AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij

Shko poshtë

Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij Empty Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij

Mesazh nga ♛Melody♛ Tue May 21, 2013 11:37 pm

Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij Koliqi-e1369048226903Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij At-gjergj-fishta-poradeci-koliqi-asdreni-300x244

Nga VISAR ZHITI
Fenomeni Koliqi i tejkalon vdekjet e veta, atë që është e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe ato që ia dhanë plot me mëri, vdekjet si dënim dhe hakmarrje parake. Sipas sentencës latine mund të themi se vepra koliqjane tashmë i është vënë udhës së ringjalljes e jo vetëm të vetvetes.
T’rrëzuemin due tá çoj nga balta;
due m’u ngjit’ mbi maje t’nalta
me shtegtar’qi kerkojn’ Dritën…
Ernest Koliqi

Ernest Koliqi
Duke e parë të (ri)botuar, mbase duket jo aq e shumtë, por rëndësia e saj është e jashtëzakonshme dhe cilësia po ashtu. Ajo është me kuptimin e plotë e vetëzgjedhur, për të mos bërë firo, por përkundrazi, të rritet si vlerë. Koliqi është shkrimtar race i klasit të parë që, bashkë me Mitrush Kutelin, janë themelues në letërsinë shqipe të tregimit modern. Ja si e përcakton shkrimtari tjetër i shquar, Martin Camaj: “Koliqi letrar shquhet si krijues i novelës në letërsinë shqiptare dhe themelues i prozës moderne”.
* * *
Ernest Koliqi lindi në maj, si sot 110 vjet më parë, kur sapo kishte filluar shekulli XX, teksa Shqipëria përgatitej me mundime të merrte udhën e mëvetësisë, të dilte nga robëria e gjatë. Po aq sa dhe armët, e më pas më shumë, do të duhej libri, dija. Njeri me dije të gjëra, vizionar, mbartës i traditës mbi shpinë, mbrujtës i risive, modernes, stilist i zoti, qëmtues i fjalës, aq sa dukej sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, krijues imazhesh dhe portretesh, njohës i konflikteve, i filozofisë së tyre, i brengave dhe i gazit, ashtu si dhe i rrugëve njerëzore si të ishin rrugica të qytetit të tij, Shkodrës, me kambana dhe minare, me ëndrra e traditë e pengesa, por dhe me piano e piktura e serenata, me miqësitë e dramat, që e bëri matrikull të veprës së vet e i derdhi prarime si një lloj ari, që ndërkohë ishte dhe e artit të tij dhe, megjithëse u përpoqën më vonë për ta errësuar, vazhdimisht përndritej edhe më shumë… Ernest Koliqi ngado që shkonte, i kthehej Shkodrës, si qytetar i saj dhe si vokacion i veprës, duke e ribërë kështu si Itakën e vet. Është mik me më të kulturuarit, bashkëpunëtor, duke qenë vetë një i tillë, organizohet nëpër shoqata, shkon në Kroaci, kthehet së bashku me librin e tij me novela “Hija e maleve”, risi e paparë deri atëherë, punon si mësues në Vlorë, shkruan poezi atje, prapë në Shkodër, boton librin e dytë me tregime “Tregtar flamujsh” ndër më të mirët në Ballkan, ndikon dhe te Migjeni e më pas shkon në Universitetin e Padovas, laureohet për Letërsi, mbron diplomën me tezën “Epika popullore shqiptare”, gjë që entuziazmon albanologët më të shquar të kohës, boton libra të tjerë, përkthen më të mëdhenjtë etj. etj. Në fillimet e Luftës së Dytë Botërore, ai emërohet dhe superior i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Romës dhe po atë vit, më 1939-n, caktohet ministër i Arsimit, kur Shqipëria është e pushtuar nga fashistët italianë. Koliqi bëhet kështu kolaboracionist…
ÇËSHTJA E KOLABORACIONIZMIT
Pikërisht kolaboracionizmi do të bëhet shkaku i dënimit të shkrimtarit Ernest Koliqi nga fitimtarët pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Dënohet ai si person dhe vepra e tij, të dyja me vdekje. Koliqi në mungesë, sepse mbarimi i luftës e gjeti në Itali, ndërsa vepra e tij mëshonte fuqishëm në letërsinë shqipe. Shteti italian nuk e ktheu Ernest Koliqin për ta vrarë bashkatdhetarët e tij, përkundrazi, kurse vepra e Koliqit, dhe me ndihmën e kolegëve socrealizmit, u ndalua, u hoq nga të gjitha bibliotekat, nga të gjitha tekstet, u fut në fondin e zi, u grumbullua, u nis me roje në fabrika letrash për t’u ricikluar në letër të bardhë e karton dhe së fundmi dënohej dhe lexuesi i tij i fshehtë. Nuk duhej të flitej më për të, duhej të harrohej patjetër, duhej zhbërë. Kolaboracionizmi me fashizmin është çështja më e rëndë dhe më e errët që duket se rroposi Ernest Koliqin dhe vega ku kapen dhe sot dhe i japin të drejtë vetes për ta sulmuar shkrimtarin, për ta mënjanuar e për të mos e lënë të çmohet ashtu siç duhet. Kanë të drejtë, mund të thotë kushdo e mund të sjellë përvoja dhe shembuj nga vende dhe kultura të tjera ku janë dënuar edhe shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me pushtuesin, si nobelisti danez Knut Hamsun apo poeti amerikan Ezra Paund, madje këtë të fundit e mbyllën dhe në një kafaz në Piza për ta parë gjindja, për fjalimet e tij në radio në mbështetje të Musolinit. Natyrisht që të dy kanë zënë vendin e merituar në letërsinë e vendeve të tyre dhe asaj botërore, falë dhe apelit që kanë bërë kolegët e tyre kudo. Në vendin tonë nuk ka ndodhur kështu dhe s’kishte se si. Por unë dua të shtroj pyetjet: A ka qenë Ernest Koliqi kolaboracionist me pushtuesin në dëm të vendit të tij? Ai e thirri pushtuesin apo e zuri pushtimi? Kujt i shërbeu, të huajit apo popullit të tij dhe kombit? Po që ka që nuk janë lidhur me pushtuesin, madje dhe e kanë luftuar dhe mund ta kenë dëmtuar atdheun shumë e shumë më tepër? “Çështja Koliqi” duhet parë me seriozitet dhe përgjegjësi në mënyrë që të zërë drejtësisht vendin e vet në kujtesën kolektive, në histori dhe kulturë dhe në ndërgjegjen kombëtare. A rezulton se Koliqi nuk ka punuar në dëm të Shqipërisë? Jo dhe jo, përkundrazi. Pushtuesin nuk e solli ai, as nuk i hapi udhë me apele e himnizime, por ama nën pushtim ai punoi, edhe me pushtuesin duke shfrytëzuar ato kushte që i dha historia për kulturën kombëtare, për përparimin e saj në dobi të kombit.
Ndalim tek emërimi i tij si ministër i arsimit në kohën e pushtimit fashist. Studiues dhe biografë dëshmojnë se Koliqi pyeti Poetin Kombëtar Gjergj Fishtën që a ta pranonte këtë post. Fishta është vërtetuar me fakte nga studiues që nuk ishte fashist, mosaprovues i fashizmit, refuzues i dekoratave të tyre politike, por akademik në Akademinë italiane, adhurues i asaj kulture, prandaj dhe propaganda e mëpastajme do ta sulmonte ashpër, pa mëshirë dhe pa të drejtë. Gjergj Fishta i tha Ernest Koliqit që më mirë të bëhej ai ministër, se mund të arrihej diçka e dobishme për vendin, se sa ta merrte këté post ndonjë tjetër, që mund të ishte vegël e verbër. Edhe diçka tjetër, studiuesit tani (kujtoj inxhinierin e ditur Mërgim Korça) na kanë treguar se kryeministri Mustafa Kruja – Merlika në kabinetin e tij përzgjidhet patriot me prirje antifashiste. Po këto janë çështje e detyra që duhet t’i zgjidhin përfundimisht historianët dhe akademitë. Është fakt se me nismën e ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, u përhap institucionalisht dhe në Kosovë arsimi shqiptar, duke u çuar atje prej tij 200 mësues nga më të përgatiturit, nga “normalistët” e famshëm, ndërkohë ai hap atje dhe të parën shkollë të mesme, pikërisht më 1941-shin, kur këtej, si një hakmarrje e gjëmë, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë duke e braktisur Kosovën. Pyes përsëri se cilët kanë qenë kolaboracionistë më të dëmshëm për vendin, ata që s’kishin ç’t’i bënin të huajit që vinte si pushtues apo ata që dolën në krye të vendit e punonin për të huajin në dëm të vendit, për të ruajtur postet e tyre të larta? Po shkrimtarët që himnizuan diktaturën, diktatorin, sistemin, miqësitë dhe aleancat politike me të huajt, që shpesh nuk kanë qenë në interesin kombëtar.
Mbarimi i luftës e gjen Ernest Koliqin të ikur po në Romë me punët e albanologjisë, duke iu mbyllur rrugët e kthimit në atdhe përgjithmonë. Italia nuk e ktheu Koliqin që kërkohej në atdhe si fashist, kur fashistët vetë po dënoheshin pas përmbysjes së tyre dhe në Itali. Madje, gjyqet po dënonin për krime dhe shqiptarë të ikur, që e kishin luftuar fashizmin në male. Azilantit politik, Ernest Koliqi, i jepen mundësirat e shpalosjes së mëtejshme, madje duke e nderuar dhe dekoruar. Ai nuk do të reshtë së punuari, bashkëpunon me të arratisurit politikë, p.sh, me poetin Martin Camaj, me historianin Ago Agaj, me intelektualët arbëreshë, harton antologji mbarëkombëtare, përkthen nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, themelon katedra e revista, ndër më të vyerat “Shejzat” e tij, bashkon diasporën, ringjall botën arbëreshe, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan dhe do të ndikojë fshehtas edhe në letërsinë shqipe.
Ndërsa këtej ishte vendosur realizmi socialist dhe po dilnin romanet moderne që nisën me “Qyteti i fundit” i Petro Markos, çuditërisht roman i dashurisë dhe i urrejtjes, prandaj dhe do të ndalohej. Por po në atë vit në Romë, më 1960-n, Koliqi porsa kishte botuar romanin e tij “Shija e bukës së mbrume”, ku rrëfen jetën e të mërguarit, por që, si e gjithë letërsia e të ikurve, nuk do të lejohej të hynte në atdhe. Më pas, letërsia shqipe do të shkonte drejt romanit botëror “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Por do të ishte Koliqi që do të jepte mesazhin më largpamës në të gjithë letërsinë e Lindjes, parashikimin e rënies së perandorisë komuniste me dramën e habitshme “Rrajët lëvizin”, e cila ende nuk është ngjitur në ndonjë skenë të teatrove tona, as të Shkodrës dhe harrohet shpesh dhe tani.
Në dhjetor të vitit 1975, Ernest Koliqi vdes papritur në Romë, duke ndërprerë shumë punë, por duke lënë një opus të një rëndësie të lartë. Në ceremoninë mortore marrin pjesë kolegë shqiptarë, arbëreshë e italianë, miq nga SHBA-të, nga Turqia, Suedia, Gjermania Perëndimore, Franca, Belgjika etj. Ndërkaq, vepra të tij janë të përkthyera dhe në gjermanisht, italisht, anglisht, arabisht, greqisht etj. Prehet në Varret e Mëdha monumentale në Romë, pranë prindërve të tij, të shoqes, ku pak më tej është dhe varri i poetit anglez, Persi Bishi Shelli. Mbi mermer vazhdimisht gjenden lule të freskëta.
* * *

Gjergj Fishta, Asdreni, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi
Vepra e Ernest Koliqit ishte caktuar të zhdukej ashtu si dhe vetë autori që qe shënjuar të vritej për shkaqe të tjera jashtëletrare, megjithëse mund të besohet se, përveç ideologjisë sunduese, këtij akti iu bashkëngjit dhe ambicia ndjellakobëse e shkrimtarëve të fitimtarëve, e atyre të socrealizmit, të cilat kanë ndikuar dhe ndikojnë ende në mënjanimin e tij të padrejtë. Altari i një shkrimtari është gjuha e tij. Gjuha e Koliqit, në të folmen e ëmbël shkodrane, është një jetësim i madh fjalësh, semantikë plot shpirt, dritë dhe hove, prajshmëri e urti etj. etj, që, sa herë ta lexojmë, krahas mrekullimit, përftojmë dhe dëshpërimin për standardin dhunues të gjuhës në diktaturë. Solli aq dritë e iu dha aq terr. Koliqi arriti të japë drithërimat e ndjesitë e holla të njeriut, me delikatesë e elegancë e me stil të përkryer, lirik i pashoq. Po aq mirë sa ç’rrëfen një ngjarje, rrëfen dhe një ndjenjë, një imazh, bën një portret, vëzhgues i jetës brenda shtëpisë dhe jashtë saj, nuk i shmanget dramës, sidomos asaj së brendshmes, ku bien hijet e së shkuarës dhe rrëzëllimet e së ardhmes, sikur përpunon me filigran e argjend, shkodran, shqiptar, ballkanik, europian i vërtetë. Gjithsesi, edhe pse harrimi si dënim dhe keqkuptimet me Koliqin duket sikur vazhdojnë, është kuptuar borxhi që i kanë atij kolegët dhe lexuesit, historia e letërsisë shqipe, kultura jonë në përgjithësi e çështja kombëtare, se prej tij vetëm është marrë, pa iu kthyer tërësisht ajo që meriton, hijesorja e shkrimtarit themeltar.
* * *
Vepra e Koliqit më ka tërhequr herët. Në fillim fshehtas si një rrezik. Pastaj si një mister dhe tani si një mrekulli. Në shkrimet e mia gjejnë rast dhe dalin detaje për të, që do të doja t’i kujtoja për të thënë se ai është shkrimtari që futet te të gjithë.
Ernest Koliqi dhe moshatari i tij, XhorXh Oruell
Pak fletë, e shkruar shqip, e një shkrimtari shqiptar të ikur nga Shkodra, drama që parashikoi rënien e perandorisë komuniste… E tij është drama e çuditshme, e shkruar në Romë, “Rrajët lëvizin”, e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sa e brishte, po aq edhe epos qytetas, klasike dhe moderne, profetike sa asnjë vepër tjetër në të gjithë perandorinë komuniste. Ernest Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare. Ngjarja e dramës zhvillohet në Shkodrën e tij, në vitet ’70, kur diktatura ishte ende në kulmin e saj, në mesnatën e rëndë. Autori, si një orakull, parashikon vdekjen e diktaturës, por dhe atë të veten… rënien e kambanave të Shqipërisë së përjetshme, pra ringjalljen. Parashikimi ka një saktësi tronditëse, jo vetëm për veten, por se vërtet në vitet ’70 diktaturat komuniste nisën të tatëpjetën. Shkrimtari anglez, Xhorxh Oruelli, moshatar me Koliqin, shkroi romanin e zymtë “Tetëdhjetekatra”, si vitin alarmant të triumfit të komunizmit në vendin e tij (nënkupto botën), kurse Koliqi si një anti-Oruell, ose Oruell pozitiv, me dramën e vet, vegoi të kundërtën. Kuptohet, diktatura e goditi dhe e përfoli, e fyeu si shumëçka me shkurtpamësinë e saj. Kjo vepër e vogël i bën nder të madh letërsisë shqipe, inteligjencës në përgjithësi, sidomos asaj të Europës Lindore. Shqiptarët që vuajtën më shumë, dhanë kumtin lajmëtar më shpresëdhënës.
(nga sprova “Panteoni i nëndheshëm ose “Letërsia e dënuar”)
Tjetri në Sanremo
…Po ta them, që të ndjellim fat sa më të bukur për ty. Dëgjo. Dikur, shumë vite më parë, kishte punuar dhe një shqiptar tjetër në Sanremo, shpërndante lule me kamion. Ishte i arratisur politik, bashkë me të vëllanë, shkrimtar i ndaluar tek ju, por i njohur, Ernest quhej, mbiemrin se si e kishte… Koliqi, ia priti Martini. Po, bravo! Vëllai i Ernest Koliqit, pra, ishte shpërndarës lulesh. Niset nga Sanremoja me kamion për t’i çuar, s’di se ku. Ndal te një vend i bukur, me shtëpitë në kodër dhe do që të takojë një vajzë të bukur, që ai e pëlqen, duhen, do t’i japë lulen e saj, siç e ka bërë zakon. Ndërsa ngjitej kalldrëmit përpjetë, dëgjon kambana. Merr vesh se ajo ka vdekur papritur dhe kambanat po bien për të. Dhe ai sjell kamionin aty dhe zbraz të gjitha lulet mbi të vdekurën. E mbuloi. Dhe e la atë punë e nuk u martua kurrë. Mos u trishto. Ta thashë se është histori e bukur. Ty tani të pret tjetër gjë, të shkarkosh lulet në dasmën tënde…
(nga romani “Në kohën e britmës”)
Ernest Koliqi në sytë e nxënësit të tij, Elio Miracco, shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë:
Koliqi kishte një raport të ngushtë me studentët, dinte të dallonte momentin e profesorit akademik gjatë leksioneve e momentin e këshilltarit si një baba. Pas studimeve lidhte edhe miqësi me studentët e këtu do të përmend një studente të Koliqit, Emilia Blaiotta, që, vite më vonë, si drejtoreshë e shkollës në Frasnitë, e ka nderuar duke i dhënë shkollës emrin e tij. Kjo ngjarje sqaron marrëdhëniet e Koliqit me studentët që e respektonin si profesor, por edhe si njeri. Kujtoj ende leksionet të cilat më kanë udhëhequr drejt njohjes së letërsisë shqiptare e nëpërmjet të cilave ne studentët jemi dashuruar me Shqipërinë e përfytyruar në letërsi. Koliqi, ulur pranë tryezës së madhe e rrethuar nga studentët, pinte duhan e recitonte poezi të poetëve shqiptarë; asnjëherë s’kemi dëgjuar poezitë e veta, por i lexonim në “Shêjzat” ose në veprat e tij. Na ka çuar në Rilindje me De Radën, Frashërin e Fishtën, pastaj në letërsinë e pavarësisë. Kishte një ligjërim magjepsës që tërhiqte vëmendjen e të shpinte në malet e Shqipërisë, në Shkodër, në veri e në jug me autorët e veprat. Kujtoj, ndër të tjera, prezantimin e Migjenit me drejtpeshimin e kritikut letrar e vetëdijen e poetit që nuk përziente politikën në gjykime, kështu kurrë politika nuk ka ndërhyrë në problematikën letrare. Koliqi na paraqiti Migjenin të cilit nga ajo kohë ende i kujtoj vargjet e poezisë “Të lindet një njeri”. Më kujtonte poetët bohemë italianë ose “Scapigliati” (1860-1890) që shprehnin antikonformizëm duke iu afruar Rimbaud-it e admiruar Baudelaire-in. Ndërsa poetika moderne e Koliqit dallonte traditat negative e traditat pozitive, duke çmuar këto të fundit si rrënjët e vlerave të popullit. Për jetën e Koliqit ishim në dijeni se ishte në mërgim për probleme politike, por asnjëherë nuk na ka rrëfyer kalvarin e jetës ose të familjes në Shqipëri. Pasi mbarova studimet, kam pasur tjetër raport, shkencor e privat. Më ka ngarkuar të mbledh tekstet gojore në katundet arbëreshe në provincën e Katanxaros. Por ishte tjetër kohë, në gazeta, në libra lexoja mbi Koliqin dhe jetën në Shqipëri. Ishte koha kur regjimi komunist fillonte të ftonte arbëreshë në Shqipëri e dalëngadalë shumë miq arbëreshë i kthyen krahët vetëm për një ftesë në vendin komunist.
* * *
Kultura shqiptare, e çliruar më shumë tashmë nga paragjykimet dhe sundimi i tepërt ideologjik, po kupton gjithnjë e më mirë të kaluarën dhe vlerat e trashëguara si një pasuri e përbashkët, që i duhen kthyer asaj që i përket, së ardhmes. Askush nuk ka të drejtë të dënojë të tashmen me gjymtim të kulturës.
Vëllezërit Koliqi.
Ai që do të bëhej kardinali i parë shqiptar:
…Një si mace e bardhë kacavjerrej në dritare dhe luante me perden pa zhurmë. Loja e dritës. Dinia më tregoi si kishte mësuar t’i binte fizarmonikës me Dom Mikel Koliqin. Pse vjen ai prifti tek ti? – e pyeste operativi. Më mëson “Marshin turk” të Moxartit. Pse s’të pëlqejnë marshet tona ty? – më thanë në gjyq. Fizarmonika u shit për bukën e gojës. Nëna s’duroi dot burgun tim dhe plasi nga marazi, vdiq. Motra ra në pus, e mori poshtë litari i kovës. Dom Mikeli i lëvizte gishtat sikur të kishte pranë një piano të padukshme. Megjithëse i moshuar, dilte në të ftohtë, mes dimrit, dëgjonte nga altoparlanti pranë qendrës së emulacionit te lëmi i fshatit muzikë, të dielave Radio-Tirana jepte Rondo-kapriccioso të Sen Sans-it. Të kujtohet zëpërhapësi në shtyllën e burgut?… Kur e arrestuan Dom Mikelin, i thanë dhe për kufjet që mbante në vesh, bëje sikur dëgjoje muzikë, por t’i kishte dërguar nga Italia me barnat Ernest Koliqi, ishin aparat transmetues… armik… lidhje me jashtë e tërci-vërci… Vonë pastaj, kur ra diktatura e Dom Mikeli doli nga burgu, Papa e bëri kardinal. I pari kardinal shqiptar. Vinte nga Ferri…
(nga burgologjia “Ferri i çarë”)
Kronologji e jetës dhe e veprës së Ernest Koliqit:
1903: Lind në Shkodër më 20 maj.
1918: Shkon në Itali për studime. Themelon në Bergamo të përjavshmen studentore “Noi giovani” (Ne të rinjtë), ku boton dhe vjershat e tij të para në italisht.
1921: Kthehet në Shqipëri, forcon miqësinë me Luigj Gurakuqin. Fiton konkursin e Ministrisë së Arsimit për një himn kombëtar me juri: At Gjergj Fishta, Fan Noli, Mit’hat Frashëri e Luigj Gurakuqi.
1923: Bëhet anëtar në shoqërinë “Bashkimi” të Avni Rrustemit. Largohet nga atdheu dhe boton poemthin “Kushtrimi i Skandërbeut”.
1929: Në Zarë të Dalmacisë, Kroaci, boton vëllimin e novelave “Hija e maleve”.
1930 – 1933: Arsimtar në Vlorë e Shkodër.
1932: Boton vëllimin I të përkthimeve me titull “Poetët e Mëdhenjë t’Italisë” (Dante, Petrarka, Aristoteli e Taso).
1933: Boton librin e vjershave “Gjurmat e stinëve”.
1934: Bashkëpunon me të përkohshmen “Illyria”.
1935: Boton librin e dytë me novela “Tregtar flamujsh”
1935: Boton vëllimin II të antologjisë “Poetët e Mëdhenj t’Italisë”
1937: Përfundon studimet Universitare dhe doktoratën në Padova me temën “Etika popullore shqiptare”.
1939: Emërohet ministër i Arsimit. Mbështet botimin e dy vëllimeve të rëndësishme “Shkrimtarët shqiptarë” e “Visaret e Kombit”. Emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Universitetin e Romës.
1940: Organizon në Tiranë kongresin e studimeve shqiptare me pjesëmarrjen e studiuesve më të njohur nga vendi dhe bota.
1941 – 1942: Dërgon në Kosovë 200 mësues për hapjen e shkollave të para në gjuhën shqipe (deri në Novi Pazar, ish-qytet shqiptar)
1947: Boton në fletoren “L’Albaniae Libre”.
1957: Me dekret të kryetarit të Italisë, Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe e Universitetit të Romës nderohet duke u bërë Institut i Studimeve shqiptare për meritë të drejtuesit të saj, Koliqit. Boton në Firence, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, vëllimin “Poezia popullore shqiptare”. Themelon revistën kulturore, letrare e shkencore “Shejzat”.
1959: Boton vëllimin “Kangjelet e Rilindjes” italisht, teksa nxit arbëreshët të ruajnë gjuhën dhe identitetin kombëtar të tyre. 1960: Boton romanin “Shija e bukës mrame”, me temë mërgimin.
1961: Përkthen në italisht poemthin e Ali Asllanit “Dasma shqiptare”.
1962: Përkthen në italisht këngën e 26-të të “Lahutës të Malcis” të Gjergj Fishtës.
1963: Boton “Pasqyrat e Narcizit” dhe “Antologji e lirikës shqipe” në italisht, ku përfshihen dhe poetë nga Kosova për herë të parë.
1965: Boton monografinë për Shqipërinë “ALBANIA”.
1970: Boton dramën “Rrajët lëvizin” dhe poemthin “Simfonia e shqipeve”
1971: Përkthen italisht nga “Lahuta e Malcis” episodin e Marash Ucit (kangët 12 – 13 – 14 – 15).
1972: Boton një përmbledhje shkrimesh e kumtesash “Saggi di Letteratura Albanese”.
1973: Vazhdon në italisht “Lahuta e Malcis”, episodin “Oso Kuka” (kangët 2–3–4–5).
1975: Vdes papritmas në Romë më 15 janar dhe varroset më 18 janar po në Romë.

/panorama
♛Melody♛
♛Melody♛

Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij Coolte21

Shteti Shteti : Ernest Koliqi- letrar u dënua nga kolegët e tij Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi