vajzave perspektivat e tyre afatgjata arsimore dhe shëndetësore. Një vajzë e martuar që fëmijë është dikush, potenciali i së cilës nuk do të përmbushet. Përderisa shumë prindër dhe komunitete duan më të mirën për bijat e tyre, ne duhet të punojmë së bashku t’u japim fund martesave të fëmijëve. “Të dhënat e fundit në botë dëshmojnë se janë rreth 16 milionë vajza të moshës 15 deri në 19 vjeç, që çdo vit sjellin në jetë fëmijë. Këto vajza janë viktima të komplikacioneve të ndryshme gjatë shtatzënisë apo lindjes së fëmijës, duke pësuar edhe vdekje midis vajzave të kësaj grupmoshe, veçanërisht në vendet në zhvillim, ndaj duhet të punohet shumë që të ndalen shtatzënitë në adoleshencë. Rritja e një vajze, shkollimi, punësimi i saj, bën që ajo të jetë e pavarur dhe të ketë mundësi të zgjedhë rrugën e saj të jetës. Nëse ajo nuk do të shkëputet dhunshëm nga fëmijëria e saj për ta bërë nënë në moshë të vogël, ajo do të jetë një potencial i madh si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë.
♛Melody♛
♛Melody♛

“Fate të rrëmbyer” Coolte21

Shteti Shteti : “Fate të rrëmbyer” Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi