AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

“Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin”

Shko poshtë

  “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin” Empty “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin”

Mesazh nga ♛Melody♛ Tue Jul 02, 2013 2:50 am

  “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin” Thumb_250x150
Rrëfimi i gruas pa kurorë të Ahmet Zogut, Tanja Visirova.

“Nëna Mbretëreshë e detyroi t’i premtonte se sa të qe gjallë ajo, s’do të martohej me një jo myslimane”

“E ëma donte ta martonte me motrën e Mbretit të Egjiptit”

“Zogu donte të shmangte një martesë që e rilidhte me Orientin”

Nga kërcimtare kabareje, mes bizhuterive dhe dhuratave të shtrenjta.
La Visirova u kthye në një fenomen jo vetëm francez, por edhe shqiptar. Nëse në Francë shtypi i atjeshëm shkruante për hijeshinë e kërcimtares nudo të Foli Berzhesë, në Tiranë, për të vetëm murmuritej. Tania Visirova ishte gruaja pa kurorë e Mbretit Zog. Ai e kishte admiruar në kabarenë e Parisit dhe e solli në Shqipëri për ta bërë “robinën” e tij. I bleu xhevahire, peliçe, nis t’i ndërtonte edhe një pallat, por bukuroshja nuk ishte e qetë, jo thjesht për statusin e saj, por për armiqësinë që shfaqnin kundrejt saj motrat e Zogut, Nëna Mbretëreshë dhe shqiptarët në përgjithësi. Në librin “Tanja Visirova- Nga Kaukazi në Foli Berzher”, gazetarja franceze Maria Krepo (Maria Craipeau) na ofron rrëfimin e gruas së parë të Mbretit të shqiptarëve. Përmes gazetares Visirova tregon tri vitet e saj mes Tiranës dhe Durrësit, jetën e oborrit, marrëdhëniet me familjen mbretërore dhe ministrat, të cilët e vidhnin vazhdimisht.
Nga libri
Ahmet Zogu me Nënën Mbretëreshë dhe motrat
I flisja rreth vetes, rreth revolucionit, për tim atë. Duhej të gjenim një mundësi për të sjellë tim atë në Francë fillimisht, pastaj ta fusnim në Shqipëri. Dhe ai bëri përpjekje të vërteta për këtë. Por mbi të gjitha qe ai që më fliste rreth jetës së vet. Më shpjegoi se emri Zog përfaqësonte në gjuhën shqipe fajkoin ose shpendin. Ishte i biri i një drejtuesi të fuqishëm në klanin Mati. I ati ishte vrarë gjatë një revolte kundër pushtuesve turq dhe Ahmeti ishte dërguar në Stamboll si peng. Kaloi këtu 5 vjet në pallatin e sulltanit dhe u rikthye në vendin e tij vetëm në moshën 17-vjeçare, më 1912-n; në kohën e luftërave në Ballkan, që i krijuan edhe Shqipërisë mundësinë të shkundej një herë e mirë nga zgjedha turke.
Shqipëria mbeti e pavarur për dy vjet. Më 1914-n austriakët pushtuan vendin. Ahmetin e ri nisën ta trajtojnë me shumë përkujdesi, e nisën në Austri. Ku do të rrinte deri në fund të luftës.
Pas luftës, Zogu erdhi përsëri në Shqipëri dhe filloi të merrej me politikë. Aktiviteti i tij shqetësoi presidentin e këshillit të asaj kohe, magistër Fan Noli, i cili nuk vonoi të nxjerrë një mandat arresti për të. Zogu u arratis në Jugosllavi, ku u mor me organizmin e kthimit të tij në Shqipëri. Këtu kthehet më 1924-n, në krye të një grupi të vogël (të përbërë nga besnikë dhe oficerë rusë të bardhë), me ëndrrën për të qenë Musolini i vendit të vet. Nervi i politikës ishin të hollat, Zogu i shtiu në dorë ato, në sajë të një njeriu: beut të Elbasanit, Shevqet Vërlacit, e bija e të cilit kishte qenë deri në marrëzi e dashuruar pas Zogut. Ahmeti i pranoi të hollat, në fund të vitit 1924 u bë president i Republikës, por bija e Vërlacit nuk u bë kurrë bashkëshortja e tij. Që nga kjo kohë, klani i Vërlacit u vu në opozitë me Zogun, por kjo nuk e pengoi aspak matjanin të bëhej Mbret i Shqipërisë nën emrin e Zogut I, më 8 shtator 1928.
Së shpejti do të festonte përvjetorin e parë të ngritjes në fron. I thosha vetes se isha shfaqur tepër herët. Zogu ishte ende në kulm të gjendjes euforike: “Unë jam Mbret”! Fliste si të kishte qenë pasardhës i një dinastie që kishte zaptuar fronin për shekuj. Kalonte për llogari të tij të gjitha lëvizjet historike kundër turqve. Ëndërronte ta quanin Skënderbe, si heroin e rezistencës në shek. XV-të. Madje, zhytej edhe në një të shkuar më të thellë, fliste për Shqipërinë e lashtë, për të shkuarën e saj greke, romane, bizantine, e të gjitha këto e dehnin. Teksa e dëgjoja, mendoja se i zmadhonte gjërat: por kuptoja se kurora i kishte rënë në kokë, ashtu siç më kishte rënë në kokë mua goditja e fatit. Në çdo çast përsëriste me vete: “Jam Mbret”.
Në fund të shtatorit u nisëm për në Tiranë. Pushimet kishin përfunduar. Na dhanë një shtëpi të admirueshme të stilit të vjetër që i përkiste nënës së Mbretit. Tavanet ishin bërë me dru të gdhendur dhe, në dhomat e gjumit, fletë prej argjendi të futura në dru, luanin muzikë kur kishte erë. Asgjë nuk kishte komfort. Shtëpia kishte vërtet një vaskë banje, por kjo duhej mbushur me dorë nga shërbyesit… këta ishin tamam një tufë, të mëdhenj, të vegjël, mesatarë, asnjë nuk fliste frëngjisht, vetëm disa belbëzonin në italisht. Kjo shtëpi, gjithnjë e gatshme të na mblidhte të gjithëve, gjendej në krah të pallatit mbretëror= pallatit të dikurshëm të Princit Vid.
Tirana ishte një qytet oriental. Për teatër as që bëhej fjalë, kishte vetëm një kinema të vogël, të varfër. Në tërë qytetin ishin mbjellë xhami. Më treguan se midis Zogut dhe Nënës Mbretëreshë kishte pasur një dramë, ngaqë kjo e fundit, myslimane fanatike, nuk ia falte të birit faktin që ky kishte prishur një xhami, për të hapur një shesh.
Vetëm pasi mbërritëm në Tiranë, njoha familjen e tij, gjashtë motrat dhe nënën. Armiqësia e tyre ndaj meje ishte e menjëhershme. Unë isha shumë jashtë shijeve të motrave të mbretit. Ndërsa e ëma e detyroi Zogun t’i premtonte se sa të qe gjallë ajo, ky nuk do të merrte kurrë për grua një vajzë që nuk ishte myslimane.
Zogu më foli hapur për martesë, pa dyshim për një martesë morganatike (martesë e një njeriu me pozitë mbretërore ose dinastike me një njeri të zakonshëm, por që ky i fundit nuk gëzon të drejtat ligjore që rrjedhin nga akti i martesës, ndarje pasurie, trashëgimi etj), por mua një gjë e tillë nuk më shqetësonte aspak. I përsërisja vazhdimisht:
“Ime më ka pasur një teto që ka qenë mbretëreshë dhe ajo ishte mjaft fatkeqe. E përse të martohemi? Unë jam e zgjedhura e zemrës suaj, siç thoni ju gjithnjë, mirë, pra, le të mbetem kështu: ‘E zgjedhura e zemrës suaj!’ dhe asgjë më shumë (i drejtohesha me ju, ndërsa ai më drejtohej me ti; nuk më pëlqente ta bëja këtë kalim)”. Martesa me të nuk ishte një ide që mund të më tërhiqte. Jetoja në një botë qe nuk qe e imja. Nuk dashurohesha dot pas gjërave që shihja në Tiranë.
Nëna e Zogut ishte fis i Mbretit të Egjiptit, Fuad. I kërkonte të birit që të fejohej me motrën e Mbretit Faruk dhe kujtonte se isha unë që e pengoja këtë martesë. Në të vërtetë, Zogu donte ta shmangte vetë me çdo kusht një martesë që do ta rilidhte me orientin. Duke qenë oriental, ai donte të fshinte rreth vetes çdo gjë që binte era orient, sipas tij sinonim i “prapambetjes” dhe i “mjerimit”.
Kur mbusha 21 vjeç, ditë që u festua me zhurmë, Zogu më dha një unazë “fejese”, me një diamant shtatë karatësh e gjysmë. Erdhën për të më bekuar dy priftërinj: një ortodoks dhe një katolik, erdhi edhe një mullah. U bë një ceremoni që të kujtonte fejesën ose martesën. Por e dija që kjo nuk ishte asgjë, ishte thjesht një lojë që atij i pëlqente. Luanin, kjo qe e gjitha. Dhe natyrisht, pas një rinie të varfër, aq të vuajtur, aq të dhimbshme, unë përkëdhelesha nga këto gjëra që më ndodhnin, si kjo tani: me shumë dhurata, bizhu… Hyja në lojë, por duke i lënë trurit ndriçim të mjaftueshëm, pa e humbur toruan. Kam udhëtuar në këtë vend me veturë, me kalë, që të mësoja se deri në çfarë pike kjo Shqipëri, kaq e lashtë, kaq e bukur, ishte e mjeruar. Zogu ishte një vasal i Italisë, nga e cila ishte krejtësisht i varur, edhe nëse nuk dëshironte ta pranonte këtë. Më fliste gjithnjë për projektet e veta të mëdha, për ato që do të bënte për vendin së afërmi, por gjatë kohës që unë qëndrova në atë vend, nuk lëvizi asgjë. Burimet ekzistuese, nafta dhe mineralet nuk shfrytëzoheshin. Paratë vinin nga Italia dhe i jepeshin si ndihmë Pallatit.
Në të vërtetë, me gjithë europianizimin e vet, Ahmet Zogu ishte despot oriental. Klani i tij dhe të motrat, i jepnin vetes një rëndësi të kotë, të padëgjuar. Të motrat u flaknin në kokë ministrave pantoflat. Kur vinte drejtori i Pallatit, gjithë përkulje, që t’u njoftonte se tualetet e porositura në Paris mund të vononin pakëz, ato zhvishnin këpucët dhe ia vërtitnin në fytyrë; drejtori largohej duke u tërhequr mbrapsht e duke fshehur fytyrën pas krahëve.
Zogu kishte një qen, një barzoi të quajtur Eros, me një ligësi të pabesueshme. Kur mbetesha vetëm në holl me Erosin, nuk guxoja të lëvizja e të merrja frymë.
Sa shumë drama pati me të. Një ditë në inat e sipër Zogu i dha shenjë Erosit, i cili u hodh vrik mbi njërin nga adjutantët dhe e kafshoi në krah. Krahu i këtij burri mbeti pak i paralizuar edhe pas një qëndrimi të gjatë në spital. Ministrat që paraqiteshin te Mbreti, dridheshin në atë farë feje, nga frika se mos hapeshin dosjet….
Megjithëse u kallte datën, ministrat e vidhnin në mënyrë të vazhdueshme. Shpesh ata na kërkonin, mua ose sime mëje, që të ndërhynim pranë Mbretit, p.sh., për të fituar monopolin në shitjen e një prodhimi. Përpiqeshin të na joshnin me anë të përqindjeve të mëdha që na premtonin, në rast se do t’ia dilnim mbanë kësaj pune. Unë përgjigjesha vazhdimisht: Nuk ndodhem këtu për të biseduar çështje tregtare me mbretin! Shpenzimet pa hesap në këtë vend kaq të varfër ishin vërtet një çmenduri. Mamaja nuk e pëlqente verën dhe nuk pinte kurrë një pikë. Megjithatë, arka të tëra me verë vinin për të zbukuruar tryezën e saj çdo ditë. Një ditë ajo humbi ombrellën: u sollën 12 ombrella për të zëvendësuar atë që humbi. Zogu domosdo deshi të më ofronte dy pallto-mbërriti vetëm njëra, tjetra u përla nga motrat e tij, që të thuash të drejtën nuk vuanin për sende të tilla. Ishte e vërtetë që pesë herë në ditë duhej ndryshuar tualeti, kjo më bënte të pyesja gjithnjë veten: përse?
Më vinte në mendje princi Dabilo në “E veja e gëzuar”. Zogu shëtiste me një kapelë të bardhë që mbante në majë një xhufkë, po të bardhë. Motrat e tij mbanin kostume ushtarake. Pak më vonë donte ta thjeshtonte paraqitjen e vet dhe nisi të mbante veshje qesharake, duke u shprehur se këto i jepnin kënaqësi popullit. Në fakt, këto i jepnin vetëm atij kënaqësi. Një natë pësova një krizë apendiciti, ndaj thirra Dedë Sulin në mesnate dhe i kërkova të më sillte një mjek. Mjeku mbërriti shpejt dhe më lehtësoi, por për çudinë time të madhe, në orën shtatë të mëngjesit pashë të vinte Zogun me një tërbim të shfrenuar:
-Përse e kërkove mjekun?
-Ngaqë isha tepër e sëmurë.
-Dhe ai të pa të zhveshur? Të preku?

  “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin” G-2_500x352


Tani u tërbova unë:
“Ju mbaheni për europian, por ju po thoni gjëra që vetëm një orientali i vijnë në mendje. Sa për të zhveshur, i gjithë Parisi më ka parë të zhveshur; ministrat e tu; deputetët e tu më kanë parë lakuriq, ndërsa tani që u sëmura, qenka e ndaluar të vijë një mjek që të më shohë?” Skena u mbyll sigurisht, u qetësua  duke më ofruar një barsoletë, dhuratë e uljes së tensionit. Por sidoqoftë, kishte ndodhur një skenë, e para. Ime më ishte kthyer nga Franca dhe po mësonte tani gjuhën shqipe, ndërsa unë po kërkoja të gjeja një profesor pianoje, që ndodhej diku. Më sollën me urgjencë nga Franca një piano dhe iu vura me seriozitet të punoja mbi këtë instrument të dashur. Kisha kohë të lirë, nuk dilja thuajse fare.
Në rastet e rralla kur dilja, të varfrit vraponin pas veturës sime, ndaj mbyllja perdet; më duhej të shkoja sa më thellë të ishte e mundur që t’u shpëtoja përndjekjeve, që njerëzit të mos arrinin të shihnin se si ishte favoritja e Mbretit. Kështu parapëlqeja të qëndroja në shtëpi dhe të jetoja si askete…
Brenda kafazit të artë ku u gjenda edhe një herë e mbyllur, nisi të më shuhej gëzimi, që tek unë kishte qenë aq i natyrshëm. Ne, im e më dhe unë, gjendeshim të zëna në një rrjetë intrigash dhe komplotesh. Musolini do të kishte parapëlqyer që e “zgjedhura e zemrës së Mbretit” të kishte qenë italiane, që do të mund ta mbante në korrent për gjithë ç’ngjante brenda vendit. Në popull unë nuk kisha gjithashtu mbështetje. Që nga koha e braktisjes së vajzës së Shevqet Vërlacit, Zogu ishte i papëlqyer për popullin, po ta krahasonim me një pjesë të tërë të fisnikërisë vendëse. Dhe, si kundërpeshë, edhe unë isha e tillë.
U bënë përpjekje me shumë mënyra të hidhnin Zogun kundër meje. Në 7 nëntor, ditën e përvjetorit tim, ime më më dërgoi një telegram urimi. Në darkë Zogu erdhi duke qeshur “Sapo më informuan që ti je komuniste, ja prova, nëna të uron ditën e përvjetorit të revolucionit rus”.
Por ne jo gjithnjë arrinim të qeshnim. Brenda vendit kishte një atmosferë rebelimi. Në pragun e dhomës ku unë dhe Zogu flinim, njerëz me armë të shtrira përgjonin duke gdhirë netët. Mamaja shkonte jetën duke rënë në gjunjë dhe duke iu lutur Virgjëreshës së Shenjtë që të na e bënte sa më të thjeshtë largimin. Kishte frikë për mua, për ne, për Zogun. Po të ndodhte diçka, do të ishim ne që do të akuzoheshim në radhë të parë. Atëherë si do të mundnim të dilnim nga ky vend?
Zogu pati një ide që ta martonte time më me një nga ministrat e tij. Ai e kundërshtoi këtë gjë. Më pas donte të më blinte një titull baroni austriak, por kjo mua m’u duk si poshtërim. Iu ktheva me mllef: Që të kesh titull duhet një farë përshtatjeje, si të thuash një suazë; po të nisesh nga kjo, mua nuk më mungon një gjë e tillë. Një titull të përshtatshëm do ta kem. Aq më tepër që jam fisnike nga gjyshi im polak dhe nga familja e nënës; mendoj se kaq i mjafton një gruaje…
Ahmet Zogut i pëlqente shumë ideja që në dejtë e mi lëvizte gjak mbretëror, gjak që zbriste nga princesha Gorçakov dhe Mbretëresha Natali e Serbisë. Ndaj miklohej kur mendonte se kishte një robinë si kjo; gjë e ngjashme me miklimet e tjera që i vinin kur mendonte se kishte të vetën “La Visirovën”, për të cilën shkruanin gazetat e Parisit. Por në të vërtetë pati një keqkuptim: Zogu kishte ëndërruar të kishte atë gjë që qe aq shumë në modë, Visirovën, kërcimtaren nudo, të Foli Berzherit, një parisiene të vërtetë. Por unë isha krejt… tjetër gjë. Dhe kjo gjë tjetër nuk i interesonte aspak atij. Mbreti nisi të ndërtojë një vilë të madhe për mua dhe mamanë. Por në atmosferën e vitit 1932, në Tiranë, nëna ishte sfilitur nga një frikë shtazore. Kishim aq shumë armiq: Nënën Mbretëreshë, motrat e Mbretit, popullin… Duhej të niseshim, të niseshim, të niseshim sa më parë të qe e mundur…
Më në fund, pas një krize të re xhelozie nga ana e Zogut, vendosëm që të ndahemi. Ndjeva dhimbje, kisha qenë e lidhur pas tij, por nuk mund të duroja më në kafaz. U nisa pra, pas tri vitesh jetë si favorite. Më pas, duke dashur të shpëtonte nga tutela italiane, Zogu kërkoi të martohej me ndonjë miliardere amerikane, por asnjë e tillë nuk u ndodh e gatshme që të kalonte jetën në Shqipëri: Shqipëria nuk i ngjante në asnjë pikë Monakos.
Në vitin 1938, Zogu u martua me Geraldinën. Konti Çiano, dhëndri i Musolinit, ishte një nga dëshmitarët e martesës, ndërsa Hitleri i dërgoi dhuratë martese një Mercedes të fabrikuar jashtë serie./Panorama/
♛Melody♛
♛Melody♛

  “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin” Coolte21

Shteti Shteti :   “Motrat e Zogut ishin harbute, ministrat e vidhnin” Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi