AlbaniaForumsLife
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë

Shko poshtë

Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë Empty Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë

Mesazh nga ♛Melody♛ Fri Jul 12, 2013 11:05 pm

Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë Zhulat-korrik-2013.-Monumenti-i-Idriz-Sulit-24Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë Copy-of-Zhulat-korrik-2013.-Monumenti-i-Idriz-Sulit-0
 Një skulpturë madhështore e gdhendur në dru, që për asnjë dyshim përbën një vepër të madhe arti dhe një simbol të rrallë të historisë dhe kulturës kombëtare, është duke hedhur shtat në qendër të fshati Zhulat në Komunën Cepo të Gjirokastrës. Përmendorja e luftëtarit dhe mendimtarit zhulatas Idriz Suli, pasardhës i priftit iluminist Papa Zhuli të Zhulatit, është duke u gdhendur nga një skulptor amator vendas. Ai është duke përdorur për këtë vepër trupin e trungut të një rrapi historik që ka qëndruar aty për rreth 500-600 vjet në qendër të fshatit si simbol i qëndresës, bashkimit, bashkëjetesës dhe i vlerave të një komuniteti të lashtë, por që fatkeqësisht kishte disa vjet që ishte tharë plotësisht.
 
“Vdekja” e rrapeve dhe “fundi” i rrapit të Zhulatit
Në krahina të ndryshme të jugut të Shqipërisë ka qenë traditë shumëshekullore që të ruhej me fanatizëm një pemë, e cila përgjithësisht ka qenë rrap, por nuk përjashtohej edhe lisi, prralli, apo bliri, ku burrat e fshatit grumbulloheshin mbrëmjeve, debatonin, kuvendonin dhe merrnin vendime të përbashkëta. Janë të njohur, rrapi i Mashkullorës, rrapi i Libohovës, rrapi i Stegopullit, rrapi i Nivanit, rrapi i Progonatit, rrapi i Grapshit, prralli i Bodrishtës, rrapet e Kardhiqit, rrapet e Picarit, rrapi i Labovës, rrapi i Kolonjës e dhjetëra të tjerë.
Një rrap i tillë simbol shumëshekullor ka lëshuar hije deri 4-5 vjet më parë edhe në qendër të fshatit Zhulat, por jo për shkak të moshës, jo për shkak të mungesës së përkujdesjes, por për shkak të një epidemie që thau nga rrënjët më shumë se 1 000 ekzemplarë shumëshekullorë të kësaj bime, sëmundje që ende nuk i është gjendur, as emri dhe as ilaçi për ta parandaluar. Rrapi historik dhe madhështor i Zhulatit u tha nga rrënja në kurorë deri sipër në degët e tij. “Është një sëmundje e pashpjegueshme që ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë ekologjike te rrapet në të gjithë jugun e vendit. Dëme të pallogaritshme janë shënuar në Parkun Kombëtar Natyror të Ujit të Ftohtë, në Grykë të Këlcyrës dhe Mezhgoranit, në kompleksin e rrapeve shekullore të Picarit, në rrapet e Libohovës e gjetkë. Këtë fat të keq pësoi edhe rrapi i Zhulatit, një monument i rrallë i natyrës dhe i historisë. Fundin e tij banorët e fshatit e përjetuan si një tragjedi të vërtetë, pasi me këtë rrap ishte e lidhur historia e brezave të tërë, prandaj transformimi i tij në një përmendore të një prej figurave më të spikatura të historisë kombëtare siç është ajo e Idriz Sulit u pranua dhe u inkurajua nga të gjithë”, thotë për gazetën “Shqip” kryetari i komunës Dragush Logli.
 
Rrapi me status të veçantë i Zhulatit
“E kemi përjetuar keq tharjen e rrapit të fshatit tonë”, thotë 64-vjeçari Afrim Pula nga Zhulati që e takojmë në sheshin e fshatit shumë pranë përmendores në ndërtim. “Rrap i madh, fat i madh”, themi ne këtej. Hija e këtij rrapi madhështor, denbabaden në shekuj ishte “parlamenti”, shkolla, kuvendi, vendi i kushtrimit, pika nga ku niseshin luftëtarët dhe delegatët, vendi ku merreshin dhe shpalleshin vendime historike, mandej pse të mos e themi, këtu vendoseshin edhe fletërrufetë në kohën e kooperativave.
Një tjetër zhulatas i moshuar sjell një tjetër histori interesante për rrapin e Zhulatit. Plaku Feti Haxhiu, me një zë të ngjashëm me një pëshpërime të thellë, na rrëfen se deri në vitin 1945, kjo pemë simbol, fundin e së cilës ai e cilëson “gjëmë”, kishte një status të veçantë dhe rregulla të forta që nuk lejohej të goditej me sëpatë, qoftë edhe një degë e vetme. “Sipas gojëdhënave të të parëve tanë, thonë se një bashkëfshatari ynë, mos ma kërkoni emrin se nuk dua ta zë në gojë, guxoi dhe e qëlloi vetëm një herë më sëpatë rrapin e fshatit. E dini se çfarë e gjeti? U mblodh fshati dhe e dënoi duke e detyruar të ujitë me gjyma për një behar të tërë rrënjët e rrapit, u detyrua të therë dhe pjekë për fshatarët 12 dele dhe të sjellë 2 bucela me raki. Kurrë më pas nuk guxoi njeri ta prekë deri sa i erdhi kjo gjëmë, kjo sëmundje e mallkuar dhe e thau nga rrënjët.
 
Fatkeqësia e natyrës transformohet në përmendore për autorin e Kanunit të Labërisë
Të gjithë zhulatasit, ata që vazhdojnë të jetojnë në fshat dhe ata që janë larguar në zona të tjera dhe në emigracion, e përjetuan me dhimbje humbjen e pemës së tyre të dashur. Debate pafund për shpëtimin nga tharja të rrapit, ide dhe mendime nga me të ndryshmet për fatin e pemës pas tharjes së pashmangshme, por gjithsesi ideja e Nazmi Sejfos, një nga bashkëfshatarët me banim në Tiranë dhe duart e arta të skulptorit amator Murat Kërra, emigrant në Greqi, fituan mbi të gjitha idetë e tjera, u pranuan njëzëri nga i gjithë komuniteti dhe u vendos që nga trungu madhështor i pemës së lashtë të ringjallej në përmendore një nga personalitetet e fshatit me emër dhe famë në të gjithë Labërinë, nga Vlora në Himarë, nga Çamëria në Kurvelesh nga Lëkursi në Frashër. U vendos që me sponsorizim personal të ideatorit të transformimit të trungut në një vepër arti, ish-oficerit zhulatas Nazmi Selfo, të gdhendej në trungun e thatë shtatorja e atdhetarit Idriz Suli, njeriu që në histori njihet si autori i Kanunit të Labërisë. Bazuar në ligjet e Kanunit të vjetër të priftit të njohur me emrin Papa Zhuli, në parashtrimet e reja të bëra në Kuvendin e burrave të Zhulatit dhe krahinave përreth, Idriz Suli bëri ndërhyrje dhe shtesa të ndryshme e të nevojshme për kohën dhe nga Kanuni i vjetër, formësoi Kanunin e ri duke pranuar norma të reja, të cilat u njohën me emrin “Shartet e Idriz Sullit”. Historianët thonë se duke u mbështetur në strukturat etike të shoqërisë, si besa, nderi, miku, gjaku, buka, hakmarrja, divorci, trashëgimia, ndarja e pasurisë në kushtet e një shoqërie pa autoritet shtetëror, “Shartet e Idriz Sullit” dhe strukturat etike të Kanunit të Labërisë shërbyen më së miri për të rregulluar me drejtësi marrëdhëniet mes njerëzve, fshatrave dhe krahinave. Në gojëdhënat dhe historitë e vjetra për fshatin Zhulat, thuhet se dikur ai përmendet me emrin Julius, diku Zhul, diku ndryshe. Sundimtarët bizantinë e më vonë venedikasit, treguan interes dhe ky interesim jo aq shumë për vetë Zhulatin, por më shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit jonian, fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës.
Historiani turk Evia Çelebi shkruan në kronikat e tij mesjetare, se Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth janë të mbuluara me vreshta. “Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës… Sipas Çelebiut, kështjella e Zhulatit është themeluar nga mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë të tij. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas, në periudhën e sundimit të Bajazitit të shenjtë, kështjellën e zaptoi Qedik Ahmet Pasha… Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore. Kështjellë e pashembullt në bukuri, të cilës mund t‘i përngjasë ajo e Kordusit ose ajo e Benefshës në Peloponez”. Skulptorin e gdhendjes së përmendores së rrallë në trungun e rrapit e gjejmë pa vështirësi duke punuar në skelerinë e ngritur përreth trungut. Tridhjetekatërvjeçari Murat Kërra është djali i Shyqiriut, një artizan i njohur në Zhulat dhe në të gjithë krahinën, është njeriu që ka marrë përsipër realizimin e kësaj ndërmarrje të madhe e të vështirë. Ai ka përfunduar një shkollë trevjeçare arti për skulpturë dhe përpunim artistik të drurit në Athinë, ku ka emigruar rreth 12 vjet më parë. Ai e ka përdorur mjeshtërinë e babait të tij dhe pasionin e tij për të jetuar në emigracion duke nxjerrë nga duart e tij skulptura mermeri të përmasave të mëdha, vepra të vërteta arti në Greqi dhe tani së fundi ka hapur një punishte-dyqan ku prodhon dhe shet suvenirë e antikuarë. “Kjo përmendore nuk ngjan kurrsesi me ato që kam bërë deri tani, pasi si për nga përmasat historike ashtu edhe nga volumi, këtu bëhet fjalë për një vepër të vërtetë arti.”
 
Vështirësia dhe përgjegjësia
Përmendorja ka përmasat 4,5 metra e lartë dhe rreth 2 metra e gjerë. Murati thotë se e ka nisur punën me përpunimin e trungut në mars të këtij viti. “Përpunimi i trungut të kësaj peme të lashtë ishte mjaft i vështirë, pasi bëhej fjalë për një kurorë që kapte një sipërfaqe rreth 200-300 metra katrorë, me degëzime të dala nga trungu që ishin si të thuash pemë më vete. Vende-vende ishte i kalbur dhe neve na duhej që të përdornim për shtatoren tonë pjesët e padëmtuara. Për të gjitha këto punime paraprake kisha edhe ndihmën e bashkëfshatarëve. Por kur filloi përpunimi artistik puna u vështirësua edhe më tepër”, tregon artisti pa e ndërprerë punën e tij artistike. Shtatorja e Idriz Sulit tashmë ka marrë formën e saj të plotë. Bëhet fjalë për figurën e një burri të vendosur me vështrim nga Maja e Pusit dhe me shpinë nga pylli i Piksit. Ndonëse në një pozicion të ulur sipër një “guri”, në shtatin e tij dallohen qartë veshjet tradicionale labe, fustanella, qylafi i bardhë, jeleku i qëndisur me motive tradicionale, brezi me kobure, kalcat dhe opingat e zbukuruara të labit. Bashkëfshatarë e autorit të gdhendjes së shtatores gjigante thonë se ai punon pothuajse falas, kundrejt një sponsorizimi prej 500 mijë lekësh të iniciatorit Nazmi Sejfo, shpërblim që përfshin një pagë modeste për kohën prej 5-6 muajsh që i duhen për ta përfunduar plotësisht. “Pjesa kompozicionale artistike në volum është drejt përfundimit, do të kemi disa javë të tjera punë me detajet e fytyrës, gjymtyrëve e veshjeve dhe pastaj do t’i përkushtohem punës për ta bërë veprën rezistente ndaj kohës. Për këtë kemi filluar të bashkëpunojmë me ekspertë të përpunimit të drurit, kimistë, teknologë dhe shumë shpejt do të përcaktojmë ndërhyrjet për ta bërë këtë vepër arti që të rezistojë dhe të reflektojë në breza një pjesë të historisë së fshatit tonë”, përfundon Murati.



Autor Gazeta Shqip te 12 Korrik 2013.
♛Melody♛
♛Melody♛

Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë Coolte21

Shteti Shteti : Një skulpturë për krijuesin e Kanunit të Labërisë Albania_64

Gjinia Gjinia : Female
Numri i postimeve Numri i postimeve : 4419
Faleminderit Faleminderit : 70
Antaresimi Antaresimi : 22/04/2013

http://www.unicalbania.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi