AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare

Shko poshtë

Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare Empty Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Sep 13, 2013 10:42 pm


Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare 1379067788-pasuria_fetarePër herë të parë Revista JAVA nxjerr nga arkivi i shtetit evidencat origjinale të vitit 1967, rreth pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që dispononin institucionet fetare në atë kohë. Lista e buxheteve dhe pronave të komuniteteve fetare të hartuara nga burokratët e pushtetit në fillim të vitit 1967 të mjafton të hedhësh dritë për atë që ishte menduar prej kohësh nga regjimi kundër fesë. Fjalimi i Enver Hoxhës për dasitë fetare para Komiteti Qendror më 6 shkurt të 1967, thjesht e shpejtoi gjithçka, ndërkohë që vendimi për t’i dhënë fund kishte kohë e kohë që ishte marrë. Në këtë material të gjatë, nxjerrë nga Arkivi i Shtetit, edhe në dokumentin faktik ku paraqitet gjendja e fundit e pronave dhe situatës ekonomike-financiare, ka shumë cinizëm dhe mungesë korrektësie. Një e tillë, që i mungon deridiku edhe sot shtetit shqiptar në marrëdhënien zyrtare me komunitetet fetare...


Është pak e paditur sot e kësaj dite se kush ka qenë speechwriter-i zyrtar i Enver Hoxhës për fjalimet lidhur me fenë. Por, kushdoqoftë, helmin që derdhi në atë fjalim dhe që u lexua me të gjithë grimasat e mundshme të  Enver Hoxhës, më shkurt të vitit 1967, të bën të kuptosh se Shqipëria kishte kohë që e kish dënuar fenë me vdekje. E ndërsa të rinjtë të indoktrinuar në kulm, nën shembullin e Revolucionit Kulturor kinez, po i përgatisnin kudo (kinse spontanisht) që të derdheshin mbi objektet e kultit duke shfrytëzuar disi dhe frymën revolucionare që ngrihej për gjëra gati në absurd, burokratët prej kohësh i kishin larë hesapet me fenë. Një informacion i detajuar i Kuvendit Popullor, që ruhet në Arkivin e Shtetit (Pa datë të saktë), jep të gjithë situatën ekonomike financiare të komuniteteve fetare në zgrip të gjendjes së tyre dhe pronat, që u kishin mbetur. I gjithë ai pretendim, që ngrihet sot me pronat ende të pamarra të komuniteteve, ndoshta mund të ketë një fillesë të mirë me këtë dokument. Që është i pamëshirshëm, por edhe mbyllet me shprehjen e cinizmit kur flitet për verdiktin se “Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë së secilit komunitet”. Raporti edhe pse i referohet momentit të ditëve të marsit 1967 shkruhet në kohën e shkuar dhe kjo tregon se marrëdhënia e komuniteteve fetare me shtetin ka arritur pikën më të ulët. Referimi është dy kolonësh: Marsi i vitit 1967 dhe fillim i Prillit. Nga ato ditë: Komuniteti Mysliman nga 60 veta personel do katandiset me vetëm 13 syresh dhe nga fondi i pagës 30050 Lek (rroga mesatare në atë kohë është 550Lek) tani do shkojë në 8300 Lek. Komuniteti Bektashian nga 14 Dervishë përfundon në 5 vetë dhe ndihma që përbën vetëm alokacioni për Kryegjyshin reduktohet nga 3941Lek në 2300 Lek. Kisha katolike nga 12 vetë personel përfundon në tre vetë dhe nga fondi i pagës që e ka 2880lek përfundon në fondin 1530 Lek. Kisha Ortodokse nga 194 vetë përfundon në vetëm 10 vetë dhe fondi ulet nga 45360 Lek në 5380 Lek. Pasi bëhet një përllogaritje e llogarive rrjedhëse (po e botojmë të plotë) me cinizëm thuhet se meqë kanë gjendje ne nuk i kemi subvencionuar për tremujorin e dytë! Por, s’kanë ç’të bëjnë më. Është fundi. Ata, pak klerikë të mbetur, do vdesin një nga një. Në vitin 1971, shkruan Edwin Jacques,- kishin mbetur gjallë vetëm 14 priftërinj katolikë, 12 prej të cilëve në internim ose në burgje kurse 2 rrinin të fshehur...Më 1973 do vdesë pas gjashtë vitesh burg dhe Damian Konobnesi, kryepeshkopi ortodoks, element që do t’i sjellë shumë probleme edhe imazhit të regjimit komunist.
 
Pasuritë e luajtshme

Ndërkohë, presioni nuk mjaftohet me kaq. Presioni ekonomik e ka bërë rubinetin të mbyllet gati fare edhe për pasuritë e tundshme dhe të patundshme të komuniteteve. Komuniteti mysliman, në informacionin që i kërkohet, paraqitet me rreth 280 rrënjë ullinj në Elbasan dhe me rreth 276 ndërtime kudo nëpër Shqipëri, por edhe vetë nuk ka të dhëna për xhamitë për shkak të histerisë që ka pësuar! Dokumenti as nuk përpiqet ta fshehë asfare.”Sesa është numri i xhamive në qytete dhe fshatra, Kryesia e Komunitetit nuk ka të dhëna, pasi nuk i ka egjistruara. Por nga të dhënat, që kanë shumica e xhamive në qendër dhe në rrethe janë mbyllur. Gjithashtu janë mbyllur dhe tyrbet. Xhamitë dhe tyrbet që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore”. E të mendosh një pjesë e tyre janë monumente kulture dhe me vlera të rrallë arkitekturore, atëherë vërtetë tmerrohesh. Komuniteti Bektashian duket disi më “i favorizuar”, pasi edhe ritet e saj janë shumë më liberale, por edhe i duhet ende regjimit për make-up! Bektashinjtë posedojnë gjithsej në këtë fund rreth 34 dynym tokë, nga këto 29 dynym i kanë kaluar N.B.Sh “Gjegj Dimitrov” “dhe pjesa tjetër që ndodhet brenda oborrit rrethues të godinës së kryegjyshatës janë mbajtur nga ajo”. Gjeografia e pronave të bektashinjve është e madhe dhe kanë shumë pasuri të patundshme kudo gati në të gjithë Shqipërinë. Janë afërsisht 45 teqe të mbetura, nga të cilat vetëm në Gjirokastër numërohen 17 syresh, në zonën e Fushë-Krujës janë 9, në zonën e Korçës 10, kurse në zonën e Beratit janë 9. Bektashinjtë kanë dhe prona të patundshme, të tilla si ndërtesa banime me aksesorë 50; 9 mullinj që vlerëson me 1.600.000 Lek; 2 Dyqane dhe pasuri të luajtshme si orendi dhe pajisje me vlerë 320.000 Lek dhe bagëti të imta e të trasha me rreth 650 krerë, që kapin vlerën e 230.000. Shuma e pronës së saj shkon në 2.150.000Lek. Por, edhe kjo pronë e mbetur ishte pasi s’është më: “Tani të gjithë teqetë janë mbyllur.
 
Nga pasuritë që kishin një pjesë të hollash dhe orendish u janë dhënë klerikëve që shërbenin në to, kurse pjesa tjetër me proces verbale të rregullt u ka kaluar kooperativave bujqësore. Shumica e klerikëve janë pranuar si anëtarë të kooperativave bujqësore. Edhe teqetë e qyteteve dhe pasuria e tyre, duke hequr një pjesë që kanë marrë klerikët për nevojat e tyre, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve”. Dokumenti mbetet i paqartë sepse kush e menaxhon më komunitetin, kur nuk funksionojnë më teqetë. Nga ana tjetër, regjimi kujdeset pak më shumë për bektashinjtë, sepse nëpërmjet tyre mban ende marrëdhënie me një grup vendesh të botës së tretë të besimit mysliman shiit.  Sa i përket Kishës Katolike e merr lehtë me mëndje katrahurën. Asaj i kanë mbetur gjithsej 31 kisha, nga të cilat  8 kisha në famullinë e Shkodrës, 2 në Tiranë, 2 në Bushat, 3 në Dajç, 2 në Juban, 2 në Bajzë, 2 në Kastrat, 2 në Laç të Kurbinit, 2 në Laç të Vaut të Dejës, 2 në Lezhë, 2 në Pllanë dhe 2 në Kashnjet.
 
“Megjithëse në të dhënat që na ka paraqitur Kryesia e Kishës nuk bëhet fjalë për qelat, shtojmë se pranë çdo kishe ka nga 1 qelë (shtëpi banimi) për priftërinjtë”.  Çuditërisht mungojnë referencat e tjera për kishën, por marrëdhënia e shtetit me katolikët ka kohë që është e nderë, për të mos thënë ata janë gati inekzistent. Kisha Ortodokse posedon gjithsej si pasuri të paluajtshme 600 kisha qytetesh dhe fshatrash, si edhe 8 manastire. Në manastire figurojnë të regjistruara 500 krerë bagëti deri më 1 Janar të 1967. Pasi bëhet një inventar i përgjithshëm thuhet se: “Sipas të dhënave që ka kryesia, e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e manastireve është marrë në dorëzim me proces verbal të rregullt nga ana e kooperativave të afërta, pasi tani të gjithë manastiret janë mbyllur. Gjithashtu, me përjashtim të 5 kishave që funksionojnë akoma, 1 në Berat, 1 në Kavajë, 1 në Durrës, 1 në Tiranë dhe në 1 në Shkodër të gjithë kisha e tjera janë mbyllur. Pasuria e tyre e luajtshme e dhe e paluajtshme u ka kaluar me procesverbal të rregullt kooperativave bujqësore ose komiteteve ekzekutive të Këshillave Popullore të rretheve” dhe “Magazinat e kishave të qyteteve Vlorë, Fier, Lushnjë dhe Elbasan pasi u bë inventari fizik me proces-verbal të rregullt (Në Vlorë dhe Lushnjë duke qenë prezent edhe përfaqësues të financës dhe të Rinisë) u mbyllën dhe u vulosën...”. Të mendosh se vetëm kishat, ku kanë punuar ikonografët e mëdhenj, krenaria e kulturës shqiptare, duhet të jenë mbi tridhjetë syresh, të kap tmerri për këtë konfiskim. Aty ku ka punuar Onufri, Shpataraku, Çetirët, tani është stallë, në mundësinë më të mirë depo drithi. Dënimi është dhënë. Thjesht viktima duhet të kënaqet me orët ‘e fundit’.
 
\Por cinizmi s’ka mbaruar
Njeriu anonim, në orët e fundit të hartimit të këtij materiali, ka kohë që të ketë dhe humor.

“Përfundimisht, në rast se do të jetë nevoja që për efekte protokollare të asistojnë organizmat qendrore të institucioneve fetare, do të ishte e mjaftueshme të kishin një personal prej 3 vetësh (kryetari, një sekretar dhe një person për shërbime të ndryshme)”. Subvencioni, që jepet, është gati qesharak dhe të bën të kuptosh se çfarë vlere kanë. Për Komunitetin mysliman 21.600Lek, për atë Bektashian 19.200 Lek, për atë ortodoks është 20.880 Lek dhe atë katolik është 16.800Lek. Dhe, një fjali e frikshme në fund, ku duket se është bërë esëll: “Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë së secilit komunitet”. Se për çfarë duhen më ndërtesat qendrore kuptohet. Klerikët e mbetur kukulla duhet të bëjnë ndonjë pritje diplomatike sa për të thënë që ne ekzistojmë. Kurse jashtë perimetrit të këtyre godinave, histeria nuk pushon. Me klerikët tallen në masë, ata më me fat burgosen dhe internohen, kurse shqiptarët edhe pse gjithçka është bërë me urdhër nga larg dhe me mobilizim spontan tregojnë se janë një popull jo aq fetar. Të pakët që rezistojnë janë shumë ‘demode’. Për ironinë e të gjithës përdoret thënia e famshme e Pashko Vasës: Feja e shqiptarit është shqiptaria..., njeriut që vetë dergjet në një varrezë fetare në Bejrut. Regjimi socialist, nuk do të mbetet pas nga ‘histeria’ e disa aktivistëve të rinisë. Shumë syresh, nga këta të fundit, u ricikluan në politikë pas viteve ’90. Më 19 nëntor të vitit 1967, qeveria nxori dekretin famëkeq nr. 4337 me titullin “Mbi abrogimin e disa dekreteve”, ku u eliminuan menjëherë dekretet e viteve 1949-1951, që legalizonin kartat e komuniteteve fetare. S’mbaroi këtu. U ndaluan të gjitha ritet fetare dhe u parashikuan penalizime për shkelësit. Paradoksalisht, kushtetuta në fuqi ende u garantonte të gjithë qytetarëve, lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë. Element që ‘u rregullua’ me nenin 55 të Kushtetutës së vitit 1976, ku ndaloheshin rreptësisht të gjithë veprimtaritë dhe propaganda fetare... Atëkohë, speechwriter-at e shumtë të politikanëve shqiptarë do mbahen mënd për garën se kush thurte më shumë anatema ndaj Zotit.
Që atë vit, objektet fetare u shndërruan në teatro, palestra, punishte, vatra kulture e deri banja publike, veprim që do të rregullohej përgjysmë në vitet ’90, por duke mos e abroguar asnjëherë shpirtërisht atë vendim absurd të Shqipërisë, që më 1967...provoi t’i jepte Zotit dënimin me vdekje.
 
 
Kur shteti inventarizoi për t’fundit herë fenë

Në këtë dokument të Kuvendit Popullor të vitit 1967 jepet i gjithë inventari i mbetur i pasurive të Tundshme dhe Patundshme të Komuniteteve Fetare bashkë me buxhetet e tyre. Aty përshkruhet edhe si kanë kaluar të gjitha në dorë të komiteteve ekzekutive dhe kooperativave të fshatrave...
 
Informacion mbi gjendjen ekonomike-financiare
të komuniteteve fetare
Buxhetet e Komuniteteve Fetare për vitin 1967 duke përfshirë edhe subvencionin nga shteti, kanë qenë ndërtuar si më poshtë:
 
Emërtimi Të ardhura Shpenzime Subvenc. Dhënë për vjetore lek lek Shteti lek trem. i lek
1. Kom. Myslm.          153.753 433.753 140.000 35.000 
2. Kom.Bektsh. 27.000                     88.808 30.000 7.500
3. Kish.Katol.     - 68.000 30.000 7.500
4. Kish.Ortod.           597.600 741.600 100.00 25.000
Shuma gjithsej:     778.353                   1.132.151 300.000 75.000      
 
Nga buxhetet e mësipërme një pjesë e mirë e tyre parashikohej të shpenzohej për nevojat e ndryshme (për automjete, dieta, shpenzime zyre etj.,), kurse pjesa tjetër shpenzohej për pagat e personelit. Gjendja e personelit dhe shpenzimet për secilin komunitet në të kaluarën dhe sot paraqitet si vijon:
 
Deri në fund të marsit                     Nga fillimi i prillit e këtej 
1. Komuniteti mysliman
Në qendër 8 vetë Në qendër 4 vetë
Në rrethe 52 vetë Në rrethe 9 vetë
Fondi i pagës mujore 30.050 lek Fondi i pagës mujore 8.300 lek
 
2. Komuniteti Bektashian
Ushqim e veshmbathje për 14 dervishë Ushqim e veshmbathje dhe për alokacion të Kryegjyshit lekë për 5 vetë plus alokacion për        
në muaj  3.941 Kryegjyshin e sekretarin lekë në muaj  2.300                               
3. Kisha Katolike
Në qendër 6 vetë Në qendër 3 vetë
Në rrethe 6 vetë Në qendër 3 vetë
Fondi i pagës mujore lek 2.800 Fondi i pagës mujore lek 1530.
 
4. Kisha Ortodokse
Në qendër 8 vetë Në qendër 4 vetë
Në rrethe 186 vetë Në rrethe 6 vetë
Fondi i pagave mujore lekë 45.360 Fondi i pagave mujore lekë 5.380.
 
Me gjithë shkurtimet që kanë bërë, përsëri kanë mbajtur një numër të madh personeli. Sot në llogaritë rrjedhëse të kryesive të Komuniteteve Fetare ndodhen këto shuma të hollash:
 
1. Kryesia e Komunitetit Mysliman 23.400 lekë
2. Kryesia e Kishës Ortodokse 128.200 lekë
3. Kryesia e Komunitetit Bektashian 34.000 lekë
4. Kryesia e Kishës Katolike 1.282 lekë.
Duke marrë parasysh disponibilitetin e mësipërm, ne nuk i kemi subvencionuar për tremujorin e dytë.
Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme:
1. Komuniteti Mysliman:
- Ullinj 280 rrënjë në Elbasan.
- Banesa, dyqane, depo, etj., ka gjithsej 276.
Nga këto në Tiranë 19; në Krujë 15; në Durrës 56; në Kavajë 3; në Elbasan 23; në Peqin 6; në Vlorë 57; në Berat 17; në Korçë 19; në Gjirokastër 31; në Shkodër 24 dhe në Lezhë 6. Se sa është numri i xhamive në qytete dhe fshatra, Kryesia e Komunitetit nuk ka të dhëna, pasi nuk i ka të regjistruara. Por nga të dhënat që kanë shumica e xhamive në qendër dhe rrethe janë mbyllur. Gjithashtu janë mbyllur edhe të gjitha tyrbet. Xhamitë dhe tyrbet e mbyllura që ndodhen në qytete u kanë kaluar komiteteve ekzekutive, kurse ato në fshatra u kanë kaluar kooperativave bujqësore. 
 
2. Komuniteti Bektashian: 
- Kryegjyshata posedonte gjithsej 34 dynym tokë. Nga këto 29 dynym i kanë kaluar N.B.SH “Gjergj Dimitrov” dhe Uzinës së Traktorëve, kurse 5 dynym që ndodhen brenda oborrit rrethues të godinës së Kryegjyshatës janë mbajtur nga Kryegjyshata. Gjithashtu, Kryegjyshata posedon sot edhe këtë pasuri të paluajtshme: 
- Një pallat kryesor…… vlerësuar 300.000 lekë
- Një banesë të re dykatëshe….. “ “         95.000 lekë 
- Një garazh dhe depo……  “ “          15.000 lekë
- Një hajatllëk, furrë me kazanllëk “ “          11.000 lekë
- Një kafe – oxhak ……  “ “          16.500 lekë
- Një godinë përdhese me 4 dhoma…. “ “           38.360 lekë
- Dy stalla dhe magazine…… “ “           52.000 lekë
- Një shtëpi përdhese me 3 dhoma në lagjen “Ali Demi”       25.000 lekë
- Teqera gjithsej 45. Nga këto në zonën e Gjirokastrës 17, në zonën e Fushë-Krujës 9, në zonën e Korçës 10 dhe në zonën e Beratit 9.
- Çdo teqe ka si pasuri të paluajtshme ndërtesën e saj me aksesorë dhe një pjesë të vogël tokë buke.
- Përveç ndërtesave të tyre me aksesorë, teqetë e mëposhtme posedojnë edhe këtë pasuri të paluajtshme: 
Teqeja e Fushë-Krujës: 2 shtëpi banimi në qytetin e Durrësit dhe 2 mullinj, 1 te Ura e Gjormës    dhe 1 në Laknas.
Teqeja e Koshtanit Tepelenë: 1 mulli në Krahës.
Teqeja e Rabijes Tepelenë: 1 mulli në Kramenar të Mallakastrës.
Teqeja e Turanit Korçë: 1 mulli në qytetin e Korçës.
Teqeja e Mekanit Korçë: 1 shtëpi banimi në qytetin e Korçës.
Gjyshata e Gjirokastrës: 2 dyqane në qytetin e Gjirokastrës. 
Teqeja e Kutës: 1 mulli në fshatin Kutë.
Teqeja e Frashërit: 2 mullinj, 1 në fshatin Frashër, 1 në fshatin Kosinjë të Frashërit. 
Teqeja e Shëmbërdhenjit Gramsh:1 shtëpi e 1 mulli në fshatin Kapricë.
Teqeja e Kreshovës: 1 shtëpi në qytetin e Ersekës.
- Bagëti të imta dhe të trasha: 
  17 teqetë e zonës së Gjirokastrës posedojnë 350 krerë.
  28 teqetë e zonës Korçë - Fushë Krujë dhe Berat – Prishtë posedojnë 300 krerë. 
Përfundimisht 45 teqetë e mësipërme posedojnë këtë pasuri të luajtshme e të paluajtshme:
Pasuri të paluajtshme:
Ndërtesa banimi me aksesorë 50
Mullinj 9
Dyqane                           2
Vlerësuar gjithsej me 1.600.000 lekë
Pasuri të luajtshme:
Orendi, pajisje etj. Gjithsej vlerësuar 320.00 lekë
Bagëti të imta e të trasha krerë 650
230.000 lekë 
Shuma :   2.150.000 lekë.
 
Gjithashtu nga teqetë e mësipërme 4 prej tyre posedojnë edhe këto pemishte dhe ullinj:
Teqeja e Turanit Korçë 14 dynym pemishte me mollë.
Teqeja e Qatromit 8      “            “                  “.
Teqeja e Madhe Elbasan 150 rrënjë ullinj në Elbasan.
Teqeja e “Baba Hamitit” 70         “        “              “
 
- Tani të gjitha teqetë janë mbyllur. Nga pasuritë që kishin një pjesë të hollash dhe orendish u janë dhënë klerikëve që shërbenin në to, kurse pjesa tjetër me procesverbal të rregullt u ka kaluar kooperativave bujqësore.
Shumica e klerikëve janë pranuar si anëtarë të kooperativave bujqësore.
- Edhe teqetë e qyteteve dhe pasuria e tyre, duke hequr një pjesë që kanë marrë klerikët për nevojat e tyre, u kanë kaluar komiteteve ekzekutive të këshillave popullore të rretheve ose qyteteve.
 
3. Kisha Katolike:
- Kisha gjithsej 31. Nga këto në famullinë e Shkodrës 8, në Tiranë 2, në Bushat 2, në Dajç 3, në Juban 2, në Bajzë 2, në Kastrat 2, në Laç të Kurbinit 2, në Laç të Vaut të Dejës 2, në Lezhë 2, në Pllan 2, dhe në Kashnjet 2. Gjithashtu, Kuvendi Françeskan posedon: 3 dynym tokë, 22 rrënjë pemë të ndryshme dhe 350 rrënjë hardhi në qytetin e Shkodrës, një shtëpi të vogël në oborrin e Katedrales dhe 1 jerevi të cilën e ka artizanati, 5 dhoma në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit dhe një godinë në Lezhë, 2 dhoma të së cilës i ka spitali civil. Megjithëse në të dhënat që na ka paraqitur Kryesia e Kishës nuk bëhet fjalë fare për qelat, shtojmë se pranë çdo kishe ka nga 1 qelë (shtëpi banimi) për priftërinjtë.
 
4. Kisha Ortodokse:
- Posedon gjithsej si pasuri të paluajtshme 600 kisha qytetesh dhe fshatrash si dhe 8 manastire. 
- Në manastiret gjer më 01.01.1967 figurojnë të regjistruara 500 krerë bagëti të imta dhe të trasha. 
Gjithashtu, çdo manastir ka edhe pajisje të brendshme si: shtretër, shtresa e mbulesa, orendi, magazina me bereqet, tagji, bylmetra etj. Ku më shumë e ku më pak çdo manastir posedon sasi pemësh frutore. Për t’u përmendur është baçeja me mollë e manastirit të Hoçishtit në Korçë dhe baçeja me pemë të ndryshme e manastirit të Shën Gjonit në Elbasan. 
- Ullishta posedojnë manastiri i Ardenicës dhe ai i Elbasanit si dhe kishat e qytetit të Elbasanit. Pak rrënjë posedojnë edhe kishat e fshatrave të Myzeqesë, kurse vreshta posedojnë vetëm manastiri i Shën Marenës dhe kisha e qytetit të Pogradecit. Sipas të dhënave që ka Kryesia e gjithë pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e manastireve është marrë në dorëzim me procesverbal të rregullt nga ana e kooperativave bujqësore të afërta, pasi tani të gjitha manastiret janë mbyllur. Gjithashtu, në përjashtim të 5 kishave që funksionojnë akoma; 1 në Berat (qytet); 1 në Kavajë (qytet), 1 në Durrës (qytet); 1 në Tiranë (qytet) dhe 1 në Shkodër (qytet) të gjitha kishat e tjera janë mbyllur. Pasuria e tyre e luajtshme dhe e paluajtshme u ka kaluar me procesverbal të rregullt kooperativave bujqësore ose komiteteve ekzekutive të k.p. të rretheve.
- Çdo Komunitet Ortodoks në rrethe posedon si pasuri të paluajtshme edhe shtëpi banimi dhe dyqane. Se sa janë këto dhe ku janë nuk na janë dhënë nga ana e Kryesisë së Kishës, pasi ajo nuk I ka të regjistruara. Të gjithë shtëpitë dhe dyqanet që kanë komunitetet ortodokse në rrethe – janë të regjistruara në zëvendësinë episkopale dhe në seksionin financiar të komitetit ekzekutiv të rrethit përkatës. Përsa I përket Komunitetit Ortodoks të qytetit të Tiranës, ai posedon këtë pasuri të paluajtshme: Kishën e qytetit, godinën e zyrave të kryesisë me 5 dhoma dhe anekse si dhe 6 dyqane.
- Përveç pasurive që u përmendën më lart, çdo zëvendësi episkopale dhe metropolitan qyteti ka magazinën e saj me material të nevojshme për kishat, kryesisht parafinë, dyll dhe vaj. Magazinat e kishave të qyteteve Vlorë, Fier, Lushnje dhe Elbasan pasi u bë inventari fizik me procesverbal të rregullt (në Vlorë dhe në Lushnje duke qenë present edhe përfaqësues të financës dhe të rinisë) u mbyllën dhe u vulosën. Edhe në magazinën e Kryesisë së Kishës Ortodokse dhe të Kryesisë së Kishës në qytetin e Tiranës, figurojnë të regjistruara si gjendje në magazinë mallrat si vijon:
Qirinj të gatshëm kg. 308
Qirinj sparmaceta kg. 3.590
Brumë parafine kg. 1.000
Parafinë kg. 160
Dyllë blete kg. 65
Vaj ulliri litra 102
Vaj i përzier litra 174
Goma veture të reja copë 10
Goma veture të përdorura copë 8. 
 
- Gjithashtu, kishat e qyteteve, manastiret dhe Kryesia e Kishës Ortodokse kanë edhe gjendje arke në bankë. Gjendja e arkave të kishave të qyteteve (duke u përfshirë në to edhe ajo e fshatrave përkatëse të çdo rrethi) paraqitet si vijon: 
 
Kisha       Gjendja (lekë)
1. Kisha e Tiranës më 1.1.1967 140.549,20
2.   “   Durrësit 13.212,50
3.   “   Kavajës       11.935,70
4.   “   Korçës 243.930,45
5.   “   Pogradecit 34.149,80
6.   “   Leskovikut 17.003
7.   “   Beratit 38.658,20
8.   “   Gjirokastrës 130.702,35
9.   “   Përmetit 22.831,50
10.   “   Himarës 544,42
11.   “   Delvinës 51.940,75
12.   “   Poliçanit 413
13.   “   Shkodrës 49.396,25
14.   “   Sarandës 46.465,20
15.   “   Elbasanit më 20.02.1967 17.262,15
16.   “   Lushnjës    68.919,40
17.   “   Fierit 188.203,25
18.   “   Vlorës 106.608,60 
SHUMA: 1.182.725,72.
 
Gjendja e arkave të manastireve paraqitet si vijon:
Manastiri Gjendja (lekë)

1. Manastiri i Voskopojës më 01.10.1966 2.755,25
2.      “     Hoçishtit 01.01.1967 21.899,70
3.             Boboshticës 587,30
4.     “      Kamenicës 1.656,75
5.     “      Shën Marenës 9.668,80
6.     “      Ardenicës 24.256
7.     “      Goranxisë `695.96
8.    “       Kozmait më 25.11.1967 2.961,95
SHUMA: 1.247.107,43
 
Arka e Kryesisë Gjendja (lekë)

1. Nga buxheti i përgjithshëm më 06.03.1967   247.201,25
2. Fond sigurimi 94.592,10 
SHUMA: 341.793,35
Përfundimisht në rast se do të jetë nevoja që për efekte protokollare të ekzistojnë organizmat qendrore të institucioneve fetare, do të ishte e mjaftueshme të kishim një personel prej 3 vetësh (kryetari, një sekretar dhe një person për shërbime të ndryshme). Në këtë rast do të duhej për secilin Komunitet një subvencion vjetor si vijon:
 
1. Për Komunitetin Mysliman 21.600 lekë
2.   “           “       Bektashian 19.200   “
3.   “           “       Ortodoks 20.800   “
4.   “           “       Katolik 16.800   “ 
SHUMA 78.480 lekë
 
Përsa i përket pasurisë që kanë, kjo t’u shtetëzohet e tëra me përjashtim të ndërtesave të selisë të secilit Komunitet.
♛Melody♛
♛Melody♛

Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare Coolte21

Shteti Shteti : Lista e pasurive te kater komuniteteve fetare Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi