Në mendjen e mafiozëve
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Kuriozitete Te Ndryshme & Enigmat e Universit
Faqja 1 e 1
Në mendjen e mafiozëve
Brenda trurit të Cosa Nostra-s. Ankth, depresion, frikë… Psikologët e kriminelëve (dhe të afërmve të tyre) rrëfejnë shpirtrat e tyre të shqetësuar
“Një herë takova një burrë shumë të shqetësuar. I mohuar nga familja e tij, jetonte në vetmi të plotë, në paranojë, pa shkëmbyer fjalë me askënd. Në një çast më tha: “Kam një qen, ama”. Diçka më zuri grykën, ndonëse e dija se cilin kisha përballë: Ishte një vrasës i Cosa Nostra-s, që kishte hequr qafe mbi 100 njerëz, para se të kthehej në një bashkëpunëtor i drejtësisë”.
Xhirolamo Lo Verso, docent i psikoterapisë në Universitetin e Palermos, kishte hyrë atje ku askush më parë nuk kishte guxuar, në bunkerin më të paarritshëm të kupolës siçiliane: në psikozën e mafiozëve. Prej njëzet vitesh, Lo Verso pastron mekanizmat e tyre, zbulon sekrete dhe dobësi. “Kemi mbledhur rreth 50 dëshmi nga ish njerëz të lidhur me klanin, por edhe nga bashkëshortet, fëmijët dhe të afërmit e bosëve”, shpjegon ai. Si Xhakomo, një trashëgimtar i familjes mafioze, obsesiv, i shkatërruar nga shqetësimet e personalitetit. Apo Santina, e ndarë nga burri mafioz dhe seksualisht e bllokuar për besnikëri psikologjike ndaj ish bashkëshortit, “sepse kështu thotë kodi i nderit”.
Në librin e tij të fundit, Mafia në psikoterapi (Franko Anxheli), Lo Verso ka analizuar repertorin e unik në botë të rasteve klasikë të ndjekur deri më sot. Rezultati është një zbritje në botën e krimit të mendjes njerëzore. Që shpjegon pse Oktapodi nuk është thjesht një fenomen kriminal, një plagë shoqërore, një fuqi ekonomike prej 150 miliardë eurosh në vit apo një forcë politike që në Itali peshon dy milion vota. Mafia është edhe një problem psikopatologjik. “Nëse nuk e kap në kohë, s’mund ta kurosh”, shpjegon psikoterapisti. “I pari e kuptoi Xhovani Falkone, njeriu i vetëm në fakt, me të cilin pranoi të fliste Tomazo Busheta”.
Të çmendur për qejf. Për vite me radhë, mafiozët janë marrë për të çmendur. Ose më saktë, kështu na bënin të besonim (me ndihmën e mjekëve apo avokatëve të tyre) për t’i shpëtuar burgut, duke përfituar një ulje të dënimit ose arrest shtëpiak. Psikopatë imagjinarë, ashtu si bosi Antonino Markeze që ishte vetëshpallur Napoleon apo kapoja Anxhelo Botaro që thoshte se ishte i dërguar i Zotit. “Por mafiozët, derisa janë brenda Cosa Nostra-s, nuk janë fare të çmendur” thekson lo Verso. Udhëtimi i profesorit palermitan në të pandërgjegjshmen e burrave të nderit filloi që këtu, duke studiuar ekspertizat psikiatrike të Leonardo Vitales, një nga të penduarit e parë të mafias. “Në 1973 Vitale u deklarua i çmendur, dhe nuk e besuan, në fakt ai thoshte të vërtetën”. Kështu Lo Verso kuptoi boshllëkun e ndërgjegjes në psikikën mafioze. Dhe vendosi të thyente tabutë. Era frynte në anën e tij. Pas vrasjes së Falkones dhe Borselinos, Cosa Nostra u vu nën rrethim. Shumë nga anëtarët e saj përfunduan pas hekurave, të tjerë ose u arratisën ose u vranë. Në familjet mafioze plasi: fëmijët mbetën pa babë, gratë pa burra. Dikush jepte shenja çrregullimi mendor dhe kërkoi ndihmë tek psikoterapia. Kështu, u thye rregulli i shenjtë i betimit që hapi vrima të mëdha në trupin e mafies. Edhe vetë analistët mbetën me gojë hapur. Ndërkaq, Lo Verso krijoi një skuadër pune, Shkollën e analizës së studimeve mbi mafian: kërkimet shkencore shtoheshin, duke i dhënë jetë kurseve në universiteteve të Palermos, Enna-s dhe Mesinës. Një eksperiencë unike në llojin e vet, aq sa përfundoi në faqet e gazetës New York Times.
Identikiti i mafiozit. Ajo çka del nga këto studime ekskluzive është se si mafia i krijon këta ushtarthët e vegjël, që janë tepër të besueshëm ndaj shërbimit të organizatës kriminale. “Mafioz mund të lindësh, por edhe bëhesh”, thotë Lo Verso. “Ata vijnë nga një familje mafioze dhe rritet sipas një stërvitjeje mafioze që, në njëfarë mënyre, fillon shekuj përpara se ai të lindë”. Kush ushqehet dhe edukohet me vlerat arkaike mafioze, nuk zhvillon një individualitet të vetin. “Mafiozi është një tjetërsim i qenies njerëzore. Një jo-njeri që identifikohet në familjen e madhe të Cosa Nostra-s”. Me t’u ngulitur ndjenja e bindjes së thellë, ata veprojnë si robotë. Vrasin me gjakftohtësi, nuk ka rëndësi se kë. Pa emocione, pa bërë pyetje. Mafia është një fakrikë e përkryer vrasësish.
“Mafiozëve u intereson vetëm një gjë: pushteti, dhe paratë që vijnë prej tij janë dytësore”, vijon Lo Verso. Nuk kërkojnë kënaqësi të tjera, si ushqime me bollëk, një jetë të mirë, apo gjëra luksi. Aq më pak seks, i cili reduktohet në diçka të rëndomtë (siç thotë një proverb i vjetër: Të komandosh është më mirë se të q…). Ja pse Bernardo Provencano jetoi 40 vjet në një shtëpi të zymtë në fshatin e Korleonezëve, edhe pse zotëronte një pasuri prej 300 milionë eurosh.
Të brishtë. Por fuqia në dukje e njeriut të mafies fsheh brenda vetes thembrën e Akilit: një psikikë e nënzhvilluar (në kuptimin psikologjik, e Unit që nuk zhvillohet) dhe paranojake që është jashtëzakonisht e brishtë. “Kur një mafioz humb kuptimin e vetëm të të qenit, pra të qenit pjesë e Cosa Nostra-s, është i shkatërruar”, thotë Lo Verso. “Të prishesh me mafien dhe të bashkëpunosh me drejtësinë gjeneron konflikte shkatërruese të brendshme, ndaj të cilave një mendje fondamentaliste nuk di të reagojë”. Por, a mund të pendohet një burrë i besës? “Është e gabuar ta mendosh pendimin në kuptimin e krishterë të fjalës, ky interpretim bën lojën e mafies”, saktëson ai. “Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet konsideruar në mënyrë pragmatike: një figurë thelbësore në luftën kundër krimit, të cilit i leverdis të flasë më shumë se sa të heshtë”.
Tani, ndërsa një bashkëpunëtor mund të përfundojë në shtratin e Frojdit për krizën e identitetit që kalon (dhe Lo Verso ka dëgjuar shumë prej tyre), kjo nuk i ndodh kurrë një bosi me dorë të lirë. Harrojeni filmin Terapi dhe plumba ose serialin televiziv Sopranot. “Mafiozët e vërtetë nuk bëjnë psikoterapi”, ta pret shkurt Lo Verso. Ndërkaq, gjithnjë e më shpesh kërkojnë ndihmë psikologjike viktimat e mafies që jetojnë në tmerr: tregtarët e detyruar të paguajnë gjobat e mafies, magjistratët dhe policët e kërcënuar, qytetarët. Mafia të vret mendjen, përpara se ta bëjë me pistoletë.
Kriza e familjes. Shtrëngimi psikik është i fortë edhe tek familjarët e mafiozëve, me të cilët Lo Verso ka punuar shumë në psikoterapi. “Depresion i thellë, shqetësime të përgjithshme ankthi, varësi ndaj drogës, tronditje identiteti, pagjumësi, janë simptomat e zakonshme për pacientët e ardhur nga ambiente mafioze”, tregon Lo Verso. “Në rastet më të rënda, problemi qëndron tek psikoza”. Ato që i drejtohen shërbimeve të shëndetit mendor janë mbi të gjitha, femrat. “Ndërsa disa gra të mafies, të mbetura vetëm, marrin në dorë drejtimin e punëve (është thyer tabuja se gratë nuk marrin vesh), disa të tjera e vuajnë shumë botën kriminale asfiksuese dhe të pandjeshme, thotë Lo Verso. “Kriza e identitetit është shkatërruese: pacientët janë të ndarë mes dëshirës për emancipim dhe një ndjenje përkatësie”.
A ndihmon psikoterapia? “Mafia është një e keqe që e mban brenda”, konstaton mjeku. Ndonjëherë, ama, edhe mund të reagohet. Siç ndodhi me Anën, që vuante nga mania e persekutimit dhe goditjet e panikut që kur babai i saj u arrestua me akuzën e vrasjes së shumëfishtë. “Për Anën u kthye në një obsesion. Një pjesë të madhe të kohës e kalonte duke pyetur vetëm mbi pafajësinë e të atit, i vinte turp të dilte në rrugë”, kujton profesori. “Falë terapisë, Ana mësoi të pranonte se historia e familjes së saj nuk kishte të bënte me të. Sot është një drejtuese e rëndësishme e lojës së tenisit në gjysmë fushë”.
Kundërkultura. Psikoterapia ka tendencën t’i shtrijë dorën atij që kërkon të dalë nga bataku i mafies. Por, kaq nuk mjafton. Për të luftuar një të keqe kaq të madhe, duhet të mbështetemi tek kundërkultura. “Ndryshimi është duke ndodhur”, thotë gjithë shpresë, Lo Verso. “Për shembull, shoqata “Addio Pizzo” (Lamtumirë gjobë) zhvillon një terapi të gjerë antropologjike dhe sociale në këtë fushë. Sepse tregon se mafia nuk është e gjithëpushtetshme. Dhe nëse bashkohen forcat, ndjell më pak frikë”.
Nga revista Focus
Terapistët: E kanë të vështirë të shohin brenda vetes
Janë pacientë të vështirë, ata që vijnë nga mafia. “Është si të punosh me (dhe shpesh, kundër) një fisi të tërë mendor të përbërë nga probleme personale, familjare dhe kulturore”, thotë Lo Verso.
Mbështetja. Ja pse kurat klasike nuk bëjnë punë: është e kotë terapia e sjelljes, që synon të ndreqë sjelljet që gjenerojnë vuajtjen. Analiza është problematike, sepse për një psikikë kaq “fondamentaliste” është e pamundur të vësh në diskutim të pandërgjegjshmen. E pamjaftueshme është përqasja psikodinamike, që bazohet në analizën e vetvetes. “Në një fazë të parë, terapeuti mund vetëm të ofrojë një mbështetje psikologjike”, thotë Lo Verso. “Në vijim mund të provohet një qasje më dinamike-relative për t’u thelluar tek problemet, në kufijtë e të mundurës”.
Braktisjet. Ekipi i Lo Versos ka kryer një sondazh mes specialistëve të sektorit, që kishin në ngarkim 81 kriminelë dhe familjet e tyre (grafikët poshtë). Me ta, rasti i braktisjes së kurës është shumë më i lartë krahasuar me mesataren: 32%. Më pak se një në dy (46%) e ndjekin deri në fund, dhe në 22% të rasteve nuk është arritur të vendosej lidhja. “Megjithatë, shumë përfitojnë edhe nga një punë e pjesshme mbi veten”, komenton Lo Verso.
- See more at: http://www.revistaklan.com/material.php?id=3538#sthash.gldNJQyy.dpuf
AlbaniaForumsLife :: ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ Aktualitete - Kuriozitete - Vip ♥♥♥♥♥ (⁀‵⁀,)♥♥♥♥♥ :: Kuriozitete Te Ndryshme & Enigmat e Universit
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi