Analfabetizmi i adoleshenteve, flasin studiuesit
Faqja 1 e 1
Analfabetizmi i adoleshenteve, flasin studiuesit
Një javë më parë, një raport i nxjerrë nga Banka Botërore ka dhënë një numër të frikshëm për sa i përket analfabetizmit funksional. Gati më shumë se gjysma e 15 vjeçarëve shqiptarë janë të paaftë të perceptojnë realitetin që i rrethon... Ndërsa politika është zhytur në retorika absurde, specialistët komentojnë se kjo është një katastrofë kombëtare, ndërsa ka ardhur momenti që përgjegjësit të ndërgjegjësohen për t’iu rënë kambanave të alarmit
Nëse dje dhe sot më shumë se gjysma e adoleshentëve nuk janë të aftë të kuptojnë atë që lexojnë dhe realitetin që iu përcillet përmes librave, nëse sot e gjithë ditën politika e shurdhët e përdor alarmin vetëm për retorikat e radhës, atëherë ç’mebetet të thuhet për të nesërmen, pas 20 vjetësh, kur ata do të përbëjnë gjysmën e popullsisë aktive e cila do të duhet të marrë përsipër zhvillimin e vendit? Nëse ka një retorikë që qëndron pezull, është pikërisht kjo. Të gjithë e dinë përgjigjen, pak zgjedhin të flasin, dhe jo nga pragmatizmi.
“Kjo do të thotë se kjo shoqëri jo vetëm që e vuan këtë problem, por as nuk e pranon që e ka dhe e konsideron si diçka normale”, e mbyll komentin e tij pedagogu Ermal Hasimja. Sipas tij shifra mund edhe të jetë e ekzagjeruar, por ama problemi që ajo konstaton është i dukshëm dhe i frikshëm. Ndërsa arsyet janë një zinxhir i gjatë. Për pedagogen Mirela Kumbaro “kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve. 15-vjeçarët nuk janë as të opozitës dhe as të shumicës, ata janë të ardhmërisë. Ne sot, me politikat tona, ose e nxijmë ose e zbardhim të ardhmen...”.
Për sociologun Zyhdi Dervishi, historia ka nisur të gjenerojë këtu e 30 vjet më parë, në fakt. Megjithatë, sot arsyet e degjenerimit në një shifër të tillë janë të qarta: “Tekste të shkruara nga amatorë që mësojnë dorën me tekstet e shkollës, mësues të pakualifikuar dhe jo të pasionuar pas zanatit, natyrisht prodhojnë nxënës analfabet funksionalë, deri edhe studentë analfabet funksionalë”. Ose, siç do t’i quante ndryshe pedagogu i njohur Edmond Tupja, një popull “autik”. Është e frikshme të besosh në një autizëm masiv, e megjithatë, nga patologjia e vërtetë, duket se këtë fenomen pakogjë e ndan. "No comment" preferoi të qëndronte rektori i Universitetit të Tiranës, i pyetur nga revista lidhur me fenomenin e bërë publik prej mediave një javë më parë.
Shifra e ekzagjeruar, por problemet ekzistojnë
Pedagogu shpjegon se në shumicën e rasteve, atyre u duhet të bëjnë përpjekje rishtare me disa elementë të formimit të studentit, që duhet të ishin dhënë që në gjimnaz
Ermal Hasimja
Nuk mund ta konstatoj problemin që nxjerr në pah raporti në institucionin ku punoj, sepse studentët aty janë të një niveli mbi mesataren. Megjithatë, gjatë 12 viteve pune si pedagog në universitete të ndryshme kam konstatuar probleme të vazhdueshme me formimin e maturantëve kur kalojnë në stadin e studentit. Ndoshta shifra e raportit më duket pak e ekzagjeruar, mirëpo problemi që ajo konstaton është i dukshëm dhe i frikshëm. Shpesh, ne pedagogëve na duhet të merremi me disa elementë të formimit të studentit, që duhet të ishin dhënë që në gjimnaz. Sidomos me strukturimin e mendimit dhe mendimin kritik. Fakti që studentët kanë vështirësi të tilla janë njëfarë dëshmie e problemit që konstaton raporti, sepse paaftësia për të kuptuar është arsyeja kryesore e të mësuarit përmendësh apo paaftësisë për të menduar mbi bazën e tekstit.
Arsyet janë të shumta. Së pari mendësia e kalbur e një shoqërie që mashtron veten me nota fiktive: prindërit mashtrojnë fëmijët dhe veten, mësuesit mashtrojnë fëmijët dhe prindërit, fëmijët mashtrojnë veten dhe prindërit. Dhe në fund gjejnë punë në shtet ose përfundojnë mish për top elektoral duke kërkuar “drejtësi sociale” dhe “rishpërndarje të drejtë”. Së dyti kemi një sistem inflacionist që nuk mundëson dallimin e nxënësve nga njëri-tjetri. Nga të gjithë ata që dalin me dhjeta nëpër shkollat tona, përfshi edhe gjimnazet, vetëm një pakicë i meriton vërtet. Fajtorë janë prindërit, mësuesit, fëmijët dhe autoritetet që tolerojnë situatën. Së treti, kemi plot mësues të paaftë që shmangin mendimin kritik dhe nxisin të mësuarit përmendësh, domethënë të mësuarit pa patur nevojë të kuptohet mësimi, sepse kjo është mënyra e vetme që kanë për ta krahasuar informacionin e tekstit me atë që thotë nxënësi.
Përgjigjet që kanë politikanët janë zakonisht qesharake dhe përmblidhen kryesisht në rritjen e buxhetit. Por në fakt rritja e buxhetit nuk garanton asnjë, sepse nuk lidhet drejtpërdrejt me asnjë nga arsyet e problemit. Kjo do të thotë se kjo shoqëri jo vetëm që e vuan këtë problem, por as nuk e pranon që e ka dhe e konsideron si diçka normale.
Situata është alarmante
Është për të ardhur keq politizimi që po i bëhet
Sipas pedagoges kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve
Mirela Kumbaro
Duhet të shmangim që në fillim rrezikun e ngatërrimit të këtij fenomeni me analfabetizmin klasik dhe, sidomos, abuzimin që mund të bëhet nga retorika politike e rënduar prej zgjedhjeve.
Bëhet fjalë për paaftësinë në të lexuar dhe në të shkruar, jo sepse individi nuk ka asnjë shkollim, por sepse ka humbur aftësinë e të kuptuarit dhe të të shkruarit që ka nxënë në shkollë.
Ky lloj analfabetizmi nuk është tipik shqiptar. E gjejmë kudo, edhe në vendet e zhvilluara. Por ajo që mua më shqetëson jashtë mase, është fakti se, sipas këtij studimi, ai karakterizon më shumë se gjysmën e 15 vjeçarëve të vendit tonë.
Në vendet me zhvillim normal, këtë fenomen e gjejmë te moshat e rritura, që e kanë kryer shkollimin bazë në vitet ’60, kur Europa nuk kishte të njëjtin nivel arsimimi që ka sot, çka jep shifra midis 10 dhe 20 % të popullsisë nga 18 deri 65 vjeç, që vijnë nga shtresa më të defavorizuara të shoqërisë.
E megjithatë, në këto vende alarmi është shumë i madh, madje Franca, që sivjet e ka ulur në 8% (18-65 vjeç) e ka shpallur sërish analfabetizmin funksional si kauzën e vitit 2013.
I dhashë këto shembuj për të kuptuar se shifra e raportuar nga BB-ja për 15-vjeçarët shqiptarë është shumë shqetësuese.
Nëse më shumë se gjysma e tyre "diagnostikohen" si analfabetë funksionalë, mund të përfytyrojmë se si do të jetë pas 20 vjetësh gjysma e popullsisë aktive e cila do të duhet të marrë përsipër zhvillimin e vendit.
Do të kisha qenë më e qetë sikur këto shifra të vinin nga statistikat kombëtare, sepse kjo do të thoshte se qeveria do ta kishte marrë seriozisht këtë problem dhe me siguri do të kishte menduar një strategji kombëtare, arsimore dhe sociale, për ta shëruar.
Është për të ardhur keq kur shohim se si politizohet ky argument nga kalendari elektoral i ditës, ndërsa dua të theksoj se kjo shifër është produkt i politikave të këqija sociale dhe arsimore të të gjitha qeverisjeve të këtyre 20 viteve.
15-vjeçarët nuk janë as të opozitës dhe as të shumicës, ata janë të ardhmërisë. Ne sot, me politikat tona, ose e nxijmë ose e zbardhim të ardhmen.
Fenomeni është pjellë e anarkisë në arsim
Sociologu i njohur nuk e fsheh keqardhjen teksa thekson se kjo shifër e BB duhet të jetë kambanë e fortë alarmi për të ristrukturuar rrënjësisht sistemin arsimor
Zyhdi Dervishi
Më trishton kjo shifër e dhënë nga Banka Botërore. Mua nuk më interesojnë shumë komentet e kaheve politike, sepse janë komente të politizuar. Unë gjithë jetën kam punuar për shkollën shqiptare, kam qenë dhe jam pedagog në universitet. Por ndërkohë kam shkruar tre libra sociologjie për shkollat e mesme që kanë qenë dhe janë në qarkullim. Me keqardhje them se shkolla shqiptare nuk i mëson nxënësit dhe studentët se si të mirëpërdorin gjuhën shqipe. Jo vetëm 15 vjeçarët, por edhe në shkollë të mesme, madje dhe në universitet ka jo pak studentë që nuk njohin logjikën e gjuhës shqipe. Shpesh të tjera gjëra duan të thonë e të tjera gjëra thonë. Me keqardhje them që shkolla shqiptare gjatë pothuajse 30 vjetëve të fundit ka patur një rënie graduale. Kjo rënie ka filluar, sepse, sipas mendimit tim, gjatë vitit ’83 – ’84, rënia është totale në të gjitha drejtimet. Tekstet që marrin nëpër duar nxënësit dhe studentët janë shkruar dhe po shkruhen gjithnjë e më keq. Autoriteti i mësuesve dhe pedagogëve është thërrmuar dhe po thërrmohet. Ndërkohë, mediat e ndryshme nuk ofrojnë modele komunikimi fin, logjikë, por ofrojnë modele komunikimi vulgar, deri në shëmti. Unë drejtoj seminare me studentë të niveleve master dhe vë re që kanë shumë defekte në komunikimin gjuhësor. Nuk arrijnë të ndjekin logjikën e fjalës dhe më duhet shpesh të bëj analiza fjalësh, tekstesh, për t’i futur në logjikën e gjuhës shqipe.
Për mua, edhe këta njerëz që nuk njohin logjikën e gjuhës amtare janë analafabetë funksional. Shoqëria shqiptare ndodhet përballë shumë sfidash sot, por sfida kryesore, sipas mendimit tim është ristrukturimi i sistemit të shkollimit, shndërrimi i shkollimit në një proces të bazuar mirë logjikisht dhe në një proces që bazohet në meritokraci. Unë mendoj se për të, mos patur analfabet funksional lipset të ristrukturohet hartimi i teksteve që në klasën e parë fillore deri në vitin e fundit universitet. Hartimi i teksteve lipset të bëhet nga profesionistë të klasit të parë e jo nga amatorë e shtëpi botuese amatoreske. Nxënësve dhe studentëve, në forma të ndryshme u duhen ofruar tekste shumë të sakta gjuhësisht dhe të shkruar me shumë elegancë. Me keqardhje them që magjitstarët e gjuhës shqipe, korifejtë e gjuhës shqipe kanë dalë nga qarkullimi. Por jo për arsye politike, por për interesa ekonomike mizerabël. Aq sa e njoh unë gjuhën shqipe, ndoshta kryemagjistari i gjuhës shqipe është Eqerem Çabej. Mjaft tekste të tij lipset të studiohen në pothuajse gjithë nivelet e shkollimit me qëllim që të mësohet gjuha shqipe. Ne kemi një gjuhë shumë të pasur, shumë të normuar, shumë të aftë për të shprehur nuancat më të holla të mendimit shkencor, filozofik, artistik etj.
Mësuesit që i shtjellojnë tekstet nuk punojnë me pasionin e duhur, të paktën për dy arsye kryesore. E para një pjesë e tyre nuk janë profesionistë, nuk njohin shkencën dhe e dyta, një pjesë e tyre nuk njohin artin e mësimdhënies. Pra, tekste të shkruara nga amatorë që mësojnë dorën me tekstet e shkollës, mësues të pakualifikuar dhe jo të pasionuar pas zanatit, natyrisht prodhojnë nxënës analfabet funksionalë, deri edhe studentë analfabet funksionalë. Kjo çështje është një sfidë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Shqiptaret bëhen shumë qesharakë, kur shprehen se pretendojnë se dinë disa gjuhë të huaja, në të vërtetë ata nuk njohin as gjuhen shqipe. Shkencëtari më i shquar në fushën e gjuhësisë, Eqerem Çabej, komunikonte në 12 gjuhë të huaja, por në kurikulum shënonte vetëm dy, shqip dhe gjermanisht, meqë ishte arsimuar në gjuhën gjermane.
Unë mendoj se kjo shifër e BB duhet të jetë kambanë e fortë alarmi për të ristrukturuar rrënjësisht sistemin arsimor.
Këtu ka anarki. Anarkia në arsim është shumë e rëndë. Sa të ketë anarki do prodhohen më shumë analfabetë funksional.
Po kthehemi në një popull “autik”
Sipas pedagogut, katastrofa e kësaj shifre vjen më pas. Procesi i edukimit, qytetërimit, kulturës dhe arsimimit po vishet nga një lustër e frikshme që po fabrikon gjysmëinjorantë
Edmond Tupja
Të dhënat që flasin për analfabetizmin funksional tek 15-vjeçarët e sipër janë alarmuese. Dhe unë parashikoj që ne po shkojmë drejt një katastrofe në këtë drejtim, jo vetëm intelektuale, por edhe më shumë, se po fabrikojmë gjysmëinjorantë. Kush do t’i qeverisë te ne brezat e ardhshëm? Sepse do kemi një lustër qytetërimi, një lustër edukate, një lustër kulture dhe poshtë lustrës do kemi një boshllëk të frikshëm.
Për mua, shifra të tilla të atij që quhet analfabetizëm funksional janë një katastrofë kombëtare. Unë e shoh te studentët, shoh të rinjtë si flasin sot, si shkruajnë, si shprehen, si komunikojnë.
Më kujtohet, jo shumë kohë më parë, një studente të gazetarisë, e theksoj, e gazetarisë, kishte një detyrë dhe më kërkoi një intervistë. Dakord i thashë. Më çon tre rreshta, me 36 fjalë dhe në 36 fjalë, studentja e gazetarisë së vitit të dytë, kishte 30 gabime. Dhe unë i përgjigjem se, në këto kushte, nuk pranoje t'i jepja intervistën e premtuar. E shikoni se si edhe vetë studentët vërtetojnë të ardhmen e mynxyrshme të arsimit dhe kulturës në Shqipëri?
Të lexuarit dhe të moskuptuarit është një sindromë shumë e rrezikshme. Ju keni dëgjuar të flitet për autizmin. Ka fëmijë autikë që mësojnë të shkruajnë. Shkruajnë dhe lexojnë shumë bukur. Kur prindi i një fëmije të tillë ikën dhe i lë një copë letër në shtëpi, p.sh.: “Gjellën e ke në frigorifer”, ky e merr letrën, e lexon dhe rri e pret të vijë e ëma t’i japë për të ngrënë, se nuk e kupton atë që është shkruar. Pra, ne sot rrezikojmë të kthehemi në një popull “autik”, në një popull papagall. Madje unë mund ta quaj këtë papagallizim të popullit shqiptar.
Lidhur me shkaqet, kjo u takon më mirë sociologëve ta thonë, por mendoj që shteti, shoqëria, intelektualët që janë të fragmentizuar duhet t’i bien kambanës së alarmit në këtë pikë.
Procesi i edukimit është një proces që varet nga shumë faktorë. Unë si pedagog përpiqem ta bëj punën time, por mjaft studentë janë të pamotivuar, nuk studiojnë as një orë në ditë e jo më tepër. Unë jam përditë përballë tyre dhe e shoh këtë. Nuk kanë dëshirën për të studiuar. Të jetë vallë një prirje e të rinjve në vendet në zhvillim? Ti e çon internetin kudo, në çdo cep të Shqipërisë. Ç’kuptim ka? Që vetëm të informohemi, të "fejsbukohemi"? Njerëzi nuk janë të motivuar, s’kanë të ardhme, shohin që punë s’ka, duan të ikin jashtë shtetit. Drogohen me çdo gjë, drogohen me drogë, drogohen me lodra, rrinë nga pesë orë në kafe... plus pastaj, arsimi privat, me "bëmat" e tij, ndonëse ka universitete private që janë të mira, po nja tre a katër, po ashtu edhe shkolla të mesme private serioze ka, përpiqemi dhe ne të arsimit të arsimit publik të bëjmë diçka, por nuk mjafton, mjerisht./shqiperia
Similar topics
» Meshkujt dhe femrat: Nuk flasin njëlloj…!
» Meshkujt flasin për futboll dy herë më shumë se për femrat
» Astronautët E Modulit Skylab Flasin Për Jetën Në Hapësirë
» “Cigaret që flasin”, projekti i të ardhmes për të lënë duhanin
» Njeriu i pare qe i degjon te tjeret perpara se ata te flasin
» Meshkujt flasin për futboll dy herë më shumë se për femrat
» Astronautët E Modulit Skylab Flasin Për Jetën Në Hapësirë
» “Cigaret që flasin”, projekti i të ardhmes për të lënë duhanin
» Njeriu i pare qe i degjon te tjeret perpara se ata te flasin
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi